Nikolliq: Nuk mund të zgjedhim Kosovën ose BE-në

OP-ED | admin | 27.03.13 | 13:00

Serbia nuk mund të zgjedh mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka deklaruar presidenti serb, Tomisllav Nikolliq.

Këto komente ai i ka bërë për televizionin B92, ku nuk e ka përjashtuar, por as mohuar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Prishtinën në takimin e radhës në nivel të kryeministrave më 2 prill në Bruksel.

“Duhet të synojmë të arrijmë të dy qëllimet, kurse janë shumë të lidhura të dy çështjet. Zgjidhjet që kanë të bëjnë me Kosovën do të mund të rrezikonin rrugën tonë drejt BE-së”, ka thënë Nikolliq lidhur me atë se do të zgjidhte Beogradi Kosovën apo rrugën drejt BE-së.

“Shqiptarët po i parashtrojnë kërkesat e tyre kurse ne duhet të përshtatemi. Në qoftë se për këtë e kanë përkrahjen e BE-së, atëherë neve atje as nuk na presin”, ka deklaruar në vijim presidenti serb.

Nga takimi i fundit i kreut shtetëror serb i mbajtur të hënë në Beograd, Nikolliq ka thënë se është marrë vendim që të përgatitet edhe një dokument në prag të takimit të radhës me Prishtinën.

”Deri të enjten do të përgatisim një dokument dhe çdo çështje do ta konkretizojmë, çdo lëmi në të cilën dëshirojmë që bashkësia e komunave serbe të vendos, të definojmë çfarë është ajo”, ka deklaruar Nikolliq.

Një marrëveshje eventuale me Prishtinën, sipas tij, do të kalonte në parlament për aprovim dhe nëse merr mbështetjen e nevojshme, vetëm atëherë do të konsiderohej si e miratuar.

Kurse vijat e kuqe të politikës serbë në dialogun me Kosovën, sipas tij janë ato që kanë qenë edhe më herët.

“Vija e kuqe serbe është të mos pranohet kurrë pavarësia e Kosovës”, ka thënë Nikolliq, duke shtuar se vijë e kuqe mbetet që në Kosovë të mos ketë forca të armatosura të Kosovës dhe që serbët në pjesët e banuara me shumicë në Kosovë të vendosin apo qeverisin vetë.

Në këtë intervistë, Nikolliq është pyetur edhe në lidhje me takimin e tij të shkurtër me kryeministrin Hashim Thaçi në Vatikan.

Aty, Nikolliq ka thënë se i ka shtrënguar dorën Thaçit dhe i ka thënë se “a po punon diç në arritjen e marrëveshjes në bisedime apo s’po bën asgjë?”.

Por, siç ka thënë ai, nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga Thaçi.

Nikolliq ka rikujtuar opinionin në Serbi se në rast të dështimit të marrëveshjes me Kosovën me 2 prill, Serbisë mund t’i shtyhet edhe për një vit data e nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.(z.gashi)/Radio Evropa e Lirë

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen