Intervista e fundit e Akademik Mark Krasniqit

Intervista, OP-ED | Zef Prenka | 29.08.15 | 12:06

Vdekjes nuk ia kam frikën, sepse e di se çdokush vdes. Por, dëshiroj që varrimi im të jetë sa më i thjeshtë, pa zhurmë. Dua që varrimi im të jetë civil qytetar, jo me ato ceremonitë fetare. Nuk dua të ketë as të pame. Dhe në varrimin tim nuk dua të marrin pjesë ata që i kam pasur armiq për së gjalli, se i kam edhe për së vdekuri.

Klan Kosova sjell intervistën e fundit të akademikut tashmë të ndjerë Mark Krasniqit.

Intervistën me akademikun Krasniqi e ka realizuar gazetari Bajrush Morina.

Me fjalët e tij të fundit ai i porosit shqiptarët që të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të mos heqin dorë nga ideja e themelimit të “Bashkimit Kombëtar Shqiptar”.

Kjo është intervista e plotë e Mark Krasniqit

Pyetje: Po bëhet gati një shekull i jetës tënde, si e shpjegoni këtë jetëgjatësi tuajën?

Akademik Mark Krasniqi: Jeta bartë gjithçka, prandaj edhe e imja ka pasur ngjarje, kujtime, ndodhi të ndryshme, por duket se jeta e gjatë nuk është e mirë fort – të jetosh 95 vjet më duket e paarsyeshme, se organizmi për këtë kohë e bën të vetën, ai harxhohet.

Pyetje: Ju nuk jeni harxhuar profesor, të gjithë ta kanë lakmi, jo vetëm vitet por edhe punën, veprat, veprimtarinë. Si ia arritët ta bëni një jetë kaq të begatshme?

Akademik Mark Krasniqi: Me thënë të drejtën, unë nuk mbaj mend që kam qenë i sëmurë ndonjë herë gjatë jetës sime, bile edhe kjo sëmundje vonë më ka ardhur. Siç thash 95 vjet janë të tepërta, por për atë kohë që kam qenë shëndosh, jam përpjekur t’i harxhoj për dobinë e kombit, me bo diçka për bashkimin kombëtar, e cila është e drejtë e jona.

Europa na ka shumë borxh neve. Sepse në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1913, është shpartalluar Shqipëria etnike, e cila edhe sot e kësaj dite, më së gjysma e trojeve të popullit janë  në robërinë e Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Grekëve në Çamëri.

Kjo është e drejta jonë. Të gjithë popujt në Europë e kanë shtetin e vet, përveç popullit shqiptar, i cili është më i vjetri në këtë pjesë të Europës dhe i cili ka luftuar kundër okupatorit turk 500 vjet, më shumë se çdo popull tjetër në Jugosllavi.

Pyetje: Keni bërë shumë për popullin, për Kosovën. Edhe çka tjetër do të bënit, po ta kishit edhe një jetë për ta jetuar?

Akademik Mark Krasniqi: Do ta kisha vazhduar këtë luftë deri në fitore.

Pyetje: Cila është sipas jush fitorja e popullit shqiptar?

Akademik Mark Krasniqi: Patjetër bashkimi kombëtar. Një shtet shqiptar, pa pakica të huaja. Pakicat që i kemi këtu janë armiqësore. Ata janë të ardhur këtu për ta zbatuar politikën antishqiptare, shoviniste të Beogradit, do të thotë – ta sundojnë Kosovën.

Unë do t’ia bëja ndryshe, jo sikur këta qeveritarët tanë që i kemi tash në krye. Ata po punojnë vetëm për interesin e vet personal. Shumica prej tyre janë të zhytur në krime të ndryshme, bile edhe në vrasje, edhe sigurisht tash janë edhe kundrejt Gjyqit Special.

Ne ende nuk jemi të lirë. Jemi të lirë nga Serbia, por jo edhe të lirë për të vendosur për fatin tonë.

Pyetje: Si duhet të arrihet Bashkimi Kombëtar?

Akademik Mark Krasniqi: Fillimisht duhet të bashkohen shqiptarët e copëtuar në këtë ide. Duhet patjetër të bashkohemi dhe me çdo kusht.

Me Serbinë në këto konferenca vetëm faktori ndërkombëtar po përpiqet t’ia forcojë Serbisë të drejtat e saj në Kosovë sa më shumë. Kjo është diçka e padrejtë, e gabueshme, dhe në këtë mënyrë faktori ndërkombëtar po përgatit në Kosovë njw Palestinë tw dytë. Se do të vinë gjenerata të tjera, më të mençura e më të guximshme, më të ndershme se ne.

Serbia gjithmonë argumenton shumë për të drejtat e veta, por edhe e kemi forcën. Tash e tutje nuk  shkon larg këto gjeneratat do ta bëjnë.

Pyetje: Bashkimi kombëtar nënkupton prishjen e kufijve, prishjen e disa shteteve, mendoni se kjo është e mundshme?

Akademik Mark Krasniqi: A pak po ju duket që i kanë shfrytëzuar trojet shqiptare dhe popullin shqiptar që prej konferencës së Londrës?

Me qindra e mijëra shqiptarë i ka vrarërë Serbia, Mali Zi edhe Greqia. Këta kufij janë të dhunës, këta kufij janë të padrejtë. Ata patjetër duhet të ndryshojnë.

Pyetje: A mendoni se bashkimi kombëtar nuk do të jetë i largët, sa jeni ju optimist se do të ndodhë?

Akademik Mark Krasniqi: Jo shpejt, por duhet bëhet luftë e pandërprerë, luftë me serbët, se serbëve pa u rënë çekan në kokë nuk marrin vesh. Ndërkombëtarët as nuk e përmendin kur serbët e bënë hartën e Serbisë së madhe, ku përfshihet Shqipëria, Greqia, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia dhe pjesë të tjera.

Faktori ndërkombëtar nuk e përmend këtë, se këtë po e bën Serbia, e Serbinë duhet ta shkëpusim prej kthetrave të iperizalizimit rus.

Serbia hynë gjithkund në organizatat ndërkombëtare, por gjithmonë do të mbesë “Kali i Trojës” së politikës zaptuese ruse.

Ne jemi populli më pro-amerikan e më pro-europian se çdo popull që jeton në Ballkan, por nuk po çmohet sa duhet kjo e vërtetë e jona.

Unë e kam kancerin dhe s’ia kam frikën aspak.

Për të drejtat tona kombëtare, për bashkimin kombëtar, duhet të bëhet luftë e paprerë, e papeshuar, sepse ndryshe s’bën të merremi vesh me Serbinë me Malin e Zi dhe me Maqedoninë.

Porosia ime është që kurrë të mos heqim dorë prej bashkimit kombëtar, nga shteti shqiptar. Shqiptarët kanë derdhur gjak për Shqipërinë. Ne luftojmë për kombin tonë, kurse Serbinë e kemi armik dhe do ta kemi gjithmonë, derisa sa të jemi luftëtarë për të drejtat tona.

Unë jam shumë mirënjohës nga populli, që kontributin tim të vogël ka ditur ta çmojë dhe mua të më çojë në qiell, ku nuk e kam vendin, për atë angazhim që e kam dhënë gjatë jetës sime.

E falënderoj shumë popullin shqiptar, sepse është populli më i ndershëm në Europë. S’ka popull as përafërsisht të ndershëm sa populli shqiptar. Shqiptarët e kanë moralin e lartë, tradicional.

Vdekjes nuk ia kam frikën, sepse e di që çdo kush vdes. Por dëshiroj që varrimi im të jetë sa më i thjeshtë, pa zhurmë. Dua që varrimi im të jetë civil qytetar, e jo me ato ceremonitë fetare. Nuk dua të ketë as të pame.

Dhe në varrimin tim nuk dua që të marrin pjesë ata që i kam pasur armiq për së gjalli, se i kam edhe për së vdekuri.

/VOAL/

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen