Në Kukël u hap viti jubilar i 100-vjetorit të Kishës së Mjedës (1913-2013)

Histori & Fakte | Zef Prenka | 12.04.13 | 18:53

Sikurse tregojnë bashkëatdhetarët tanë në vendlindje (të pranishëm në tubimin festiv), të dielën, më 7 prill 2013, në Qendrën Muzeore “Ndre Mjeda”, në Kukel, u zhvillua Veprimtaria e çeljes se vitit jubilar, të 100-vjetorit të Kishës së Mjedës (1913-2013).
Për të ndarë gëzimin e përbashkët, ishin mbledhur shumë banorë të Kuklit, të zonës për rreth, të ardhur nga Lezha e Shkodra. Morën pjesë klerikë dhe personalitete të kulturës dhe arsimit. Me këtë rast, Kisha e i gjithë mjedisi kishte marrë pamje të bukur festive.
Në ambientet e brendshme të Kishës, ishte vendosur posteri festiv, ku, shkruhej: “Jubileu i 100-vjetorit të Kishës së Mjedës 1913-2013”.
Në tubimin kulturorë dhe përkujtimor, nderonin me pjesëmarrjen e tyre autoritetet e pushtetit qendror nga kryeqyteti, si: zv/Ministrja e deritanishme e Arsimit dhe Shkencës Nora Malaj, zv/Ministri i Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Turizmit Abaz Hado, drejtori i Monumenteve të Kulturës për rrethin e Shkodrës, Ervin Gjini, deputeti Gjok Uldedaj.
Gëzimin e kësaj kremte e shtuan, ardhja e atyre miqve të nderit, që pakursyer gjithnjë me zemër e bujari, kanë ndihmuar në ringjalljen e “Qendrës Muzeore Ndre Mjeda” në Kukël, si: kryetari i Komunës Bushatit, z. Zef Hila, Konsulli i Nderit i Austrisë në Shkodër, z. Gjergj Liqejza, nga New York-u kishte ardhur Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit z. Tomë Mrijaj me bashkëshorten zj. Liza Mrijaj, nga Detroiti, ish famullitari i Kishës së ‘Shën Palit’, atdhetari i shquar i çështjes shqiptare, Dom Anton Kçira, etj.

Më ketë rast, u veçua dhe falënderua ngrohtësisht, për gjestin bujar donatori i bankave ulëse të Kishës, bashkëatdhetari ynë nga New York-u, besimtar i devotshëm i Kishës ‘Zoja e Shkodrës’ (Harsdale) z. Ndoc Lacaj.
Takimin e hapi drejtori i Qendrës Muzeore kombëtare “Ndre Mjeda”, famullitari i Kuklit, studiuesi Dom Dr. Nikë Ukgjini, i cili, theksoi se kjo ngjarje zhvillohet nën moton e vetë poetit: “Ma mirë me kënë, se me u dukë“.
Kjo theksoi oratori, do të thotë se programi do të zhvillohet në heshtje, lutje dhe reflektim, trinome këto, të cilat e kanë shoqëruar në tërë jetën, veprimtarinë klerikale, shoqërore, letrare dhe shkencore të poetit tonë të shquar Mjeda.
Ndër të tjera, studiuesi Ukgjini, përshëndeti pjesëmarrësit në emër të Arqipeshkvit Metropolitan të Shkodrës Mons. Angelo Massafra, dhe prezantoi Dom Anton Kçirën, i cili e udhëhoqi Eukaristin (Meshen), për shpirtin e përsonalitetit të shquar të botës shqiptare Dom Ndre Mjedës.
Për më tej, folësi përcolli falënderimet e përzemërta në adresë të misionarit tonë shqiptaro-amerikanë, Të Përndershmit Dom Anton Kçira, i cili, punoi e veproi me përvujtëri dhe përkushtim, në shërbim të grigjës së Zotit në emigracionin e largët të Amerikës (Detroit, MI), si ndërtuesi i Qendrës shqiptare, organizuesi i shumë takimeve fetare, atdhetare, kulturore dhe politike për çështjen shqiptare etj.
Në fjalën e vet hulumtuesi i palodhur i Kishës së Kuklit Dom Dr. Nikë Ukgjini, shpalosi në vija të përgjithshme programin e Vitit Jubilar, si: “Botimi i Vëllimit I, “Studime mjedologjike”, Qendrës Muzeore “Ndre Mjeda”, organizimi i ditëve të Mjedës më 1 gusht, restaurimi i Shtëpisë së Muze të Mjedës, organizimi i Konferencës shkencore kushtuar Mjedës, me rastin e ditëlindjes më 20 nëntor, kthimi i tryezës 100-vjeçare të Mjedës, e cila është ende në depot e Muzeut të Shkodrës, duke u shkatërruar nga pakujdesia e pushtetit lokal.
Hulumtuesi Dr. Ukgjini, mbajti kumtesën: “Sinonimet fetare në poezitë e Mjedes”, ku, nder të tjera theksoj, se në të gjitha poezitë e Mjedës, janë të pozicionuar, sinonimet, si: Hyji, Zoti, Ngjallja, Jeta e pasosur, Parajsa, Altari etj.
Ndërsa, studiuesi i mirënjohur pasionant i Mjedës, Dr. Mentor Quku, foli mbi temën: “Mjeda dhe botimet teologjike”.
Botimet teologjike të Mjedës, mbeten një nga fushat më të rëndësishme dhe më interesante për t’u studiuar në historinë e letërsisë shqipe. Autori Mjeda, vetë botimet teologjike, i klasifikoi në tri periudha. Studiuesi Dr. Quku, në ligjëratën e tij shkencore, u ndal disa prej pikave kryesore të kësaj fushe.
Kështu në hyrje studiuesi, në essence, tha se: “Mjeda, gjatë tërë jetës së tij pati si synim gjurmimin dhe zbulimin e veprave të shkrimtarëve të vjetër shqiptarë, transkriptimin, studimin, si edhe ribotimin e tyre. Në këtë fushë, ai mbetet paleografi më i shquar shqiptar për kohën.
Ai ndoqi shembullin e Buzukut, Bogdanit, Budit, Bardhit, duke botuar në shqip, vepra të përkthyera, apo të përshtatura nga autorët klasikë botërorë, por edhe vepra origjinale teologjike.”
Ndërsa në vijim hulumtuesi shkodran, doli me përkufizimin e bazuar në argumente historisë, se Mjeda, na dhuroi kryevepra teologjike, jetë shenjëtorësh, etërish, që mbeten kryevepra të prozës shqipe. Ato mbeten kryevepra stili, të shprehura me një leksik të pasur dhe me një strukturë gramatikore nga më modernet.
Në tre argumentet apo pikat e fundit të kumtesës ligjëruesi i shquar Dr. Mentor Quku, tha se: “Mjeda, synoi, që përmes botimit të veprave teologjike në shqip, të kontribuonte për pasurimin dhe studimin e gjuhës shqipe, për unifikimin e alfabetit shqip, si edhe për një drejtshkrim të letrave shqipe. Ai, na dhuroi tekste shkollore dhe katekizma të historisë biblike por edhe të mësuarit e mësimit të krishterë, hartuar me metodat didaktike më të përparuarat e kohës.”
Ndërsa në mbyllje të kumtesës Dr. Quku, shtoi se: “Mjeda, kontribuoi në prirjen e klerit katolik shqiptar, për t’a kthyer liturgjinë kishtare në gjuhën shqipe, si edhe që drejtuesit e hierarkisë të ishin vendas, me qëllim që të rritej kontakti shpirtëror me popullin.”
Me aktivitete të pasur festive vijoi dita, me vizita në mjediset e Shtëpisë së Mjedës, që pritet të restaurohet së shpejti. Dy zv/ministrat pjesëmarrës, u njohën me problematikat e këtij restaurimi, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek fati i tryezës së Mjedës, që duhet të shpëtohet urgjent nga shkatërrimi, duke u restauruar dhe vënë në vendin e vet të origjinës, në dhomën e Mjedës, mjedisi kryesor i Shtëpisë së poetit.

100-vjetori i Kishes se Mjedes (1913-2013)

 

 

 

 

Ambientet e Muzeut te Kuklit

 

 

Dom Dr. Nike Ukgjini & Dom Anton Kcira ne Shkoder

 

 

Drejori Muzeut Ndre Mjeda Dom Dr. Nike Ukgjini

 

 

Perfaqsuesit shqiptaro-amerikane Dom Anton Kcira, Tome & Lisa Mrijaj

 

 

Tome Mrijaj, Nora Malaj, Dom Nike Ukgjini,

 

 

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen