Hierarkia patriarkale dhe historia që e ka “dënuar” femrën

OP-ED | Zef Prenka | 04.11.12 | 09:45

Faktet e jetës sociale, intensiteti i lartë i dhunës mbi gratë dhe fëmijët, si rritja progresive e numrit të viktimave, femra nga dhuna në familje janë vërtet shqetësuese dhe tronditëse. Në njëfarë mënyre shoqërisht jemi në situatën kur kanë shpërthyer në mënyrë të pakuptimtë dhe banale teprimet e sjelljes agresive të meshkujve mbi gratë e tyre. Realiteti social, tashmë evident, i dhunës në familje është në nivele të tilla që nuk të bën aspak optimist. Megjithëse beteja e shtetit, drejtësisë, shoqërisë civile, medies, institucioneve fetare ka qenë në rritje sasiore dhe angazhime më precize cilësore, realiteti dhe faktet e përditshme të dhunës mbi gratë në njëfarë mënyre tregojnë se, me gjithë përpjekjet serioze që janë bërë, akoma duket se efektiviteti i luftës sonë të përbashkët ndaj dhunës në familje taktikisht nuk është në nivelin e duhur. Po ndërsa dhuna i ka treguesit në rritje, analizat që u bëhen shkaqeve të saj shpesh duket qartë se janë të sipërfaqshme apo sempliste. Kjo do të thotë se ka ardhur koha që ne si shtet, si familje, si drejtësi, si shoqëri civile dhe si institucione të përkujdesit shoqëror duhet të jemi më të kujdesshëm në drejtim të bërjes së analizave sociale të kësaj patologjie dhe njëherësh edhe në përcaktimin e diagnozave për shërimin e saj. Sepse nuk shërohet sëmundja sociale e dhunës në familjen shqiptare, nëse, së pari, nuk njohim më thellë, më saktë dhe pa alambikime morale dhe ambalazhe zbutëse jo vetëm shkaqet konceptuale, por dhe trajtat dhe format kontekstuale të saj që janë të lidhura me gjenezën, etnogjenezën, kulturën patriarkale dhe mentalitetin e fortë maskilist të shoqërisë. Këto janë disa nga shkaqet e kësaj dukurie shqetësuese që duhen vlerësuar dhe interpretuar sa më qartë dhe më drejt.
Sepse kam ndjekur me shumë kujdes interpretimet politike dhe sidomos ato mediatike dhe kam vënë re se në shumë analiza, studime dhe vlerësime mediatike të dhunës në familje, veçanërisht mbi dhunën mashkullore që ushtrohet mbi gratë dhe në mënyrë monotone dhe stereotipike nuk bëhet analizë e qartë e shkaqeve të dhunës. Këtë e kupton sepse vazhdimisht politikanët dhe sidomos media e shkruar dhe elektronike theksi për shkaqet e dhunës vihet vetëm në aksesorë të tillë socialë të dukshëm siç janë varfëria, alkooli, droga dhe papunësia. Pa dyshim që askush nuk e mohon të vërtetën se ato janë faktorë që kanë ndikimin e tyre dhe që janë shkaqe bazë dhe që mund të bëhen motive shtesë për shpërthimin e dhunës së meshkujve në familjet tona. Por besoj se problemin duhet ta shohim ca më thellë, në mënyrë që pas “drurit të shohim pyllin” dhe jo anasjelltas. Kjo do të thotë se, nëse duam të kemi më shumë rezultate në luftën kundër dhunës në familje, duhet ta përqendrojmë vëmendjen tonë në disa defekte kulturore, që lidhen me traditën dhe mënyrat e vjetra të ndërtimit të partneritetit martesor, të rolit të varur dhe dytësor që ka pasur tradicionalisht femra në raport me meshkujt e familjes. Kjo tipologji ka qenë limfa që ka ushqyer këtë realitet barbar që në shoqërinë tona dhunë mbi femrat dhe veçanërisht mbi gratë në familje nuk konsiderohet ndonjë ngjarje e madhe dhe nuk ka pse shoqërisë t’i ngrihen qimet përpjetë. Me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur, të krijohet ideja se në këtë aspekt, që ka të bëjë me nivelin shumë të lartë dhe tejet shqetësues të dhunës mbi gratë në familje, ka ndikime të gjëra ideologjike dhe thelbësore kultura e vjetër maskiliste e funksionimit të strukturës së familjes shqiptare.
Nuk zbutet dhuna vetëm me ligj dhe polici, as vetëm me masa shtetërore (të cilat janë të domosdoshme dhe kanë rëndësi të posaçme), nëse nuk vlerësojmë ndikimet e thella ontologjike që ka në këtë nivel absurd të dhunës tipologjia e vjetër e përcaktimit maskilist të roleve gjinore në familje, ndarja e padrejtë e pushtetit familjar midis meshkujve dhe femrave, nëse nuk luftojmë për të ndikuar në ndryshimin që duhet bërë në raportin e padrejtë të shpërndarjes së autoritetit në familje, në përmirësimin e partneritetit në marrëdhëniet midis burrit dhe gruas, mashkullit dhe femrës. Në këtë kontekst, unë mendoj se ka ardhur koha e duhur që gratë tona të kenë dhe të kërkojnë të drejta sociale më të plota, jo vetëm në familje, disa prej të cilave dhuna e shëmtuar e meshkujve i ka bërë burg për gratë, por dhe në shoqëri në të cilat tipologjia e dhunës nuk është aq shumë fizike, por mbetet thelbësore pavarësisht alambikimeve dhe sofistikimeve sociale që i bëjmë për të fshehur atë.
Koha moderne e ka kaluar dhunën fizike, por ka sjellë format e rafinuara të dhunës psikologjike, verbale, emocionale që janë po aq, në mos më shumë restriktuese për femrën, e cila përballet me to në shoqërinë tonë. Ndaj jo vetëm në familje, por dhe jashtë saj, në jetën publike, gratë duhet të jenë më mirë të garantuara ligjërisht për të pasur të drejta sociale, ekonomike të pacenuara nga ideologjia e maskilizmit të rafinuar dhe që realisht ato të ndihen të barabarta me burrat. Ne duhet të bëjmë më shumë për ta thyer tendencën e zgjatur të feminizimit të varfërisë, duke krijuar më shumë barazi shanse dhe oportunitete në tregun e punës për to.
Është koha që të gjithë së bashku: politika, parlamenti, qeveria, shoqëria civile, media, komuniteti, shkolla dhe vetë gratë, të luftojmë që të krijojmë kushte për zhvillimin e barazisë gjinore në terrene më të ngushta, aty ku realisht zhvillohet jeta e vërtetë, pikërisht në familjet tona. Beteja jonë është lufta e vendosur për të krijuar të gjitha kushtet, duke bërë të gjitha përpjekjet edukative, propagandistike e ligjore, që të fillojmë punën për ndërtimin e asaj gjëje që është shumë e rëndësishme në shoqërinë tonë. Shoqëria jonë ende nuk është, por duhet të bëhet shoqëri e mundësive dhe e shanseve të barabarta për gratë. Ne po u largohemi me shpejtësi paradigmave sociale dhe individuale diskriminuese për shkak të racës, gjinisë dhe të përkatësive të tjera rastësore, ndaj beteja me dhunën në familje nuk bëhet në mënyrë të njëanshme. Ajo nuk fitohet pa luftuar secili në llogoren e vet dhe të gjithë së bashku, sipas kërkesave normative të Strategjisë Kombëtare, e cila është një program madhor për të sulmuar, sunduar dhe mposhtur këtë të keqe sociale tejet të shëmtuar. Nga pikëpamja ligjore janë bërë ndryshime radikale për të mbushur vakumin që favorizonte dhunën dhe që linte pa ndëshkuar dhunuesit. Përmirësimi i legjislacionit, jo vetëm si kërkesa dhe kushte esenciale të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, por në radhë të parë si orientim për të përmirësuar kushtet e të jetuarit në barazi dhe me dinjitet të grave dhe motrave tona. Ne kemi një kuadër ligjor më të plotë dhe favorizues për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve nga dhuna. Kushtetuta e Republikës, Kodi Penal, Kodi Civil, Kodi i Familjes, ligji “Për masat kundër dhunës në marrëdhëniet familjare” si dhe aktet nënligjore të ministrive të linjës për zbatimin e tyre janë kushte paraprake ligjore, që vënë në lëvizje administratën e shtetit, strukturat e saj në të gjithë procesin e parandalimit dhe ndëshkimit të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve. Legjislacioni ynë në mbrojtje të gruas shqiptare nga dhuna është i standardeve europiane, i përafruar me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe i përputhur me kërkesat normative të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, konventën për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas etj.
Por kjo nuk do të thotë se problemi i parandalimit, frenimit dhe ndëshkimit të dhunës ndaj grave është zgjidhur. Ne jemi të ndërgjegjshëm për problemet që kanë institucionet e ngarkuara për zbatimin e ligjit dhe të mungesave që ekzistojnë në strukturat që pasojnë realizimin e zbatimit të kuadrit ligjor deri në fund për mbrojtjen e viktimave të dhunës. Në këtë drejtim duhet të bëjmë më shumë për të çuar deri në fund përgjegjësitë që u ngarkon “Strategjia kundër dhunës në familje” dhe plani i veprimit dhe zbatimit deri në fund të saj. Veçanërisht duhet të përmirësojmë strukturat sociale që kanë role të rëndësishme në politikat e parandalimit, rehabilitimit dhe riintegrimit social të grave që janë viktima të dhunës.
Nuk zbutet dhuna mbi gratë pa demokratizuar familjen
Ekzistenca e drejtësia sociale që kemi në jetën shoqërore dhe përpjekjet për të ripërkufizuar dhe ridimensionuar përmasat e pabarazisë gjinore janë komponente me rëndësi, që favorizojnë betejën sociale, shtetërore, juridike ekulturore për të mbrojtur gratë nga padrejtësisë që u bëhet atyre në shumë aspekte të jetës në shoqërinë tonë aktuale. Por, për fatin e keq të shoqërisë, qytetërimit dhe vetë grave, shoqëria jonë po përballet paradoksalisht me një fenimen social siç është zgjerimi i shkaqeve të konflikteve dhe dhunës mbi to në familje. Ky është një problem shumë i madh dhe i vështirë për t’u përballuar, ngaqë zhvillohet në familje dhe brenda kontureve të mbyllura të shtëpisë. Fenomeni i dhunimit të grave në familje për motive banale apo esenciale nuk është fenomen i ri për shoqërinë shqiptare, Por përmasat, format, stratagjemat fiziko maskiliste të dhunës së burrave mbi to e kanë bërë këtë fenomen të jetë në përmasa sociale jo thjesht shqetësuese, por alarmante. Pa dyshim që ende shoqëria jonë nuk është në fazën e pjekurisë së qytetërimit të vet, që dhunën e meshkujve mbi gratë në familje të mos e konceptojë në mënyrë eufemiste, duke e trajtuar atë si defekt kulturor të familjes tradicionale shqiptare. Përkundrazi, dhuna mbi gratë në familje nuk është problem kulturor, por aspekt i qartë i sjelljes kriminale mbi gratë dhe duhet trajtuar si e tillë.
Çfarëdo statistikash pozitive të përdorim për të treguar evolucionin qytetar të shoqërisë shqiptare dhe përmirësimin e statusit social të gruas shqiptare në shoqëri, ato nuk e kanë peshën dhe vlerën e duhur për gratë, nëse në familjen e tyre ato ndihen dhe trajtohen si qenie inferiore ndaj burrave, të rrezikuara nga dhuna sadiste dhe krimi ordiner, nëse ato në kështjellën bazë të jetës së tyre bashkëshortore ndihen të rrezikuara nga dhuna që vjen nga diskriminimi fizik, shpirtëror, emocional dhe subjektiv për shkak se “shtëpia shqiptare” vazhdon ende të ruajë atavizmin e një qendre dhune për gratë, të cilat ndihen të tmerruara nga niveli tejet agresiv i mentalitetit maskilist dhe pesha antihumane e autoritarizmit ekstrem të meshkujve në marrëdhënie me to.
Nuk ka barazi gjinore dhe nuk mund të shmanget dhuna në familje nëse nuk do të ndryshojmë strategjinë e punës sonë, duke e përqendruar vëmendjen në krijimin e kushteve sociale, ligjore, kulturore për përhapjen publike të koncepteve të reja për raportet e ndryshuara midis mashkullit dhe femrës në shoqëri, apo midis burrit dhe gruas në familje. Studimet e realizuara nga organizatat joqeveritare, të dhënat e organeve shtetërore për gratë viktima të dhunës në familje, faktet e pasqyruara nga media tregojnë se jemi në një fazë kritike, kur intensiteti i dhunës në familjen shqiptare dhe brutaliteti maskilist që ushtrohet jashtë çdo kontrolli brenda mureve të shtëpisë është i thellë, i dukshëm, intensiv në krahasim me dhunën që ushtrohet në ambiente publike mbi to.
Meqenëse të gjithë jemi të shqetësuar, të përfshirë me kontribute të ndryshme sipas pozicionit që kemi në jetën shoqërore, së pari duhet të bëjmë marrëveshjen e fjalës për të pranuar të vërtetën se në vendin tonë nuk do të zbutet dhuna pa punuar me të gjithë mjetet, format dhe instrumentet e jetës sociale intensivisht. Në radhë të parë e mbi të gjitha me meshkujt tanë, një pjesë prej të cilëve kanë mbetur rob të biologjisë së deformuar dhe forcës instiktive të dhunës kafshërore. Kjo do të thotë se tani duhet kuptuar dhe pranuar nga të gjithë njerëzit dhe institucionet e rëndësishme të jetës shtetërore dhe publike se jemi para nevojës së ngutshme për të bërë revolucion të vërtetë në familje dhe brenda mureve të shtëpive tona për të zbutur trajtën barbare të maskilizmit tradicional ballkanik, në mënyrë që të krijohen kushte që ndihmojnë gratë, të cilat në betejën e tyre vendimtare kanë nevojë së pari të ndihmohen nga të gjithë për të ndërtuar në radhë të parë demokracinë shtëpiake. Sepse shtëpia jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë kështjella mashkullore, në të cilën burri shqiptar e konsideron dhe e quan gruan si pronë të vetën, bashkë me trupin, shpirtin, dinjitetin, subjektivitetin dhe personalitetin e saj. Madje, siç po tregojnë rastet, ky kufi është duke tejkaluar çdo limit të të drejtave të gruas në familje dhe shumë burra po bëjnë krime makabre, duke menduar si sadist të vërtetë, që kanë të drejtë dhe për ekzistencën dhe jetën e saj.
Nuk ka pse e fshehim faktin për të cilin duhet të turpërohemi si burra që shtëpinë, që duhet të jetë ambienti kryesor ku duhet të lulëzojë dashuri, mirëkuptimi, partneriteti, e kemi bërë qendër dhune, ku pa frikë dhe drojë dhunohet dhe diskriminohet brutalisht gruaja shqiptare. Shoqëria shqiptare nuk mund të jetë e qetë nëse në shumë shtëpi, në emër të privatësisë, mosndërhyrjes apo si pasojë e zgjerimit të indiferentizmit social, disa familje janë shndërruar në burg social për gratë. Shtëpia nuk është kështjellë e mbyllur, në të cilën meshkujt e paekuilibruar e sadistë të kenë mundësi të bëjnë çfarë të duan, të sillen si të duan me gratë, si të ishin qenie inferiore, pa të drejta dhe personalitet.
Sfida e shoqërisë sonë nuk është vetëm shndërrimi i familjeve tona në komunitete të shëndetshme, paqësore, por me rëndësi të veçantë është garantimi i staturës së shtëpisë, si instrumenti social më i madh i barazisë gjinore, i sigurisë morale të brezave, i identitetit të shëndoshë gjinor dhe shfaqjes së dinjitetit edhe për gratë dhe fëmijët. Duhet të përpiqemi më shumë dhe të ndihmojmë me të gjitha mjetet gratë për të dalë nga paragjykimet vjetra deterministe biologjizante, për të shkatërruar konceptin që kanë një pjesë jo e vogël e tyre për misionin thjeshtësuar biologjik, seksual dhe edukativ në familje. Mentalitet që favorizon dhunën dhe e mban gruan të mbyllur dhe të dhunuar në shtëpi, duke pasur të kufizuar kufirin e të drejtave individuale dhe sociale, ngaqë të destinuar të qarkullojë sipas dëshirave të burrit në “trekëndëshin fatal”, që të lindë, të ritë, të edukojë fëmijët, të bëjë punët e shtëpisë. Kjo pozitë e disa grave është një nga shkaqet tradicionale që favorizon dhunën e meshkujve mbi to. Ndërkaq duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm se në aspektin e zgjerimit të dhunës në familje ka ndikim fakti që në shoqërinë tonë ka një prirje të dukshme sociale disfavorizuese për gratë, që papunësia tek ato është më e thellë dhe që ky realitet është një nga shkaqet shtesë, që ndihmon pozitën e tyre të disfavorizuar në familje.
Parandalimi, frenimi dhe ndëshkimi i dhunës që ushtrohet në shtëpi duhet të jetë një nga sfidat e mëdha të kohës për shoqërinë civile, shtetin dhe të gjitha organizimet e shumta të jetës sociale në Shqipëri. Dhunën duhet ta zbulojmë aty ku ajo është më intensive, aty duhet të ndërhymë me të gjithë mjetet e prevencës, ndëshkimit ligjor të dhunuesit dhe rehabilitimit social të viktimës. Nuk është e vërtetë që dhuna mbi gratë nuk është nga pikëpamja sociale esencale për familjen shqiptare. Në jetën moderne nuk mund të ecim me mentalitete historike mizogjine të deformuara, që vijnë nga e kaluara e familjes sonë, me strukturë patriarkale dhe hierarki maskiliste, por nga parimet e reja të familjes dhe qytetërimit modern.
Një rol të veçantë duhet të luajë shkolla për edukimin qytetar të nxënësve dhe studentëve, në mënyrë që ata të edukohen me standardet e qytetërimit modern, të nderimit dhe respektimit të gruas në rolin e shoqes, të dashurës, bashkëshortes, nënës, mikes. Të rinjtë tanë duhet t’i mësojmë në familje dhe në shkollë që të jetojnë me një moral të ri gjinor, të bazuar në bindjen e thellë se shoqëria jonë do të jetë e drejtë, humane dhe solidare kur të ketë në themel të saj barazinë gjinore. Ndërkaq duhet përmirësuar puna që bëhet në strukturat ligjore, të këshillimit, të trajtimit social, në komisariate, qendrat e pritjes së viktimave, në klinikat e specializuara. Por me shumë rëndësi në këtë betejë është dhe aleanca me medien, trajtimi i gjerë dhe zgjerimi i sensibilitetit social kundër dhunës në familje. Trajtimi i problemit të dhunës mbi gatë dhe fëmijët në shtyp dhe medien elektronike duhet të marrë një intensitet të ri, jo vetëm investigative, por dhe edukative dhe konstruktive për të krijuar frontin e madh social, të koordinuar midis shtetit, pushtetit vendor dhe shoqërisë civile.
Beteja jonë kundër dhunës në familje është kuintesenca e betejës për qytetërimin për plotësimin e standardeve sociale, etike dhe gjinore të Bashkimit Europian. Kjo betejë është e integruar dhe duhet të bëhet sfida jonë e përbashkët e politikës, e qeverisë, e shoqërisë civile, e grave, por dhe e burrave. Asnjë shoqëri që ka tregues të lartë të dhunës në familje, që diskriminon dhe keqtrajton gruan për shkak të diferencës gjinore apo përkatësisë seksuale, nuk është dhe nuk mund të quhet moderne.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen