„Flokë, heronj dhe gji nëne“- Studim mbi migrantët kosovarë në Gjermani

Diaspora | Zef Prenka | 04.05.12 | 20:45

Ajkuna Hoppe është antropologe dhe ka kryer një studim mbi organizimin e rrjeteve të migrantëve kosovarë në një pjesë të Gjermanisë. Ajo ka punuar në vitin 2007 për rreth gjashtë muaj me një komunitet shqiptarësh të Kosovës, migrantë në zonën e Shtutgartit për të bërë një hulumtim në terren mbi një temë të palëvruar, atë të krijimit të rrjeteve politike të migrantëve shqiptarë.

Shqiptar i Kosovës në Franfkurt mbi Majn, koncert 2008

Shqiptar i Kosovës në Franfkurt mbi Majn, koncert 2008

„Unë i mora në dorë të gjitha studimet e bëra për migrantët kosovarë në Gjermani dhe në Zvicër dhe ato ishin për mua të pamjaftueshme. Prandaj unë pyeta veten çfarë mund të bëja ndryshe. Ndryshe nga fushat e tjera të shkencës në etnologjie është e lejueshme të sjellësh përvojat personale. Që do të thotë se në etnologji mund të bëhen vëzhgime vetërefleksive për situatën dhe ato kthehen në pjesë të studimit. Këtë bëra dhe unë. Unë kam shkruar disa faqe se çfarë do të thotë për mua si shqiptare, të kryej një studim mbi shqiptarët e Kosovës“.

Hoppe, e cila ka marrë pjesë në një grup studimor për çështjet e migracionit të grupeve të caktuara si kroate, greke etj, është përqëndruar tek shqiptarët e Kosovës, migrantë në Gjermaninë jugperëndimore. „Interesi im ishte të shihja si konstituohet një komunitet migrantësh në një moment krize politike“, shpjegon Hoppe për Deutsche Wellen.

Ajo zgjodhi momentin kur një nga partitë më të mëdha të Kosovës, ndodhej në vitin 2007 në krizë, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës. Partia ishte përçarë dhe kjo përçarje pasqyrohej edhe në diasporë. „Konfliktet në atdhe reflektohen tek migrantët. Në studimin tim unë merrem me krizën e kësaj partie në diasporë“.

Kumbaria e flokëve

Studimin e saj Ajkuna Hoppe e titullon „Flokë, heronj dhe gji nëne“ (Haare, Held und Mutterbrusst). Ai trajton marrëdhëniet e një rrjeti migrantësh kosovarë që krijon një komunitet, si shpërbëhen subjektet politike, si aktivizohen rezervat kulturore. Hoppe flet në mënyrë specifike si bëhen pjesëtarët e një familjeje migrantësh anëtar partie dhe si krijohen në përgjithësi rrjetet politike mes migrantëve. Më pas, si krijohet kumbaria e flokëve dhe si mbahet ajo e gjallë në migracion më shumë se në Kosovë.

Kumbaria e flokëve ka të bëjë me prerjen nga një kumbar i flokëve të barkut të foshnjeve, që sipas zakonit nuk priten deri në një farë moshe. Flokët priten kur fëmija është një ose një vjeç e gjysëm, në momentin kur fëmija hiqet nga gjiri i nënës dhe është në gjendje të jetojë vetë.

„Ajo që unë pashë ishte se zakone të tilla që nuk praktikohen më në Kosovë gjallërohen në Shtutgart. Kjo në mes të njerëzve që kanë një status të caktuar. Për mua ishte e rëndësishme të shikoja si gërshetohen raportet midis njerëzve nëpërmjet ringjalljes së zakoneve, që marrin forma politike. Kumbaritë i vendosin njerëzit në marrëdhënie të tjera, të cilat pa kumbarinë nuk do ishin të tilla. Kështu në Shtutgart, një kryetar partie, ishte kumbar i disa fëmijëve. Kumbaria ngjiz edhe më shumë lidhjen shoqërore. Ai bëhet kumbar, dhe duke u bërë i tillë merr edhe përkrahjen e familjeve“, tregon antropologia.

Deri në atë kohë nuk ka pasur asnjë lloj studimi që të merrej me fokusime të tilla. „Në përgjithësi ka qënë shumë e vështirë. Sepse të vetmet studime që kishin të bënin me kosovarët ishin ato të kriminalistikës, të tipit „çfarë metodash përdorin shqiptarët e Kosovës kur hyjnë në shtëpira për të vjedhur“. Vështirësia më e madhe është se për të bërë studime të tilla duhet të depërtosh në komunitetin e migrantëve. Dhe depërtimi mes shqiptarëve është shumë i vështirë,“ thotë Hoppe e cila ndodhet po punon prej tre vjetësh në Universitetin e Nju Jorkut, për të marrë titullin doktor në antropologji.

„Unë kërkova shumë, por ajo që gjeta ishte e llojit „pse shqiptarët e Kosovës thonë që janë turq, grekë, italianë dhe nuk tregojnë identitetin e tyre?“. Ky është një vëzhgim, por studimet që kanë të bëjnë me jetën e njerëzve, me nivelin thelbësor mungojnë krejtësisht për shqiptarët e Kosovës. Debatet për migrantët në Gjermani janë të përqëndruara tek fokusi kulturor, duke mos parë aksesin ekonomik të migrantëve. Ajo që vërehet janë ndryshimet kulturore, kurse ndryshimet materiale nuk shikohen,“ thotë Hoppe e cila vëren ndryshimet midis Gjermanisë dhe SHBA-së në debatet mbi migrantët.

Nderimi martirëve

Në pjesën e dytë, atë mbi nderimin e heronjve Ajkuna Hoppe përshkruan si shprehet adhurimi ndaj martirëve. Një migrant kosovar që ka jetuar gjatë në Gjermani shkon në vitin 1999 në Kosovë dhe vritet në luftë. Ai ka qenë idhtar i partisë dhe ka kontribuar shumë për të. Në momentin e krizës të dy grupimet e përçara partiake pretendojnë ta kenë heroin për vete. „Çdo fraksion politik kërkon ta ketë heroin për vete. Pra zhvillohen luftra të tilla pretenduese. Unë përshkruaj një ceremoni në Shtutgart, të zhvilluar në një ndërtesë të vjetër të zjarrfikseve. Atje ishin mbledhur qindra vetë, krejtësisht të izoluar nga shoqëria gjermane“.

Nga kjo ceremoni nderimi për dëshmorin Hoppe kalon tek Kongresi i Partisë, i cili zhvillohet dy javë më vonë në një sallë të madhe kongresesh, më të madhen në rajon, në Ostfelder. „Në faqen e internetit nuk ndodhej asnjë informacion për Kongresin. Në Kongres shkonin vetëm ata që ishin informuar dhe asnjë tjetër nuk lejohej. 90 përqind e pjesëmarrësve në kongres ishin burra. Gratë pjesëmarrëse u ulën në rreshtin e parë. Perdet u mbyllën, kërkush nga jashtë nuk mund të shihte çfarë ndodh. Unë përshkruaj si zhvillohet ceremonia e nderimit, si shpërthejnë lotët, çfarë muzike luhet, cilat poezi recitohen, filmat dhe dokumentarët që tregohen, si shpërthen në lot kryetari i partisë. Unë punoj me nocionin e politikës që bën llogaritë, sepse në politikë nuk duhet të përfshiheshin në fakt shpërthimet emocionale.“

 Diaspora shqiptare mblidhet në Deçan, 2011

Diaspora shqiptare mblidhet në Deçan, 2011

Gjiri i nënës

Në pjesën e tretë, „Gjiri i nënës“ Ajkuna Hoppe, përshkruan Kongresin e partisë, si prezantohen përfaqësuesit e ndryshëm të partisë që kanë ardhur nga vende të ndryshme të Evropës, si bëhen shpjegimet për komunitetet politike, rolet e diapsorës etj. Shtutgarti ka qenë vendi ku ka jetuar Ibrahim Rugova në emigracion dhe qendra e partisë në Evropë.

„Për mua ishte shumë e vështirë të futesha më rol. Të pyesja veten çfarë jam duke bërë, në çfarë rrethanash ndodhem. Unë kam pritur shumë kohë për të botuar librin. Të gjitha emrat janë anonim dhe ham përpjekur që të mos fus gjëra që do të më krijonin vështirësi më pas. Kam pritur shumë gjatë për ta botuar. Sepse mendoja se studimit i kishte kaluar koha, por në fakt nuk është kështu. Studimi është më bashkëkohor se kurrë,“ vlerëson Ajkuna Hoppe punën e saj.

Me këtë studim ajo ka mbrojtur diplomën në Universitetin e Tybingenit në sociologji dhe antropologji. Studimi botohet tani nga Shtëpia Botuese Lit.

Autor: Aida Cama
Redaktoi: Auron Dodi

Ajkuna Hoppe

Ajkuna Hoppe

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen