Bilanci zyrtar i Luftës së Kosovës, 11 840 të vrarë

Analiza & Komente | Zef Prenka | 15.05.13 | 20:12

Katërmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, vijnë shifrat zyrtare mbi pasojat e këtij konflikti të përgjakshëm. “Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999”, “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998-1999”, botime të Agjencisë Shtetërore e Arkivave të Kosovës, u promovuan dje në Akademinë e Shkencave në Tiranë.
Drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta, historiani Maringlen Verli e të tjerë të pranishëm e quajtën një ngjarje botimin e këtyre dy librave, që dëshmojnë për herë të parë, përmes shifrash zyrtare, masakrat serbe në Kosovë.

Për drejtorin e Arkivave kosovarë, dr. Jusuf Osmani, grumbullimi i të dhënave mbi vrasjet, dhunimet, shkatërrimet, depërtimet, nuk ka qenë i thjeshtë. Sipas tij, puna për grumbullimin e të dhënave është bërë në grup, me bashkëpunëtorë nga treva të ndryshme dhe me vizita pothuaj në çdo vendbanim të Kosovës.

“Qëllimi themelor i botimit të këtyre librave është prezantimi i fakteve, që paraqesin dokumentacionin për krimet e Serbisë në Kosovë ndaj popullatës kosovare e posaçërisht ndaj fëmijëve gjatë viteve 1998-1999. Politika antishqiptare e serbëve është manifestuar me shekuj, me programe gjenocidale, duke filluar që nga Naçertania e Garashaninit, më 1844, e deri te programi “Patkoi”, më 1999, me synim zbrazjen e tokave nga popullsia shqiptare dhe serbizimin e tyre.

Kjo luftë u zbatua nga formacionet ushtarako-policore dhe paramilitare serbe, të cilët vranë, masakruan, zhdukën, dhunuan, dëbuan dhe deportuan popullsinë civile shqiptare, i plaçkitën, dogjën dhe rrënuan shtëpitë, objektet fetare, shkollore, kulturore, ekonomike, e të tjera, si dhe vendbanime të tëra shqiptare, me synim spastrimin etnik”, tha Osmani, raporton gazeta Panorama.

Ai shtoi se publikimi i këtyre shifrave është një detyrim ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre. Sipas dr. Osmanit, opinioni ndërkombëtar ende është shumë pak i informuar mbi krimet gjenocidale që janë ushtruar mbi popullsinë e Kosovës.

“Regjistri i fëmijëve të vrarë, të pafajshëm dhe të paaftë për vetëmbrojtje është gati i pabesueshëm. Nga janari deri më 12 qershor 1999 janë vrarë ose evidentohen të zhdukur 1 396 fëmijë, nën moshën 18-vjeçare, apo më tepër se 11 për qind e viktimave të përgjithshme të të vrarëve në Kosovë. Kjo statistikë për dhunën mbi fëmijët është më tragjikja në historinë e re të Evropës”, tha ai. Sipas të dhënave të grumbulluara, në Kosovë nga janari 1998 deri më 12 qershor 1999 ka pasur 12 843 viktima të nacionalitetit shqiptar, prej tyre 1 741 femra, ndërsa në altarin e lirisë kanë rënë 2 261 dëshmorë, në mesin e tyre 68 dëshmorë e martirë nga Shqipëria. Veç vrasjeve, janë shkatërruar më se 188 mijë objekte banimi, janë dëbuar nga Kosova më se 1 milion banorë.

Bilanci i luftës në Kosovë, përfshin krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999: Vrasjet, masakrimet; dëbimi i popullatës shqiptare nga Kosova; varrezat masive; vrasjet e të rinjve, femrave, pleqve, fëmijëve, intelektualëve, etj.; dhunimet e femrave; rrëmbimi i të rinjve dhe të tjerëve, dërgimi dhe vrasja në Serbi; helmimet; rrënimi i objekteve të banimit, objekteve ndihmëse, objekteve ekonomike, arsimore, kulturore, fetare etj.; shkatërrimet e shtëpive dhe objekteve të tjera.
Shtëpi të shkatërruara – dëmtuara të popullatës shqiptare – 100.589; shkolla të shkatërruara – të dëmtuara me dokumentacion – 358; zyra të vendit – 71; shtëpi kulture – 30; biblioteka publike dhe shkollore – 93; objekte shëndetësore – 123; objekte fetare (xhami, teqe, tyrbe) – 215; kisha katolike – 5; objekte ndihmëse – përcjellëse – 88.101.

Pasojat e luftës ishin: okupimi klasik i Kosovës; sjellja e forcave të mëdha ushtarake në Kosovë; masakra të mëdha; vrasje e organizuar, madje edhe të familjeve të tëra.

Periudha janar 1998 – 12 qershor 1999: janë vrarë 11.840 persona nga Kosova; 1.392 fëmijë deri në 18 vjeç; 296 fëmijë deri në 5 vjeç; 1739 femra; 1882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare; 1450 banorë ende janë të pagjetur; janë dhunuar 20.400 femra shqiptare.

Sipas të dhënave të UNCHR, në fillim të qershorit 1999, janë dëbuar nga Kosova rreth 1 milion banorë; 443.300 ishin vendosur në Shqipëri; 247.800 në Maqedoni; 69.300 në Mal të Zi; 21.700 në Bosnjë-Hercegovinë, gjithsej 782.100.

Në vendet e tjera të botës u vendosën gjithsej 76.475 refugjatë, duke përfshirë 13.639 në Gjermani; 7.581 në Turqi; 5.829 në Itali; 5.730 në SHBA; pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani të Madhe, Poloni, Spanjë, Portugali, Finlandë, Zvicër, Izrael etj. /Telegrafi/

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen