„Njollat e murrme“ të kryebashkiakëve

Analiza & Komente | Rrezore | 27.07.15 | 12:51

FRANO KULLI


Njollat e murrme” ka qenë titulli i një drame të shkruar nga Minush Jero dhe vënë në skenën e teatrit “A. Zako Çajupi” në Korçë nga regjisori i përmendur shqiptar, Mihallaq Luarasi, aty rreth viteve ’70. Shfaqja e parë u ngrit në qiell dhe qëndroi ashtu pezull sa një flakë kashte, sepse të nesërmen, kur e pa udhëheqësi, ajo dhe lavdia e saj u zhytën “shtatë pashë nën dhé, kurse autori dhe regjisori, gjithashtu nuk vonoi dhe u zhytën në galeritë e tmerrshme të Spaçit e Burrelit… Dhe bashkë me to u fshinë edhe “njollat e murrme” nga historia e teatrit , siç fshiheshin të gjitha njollat ideologjike në terrin e tmerrshëm të diktaturës…

Titulli i dramës fatkeqe vjen si bashkëshoqërim  me njollat e hartës së Shqipërisë që kanë murrëtyer territorin shqiptar sot, kur pas  zgjedhjeve të reja, prijës të ri vendorë përgatiten për një start të ri qeverisës. Nëse shfaqja e teatrit asokohe u dha vetëm një natë, njollat territoriale të hartës së Shqipërisë kanë ardhur e janë shtuar e shumëfishuar kohë pas kohe, përgjatë më se njëzet vjetëve dhe “autorët” e tyre, prijësit e njësive vendore të deritashme që kanë qenë 385, jo vetëm rrojnë të lirë e të qetë, po shumica e tyre janë ndër pasunarët e shënuar të këtij vendi… 

Sado që, shumë syresh janë qortuar nga opinion publik për korrupsion dhe dëm të shkaktuar interesave të komunitetit, por, mbi të gjitha, për keqtrajtimin më të egër të territorit veçanërisht. Sado që ka pasur edhe ndonjë proces hetimor e gjyqësor për mëkatet e prezumuara të tyre, gjithëherë ata janë përcjellë me pafajësi dhe kanë vijuar, jo vetëm të jenë qytetarë të lirë, por edhe si kryeqytetarë me dy, tre e katër mandate qeverisëse në krye të qeverisjes vendore.

Tani, numri i tyre është pakësuar më shumë se gjashtë herë dhe kjo është konsideruar reforma më e mirë e të gjitha kohëve ndërkaluese (tranzitore), qyshsekur në Shqipëri u rrëzua diktatura komuniste dhe u shfaq demokracia si sistem politik edhe i shoqërisë shqiptare. Veçse “njollat e murrme” të kryebashkiakëve hedhur në formën e betontë të pallateve shumëkatëshe, krejt vend e pa vend, janë aty. Dhe nuk dihet se si, e kur mund të shlyhen ato ndonjëherë prej gjithë asaj që përbën veshjen urbane të territorit të Shqipërisë.

Qytetet shqiptare nuk kanë të ngjashëm të tyre në Europë, për nga dendësia e betonizimit dhe pakësimi me progresion gjeometrik i sipërfaqeve të gjelbërta. Tirana, së pari, kryeqyteti ynë. Disa prej kryetarëve të rinj janë të rizgjedhur për të dytën, për të tretën a për të katërtën herë. Ideatori i këtij projekti dhe i reformës së centralizimit dhe reduktimit të numrit të njësive vendore, zoti Edi Rama, tani është Kryeministri i Shqipërisë. Dekoratën e vetakorduar për këtë mrekulli ai ka nisur ta ekspozojë sa herë që do të shpalosë paradën e tij të sukseseve qeverisëse.

Por, referuar opinionit publik e mediave, ka qenë vetë ai edhe arkitekti i betonizimit të Tiranës, si kryebashkiak i saj. Po a do të mundet tani ai, Kryeministri, t’i shlyejë “njollat e murrme” të betonta e ta çlirojë territorin nga ky sindrom mbytës? Natyrisht një kërkesë si kjo është përtej kufijve të utopisë; është njëlloj si të kërkosh t’i bëhet transfuzion gjaku një të sëmuri në koma. Po ta stopojë të keqen, po mundet. Dhe në vitin e parë të qeverisjes që kryeson u duk se do të fillonte ta bënte korrigjimin e mynxyrës territoriale. Shenjat se do ta bënte këtë i pati dhënë, madje edhe në formën e tyre më kurajoze e më të egër, në formën e tritolshpërthimeve. 

Në Jon në Vlorë, në Pogradec, në Tiranë. Pastaj shkoi edhe në një fshat të Tiranës e shembi edhe atje një stallë lopësh, ndërtuar pa leje. Ndërkohë shpalli një moratorium, teksa vijonte legalizimet duke i dhënë tapitë me duart e tij, duke recituar me emër e mbiemër të legalizuarin, përcjellë me batutën a romuzin e rastit. Po nuk ndaloi në Sarandë, Himarë e gjetkë në “sarajet” e miqve dhe kështu… kush deshti që me njétin e mirë ta lexonte reformën territoriale edhe si një “mea culpa” të ish-kryebashkiakut të kryeqytetit, tani Kryeministri rishtar, pati rastin të zhgënjehet shpejt fort. 

Ndaj nuk qe as nuk është e habitshme, as e papritur gjithë ajo çfarë ka ngjarë e ngjet përditë e përnatë këtu e këndej, sidomos para nisjes së fushatës zgjedhore, por pa u ndalur edhe tani. Mjafton të dëgjosh uturimën e trajlave e betonierëve në Shëngjin edhe në orën dy të natës apo, mjafton të shikosh tabelat me afishe ndërtimtarie shumëkatëshe, kudo përgjatë vijës bregdetare dhe njëherësh të shfaqet si asosacion (bashkëshoqërim) shembja e kioskave të Lanës në fillimvitet 2000 dhe shumë shpejt pas tyre, ngritja e qiellgërryesve që i kanë marrë frymën Tiranës. Autori, regjisori, producenti i farsës… vetë arkitekti është i njëjti. Është ai që ishte…

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen