Në Prizren, për qejf

OP-ED | admin | 29.05.12 | 23:33

Shkruan: Ireshtansi
 
 

Unë isha ulur në oborr bashkë me gruan e po pinim kafe. Pak më tutje, përball nesh, vëllai im po pastronte veturën. Një grua e fqinjit, rreth gjashtëdhjetë vjeqare, që sigurisht na kishte parë nga dritarja, erdhi e iu afrua vëllait tim.
-Hë, po e pastron veturën a? e pyeti ajo
-Po, ia ktheu ky, dhe vazhdoi punën pa e shikuar.
-Po fëmijët, ç’po bëjnë?
-Po shikojnë televizor, dhe vazhdonte punën.
Gruaja e fqinjit, që endej sa andej këndej për të patur në shikim vëllain tim që lëvizte rreth veturës, i bëri edhe dy-tri pyetje të tjera, por nuk mori veqse përgjigje të shkurtra dhe asnjë shikim. Dukej që ajo po përpiqej t’i thoshte diçka por nuk po mundte assesi të hynte në temë.
Unë u bëra kureshtar të mësoja se çka do t’i thoshte. Se ajo nuk mund të rrijë pa përgojuar të tjerët. Merr një fjalë, e zien, e gatuan dhe pastaj ua shërben të gjithëve. Madje jo vetëm ajo, e gjithë shtëpia punësohen në këtë ndërmarrje. I akordojnë gojët, dhe… ti do ta çosh këtë fjalë në veshin e atij, ti do t’i thuash asaj, e kështu nga një ndodhi fare pa rëndësi krijojnë ngjarje me engjuj e me djaj. Pastaj dikë gjoja se e marrin në mbrojtje. Sa s’qajnë për të.
Ndërsa kur nuk janë të angazhuar në këso lloj fushatash, sepse lagjja jonë nuk mund t’i furnizoj me material të bollshëm, atëherë i kthehen lumturisë së vetë, të cilën ne gjithësesi duhet ta shohim e ta dijmë. Ja ta zëmë, me të të parë ty në oborr, ata zënë e qeshin me të madhe, për të të treguar se sa mirë po ja kalojmë, e këso gjërash të bëra për tu parë e dëgjuar nga të tjerët.
Po sot, ç’kishte kjo që ishte ngulur këtu e s’shqitej. Të donte të tregonte ndonjë ndodhi të përpunuar, s’ma merrte mendja, sepse skena nuk ishte përgaditur për diçka të tillë, por që kishte një siklet, e kishte. Lëvizte andej këndej, herë pas here bënte pyetje, por vëllai im assesi s’e zgjaste muhabetin. Ndoshta ai pavetëdijshëm po ja pamundësonte realizimin e planit. Përmushjen e misionit.
Kur gati u bë e qartë se s’i eci, në skenë u paraqitë gruaja e fqinjit e krahut tjetër, rreth katërdhjetë vjeqare. Ajo njëherë u afruar tek ne e pastaj drejtoi shikimin dhe hapat andej nga ishin vëllai im dhe gjashtëdhjetë vjeqarja, e cila me të parë këtë të renë, iu qel fytyra thuajse pa një njeri të dashur.
-Hë, ç’po bëni, pyeti katërdhjetë vjeqarja.
-Ja po rrimë. Djali me nusen kanë shkuar në Prizren, ndërsa unë po kujdesem për fëmijët.
-Ou, ia bëri kjo, mirë paskan bërë.
-Po, po, kanë shkuar vetëm për qejf. Edhe unë iu thashë, dilni pak, kënaquni, shtoi me nxitim se u frigua që prej anës tjetër nuk do të vinte më ndonjë fjalë, ose kjo tjetra qëllimisht do ta ndryshonte bisedën, dhe kjo gjë me rëndësi do të mbetej pa u treguar.
-Shkova njëherë, se kushedi ç’po bëjnë fëmijët, tha gjashtëdhjetë vjeqarja dhe iku tërë qejf.
Eh, thashë me vete, u çlirua edhe ajo, e na çliroi edhe neve, se për pak të mos e merrnim vesh që ata paskan shkuar në Prizren për qejf. Se po të mos e kishim marrë vesh ne, ku është qejfi pastaj?!
 
Ireshtansi

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen