Mbrojtësit e Qosjes, ose një letër e organizatës bazë

OP-ED | Rrezore | 12.03.14 | 19:12

Nga Alfred Lela

Letra e hapur si formë komunikimi dhe përballjeje, apo dhe si institucion, e kap kulmin e vet me J’accuse të shkrimtarit francez Emil Zola, i cili i drejtohej presidentit të republikës duke e akuzuar për antisemitizëm dhe burgim të paligjshëm të oficerit Alfred Dreyfuss.

alfred_lela_150690

Alfred Lela

Letra e hapur megjithatë fillon më herët në kohë: që me Letra e Palit që përbëjnë librat e Ungjillit, për të shkuar më vonë tek Enciklikat papnore e deri në ditët tona kur, kryesisht intelektualët, iu janë drejtuar autoriteteve shtetërore, njëri-tjetrit apo opinionit publik. Epistolari shqiptar e ka disi më të palavdishme historinë, qoftë edhe për shkak të përmasës, kur krahason një vend të vogël me botën automatikisht prodhon një raport të zhdrejtë, apo edhe se shqiptarja ka qenë kryesisht një shoqëri e mbyllur.

Edhe kur është hapur, shoqëria shqiptare, më saktë elita e saj, nuk i ka shpëtuar simptomave të mbylljes. Me mbyllje kupto hermetikën politike, sociale, kulturore të periudhës komuniste 1945-1991. Më kryesoret ndër këto simptoma kanë mbetur dy: denoncimi dhe ditirambi. Të dyja në fakt i kanë rrënjët te një traditë e majtë e mendimit dhe të shkruarit, dhe fillojnë me Fan Nolin dhe me poemthat e tij që u bënë tekste kryesore në Leximet e shkollave shqiptare përgjatë komunizmit. Poezitë për Ahmet Zogun, Luigj Gurakuqin dhe Avni Rustemin u bënë masë dhe përmasë e asaj që komunistët e morën dhe e banalizuan më pas me format kineze të fletërrufeve, denoncimeve apo linçimeve. Apo në krah të kundërt me përlëvdimet për Nënën Parti e shokun Enver.

Ky kontakt i ndërprerë i intelektualit me publikun apo dhe me veten qoftë, prodhoi shfytyrimin e vet pas rënies së komunizmit. Letrat e hapura ishin ose denoncime të vrazhda, shteruese e zhbërëse të kundërshtarit politik apo personal, apo qoka intelektuale, ku një personazh i drejtohej tjetrit në dashamirësi e njëfarë vllaznie të llojit.

Ky epistolar banal dhe ky banalizmi i epistolarizimit vazhdon. Vazhdoi edhe kur Hivzi Islami, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës i drejtoi një Letër të Hapur akademikut Rexhep Qosja. Aty, përveç një parathënieje bënte edhe pyetje, plot 55 të tilla, numër ky që të kujton nenin 55 për agjitacion e propagandë të legjislacionit komunist. Kundërpërgjigja nuk vonoi shumë dhe një grup intelektualësh nga Shqipëria, të gjithë të majtë ose të lidhur me të majtën prodhuan kundërdenoncimin, njëfarë reagimi të organizatës bazë duke mbrojtur Qosjen një klasik të së majtës shqiptare.

Megjithëse letra e intelektualëve shqiptarë ishte më e përmbajtur dhe me tone paternaliste, të befason aty një luzmë stilemash të ligjërimit socrealist. Ndër më rrëqethëset: Akuzat joparimore; personalitet poliedrik; protagonist i vijës së parë të intelektualëve; korniza e një debati normal shkencor; proceset e emancipimit dhe demokratizimit të shoqërisë shqiptare; kërkesës urdhëruese të kohës.

Por jo vetëm gjuha; edhe standardi i dyfishtë futet te përshtypja e keqe e kësaj letre mbështetëse për z. Qosja. Akademiku kosovar ka qenë vetë autor denoncimesh të forta me gjuhë zhbërëse, të paktën ndaj një personazhi të jetës publike shqiptare, ish-kryeministrit Berisha. Denonciator e ka paraqitur veten z. Qosja edhe në raport me Kadarenë, Rugovën e ndonjë tjetër. Asnjë pipëtimë nuk kanë qit’ intelektualët e listës në fjalë.

Në fund mbetet trishtimi. I asaj se si denoncimi është bartur ende nga kohë që kujtojmë se i kemi humbur. Apo se letrat e hapura të kolektivit punonjës apo organizatës bazë vazhdojnë të jenë formë komunikimi. Sidomos se, ndër shqiptarë ende nuk ngrihet njeriu kundër sistemit, por sistemi kundër njeriut.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen