Berlini mirëpret vizionin e Haradinajt për qeverisje në Kosovë

Analiza & Komente | admin | 16.05.13 | 21:29

Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të paritisë më të madhe gjermane, CDU, Volker Kauder Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot është pritur në një drekë pune në Bundestagun e Gjermanisë, nga njëri prej parlamentarëve me influencë, Klaus Peter Willsch (CDU), i cili në bisedën me Haradinajn dhe bashkëpunëtorët e tij është përqendruar, sidomos, në modelet e mundshme të lidhjeve midis Bundestagut dhe Parlamentit të Kosovës, sipas modelit të lidhjeve që ky vend e ka në rajon, konkretisht me Kroacinë, për të cilën Willsch për disa vite me radhë ishte përgjegjës dhe raportues në Bundestag.

Takim tjetër pune Haradinaj ka patur edhe me Kryetarin e Komisionit të Parlamentit Gjerman Tom Koenigs (Të Gjelbrit Gjermanë), ku janë hapur tema të ndryshme për të tashmen dhe ardhmen e Kosovës, të drejtat e pakicave dhe mundësitë e integrimit të tyre në jetën institucionale në Kosovë.

Në orët e pasdites Haradinaj është paraqitur me një prezantim dhe bashkëbisedim në hapësirat e fondacionit më të madh gjerman, „Robert Bosch“, ku në prani të ambasadorëve të vendeve të BE-së në Berlin, Komisionit Evropian po në Berlin dhe deputetëve të fraksioneve të ndryshme në Bundestag, dhe publicistëve gjermanë, ka shpalosur vizionin e tij për Kosovën në rrugën e saj evropiane.

Përgjegjësja e këtij Fondacioni, Sandra Breka, në fjalën e saj hyrëse e ka prezantuar Haradinajn si njeriun që „ka udhëhequr Kosovën në kohët e saj më të vështira dhe njeriun që do ta udhëheqë Kosovën në një të ardhme të shpejtë“, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga AAK-ja.

Haradinaj, në prezantimin e tij u ndal tek detyrat e mëdha që Kosovën e presin në një të ardhme të shpejtë. Duke u falënderuar për ndihmën e vendeve aleate e mike të Kosovës dhe, në veçanti, Berlinit, Haradinaj para të pranishmëve deklaroi që Kosova duhet, po kështu, të kryejë detyrat e saj të shtëpisë.

Ai ka thënë se “duke filluar nga menaxhimi efikas qeveritar, sundimi absolut i ligjit dhe deri tek ndërtimi dhe fuqizimi i strukturave të qëndrueshme qeveritare duhet të jenë dhe do të jenë prioritare në punën dhe implementimin e punës së tij qeverisëse në Kosovë”.

Në bashkëbisedimin e gjatë me mysafirët e pranishëm janë prekur edhe tema të tjera që kanë të bëjnë si me situatën e krijuar pas marrëveshjes Prishtinë- Beograd, por edhe me pyetjet konkrete të të pranishmëve për planet e punës së Haradinajt dhe të AAK-së pas zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme në Kosovë.

Bëhet e ditur se nesër (e mërkurë) Haradinaj do të ketë takime në Dhomën Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë, pastaj do të pritet nga Kryetari i Bundestagut Gjerman, Prof. Dr. Norbert Lammert dhe do të takohet me shefin e Fraksionit të CDU-CSU-së për politikën Jashtme, Andreas Schockhoff, si dhe do të zhvillojë takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me të emëruarin e Ministrit Westerwelle për Ballkanin, Nikolaus Graf Lambsdorf.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen