Një jetë në shërbim të arsimit, kulturës dhe të shkencës shqiptare

Histori & Fakte | Mikel Gojani | 19.07.15 | 21:29

Homazh për Prof.Dr. Gjergj Rrapi ( 1937-2004), në 11 vjetorin e vdekjes

Shkruan Mikel Gojani
U bënë 11-vjet kur arsimi, shkenca dhe kultura shqiptare në Kosovë mbeten pa profesorin, intelektualin dhe veprimtarin e shquar, prof. dr. Gjergj Rrapin, i cili një jetë të tërë ia kushtoi arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Me humbjen e Rrapit familja mbeti pa njeriun më të dashur, studentët mbeten pa fjalën e ëmbël e me shumë kompetencë shkencore, punonjësit shkencorë mbeten pa hulumtuesin e vyeshëm prej sensit të hollë të çështjeve sociologjike, shoqëria kosovare mbeti pa veprimtarin e devotshëm për çështjen kombëtare.
Rruga jetësore dhe veprimtaria, arsimore shkencore dhe atdhetare e prof. dr. Gjergj Rrapit
Kur Kosova rënkonte nën peshën e rëndë të okupimit serb, kur popullit shqiptar i shkeleshin të drejtat në mënyrën më barbare, ky veprimtar i devotshëm i kauzës kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ishte ndër të parët që ngriti zërin lart kundër kësaj shtypjeje që regjimi serb ushtronte ndaj popullit të tij, dhe për asnjë çast deri në frymën e fundit nuk iu frikësuar dhe nuk iu është nënshtrua.
Prof. dr. Gjergj Rrapi u lind më 3.5.1937 në fshatin Stupë të komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu në fshatin Budisalc (fshat afër vendlindjes), më pastaj një pjesë të gjimnazit real në Pejë. Pas kryerjes së klasës së dytë të gjimnazit ka vazhduar mësimet në vitin e tretë të shkollës normale në Prizren, e vitin e katërt dhe të pestë i ka kryer në Prishtinë. Ka diplomuar në shkollën normale në qershor të vitit 1959. Pas kryerjes së normales ka punuar si mësues në fshatrat Ujmirë, Budisalc dhe Zllakuqan të Klinës, ndërkaq në vitin 1963 është inkuadruar në shkollën fillore “Rilindja” në Terstenik të Pejës. Si drejtor shkolle ka pune në këtë shkollë, po ashtu edhe në Shkollën e Zllakuqanit.

Në vitin 1969 është regjistruar në Degën e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, ku në këtë degë ka diplomuar dhe në vitin 1974 ka marrë titullin Sociolog. Me t`u kthyer nga Beogradi është inkuadruar në Shkollën Politike të Kosovës – Qendrën Krahinore të Arsimit Marksist, në këtë institucion ka punuar si bashkëpunëtor profesional deri sa ka kaluar në Fakultetin Filozofik në cilësinë e asistentit. Në vitin 1979 është zgjedhur ligjërues i lëndës “Metodologjia e sociologjisë” si dhe lëndën e Sociologjisë – Kursi i përgjithshëm në Fakultetin Ekonomik, ndërsa në Degën e Sociologjisë ka mbajtur ushtrimet nga lënda e Sociologjisë së përgjithshme”, si dhe lëndë të tjera sipas nevojës. Në vitin 1977 është regjistruar në Shkallën e Tretë në Degën e Sociologjisë, duke i plotësuar të gjitha kushtet e vazhdimit të rregullt të studimeve post-diplomike, sepse i ka dhënë të gjitha seminaret dhe një pjesë të provimeve .

Ka doktoruar në vitin 1986 me temën “Martesa shqiptare”. Ai është ndër themeluesit e katedrës së sociologjisë, meqë ishte i pari sociolog me gradë shkencore i Universitetit të Prishtinës. Prej themelimit të Degës së Sociologjisë deri në vdekje ka qenë sekretar i Degës së Filozofisë dhe Sociologjisë, si dhe shef i Degës i Degës së Filozofisë dhe Sociologjisë. Në kërkime shkencore nga lëmi i sociologjisë merret që nga koha kur ishte student. Është meritë ekskluzive e profesor Rrapit edhe dalja e revistës së Shoqatës së Filozofëve dhe Sociologëve të Kosovës “Thema”, që ishte edhe kryeredaktor i saj, se cilës po ashtu edhe i ka dhënë emrin.

Meritë tjetër e profesor Rrapit është se për avancimin e mendimit filozofik-sociologjik, e ka shkruar elaboratin e parë për themelimin e Institutit të Filozofisë dhe Sociologjisë, mbi bazën e të cilit Fakulteti e themelon institutin në fjalë. Ka botuar libra dhe dhjetëra studime sociologjike. Në vitin 1985 botoi librin “Savremene zadruzhne porodice na Kosovu”. Ky libër është përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Në vitin 1994 botoi librin publicistik “Kosova e viteve të ndrydhura”, në të cilin libër janë të përfshira disa shkrime publicistike , diskutime të autorit të cilat i ka paraqitur në sesione dhe simpoziume të ndryshme shkencore qysh nga viti 1985 e deri në fundvitet e `90-ta.

Ky libër është një fryt i një kohe të rëndë për individin dhe kolektivitetin në gjithë hapësirat e ish-Jugosllavisë ku jetonin shqiptarët e sidomos në Kosovë, i cili për afro dy dekada kjo popullatë u gjend nën represionin e padurueshëm të hegjemonistëve serbë, vetëm pse shqiptarët i kërkonin të drejtat e tyre demokratike, nacionale e qytetare, edhe pse shqiptarët ne Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe Kosovën Lindore janë autoktonë që nga kohët antike, pra pasardhës të ilirëve. Autori Rrapi, në këtë libër po ashtu tërheq paralelen e luftës së popullit shqiptar kundër tre nacionalizmave: kundër nacionalizmit serb, nacionalizmit malazez dhe atij maqedonas. Çështjen e Kosovës nuk e konsideron vetëm si çështje të Kosovës, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare, sido që të zgjidhet ajo, sipas tij do të jetë e paqëndrueshme. Çështja e Kosovës mund të zgjidhet drejt dhe përfundimisht vetëm me zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi – kjo është edhe ideja kryesore që i përshkon shkrimet dhe publikimet e tij dhe përgjigja e Rrapit për fatin e kombit.
Profesor Rrapi, po ashtu në vitin 1995 ka botuar librin “Familjet e mëdha të sotme shqiptare”, ndërkaq në vitin 2000 në Tiranë botoi librin “Roli i traditës së zhvillimit ekonomik”, ndërsa në vitin 1997 librin “Sociologjia”, tekst universitar. Rrapi është autorë edhe i shumë librave shkollore dhe i botimeve tjera profesionale. Po ashtu, ky studiues ka redaktuar dhjetëra libra të autorëve tjerë, si dhe ka botuar mbi 100 artikuj studimorë profesionalë në periodikun kosovar dhe jashtë.
Në një bibliografi të lënë nga vetë profesor Rrapi, ai shkruan se me punime kërkimore është marrë qysh nga bankat e studimeve, si student i Universitetit të Beogradit. Në këtë drejtim, profesor Rrapi, po ashtu ka shënuar disa nga punimet e botuara në revistat qendrore profesionale në vend si dhe në Kosovë:
– Në revistën “Sociologjia, revistë e Shoqatës së Sociologëve Jugosllav”, nr. 1/1972, e ka botuar studimin me titull: “O zadruzanoj porodici Jakaj iz sela Renovca”;
– Në revistën “Sociologia sela”, që del në Zagreb, në vitin 1976/2, ka botuar studimin me titull: “O zadruzi – tekije”;
– Në revistën “Përparimi” 1978/3/, studimi mbi filozofinë e Altyserit me titull: “Ndryshimet epistemologjike te filozofisë së tij”;
– Në “Përparimi”, po ashtu në vitin 1979, studimin me titull: “Klasikët e Marksizmit mbi fshatin dhe fshatarët”;
– Në revistën “Socioloski pregled”, revistë kjo e Shoqatës së Sociologëve të Serbisë”, në vitin 1979, studimin me titull: “O starom i novom u kosovskom selu”. Studimi në fjalë ka qenë referat i mbajtur në Këshillimin e Shoqatës së Sociologëve të Serbisë në Ivajnicë;
– Në të përditshmen “Rilindja” në vështrimin me titull: “Filozofia marksiste filozofi revolucionare”. Lidhur me librin e prof. dr. Gajo Petroviqit, që mban titullin “marksizëm i revolucija”;
– Punimin e diplomës me titull: “Danasnja Metohiska zadruga”, komision i profesorëve pranë të cilëve e mbrojta temën e propozoi temën për botim të veçantë pa ndonjë ndryshim. U propozua që tema t’i ofrohet Akademisë së Shkencave Serbe në Beograd;
– Në “Rilindje” vështrimin me titull: “Problemet e strukturës shoqërore”, përkitazi me ribotimin e veprës së prof. dr. Mihailo Popoviç, po më të njëjtin titull;
– Shqyrtimi me titull: “Trajtimi shkencor i kategorive sociologjike”, botuar në “Përparimi” 1979, lidhur me veprën e prof. dr. Ivan Kuvaciqit “Znanost i drustvo”;
– Po në revistën “Përparimi”, punim me titull: “Origjina e psikanalizës”, vështrim ky i shkruar me rastin e përkthimit në gjuhën serbokroate të veprës së Erik Fromit, “Misija Sigmunda Frojda”, Beograd 1978;
– Revista “Përparimi”, shqyrtim me titull: “Anatomia klasore e shoqërisë borgjeze, vitin 1979, nr. 4.;
– “Shqyrtim marksiste vetëqeverisëse, revista “Përparimi” 1980;
– Revista “Përparimi”, nr. 3/1980, shqyrtim me titull: “Kontraditat e shoqërisë kapi taliste, përkitazi me ribotimin e veprës së prof. dr. Ivan Kuvaciqit me titull: “Obilje i nasilje;
– Në të dyjavshmen “Fjala”, botohet një vështrim i veprës së Erik Fromit, përkitazi me vdekjen e këtij emri të madh të filozofisë, sociologjisë dhe psikologjisë së sotme botërore’
– Librin “Sociologjia”, tekst universitar, Prishtinë 1997;
– Libri, “familjet e mëdha të sotme në Kosovë” 1995, Instituti i Sociologjisë i Fakultetit Filozofik në Beograd; 16 – a): Ky libër u përkthye në gjuhën gjermane këtë vit (2001), dhe do të botohet në Graz të Austrisë kah fundi i vitit;
– E. Dyrkemi, Përkthimi i librit të tij: “Rregullat e metodës sociologjike”, Prishtinë 1985;
– Roli i traditës në zhvillimin ekonomik, Tiranë 2000;
– Shtjefën Gjeçovi – themelues i sociologjisë urbane, revista “Thema”, 15, 2000;
– Gati çdo muaj ka realizuar nga një projekt shkencor.
Kështu që, prof. dr. Gjergj Rrapi, është emër i shquar i arsimit dhe shkencës shqiptare. Me rezultatet e arritura në lëmin e filozofisë e të sociologjisë, ka lënë pas vetes aq studime, aq të arritura shkencore e libra, aq e përjetësoi punën e vet në to , sa ai gjithmonë do të jetë emër i nderuar dhe i çmuar jo vetëm në përmasat kombëtare, por edhe më gjerë. Profesor Rrapi tërë energjinë e tij e derdhi në avancimin e punës shkencore në Universitet dhe në mbrojtjen e autonomisë së tij. Në veçanti kontributi i tij ishte madhor në kohën kur shteti “juridik serb” me tërë potencialin e vet ekonomik, propagandistik, policor e ushtarak, ishte përcaktuar për zhbërjen definitive të arsimit shqip në përgjithësi, të Universitetit të Prishtinës në veçanti dhe për zhbërjen e Kosovës. Ai ishte një nga ideatorët kryesor për vazhdimit institucional dhe legal të punës së Universitetit nëpër objekte private, pas aplikimit të masave të dhunshme administrative të pushtetit serbo-komunist në Universitetin e Prishtinës. Në mbrojtje të këtij institucioni me interes kombëtar, u gjend në ballë të formave të ndryshme të rezistencës për mbrojtjen e tij dhe të shkollës shqipe.
Prof. dr. Gjergj Rrapi ishte luftëtar modern, i denjë dhe i pakompromis për të drejtat njerëzore dhe kombëtare të popullit shqiptar. Kudo që prezantonte në simpoziume të ndryshme shkencore të niveleve ndërkombëtare, haptas, në mënyrë të guximshme dhe argumentuese e prezantonte dhunën dhe gjenocidin serb mbi popullin shqiptar të Kosovës. Padyshim se në këtë kontekst kontributi i tij u sublimua me daljen në dritë të librit “Kosova e viteve të ndrydhura”, të botuar më 1993, në Prishtinë, ku në mënyrë shumë të qartë dhe argumentuese prezanton realitetin shqiptar të atyre viteve, të cilat vërtet ishin të ndrydhura e të rënda.
Ishte mik dhe krah i djathtë i profesor Fehmi Agani
Gjatë fundviteve të viteve të `80-ta, kur Kosova rënkonte nën peshën e rëndë të okupimit serb, kur të drejtat e këtij populli shkeleshin në mënyrë më drastike, ai në një simpozium shkencor në Split të Kroacisë ngriti lartë zërin e protestës kundër gjithë asaj shtypje që Serbia ushtronte ndaj popullatës shqiptare. Në këtë simpozium Rrapi u shpreh se ne shqiptarëve në Kosovë, popull autokton dhe gjysma e popullsisë në territorin kompakt, si dhe populli i tretë për nga numri në Jugosllavi, na mban shpresa se Evropa nuk do ta përsërisë gabimin e saj tragjik ndaj shqiptarëve si në vitin 1913. Pa zgjidhjen e çështjes së 3 milionë shqiptarëve nuk do të zgjidhet çështja e Jugosllavisë. Kriza jugosllave ka filluar në Kosovë dhe nuk mund të zgjidhet pa Kosovën, është shprehur ndër të tjera Rrapi në Simpoziumin e Splitit. Janë të shumta simpoziumet dhe tryezat në të cilat ka marrë pjesë z. Rrapi, i cili është ndër intelektualët që e ka kualifikuar politikën gjenocidiale të S. Milosheviqit në Kosovë dhe qëndrimet e tij ndaj kësaj politike i kanë përshëndetur prof. Branko Horvat, Rudi Supek, Predrag Matjvejeviq dhe të tjerë.
Gjatë viteve të `90-ta kur angazhimi politik e demokratik bënte jetën shqiptare, formë kjo e zgjedhur për daljen nga ai okupim i hekurt i robërisë, edhe profesor Rrapi u angazhua në jetën shoqërore e politike. Ishte themelues i Partisë Shqiptare Demokristiane, më pastaj edhe i Partisë Liberale Shqiptare. Në vitin 1997 është zgjedhur edhe kryetar i shoqatës së Filozofëve dhe Sociologëve të Kosovës. Ishte mik dhe krah i djathtë i profesor Fehmi Agani.
Prof. dr. Gjergj Rrapi, ishte njëra nga figurat tona që kanë luajtur rol në jetën tonë arsimore, intelektuale, shkencore, kulturore, shoqërore, politike dhe kombëtare në gjysmën e dytë të shekullit që e lamë pas dhe në vitet e para të këtij shekulli. Ai i takon atij brezi intelektualësh, edukuesish e veprimtarësh shqiptarë të Kosovës, të cilët me punën e tyre të përkushtuar, me kultivimin e mençurisë, dijes dhe shkencës, i kanë zgjeruar e zgjeruar gjithnjë kufijtë e lirisë vepruese e të krijimtarisë mendore. Edhe pas shtatë vjetësh e kemi parasysh personalitetin e tij të gjithanshëm: figurën e sociologut, të publicistit e të shkencëtarit, aq edhe të vepruesit politik që nga fundvitet ’80 e deri sa vdiq.
Çfarë paraqet profesor Rrapi në librin e tij, “Kosova e viteve të ndrydhura?”
Profesor Gjergj Rrapi, në vitin 1993 botoi librin publicistik “Kosova e viteve të ndrydhura”. Brenda këtij libri janë të ngërthyera disa shkrime publicistike (diskutime të autorizuara), të cilat i ka paraqitur në simpoziume dhe sesione të ndryshme shkencore në shumë vende të Kosovë, të ish- Jugosllavisë dhe të vendeve të tjera evropiane, qysh nga viti 1985 e deri në frymën e fundit të jetës së tij, më 2004.
Libri “Kosova e viteve të ndryshkura” të profesor Rrapit, është një fryt i një kohe të rëndë për individin dhe kolektivitetin shqiptar në gjithë hapësirat në ish- Jugosllavi, ku jetojnë popullata shqiptare dhe sidomos në Kosovë, i cili , që, për afro një dekadë e gjysmë kjo popullatë gjendet nën represionin e padurueshëm të hegjemonistëve komunistë serbë, vetëm pse kërkojnë të drejtat e tyre demokratike, nacionale dhe qytetare, edhe pse shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbinë Jugore (Kosovën Lindore), janë autoktonë që nga kohët antike, pas ardhjes të ilirëve.
Shkrimet publicistike të këtij autori janë një ditar i veçantë që dallon nga një ditar tjetër. Është ky një ditar i cili nuk është shkruar nga profesor Rrapi, mirëpo është shkruar në një kohë – zezonë, prandaj për këtë fakt edhe bart një të vërtetë të dhembshme, por edhe krenare.
Në librin “Kosova e viteve të ndrydhura, shfaqet një sfond i një natyre të zymtë; rropatjet e këtij populli që shekuj të tërë shkojnë në përballje me historinë; shekuj të tërë ky popull vazhdimisht pinrrohet me lirinë… Janë pamjet ekskluzive që i ka parë dhe i shohin sytë e një intelektuali, fa ti i të cilit është i lidhur ngushtë me fatin kolektiv – kombëtar. Prandaj, nyjëtimi më i thellë, më i qartë, më i guximshëm dhe, jo më tronditës i vullnetit të kombit shqiptar, njëmendësisht në publikimet e këtij vëllimi të këtij autori.
Disa nga temat bosht të përfshira në këtë libër, si “Çështja kosovare në diskursin jugosllav”, “Kosova dhe nacionalizmat”, “Shqiptarët në Kosovë dhe në vendet tjera të Jugosllavisë nuk janë pakicë kombëtare por komb”, “Ç’shoh të diskutueshme në politikën popullatave”, “Vetëdija e ideologjisë si fat tragjik për popullin shqiptar”, “Si u mor autonomia e Kosovës?”,Kosova në aktualitetin e sotëm etj., paraqesin se si Kosova prej se është aneksuar dhe është futur padrejtësisht në bashkësinë artificiale ish- jugosllave e sidomos deri në vitin 1966 ka përjetuar çastet më të vështira në historinë e saj.
Periudha e fundit, në veçanti prej vitit 1981, populli shqiptar në Kosovë dhe në gjithë hapësirat tjera të ish- Jugosllavisë përjetoi ndrydhje të mëdha, aq sa mund të thuhet lirisht, siç shprehet edhe vetë autori, “periudhë e imponimit të obskurantizmit serbosllav”. Në frymën e kësaj logjike dhe sipas konceptit armiqësor në që prinin ASHA të Serbisë, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë” ( e njohur si Francuska – 7), dhe të gjitha institucionet të tjera politike, kulturore e shoqërore serbe, duke elaboruar vazhdimësitë e projekteve famëkëqija, tashmë të njohura dhe të stërnjohura me pretekst që shqiptarët të shpërngulen, pra t’i lëshojnë vatrat e tyre stërgjyshore që i kanë ruajtur me shekuj me fanatizëm, madje edhe të asgjësohen me qëllim të rikolonizimit të Kosovës dhe serbizimit të saj.
Kapitull të veçantë autori i këtij libri i kushton pezullimit të Kushtetutës së vitit 1974, kur Serbia krijoi një gjendje edhe më të tendosur në të gjitha masat e popullit shqiptar në Kosovë dhe jashtë. Duke e vërejtur pushteti okupues serb këtë pakënaqësi të madhe të popullit, në Kosovë solli forca edhe më të mëdha ushtarake e policore, ku Kosovën e robëroi më argumentin e forcës dhe terror të papërshkrueshëm, duke i munguar çdo argument tjetër.
Autori, prof. dr. Gjergj Rrapi, në librin e tij “Kosova e viteve të ndrydhura”, tërheq shumë paralele të luftës së popullit shqiptar kundër shumë nacionalizmave, duke u fokusuar në tre nacionalizmat ortodoks: në nacionalizmin serb, malazez dhe atë maqedonas.
Çështjen e Kosovës, autori nuk e konsideron vetëm si çështje e Kosovës, sido që të zgjidhet ajo, sipas tij do të jetë e paqëndrueshme. Çështja e Kosovës, sipas profesor Rrapit, mund të zgjidhet drejt dhe përfundimisht vetëm me zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi, pra të tërë gjeografisë shqiptare, ku, kjo njëherësh është edhe ideja që i përshkon shkrimet dhe publikimet e tij dhe përgjigjja më autentike e profesor Rrapit sa i përket fatit të kombit shqiptar.
Një ide e këtillë, sipas tij mund të realizohet, në radhë të parë në bazë të rrethanave që po lëvizin në këtë pjesë të këtij globi tokësor, dhe çka është më qenësore për forcat tona politike, ndërtimi i një platforme të përbashkët politike e kombëtare. Kjo platformë do t’i paraprijë këtij synimi që është shumë racional dhe me pretendim që të realizohet në një rrethanë të caktuar politike.
Këto të dhëna dhe shumë të tjera të cilat profesor Rrapi i ka kapërthyer në brendinë e këtij libri, e bëjnë shumë të rëndësishëm këtë libër, i cili do t’i qëndrojë kohërave.
Kjo vlerë e këtij studiuesi nuk është nuk është e vetmja punë e frytshme. Profesor Rrapi punoi edhe vepra të tjera që të cilat do të lënë gjurmë për gjeneratat tona.
U shkëput nga jeta kur ishte në kulmin e fuqive të tij krijuese
Kështu, prof. dr. Gjergj Rrapi u shkëput nga jeta në kohën kur ishte në kulmin e fuqive të tij krijuese, bash në kohën kur bashkëkombësit kishin aq shumë nevojë për talentin e tij të madh, për mendjen e tij të ndritur, për fjalën e tij me autoritet, për veprimin e tij të guximshëm dhe efektiv. Zbrazëtia që la prof. dr. Gjergj Rrapi në frontin e punës e të luftës nuk është aspak e lehtë të mbushet. Por, njerëz si ai mbeten të gdhendur përjetësisht në kujtesën e kombit si pika të ndritshme referimi të historisë së tij.
Le të jenë këta rreshta një homazh e një nderim i thellë për profesorin e nderuar, Gjergj Rrapi, emrin e të cilit do ta mbajmë përjetë të paharruar.
Prandaj, prof. dr. Gjergj Rrapi, mbetet personalitet i shquar i arsimit e i shkencës shqiptare, po ashtu edhe luftëtar i denjë për të drejtat njerëzore e kombëtare.
Në përfundim mund të konstatojmë se emri dhe vepra e profesor Gjergj Rrapit do të mbeten të pashlyera në kujtesën tonë dhe të brazave që pasojnë, të cilëve u shërbeu gjatë gjithë rrugës së tij jetësore.
LEGJENDAT NE FOTO: 1. Prof. Dr. Gjergj Rrapi; 2. Pal Canaj, gjate leximit te nje kumtese per profesor Rrapin; 3. Pamje nga akademia kushtuar prof. dr. Gj. Rrapit

Pal Camaj

Pal Camaj

image

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Mikel Gojani

Mikel Gojani

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen