Përçahuni o Shqiptarë, se po bëni detyrën e duhur

Analiza & Komente | Engjëll I. Berisha | 07.08.15 | 12:11

 

Shkruan: Engjëll I. Berisha

 

Shqiptarët kanë problem, – kush më shumë ka hise te Zoti

Derisa të tjerët, madje dhe fqinjët tanë, bëjnë industri, prodhojnë edhe për ne, lëvizin të lirë, kanë veto në vendime edhe për ne, bëjnë atraksione dhe krijojnë imazhe të mira për vendin, ne, bëhemi armiqtë e njëri tjetrit. E vërteta është se njerëzimi, bota moderne, sundon me ekonominë e zhvilluar, tani me zbulime elektronike. Bile këto zbulime tërë botën po e fusin në majën e një “çipi”, duke e monitoruar dhe manipuluar, përderisa ne, kemi nevojë të mbushim mediat, të armiqësohemi në mes veti, se a jemi ne shqiptarë, kush më shumë, dhe se a është më parë  pula apo veza. E kemi dhe një problem, kush më shumë ka hise te Zoti!

Shqiptarët po i nënshtrohen kushtrimit të ri. Jo kushtrimit ta ndihmojmë vendin, se slogani ta ndihmojmë Atdheun duket diçka e kaluar. Edhe pse me kushtrime u çliruam, akti më i lartë që ka ndodhur në historinë tonë, edhe këtu doli diçka si pazarë. Dikush bëri pazare. Tani jemi në kushtrimin më të ri: “Zihuni, përçahuni në mes veti, se po bëjmë detyrën e duhur të atyre që na lansojnë zënka”.

Na janë dashur disa shekuj të mburremi me figura patriotike që na mbajtën mendjen të ndihemi shqiptarë, të mbijetojmë, e të vijmë deri te shteti që për shumë kohë, ishte më shumë ëndërr se sa besohej se mund të bëhej, duke iu referuar vështirësive. Ndërtuam monumente të figurave dhe sa mundem e quam zërin  te shtetet me fuqi,  se,  jemi trashëgimtarë të disa figurave që i dhanë edhe heroizëm edhe humanizëm  njerëzimit.

Dhe, tani, na duhen edhe disa shekuj ti kontestojmë ato figura, e të humbim kohë për ti mbrojtur. Pse të mos ia nisim nga Serbia fqinje, e disa shtete tjera që tani dihen, kur paguajnë individë të lëshojnë deklarata kontestuese për identitetin tonë, për figurat, për etninë e për të kaluarën tonë. Dhe, priti ti shqiptarët kush më shpejtë e kush më komentues, ta nxjerrin definicionin si prej akademiku. Të gjithë u bëmë akademikë, ekspertë të fesë, historianë, e definues të së vërtetës, vetëm se nuk po  bëhemi ndërtues të infrastrukturës  paqësore në mes veti. Kjo i bie, nuk po e ndajmë shtetin, për të gjithë nga pakë, ngase, nëse marrin të gjithë nga pakë, dikush nuk mund të merr shumë.

Ju lumtë Shqiptarë, zihuni në mes veti, se a është Gjergj Kastrioti  hero kombëtarë dhe se a është  Nënë Tereza humaniste. Zihuni  se,  kush është më patriotë, kush është çlirues, e kush ishte bashkëpunëtorë den baba den me regjimet. Zihuni, se kush bashkëpunon më thellë me ndërkombëtarët, e kush e mban idealin. Zihuni, se kush është më islamikë e kush më perëndimorë. Zihuni, se, po bëni detyrën e duhur të atyre që na lansojnë këso zënka, karremin e të cilës vrapojmë ta kapim, kush më parë.

Derisa për mërgimtarët tanë vazhdon ndjenja e atdhedashurisë, për ta shijuar të lirë me familjet e tyre, të dashur për tu shtrirë shlirshëm në pushime, për  një pjesë të madhe, nisë, beteja e re, të kontestohet  thuaja çdo gjë që është e jona. Sa vonë e paskemi marrë vesh, se nuk paskemi pasur komb. Nuk e paskemi mbrojtur shqiptarinë, ndërsa, paskemi dhënë shumë luftëtarë për perandoritë. Herë del se nuk kemi besuar si duhet në Zot, e herë del se qenkemi  mbrojtës të feve.

Serbia, me aleatë, me mjete moderne, pa vrasje në masë, me një tjetër vrasje që është shumë më e rëndë, duke shpërlarë mendësinë shqiptare, po e realizon memorandumin e dëshirës së tyre, që ne shqiptarët të zihemi, të ndahemi, të kontestohemi në mes veti. Kjo vjen pikërisht në kohën kur u vu linja për bashkimin kombëtarë. Analizat e disa shteteve e panë se është në rrugë e sipër bashkimi kombëtarë, dhe, ne s’mund të bashkohemi të një mendje se kur lindi kombi te ne. Kot janë historianët, se, tani kanë dalë definues të historisë.

Dhe, a e dini se ku rriten këta “definues”, në kohën e zgjedhjeve, kur subjekteve u duhen sa më shumë, bile kush do qoftë, dhe kush ofron tablo me shuma parash, sponzor u thonë. Shikoni në disa etapa zgjedhjet, se, çfarë idesh ndarëse janë lansuar në popullatë, të rrezikshme pra. Dhe, çfarë figurash janë infiltruar nëpër subjekte, prej të cilëve është kërkuar të sjellin numër të votave.  Cili subjekt ndihet më ideal në këtë aspekt? Asnjë palë zgjedhje deri më tani nuk ka përmbysë diçka të keqe, për të sjellë diçka shumë të mirë. Por, është përsëritur sindromi, përkundër kemi dalë më të përçarë.

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen