Poeti i historisë së shkruar në vargje

Analiza & Komente | admin | 14.11.11 | 16:40

 

 Din Mehmeti

Në kujtim të poetit,Din Mehmeti me rastin e njëvjetorit të vdekjes.

 Edhe sot pas një viti të shkuarjes së tij në amshim,të gjithë ruajmë me nostalgji në zemër ndjenjën e ngrohtë dhe respektin e veçantë ndaj profesorit dhe poetit të mirënjohur shqiptar të ndjerit Din Mehmeti. Njeri dhe poet ky i cili,si tek shumë të tjerë edhe mua më hyri shpejt në zemër, dhe u miqësova shumë me të dhe veprat e tij të shumta poetike.

 Tanimë pas afro tri dekadash të kaluara më bëhet sikur nuk mbaj mend shumë nga ajo kohë se kur dhe si u njohëm me Bacalokun e nderuar, sikur deri te takimi ynë të na kishte sjellë rastësia e cila na mundësoi ta njihnim Profesorin tonë të dashur me qëndrimin e një prindi  të mirë me të cilin në vitet e më vona pas mbarimit të studimeve, do shiheshim gjithnjë e më  rrallë.

 Atëbotë për ne ishte privilegj po të rastisje të ishe student i një profesori dhe poeti me renome siç ishte Din Mehmeti, të cilin jo vetëm ta takosh  por  kënaqësi e veçantë ishte të bisedosh me një njeri të tillë që kishte kulturë të lart të shprehjes, shije të përsosur letrare e artistike dhe sjellje shumë të njerëzishme në pranin e të cilit ne ndjeheshim aq mirë dhe të sigurt.

 Ai na fliste me shumë adhurim për letërsinë tonë kombëtare,për shkrimtar dhe poet të mëdhenj të të gjitha kohërave, për të rinj e të vjetër, rrëfimet e të cilit për ta nuk kishin të mbaruar dhe ajo që neve na tërhiqte aq shumë, ishte stili i tij i veçantë i  të treguarit, sinqeriteti dhe vërtetësia e mënyrës së rrëfimeve të tij magjepse.

 Për ne nuk ishin vetëm rrethanat e njohjes,ato që do të ndikonin në zgjatjen e lidhjes sonë me profesorin dhe poetin,por ishte afërsia e tij shpirtërore ajo, cilësia e vlerave intelektuale,natyra e tij njerëzore, mendimet dhe interesat poetike, prirjet për lexime, dashuria për artin dhe përkushtimin letrar e mbi të gjitha afërsia dhe qëndrimi i tij prindëror ndaj nesh.

 Poeti për alfabet të tij e kishte sinqeritetin,ai nuk njihte djallëzinë ndaj edhe kishte mospajtime të mëdha me padrejtësitë që ushtroheshin gjatë atyre kohërave ndaj nesh,kështu që ai dëshironte mbrojtjen e të dobëtëve dhe ndjente thellë mjerimin që rëndonte jetën e shqiptarëve gjatë kohës nën pushtim.

 Bacaloku ishte paksa një natyrë e mbyllur dhe bënte një jetë më të veçantë nga të tjerët i cili në ato kohë të vështira kishte pak miq,por shumë adhurues që e nderonin dhe afronin me dashamirësi poetin,disa nga të cilët në momente të caktuara edhe do t’i gjendeshin pranë.

 Profesori ynë ishte fjalë ëmbël me vështrim të butë dhe natyrë të sinqertë, si dhe një formim të lart kulturor që të ngjallte respekt. Njeri që  kishte lexuar shumë dhe e njihte mirë jetën letrare të cilës ai i kontribuonte edhe vet me shkrimet dhe rrëfimet e tij për shumë nga figura të mëdha letrare e kombëtare, që ai kish pasur rast t’i takonte e t’i njihte edhe vet personalisht.

 Ai ka qenë dhe mbetet një ndër poetët më të rëndësishëm të  poezisë shqipe i cili  lirin e kishte kryetemën e poezive të tij , për mes të cilave ai do të shprehte ndjenjat e dhembjes dhe dashurisë njerëzore ndaj vendlindjes, popullit të tij të shtypur dhe atdheut të robëruar,për fatin e të cilit vuante shumë.

 Përndryshe ai do quhej edhe poet i tokës së mbuluar me varre,i cili për atdheun e tij të robëruar në poezitë e tij do kërkonte  lirinë,vargje ato që tanimë ishin bërë si një testament  i historisë së Kosovës ,të cilat shumë kush i kishte mësuar përmendësh.

 Poeti i historisë së këtij populli të shkruar në vargje i cili breza të tëra edukoi me idealet kombëtare,nuk mund të vdesë, ai jeton përgjithmonë bashkë me vargjet e poezisë në të cilat është vulosur pavdekësia e tij e përjetshme.

 Ndaj edhe pas një viti të kaluar pa te, emri i tij shënohet me pietet nga populli ynë,duke nderuar jetën dhe veprat e tij të cilat nuk kanë lind thjesht nga rastësia,por varësisht nga koha dhe situatat nëpër të cilat kaluam ne si komb ato kanë zgjuar shumë kureshtje,përmbajtja e të cilave përkoi me përballjet e pritura dhe të papritura të një populli të robëruar ,i cili më në fund arriti që të dalë nga tuneli i gjatë i robërisë sllave.

Poeti,shkrimtari dhe kritiku ynë i mirënjohur shqiptar-Din Mehmeti, gjatë jetës së tij,përveç tjerash ka botuar edhe një dramë dhe kritika letrare,por në mënyrë të veçantë është bërë i njohur për poezitë figurative të botuara që nga viti 1961 deri në vitin 1999 në 16 vëllime,kurse poezinë e parë e kishte botuar në vitin 1949 në revistën letrare Jeta e re.

Veprat e tij kryesore dhe më të njohura janë: Në krahët e shkrepave (1961), Rini diellore. (1966) Dridhjet e dritës (1969), Heshtja e kallur (1972), (1974), Fanar në furtuna (1981) Agu, dramë (1982), Prapë fillimi (1996), Klithmë është emri im ( Tiranë 2002), Mos vdis kur vdiset (2001).

 

Gani Qarri             Cyrih, 13 Nëntor 2011

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen