Në përvjetorin e 20-të të vizitës së Papës Vojtila në Shqipëri: Papa Gjon Pali II dhe Shqipëria (Skedë).

Rrezore | Zef Prenka | 26.04.13 | 17:00

Papa Gjon Pali II dhe ngjarjet më të rëndësishme të Kishës katolike në Shqipëri: një lidhje historike, e pazgjidhshme, që pushton thuajse një gjysëm shekulli.

Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligshta të Kishës universale, Papa Gjon Pali II, ashtu si parardhësit e Tij, e ka rrethuar gjithnjë Kishën katolike në Shqipëri me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël. Gjon Pali II ka qenë përherë i gatshëm ta mobilizojë Kishën universale në ndihmë të Shqipërisë e të shqiptarëve, si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e vendit të shqiponjave e jo më pak, të Kosovës.
Por, të ndjekim një kronikë të shkurtër, që flet vetë për këtë interesim:
– 3 shtator 1951: Sekretaria e Shtetit të Qytetit të Vatikanit vendosi që Radioja e papës të flasë edhe në gjuhën shqipe. Udha e saj nisi me: „Udhën e Krygjës“, për të ndjekur pastaj hap pas hapi, për 26 vjet me radhë Papën e ardhur nga larg, që u ul në fronin e papnisë më 26 qershor 1967.
– Më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës komuniste. Në homelinë e Meshës shenjte, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa sensibilizoi mbarë botën me fjalët: “E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë rregulltare e besimtarë të thjeshtë”.
– Më 6 maj 1988 një grup shqiptarësh të diasporës së Amerikës shtegtuan drejt Romës për t’u takuar me Gjon Palin II. Ishte takimi i parë i drejtpëdrejtë i Karol Wojtylës me shqiptarët – shumica të ikur nga atdheu për t’i shpëtuar diktaturës.
Shtegtimi fillon më 5 maj, me arritjen e shtegtarëve të largët.
Më 6 maj – audienca në sallën Klementine në Vatikan; fjalimi programatik i Papës dhe lutja drejtuar Zojës së Këshillit të Mirë për popullin shqiptar.
– 1989: vizita e parë e Nënë Terezës në Shqipëri.
-1990 kremtimi Meshëve të para të pas diktaturës.
4 nëntor 1990 – kremtohet Mesha e parë në varrezën e Rrëmajit në Shkodër.
11 nëntor 1990 – kremtohet Mesha solemne në kapelën e varrezave të Rrëmajit.
– 17 tetor 1990: Përurohet në Shkodër seminari ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë”.
– 2 qershor 1991 – Në solemnitetin e Korpit të Krishtit kremtohet Mesha solemne me procesion e kryesuar nga Imzot Ercole Lupinaçi, anëtar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Shqipëri.

– 8 korrik 1991: Imzot Nikollë Troshani, i vetmi ipeshkëv katolik që kishte shpëtuar gjallë nga hjerarkia e para-diktaturës, asokohe 76 vjeç, vjen në Vatikan, pritet në audiencë nga Papa Gjon Pali II dhe e fton Shenjtërinë e Tij të vizitojë Shqipërinë. Merr përgjigjen se kjo vizitë do të bëhej e mundur në të ardhmen e se vijon t’i lutet Zotit për fatet e Shqipërisë.
– 28 tetor 1991:- Rivendosen marrëdhëniet diplomatike në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë dhe ambasade për Shqipërinë.
28 nëntor 1991: – Kisha katolike e Shqipërisë përfaqësohet nga dom Zef Simoni (më vonë ipeshkëv-ndihmës i Shkodrës) në Sinodin e posaçëm të ipeshkvijve për Evropën
Më 7 maj 1992 Papa Gjon Pali II priti në audiencë në Vatikan presidentin e parë të Shqipërisë demokratike, dr. Sali Berishën
– 22 prill 1993: Ambasadori i parë Willy Kamsi paraqet letrat kredenciale pak ditë para shtegtimit të Papës Gjon Pali II drejt Shqipërisë; Nunc i parë apostolik emërohet prelati indian, Imzot Ivan Dias.
– 25 prill 1993 – Papa Gjon Pali II viziton Shqipërinë, duke u ndaluar në Shkodër dhe Tiranë: gjatë vizitës i dhuron Kishës së martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktarurës- katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Illinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin.
2 nëntor 1994 – Gjatë lujtes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë lajmëroi se Kolegji i Kardinajve do të pasurohej me 30 kardinaj të rinj. Ndërmjet tyre do të ishte edhe kardinali i parë shqiptar, Mikel Koliqi, krijuar kardinal në Konçistorin VI.
– 26 nëntor 1994 – Ati i Shenjtë krijon kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin.

28 nëntor 1994: – Papa Gjon Pali II priti në audiencë Hirësinë e Tij, kardinalin Koliqi së bashku me ipeshkvij, meshtarë, besimtarë, përrfaqësues të qeverisë e të farefisit të kardinalit.
– 27 maj 1995 – organizohet shtegtimi i madh i shqiptarëve ne Gjenacan me rastin e 100 vjetorit te shpalljes se Zojës se Këshillit te Mirë, Pajtore të Shqipërisë dhe mbarë popullit shqiptar.
– 17 nëntor 1995 – ipeshkvijtë e ish-Jugosllavisë, ndërmjet të cilëve Imzot Nikë Prela, ipeshkëv i dioqezit Shkup-Prizren, takohen me Papën Gjon Pali II në Vatikan: flitet për kontributin e posaçëm që duhet të japin katolikët përmes përvojës së faljes e të pajtimit.
7 nëntor 1996: – me rastin e kremtimeve të 50-vjetorit të meshtarisë të Papës në Vatikan, jezuiti shqiptar, Atë Anton Luli, e përshëndet Gjon Palin II në emër të të gjithë meshtarëve të botës.
– 7 dhjetor 1966 – Shenjtëria e Tij Gjon Pali II riorganizon dioqezat e Kishës katolike në Shqipëri: themelon Dioqezën e Rrëshenit (Mirditë) në vend të abacisë së Oroshit dhe emëron si të parin Ipeshkëv të Rrëshenit dhe administrator apostolik të dioqezës së Lezhës, Atë Angelo Massafrën OFM, asokohe Këshilltar i Provinçës Françeskane Shqiptare dhe Famullitar i Troshanit; ndërsa si administrator apostolik të Shqipërisë së Jugut, emëron Atë Hil Kabashin, OFM, asokohe kapelan i besimtarëve shqiptarë në Gjermani.
– Papa Gjon Pali II shuguron ipeshkvij të rinj: Imzot Mark Sopin, ipeshkëv i Kosovës më 6 janar 1996 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Angelo Massafrën, më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Hil Kabashin më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan;
28 mars 1998 – Imzot Angelo Massafra emërohet kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, duke zënë vendin e Monsinjor Illisë, pas vdekjes dhe më 29 qershor 1998 merr nga duart e Papës Gjon Pali II në Vatikan palion e kryeipeshkvit metropolit.
Më 10 korrik 1998 Imzot Zef Gashi emërohet kryeipeshkëv i Tivarit; shugurohet më 19 shtator 1998, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

– 25 mars 1997: Gjon Pali II pret në audiencë në Vatikan kryeministrin e Shqipërisë, Bashkim Fino.
– Maj 1998 – Kardinali Jozef Tomko, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, viziton Shqipërinë, takohet me përfaqësuesit më të lartë të Kishës në vend, vlerëson rolin e Kishës në procesin e zhvillimit të vendit dhe bekon Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë të saporindërtuar.
– Maj 1999: Ambasadorët e vegjël të Paqes, mbledhës të gëzhojave vrasëse të revoltës së 1997-tës, për të bërë me to Këmbanën e Paqes, priten në audiencë nga Papa Gjon Pali II.
– 25 janar 2001: Papa zhvendos Selinë kryeipeshkvnore nga Kisha e Shën Luçisë në Durrës në katedralen e Shën Palit të Tiranës.
– 2 deri më 4 shkurt 2001 – vizita „ad Limina“ e ipeshkvijve të Shqipërisë më 12 deri më 17 shkurt 2001 – e ipeshkvijve të Kosovës në Vatikan: takimi me Papën Gjon Pali II.
– 8-12 nëntor 2002: kardinali Crescenzio Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve viziton Shqipërinë: më 9 nëntor takohet me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë; më 10 nëntor kryeson Meshën në katedralen e Shkodrës, ku hap procesin dioqezan për beatifikimin e 40-martirëve, shumica viktima të diktaturës dhe viziton dioqezin e Sapës; më 11 nëntor kremton në Bajzë e në Lezhë.
– 23 prill 2003: i dërguari i posaçëm i Shenjtërisë së Tij, Papës Gjon Pali II, kardinali Ivan Dias, kryeipeshkëv i Bombeit, merr pjesë, në emër të Shenjtërisë së Tij, në kremtimet që organizoi Kisha katolike me rastin e përkujtimit të 10-vjetorit të vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri dhe i sjell kishës katolike e mbarë popullit shqiptar, mesazhin e Atit të Shenjtë. Këto kremtime shënojnë kulmin e Vitit 1993 shpallur nga ipeshkvijtë shqipfolës Vit Jubilar, me rastin e 300-vjetorit të Kuvendit të Arbënit, që na kujton lidhjet shekullore të pakëputura të popullit shqiptar me papët e Romës.
– Romë, 19 tetor 2003 – Nënë Tereza shpallet e Lume.
– 14 nëntor 2004 – Papa Gjon Pali II u krijon mërgimtarëve shqiptarë në Itali mundësinë të mblidhen në një kishë për të përmbushur nevojat e tyre shpirtërore në gjuhë shqipe: përurohet për besimtarët shqipfolës, Kisha e Shën Gjonit të mullagave në lagjen romake Trastevere.
– 11 janar 2005: Papa Gjon Pali II i drejton përshëndetjen pjesëmarrësve në Sinodin Ndërheparkial të Heparkive të Arbëreshëve të Italisë: asaj të Lungros në Kalabri, të Horës së Arbëreshëve në Sicili dhe murgjërve të Abacisë së Grottaferratës, ku u zhvillua Sinodi ndërherparkiak, i cili nisi më 15 tetor 2004, për të përfunduar pas tre muajsh, më 14 janar 2005.
– 25 janar 2005 – Gjon Pali II miraton riorganizimin e dioqezave të Kishës katolike në Shqipëri, si vijon:
– ngre në rangun e Selisë metropolite, Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, duke e ndryshuar kështu emërtimin aktual Kryedioqeza e Durrës-Tiranës e duke i caktuar si sufragane Dioqezën e Rrëshenit dhe Administraturën Apostolike të Shqipërisë së Jugut;
– i bashkëngjet Dioqezën e Pultit, Kryedioqezës Metropolite të Shkodrës, që emërtohet Kryedioqeza e Shkodër-Pultit, duke lënë si sufragane të të njëjtës Kryedioqezë, dioqezën e Lezhës e të Sapës.
– 18 mars 2005 – Imzot Mirditës i dorëzohet vula papnore për kthimin e kryedioqezës së Tiranë-Durrësit në seli metropolite.

 

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen