Dom Ndoc Nikaj, 30 botime dhe shtypshkronjë

Histori & Fakte | Rrezore | 16.10.15 | 21:29

Frano Kulli

Sivjet mbushen 25 vjet nga dita, kur në kapelen e rrënuar të “Vorreve t’Rrmjajit” në Shkodër u tha mesha hymn dhe sfidë, ndaj rregjimit paranojak ateist, e para pas një ndërprerjeje po kaq të gjatë të të drejtës për të besuar. Kjo ka ngjarë me 4 nëntor 1990…dhe rendin e përkujtimoreve sivjet në këtë përvjetor e hap paraqitja e ribotimit të një libri të hershëm, që për autor ka njërin prej famullitarëve të radhës, Dom Ndoc Nikaj. ”Histori e Shcypnis” është vepra në dy pjesë: pjesa e parë, botuar në Bruksel me 1902 dhe e dyta, botuar në Shkodër, më 1917”.

Tani, të dyja përmbledhur në një libër, me kujdesin e përkorë të famullitarit të ri të Shkodrës Dom Artur Jaku dhe punëtorit pasionant të shkencës së historisë, Dr. Dom Nikë Ukgjini. Lindur në Shkodër 150 vite më parë, Dom Ndoc Nikaj, prift katolik dioçezan, historian, veprimtar atdhetar, është gjithashtu autori i romanit të parë, shkruar në shqip. Titulli në origjinalin e veprës është: „Marzia e ksctenimi n’filles t’vet“ (Marcia e krishtënimi në fillesë të vet). Është historia e martirizimit të Marcies, e cila kallet e gjallë në dhe sepse nuk pranon të mohojë Krishtin. Vepra është një rrëfim ndërmjet agjiografisë e romanit, me gjatësinë e një novele. Ndoc Nikaj ka lënë shtatë romane të pabotuara. Është pararendës i prozës në gjuhën shqipe, pararendës i Mihal Gramenos, i Milto S. Gurrës, i prozës së Foqion Postolit, Filip Papajanit, Mid’hat Frashërit, Ernest Koliqit …

”Unë fillova me shkrue vakinat (ndodhitë) e kishës, që me ndihmën e Pieter Dodmasejt mbujta me shtyp në shtypshrojën e Propagandës së Romës në vjetin 1888. Mbas atij libri, në shtypshkrojën e Jezuitve shtypa ma t’parin romanzë “Marzia e ksctenimi n’fillesë t’vet”…e qi kjenë fillesa e botimeve mija. –(Kujtime të një jetes së kalueme-Plejad,2003).

Siç është e njohur, më 1897 Faik Konica fillon botimin e së përkohshmes “Albania”. Që në fillesë, dom Ndoc Nikaj bashkëpunon pothuaj rregullisht me artikuj me përmbajtje politike, shoqërore dhe atdhetare. Me pseudonimin “Nakdomonici”…Nëpërmjet pseudonimit të Nikajt, bashkëpuntorit të zellshëm të revistës presigjioze, Atë Gjergj Fishta në poezinë satirike “Nakdomonicipedia” , në hyrje të vëllimit të tij me satira “Anzat e Parnasit” me përpjekjet fisnike dhe atdhetare të mikut të tij, përqesh hierarkinë e përmbysur të vlerave sociale në Shqipninë e kohës (1907)…Më pas, Nikaj do të vijojë edhe me të tjera botime historike, por edhe libra këndimi e tekste të tjera mësimi për shkolla.Të botuara janë rreth 30 vepra të gjinive e zhanrreve të ndryshme, pa numëruar këtu ata të lëna në dorëshkrim, një bilanc krijues ky i lakmueshëm për shumë të tjerë vërsnikë të Nikajt, por dhe jo vetëm.

Dom Ndoc Nikaj solli të parën shtypshkronjë publike në Shkodër, me 1909. Dhe e para punë në të ishte shtypshkrimi i fletores së vet, fletores së parë politike të botuar në shqip me 1910-tën me emrin “Koha”, periodik, i cili gjithashtu do të vijojë të botohet edhe 11 vite më vonë, deri më 1921, me të tjerë emra “Bashkimi” “Besa shqyptare” dhe “Zani i Shkodrës”. Kjo fletore shënon fillesën e të botuemit të librave në gjuhën shqipe , në Shqipëri…Në një artikull të “Hylli i Dritës”, të vitit 1938, në 50 vjetorin e meshtarisë së tij shkruhet:

“…Shpìrt energjik e shqyptar në vështrimin e njimendtë të fjalës, D. Ndoc Nikaj kje nji nder ma të parët reakcjonarë qi ndieu me nji intensitet të këthellë nevojen e të perhapunit të gjuhës shqype. Shkrimet e tija të shumëta nuk paten qellim tjeter veç me e rrajosë në zemren e popullit dashtnìn e gjuhës amtare…Në vjetin 1892, në sà gjindej famulltàr në Shkrel, Emzot Doçi prej Oroshi rà në Shkrel, kû u formue ndermjet tyne nji lidhëje veprimi patriotike, qi mâ vonë dha fryte mjaft të dobishme për ngritjen e indipendencës s’onë kombtare. Kjo lidhëje kje thirrë „Lidhëja e msheftë per Fè e Atdhè“. Kjo lidhëje e msheftë muer të hapun e dha mâ vone frytet e duehuna në rasen e kryengritëjes kundra Turkìs…”

Dhe si shpërblim për gjithë sa bëri për kulturen shqiptare ,për gjuhën, historinë dhe lirinë e kombit të vet…dom Ndoc Nikaj u arrestua nga komunistët më 1946, në moshën tetëdhjetedyvjeçare, me akuzën absurde të planeve për përmbysjen e qeverisë me dhunë. Vdiq në burgun e Shkodrës pesë vjet më vonë, në janar 1951.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen