Axhenda e 100-vjetorit të Pavarësisë, festimet nisin në Vlorë

OP-ED | admin | 04.11.12 | 19:57

TIRANE – Ministria e Kulturës publikoi sot axhendën për festimet e 28 Nëntorit, ku parashikohet që festa të nisë në Vlorë. Sipas ministrit Aldo Bumçi, në këtë axhendë i është dhënë më shumë prioritet festimeve në Vlorë, ku do të jenë të pranishëm personalitetet më të larta të vendit. Më pas axhenda parashikon që në drekën e 28 Nëntorit personalitetet të vijnë në Tiranë, ku do të vijojnë festimet deri natën vonë. “Kremtimet fillojnë në Vlorë me ngritjen e flamurit, homazhet dhe më pas vijojnë në Tiranë deri në orët e vona të natës. Kremtimet fillojnë në Vlorë dhe pas dreke vijojnë në Tiranë. Ka ngjarje te shumta, kemi përurimin e përmendores kushtuar 100-vjetorit, koncertet festive dhe aktivitete të tjera që do zhvillohen gjatë ditës.”- u shpreh ministri Bumçi. Ministri Bumçi përmendi vetëm disa nga aktivitetet më të rëndësishme të kalendarit të aktiviteteve të 100-vjetorit, që pritet të bëhet publik në faqen zyrtare së bashku me një preventiv për çdo aktivitet, ndërkohë që sipas ministrit, deri tani janë shpenzuar 300 milionë lekë. Ministri i MTKRS-së veçoi ardhjen në Shqipëri të armëve të Skënderbeut, “Mesharit” të Gjon Buzukut, përurimin e monumenteve të Ismail Qemalit, Ahmet Zogut, Hasan Prishtinës, Festivalin e Filmit Shqiptar dhe Festivalin e Dramës Shqipe, etj. ”Do të çelet një ekspozitë me Kodikët e Beratit, ekspozitë fotografike e Marubit, do të zhvillohen konferenca shkencore, ku më e rëndësishmja është ajo e Qëndrës së Studimeve Albanologjike, ku për 2 ditë do të mblidhen 100 studiues për të diskutuar mbi çëshje të ndryshme të historisë së vendit”,-  tha Bumçi. Pjesë e aktiviteteve për 100-vjetorin është edhe një konferencë shkencore në lidhje me vendin se ku është botuar “Meshari” i Gjon Buzukut, si dhe një ekspozitë për bashkëkohësit e tij, Budi, Bogdani, Bardhi, etj. Do të përurohen gjithashtu edhe monumenti i Kongresit të Lushnjes, për Pjetër Arbnorin e Petro Markon. Sipas ministrit Bumçi, së shpejti pritet të përfundojë edhe konkursi për siglën muzikore që do të shoqërojë festimet, i shpallur kohë më parë. “Festimet e 100-vjetorit përfundojnë në fund të muajit dhjetor. Në 3 dhjetor festohet 100-vjetori i themelimit të Ushtrisë, një nga vendimet e para të qeverisë së Vlorës”, tha Bumçi. Sipas tij, po kryhen proçedura për të mbështetur vendosjen e bustit të Skënderbeut në Londër dhe në Budapest. Aktivitetet do të vazhdojnë edhe jashtë vendit, ku mbas tre javësh do të çelet në Romë një ekspozitë për trashëgiminë kulturore shqiptare, do të ketë një koncert në Bruksel.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen