Dr. Arbër Veliu, specialist Gastroenterolog – Hepatolog

Rrezore | admin | 18.10.10 | 19:35

Këto organe zbërthejnë dhe absorbojnë ushqimin dhe lëngjet që ne i marrim gjatë ditës, pastaj materiet ushqyese kalojnë në qarkullimin e gjakut deri ne qelizat trupore. Kur këto organe nuk funksionojnë normalisht atëherë pacienti është i detyruar të kërkojnë ndihmën e gastroentrologut/hepatologut.

Përshëndetje i nderuari dr.Arbër. Të përgëzoj për punën tënde të palodhshme në përgjigjet dhe konsultat tuaja shumë të preferuar ndaj të gjithë pacientëve. Doktor, djalit tim 27 vjeç, para 3-4 ditësh i është paraqitur, pas ushqimit, një e fryrje në pjesën e poshtme të barkut. Pas kontrollit me ultrazë, thuhet se veshka është e rritur pak. Mjeku i ka përshkruar disa barna, por nuk ka ndonjë përmirësim.

Ju lutem, nëse keni mundësi të më përgjigjeni sa me shpejt.
Prindi i brengosur.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Fryrja e barkut tek një moshë si e djalit tuaj nuk besoj se duhet te jetë për brengosje, sidoqoftë mirë është të bëhen disa ekzaminime shtesë për të larguar dyshimet eventuale. Para së gjithash ju kisha preferuar të bëni një feces për parazit dhe një analizë të urinës(dhimbja në fund të barkut) për të parë infeksionet parazitare të zorrës dhe infeksionet bakteriale të urinës. Pastaj të bëhet nje analizë për helicobakter pylori. Dhe në fund dieta, të ketë shumë kujdes me ushqimet e konsumuara, të largohen ushqimet që krijojnë fryrje barku siç është lakra, qepa dhe mishi i fërguar dhe tymosur. Të përdoret më shumë qumështi dhe produktet e saj, djathi dhe produktet e saj si dhe të hanë më shpesh dhe ngapak.
Varësisht nga rezultati i analizave mund të paraqiteni tek gastroenterologu.
Për fillim mund të merrni PPI si Lansoprazol 30mg ose Pantoprazol 20mg 2xl në ditë dhe Espumisan tbl 2xl.
Të përcillet dallja me nevojë, nëse ka vështirësi në dalë jashtë, është një faktorë tjetër që duhet të mjekohet.

I nderuar, jam 36 vjeçe, ka një kohë që kam probleme me lukth. Kam një mundim të vazhdueshëm, një ndjenjë të plogështisë, shpesh kam edhe dridhje të trupit dhe marramendje. E vetmja që më ndihmon është vetëm kur ha bukë, kam uri të shpeshtë, gjë e cila ka ndikuar që edhe të shtoj peshë.
Dhimbja është e shprehur në lukth si dhe në barkun në terësi, me jashtëqitje kohë pas kohe kam problem.
Probleme kam kur nuk ha bukë shpesh, kur pi kafe, lëngje të gazuara, pemë si dhe ëmbëlsira.
Mua më intereson, a kam nevojë me e bë Astron, apo çfarë më kishit këshilluar?
Shpresoj se më këshilloni se si të veproj më tutje.
Faleminderit paraprakisht.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Mendoj se bëhet fjalë për hipersekrecion (shtim) të aciditetit në stomak që juve ju shtyn të konsumoni më shumë ushqim për të neutralizuar aciditeti. Ëmbëlsirat, makiato dhe lëngjet e gazuara krijojnë aciditet të shtuar dhe probleme gastrike me reflux, prandaj duhet të evitohen më shumë. Mund të bëhet gastroskopia nëse terapia nuk ka efekt dhe ankesat vazhdojnë.
Ju mund të merrni Pantoprazol caps ose Lansoprazol 2 herë në ditë për 4-8 javë me një prokinetik si domperidon 2×1 në ditë 15 min para ushqimit.
Terapia një kohë më të gjatë dhe dieta e rregullt mund të ketë efekt pozitiv, nëse ndodh e kundërta, atëherë lajmërohuni tek gastroenterologu për evaluim të mëtutjeshëm.

Përshëndetje, dr Arbër. Jam një vajzë 28 vjeçe, kam problem me frymëmarrje, pështyj gjak nganjëherë edhe kam një dridhje në gjoks, kam dhimbje lukthi, kam bërë dy herë gastroskopinë (para 2 muajve e kam bërë për herë të fundit dhe më ka dalë se në lukth nuk kam asgjë, veçse një ndezje në ezofag). Kam përdor barna, por pa ndonjë efekt.
Doktor, çka duhet të bëj, t’i përdor ato barna apo duhet të bëj ndonjë kontroll?
Ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Kur pështynë gjak nuk ka të bëjë me traktin gastrointestinal, me ezofagun dhe stomakun, ai gjak mund të vjen nga ndonjë çarje e mukozës së gojës, nga ndonjë erozion (çarje) në pjesën e poshtme të ezofagut si pasojë e refluksit dhe vjelljeje të shpeshta, ose nga problemet në rrugët e frymëmarrjes. Ju paskeni bërë gastron dhe, nuk është vërejtur ndonjë burim i gjakderdhjes, prandaj nuk duhet të brengoseni (dyshim mund të lind nëse gastroskopia nuk është bërë nga ndonjë profesionist gastroenterolog), se ka kohë që në Kosovë gastroskopi dhe kollonoskopi bëjnë edhe mjekët që nuk e kanë këtë eskpertizë dhe specializim, prandaj luan rol edhe se kush e ka bërë ekzaminimin.
Ndezja në ezofag mund të jetë ajo që thash më lartë (çarja-ezofagiti) dhe për këtë duhet të merret një kohë më të gjatë PPI 4-8. Ju mund të lajmëroheni për vizitë që të shohim cilat janë ato barna qe nuk kanë efekt dhe si të shkohet për tutje me terapi.

I nderuar. Kam vajzën dy vjeçare dhe brengosem se mos ka ndonjë infeksion të zorrëve, pasi që, zakonisht ka barkqitje dy apo tri herë në ditë, gjithashtu nuk ka oreks nuk ka. Sa herë që e ushqej, menjëherë pas pesë minutash, ka barkqitje. Pinë ujë shumë shpesh dhe lëngje pemësh. Ju lutem, më tregoni se ku është problemi dhe, si mund të përmirësohet gjendja e vajzës sime?
Paraprakisht, faleminderit.
Luljeta

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ekziston një sëmundje gastrointestinalë e quajtur Enteropatia gluteinike, ku ekziston mostolerimi apo mos absorbimi i glutenit (gruri dhe produktet e saj) nga zorrët dhe pacienti pas konsumimit të miellit dhe produkteve të saj fillojnë barkqitjet, sëmundja është e rrallë por mund të ndodh, prandaj mirë është të konsultohet pediatri dhe të shihet në këtë drejtim.
Kur ka infeksion të zorrëve, ajo nuk lidhet me marrje të ushqimit, fëmija do kishte barkqitje si para edhe pas ngrënies dhe do ishin më të rënda, por sidoqoftë ju mund të bëni analizën e fecesit për baktere, parazit dhe koprokulturë nëse ka mbjellje të baktereve, varësisht nga analiza edhe terapia.

Përshëndetje. Jam 23 vjeçare, ka dy vite që kam këlbazë me ngjyrë të verdhë, ndonjëherë dhembje të gjoksit dhe nuk mund të shtrihem në abdomen, sepse pjesa e majtë e gjoksit dhe deri tek vendndodhja e shpretkës më mpihet, ndërsa pjesa e majtë e hundës më bllokohet totalisht, ka pasur raste edhe kur më ka rrjedhur gjak nga kjo anë e hundës. Kam bërë rëntgen të mushkërive, analiza gjaku dhe urine, por që gjendja është konstatuar të jetë normale. Kam bërë edhe CT të krahut të majtë, EKG dhe ultrazë të zemrës, por që të gjitha rezultatet kanë dalë të jenë normale. Nga ekzaminimi me gastroskopi më është konstatuar hernia hiatale, dhe pyetja ime është nëse kjo ka efekt edhe tek problemet me frymëmarrje dhe mpirjen që ndej kur shtrihem në abdomen. Nuk jam duhanpirëse.
Faleminderit paraprakisht.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ka shumë mundësi që problemet aktuale tuaja lidhen ngushtë me hernien hiatale, si pasoje e kësaj ju mund të keni problemet qe i cekët më lartë..dmth vështirësi në frymëmarrje, gromësirë, diskonfort epigastrik dhe problem në pozitën shtrirë në shtrat. Unë ju kisha rekomanduar që përpos medikamenteve që ulin thartirën në stomak të filloni edhe me dietë siç janë largimi i ushqimeve pikante, ëmbëlsirave, kafes, qepës dhe ushqimeve në skarë. Të flini me dy jastëk nën kokë, ose të ngrini shtratin, të hani pak darkë dhe së paku 2 orë para gjumit. Dieta e mirë dhe terapia shtesë përmirëson dukshëm jetesën dhe zvogëlon problemet shëndetësore.

I nderuari doktor, unë e kam mamin të sëmurë nga yndyra në mëlçi dhe i thonë se ka sedimentin e gjakut të lartë, porse nuk e ka nga mëlçia. Presim ndihmën tënde.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Shkaku i sedimentit të lartë mund të vie nga shumë faktorë, nga një dhëmb i prishur, nga një infeksion me origjinë bakteriale, virale etj, sëmundjet reumatizmale e deri tek ndonjë sëmundje serioze, prandaj si vlerë diagnostike nuk ka shumë specificitet të lartë. Dhjamosja e mëlçisë nuk jep sediment të lartë, mund të jep transaminaza të larta(AST dhe ALT të lartë). Dhjamosja e mëlçisë vie si pasoje e obezitetit, përdorimit të alkoolit,që në rastin tuaj nuk është shkak, nga prania e yndyrave në gjak etj..dhe nëse fillohet me dietë dhe zvogëlohet prania e yndyrave, atëherë edhe mëlçia e kthen funksionin e saj normal dhe zvogëlohet dhjamosja.
Për çdo informatë më shumë mund të kontaktoni gastrohepatologun.

Përshëndetje, dr.Arbër. Jam në moshën 33 vjeç, kam probleme me zorrën e trashë dhe gjatë nevojës fiziologjike shpeshherë kjo shoqërohet me një lëng si lloj sperme që shfaqet prej nevojës së vogël. Kam qenë te mjeku dhe jam duke përdorur rudakol, gati qe 3 muaj, gjithashtu jam duke përdorë ushqime të lëngshme, më shumë pemë dhe perime. Frikësohem se ka ndonjë rrezik!
Ju lutem, më ndihmoni. Faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Paraqitja e mukusit në feces tregon për probleme funksionale të zorrës së trashe dhe nuk ka arsye për brengosje, nëse ky mukus paraqitet me gjak, atëherë mirë është të ekzaminohet zorra e trashë. Dieta luan rol në këtë problematikë dhe mirë që merrni shumë perime dhe pemë, këto ndihmojnë lëvizjen dhe pastrimin e zorrëve.
Mund të dërgoni nevojën për analize bakteriologjike dhe parazitologjike, sipas rezultatit edhe mjekimi. Mos e përdorni shumë rudakolin, vetëm në rast fryrjes së barkut dhe gazrave të shtuara.

Përshëndetje doktor. Ju kisha lutur të më ndihmoni pasi një kohë të gjatë vuaj nga lukthi si pasojë e tajimit të madh të thartirës dhe mosmbylljes së kapakut të luthit. E kam bërë gasteroskopinë dhe më ka dalë Helicobacter Pylori, kam përdor antibiotikë për shtatë ditë, Lanzul 1×1 dhe sulperit 1×1. Këtë terapi e përdori qe dhjetë muaj, por çka ndodh nuk më mjafton, gjatë ditës përdori nganjëherë edhe Ranital, mirëpo shpesh kam pezmatim të lukthit deri në gojë me ditë të tëra, por me përdorimin e Ranitalit dhe të Sulpertit më kalon, pastaj vazhdoj me Lanzul. Nga ju kërkoj të di, se çka mundem të përdori si terapi për zvogëlimin e tajimit të tepërt të thartirës, shkaktarit edhe të dëmtimit të dhëmbëve dhe i bazës nervore.
Jam shumë i kujdesshëm në ushqim.
Tung, Lila.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Tek disa persona thartira e tepërt në stomak, dhe refluksi në ezofag e nganjëherë edhe deri në kavitetin oral, kemi paraqitjen e aftave në mukozat e gojës. Kjo mund të menaxhohet në dy mënyra, njëra është dieta kundër thartirës së shtuar dhe kundër refluksit që e kam cekur disa herë tek lexuesit e lartshënuar, kurse metoda e dytë është terapia medikamentoze një kohë të gjatë duke filluar me lansoprazol, omeprazol dhe pantoprazol, njëra nga këto mund të mirret 2 deri 3 muaj, duke shtuar edhe prokinetik si domperidon (costi)ose metoklopramid (reglan)2 herë në ditë para ushqimit për disa javë, pastaj me ndërprerje dhe marrja sipas nevojës.
Pasi jeni i kujdesshëm në ushqim dhe me terapi pak më të gjatë besoj simptomat fillojnë gradualisht të zvogëlohen. Nëse përkundër kësaj keni problem, atëherë mirë është të shihet sa është ë madhe hernie hiatal ose insuficienca e kardias, dhe varësisht nga kjo edhe intervenimi kirurgjikal për zvogëlimin e hernies dhe insuficiencës.

Përshëndetje i nderuar doktor. Jam 32 vjeçar dhe qe një vit kam probleme me lukth, saktësisht kam gogësime të tepërta. Diagnoza: Hernia hiatus axialis inter, Pangastritis chr.
Kam pas edhe Helicobacter Pylori, analiza lgG (33,9). Gastroskopinë e kam bërë, marr Lanzul, Pantoprazol, Malortil. Nganjëherë ndjehem mire, por kur nuk ruhem me ushqime, sërish më kthehet gogësima, dhe kam marramendje, plogështi, brengosem se më kap një lloj paniku.
Analizat e përgjithshme kanë dalë në rregull.
Çfarë më këshilloni ju doktor?
Me nderime, Albani

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Mendoj se në rastin tuaj bëhet fjalë për një sëmundje të refluxit gastrik si pasojë e hernies hiatale, që shpesh rëndohet nga ushqimi i crregullt dhe stresi.Unë ju këshilloj që te përdorni ushqime që nuk ju pengojnë, ato që ju mendoni ju pengojnë të largoni nga tavolina e ditës. Mundohuni të largoni ushqimet pikante, ëmbëlsirat, kafe me qumësht, qepës dhe hudhrës. Racionet e ushqimeve të jene më të shpeshtë dhe më të pakët, të mos merret ushqim para gjumit, të mos merret ushqim pastaj të shtrihesh ne shtrat, të shtohen aktivitetet fizike , të ngrihet koka në krevat etj.
Nganjëhere kur edhe dieta dhe ndryshimi i stilit të jetës nuk arrihet të përmirësohet gjendja atherë është mirë që në konsult me gastroenterologun të përdoren PPI si Omeprazoli, Lansoprazoli dhe Pantoprazoli dhe herë herë edhe prokinetikë para ushqimit si Domperidon dhe Metoklopramid.

Pasi që kam bërë ekzaminimin me gastroskopi, rezultati doli se kam hernia hiatale. Nëse ka mundësi të më shpjegoni më shumë rreth kësaj sëmundje. Çfarë të bëj që të kem sa më pak dhimbje dhe problem të ndryshme që i kam, e sidomos me zemër si pasojë e hernies,
Desha të di, a ka mundësi shërimi pa operacion?.
Pres përgjigjen tuaj
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Hernie hiatale është zhvendosje e sfinkterit të poshtëm esofageal mbi diafragmë, si pasojë kemi dobësim të sfinkterit esofageal dhe rritje të mundësisë së kalimit të përmbajtjes gastrike në esofag dhe shkaktimit të esofagitit si pasojë e refluksit. Për të parandaluar refluxin(kthimin e përmbajtjes gastrike në esofag) ekziston terapia medikamentoze me PPI si omeprazol, pantoprazol etj dhe prokinetikë të ndryshëm, dieta dhe ndryshimi i mënyrës së të ushqyerit, duke menjanuar ushqimet pikante, lëngjet e tharta, ëmbëlsirat, duke ngrënë më shpesh dhe më pak etj..
Tek herniet që nuk janë shumë të mëdha dhe nuk shkaktojnë probleme si reflux te shtuar, herë herë aritmi të zemrës në pozitë të shtrirë me stomak të mbushur me ushqim, herë herë vështërësi në frymarrje , rrezik për paraqitjen e sëmundjes Barret etj nuk ka nevojë të intervenohet por në rast të kundërt atherë duhet intërvenim kirurgjikal duke rregulluar defektin në këtë pjesë dhe duke rrit presionin e sfnkterit të poshtëm esofageal.Nissen funduplikacioni përmes laparaskopisë është metoda më e shpeshtë dhe më më shumë sukses, dhe bëhet në shumë qendra mjekësorë në Europë.

Përshëndetje dr.Arbër. Jam 24 vjeçe dhe kam problem me anus. Kur kam qenë 13 vjeçe, i kam pas parazitët në trup, mirëpo pas disa barnave që m’i ka dhënë mjeku, kam arritur të shërohem. Pas disa kohësh, më janë paraqitur prapë, por në një mënyrë tjetër. Tërë kohën e kam ndjerë që në fund të zorrës së trashë sikur donë me dalë, por nuk kanë dalë asnjëherë. Ende e kam këtë ndjesi. Kam përdor barna, por pa sukses. Tash ende e kam këtë problem dhe nuk di ku të drejtohem.
Pres përgjigjen tënde me padurim.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ju duhet të bëni analizën parazitologjike të fecesit, të dërgohet tëk laboratori i mikrobiologjisë dhe të verifikohët se cili lloj paraziti apo vezë të tyrë janë prezent në zorrë. Varësisht edhe nga rezultati bëhet edhe mjekimi. Në disa raste ka mundësi të mos eliminohen gjithë parazitët dhe kërkohet përsëritja e terapisë, por gjithmonë në përcjellje të gastroenterologut dhe analizës mikrobiologjike. Nganjëherë ka raste kur pacientët kanë ndijesi se ende kanë parazit dhe kjo ndjesi duhet të eliminohet me këshilla mjekësore.

Përshëndetje. Kam xhaxhin e sëmurë nga kanceri kollorektal. Ai është operuar me sukses, por pas operimit ai në një masë të madhe po humb peshë. Doktor, desha t’ju pyes, a ekziston ndonjë terapi që e mban peshën konstante? Ju faleminderit. Me respekt, Agimi.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Pacientet e operuar nga kanceri, posaqërisht kanceri kollorektal me veshtërësi e marrin veten, por pas nje kohe ata fillojnë të kthehen jetës normale, por varësisht nga stadi i kancerit në momentin e diagnostikimit, varësisht nga sëmundjet shoqëruese që mund ti ket pacienti në momentin e diagnostikimit, varet edhe shërimi postoperatorë. Posaçërisht pacientët që pas operimit fillojnë të marrin edhe hemoterapi, atëherë gjendja mund të rëndohet edhe më shumë, që kjo shfaqet me anoreksi dhe rënie në peshë, veshtërësi në marrje ushqimi, lodhje,vjellje të shpeshta si pasojë e kemoterapisë. Në rastin tuaj nuk kam informacion që personi në fjalë ka marrë kemoterapi, sidoqoftë ai duhet të filloj të ushqehet mirë, më shumë proteina, yndyrna dhe sheqerna, të filloj të përdorë pemë dhe perime, nëse nuk mund të marrë ushqim atherë mund të zëvendosoj këto me marrje të vitaminave të ndryshme që shtojnë oreksin dhe rrisin imunitetin. Por duhet pasur kujdes që të verifikohet mirë se pacienti është pa shenja për kancer në organet përreth , pa shenja për metastaza, kjo është më rëndësi nëse anoreksia dhe rënia në peshë rëndohet. Mirë është të konsultohet mjeku kirurg që e ka bërë operimin dhe ekzaminohet.

Doktor. Kam një problem me mëlçi, Gaam GT me rri non-stop e rritur deri në masë 165. Kam vizituar mjek të ndryshëm të cilët më kanë preferuar të marrë Hepalip Forte dhe të mbajë dietë. Pas përdorimit të Hepalip-it më është ulur pak, por jo në masë të duhur. Çfarë duhet të bëj dhe si ta normalizoi Gama GT-në.
Faleminderit, paraprakisht.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Gamma GT është një enzim që gjindet në qelizat e mëlqisë dhe qelizat epiteliale të rrugëve biliare.Rritja e GGT shpesh haset tek sëmundjet e mëlçisë dhe posaçërisht në problemet e rrjedhjes së bilës nëpër kanalet biliare. GGT ka një sensititivitet të lartë për sëmudnjet e traktit hepatobiliar por njëkohësisht një specificitet të ulët, rritja e saj vërehet në disa sëmundje si psh: Hepatiti alkoholik ku personat janë konsumues të rregullt të alkoholit, sëmundjes e pankreasit, rrugëve biliare, diabeti, infarkti i miokardit, sëmundjet obstruktive të mushkërive, obeziteti etj. Medikamentet si fenitoina dhe barbituratet mund të rrisin GGT. Vlera e GGT gjithmonë duhet të krahasohet së bashku me vlerat tjera laboratorike që tregojnë funksonin normal të mëlqisë dhe rrugëve biliare, siq janë: AST, ALT, Fosfataza Alkaline, Proteinat totale, Albuminat. Rritja e GGT si e vetme dhe pa rritje ë enzimeve tjera, pa shenja klinike nuk duhet të meret si signifikante dhe nuk duhet të ketë ndonjë vlerë diagnostike. Unë ju këshilloj që kur të bëni vlerat e GGT të bëni edhe vlerat tjera, të krahasohen ato ne konsultim me heptologu. Keni kujdes me konsumimin e alkoholit, birrës dhe verës.

Përshëndetje. Jam Ardiana dhe desha t’ju drejtohem me një shqetësim që më atakon tashmë 6 muaj. Kam probleme me stomak, shumë shpesh kam dhimbje të forta në pjesën e fundme të barkut, shtrëngime që përcillen herë në anën e majtë e herë në të djathtën. Nevojën fiziologjike e bëj shumë rrallë (1 herë ne tre javë), kam fryrje të stomakut kohë pas kohe. I kam bërë analizat tre herë për këtë periudhë gjashtë mujore te mjekë të ndryshëm, gjithçka ka qenë mirë. Por, dhimbjet ende vazhdojnë. Kam bërë edhe një kontroll te mjeku. Me cikël menstrual qëndroj shumë mirë. Ju lutem doktor, pres këshillën tënde? Mirëmbetshi!

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhimbjet e barkut në të dy anët dhe konstipacioni (dalja jashtë me vështërësi) janë ankesa që shkojnë së bashku. Ju duhet të rregulloni me urgjencë daljen jashtë me rregull duke ndryshuar stilin e jetës, duke përdorë ushqime me fibra dhe produket të saj, me më shume pemë dhe perime, lëngje dhe ujë, aktivitete fizike dhe lëvizje. Kur rregullohet dalja jashtë do pakësohen edhe dhimbjet. Peristaltika (lëvizja fiziologjike) e zorrëve shpesh resulton me dhimbje, pasi vështirësohet transiti i zorrëve. Pastaj, analizat e fecesit në parazit dhe ciste është me rëndësi.Ekzaminimi endoskopik i stomakut mund të ndihmojë nëse ankesat janë epigastrike dhe rreth stomakut. Por, hapin e parë që duhet të bëni është rregullimi i transitit të zorrëve, pa daljen jashtë me rregull, vështirë se do ketë përmirësim.

Jam 25 vjeçe. Ju shkruaj nga Zvicra. Ka disa muaj që kam dhimbje në shpinë dhe kam marr hapa për muskuj. Pastaj kam pas fryrje të lukthit dhe barkut, kam bërë gastroskopinë, më kanë thënë se kam hernia hiatale dhe pak gastrite, që shërohet me pantozol, për një muaj. Kam bërë sonografinë, më kanë thënë se kam zall në idhëz. Më kanë dhënë Deursil 300 mg, çdo natë para gjimit, por nuk më ka kaluar. Kisha djegie dhe dhembje të barkut, kruarje rreth kërthizës dhe mbi të, kruarje në gjoks dhe djegie. Internisti më ka dërguar për të bërë rezonancë magnetike duke menduar se ndonjë gur ka dalë nga idhëza dhe ka mbetur nëpër kanale, por gjithçka doli në rregull përveç zallit, për të cilin, doktori më ka thënë se shkrihet me hapa Deursil 450mgt. Dhe, problem tjetër është se më vjen të pështyj shkumë, pastaj del diçka zi, si me qenë zall ose dhe, e poashtu verdhë. Pastaj më vjen të vjell, por nuk qes asgjë, përveç këtyre. Të shumtën e ditëve më vjen të vjell në mëngjes, sa të ngrihem, ndërsa kur ha diçka më kalon. Prapë kam shkuar te doktori, së fundi më tha se dhimbja juaj nuk është e përcaktuar vetëm te idhëza, për shkak se mua më dhemb nganjëherë anash, nganjëherë aty, por e njëjta anë, ana e djathtë e barkut. Më ka thënë të marr pantozol 40 mg, në mëngjes dhe në mbrëmje, për një muaj, pastaj të vazhdoj me një në mbrëmje dhe të ruhem nga yndyrat, ushqimet e rënda. Por, mua kjo dhimbtë, nuk më kalon.
Më vjen mirë që m’u dha rasti t’ju shkruaj. Faleminderit. Respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nga sa e lexova ju vuani nga hernia hiatale, gastriti kronik biliar dhe kolecistiti kronik me llucë (sludge) biliar në lumen. Të gjitha këto shkojnë me ankesat tuaja. Medikamentet si Pantoprazoli, Ursofalku dhe Domperidoni ndihmojnë në zvogëlimin e ankesave si pasojë e refluxit gastrik, refluxit biliar, mundimit dhe vjelljes. Por, gjithmonë këto merren në konsult me mjekun. Në rastin tuaj unë mendoj se duhet të vazhdohet me terapi edhe për disa muaj, dieta dhe largimi i ushqimeve që ju pengojnë, marrja e ushqimeve në disa racione gjatë ditës, ngritja e kokës në shtrat për disa cm, që pengon refluxin gjatë natës shpesh i ndihmojnë pacientit. Unë jam dakord që të vazhdohet më pantoprazol edhe për disa javë së bashku me domperidon apo metoklopramid.

Përshëndetje doktor i nderuar. Kohët e fundit kam probleme me lukth, kam mundime rreth lukthit, lodhje dhe pak marramendje, ndjej gazra herë pas here si dhe gogësimë. Kam bërë analiza të gjakut, të gjitha janë mirë, përveç disa infeksioneve në urinë. Kam bërë Echo të barkut dhe gastroskopi të cilat kanë rezultuar në rregull. Kam përdorur Lanzul si dhe Ciprinol.
Diagnoza e mjekut: ftohje e madhe si dhe pezmatim lukthi, por jo serioze.
Ju lutem, më tregoni, se çka mund të jetë në pyetje.
Me respekt, Vjollca.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nëse në diagnozën endoskopike keni reflux gastrik, mirë është të vazhdohet me inhibitorë të pompës protonike si Lansoprazol, Omeprazol për disa javë së bashku me medikament prokinetik siq është Domperidoni ose Metoklopramidi 2x në ditë para ushqimit për disa ditë. Gjithashtu është me rëndësi që ekzaminimi endoskopik të jetë kryer nga mjeku profesionist gastroenterolog, nëse ka pasur shenja për infeksion me helicobakter pylori të bëhet eradikimi (mjekimi).
Dieta luan rol të rëndësishëm, largimi i ushqimeve djegës dhe ëmbëlsirave, qepës, hudhrës, tek personat me reflux, hudhra dhe qepa e rëndon gjendjen.
Sidoqoftë, nëse nuk ka përmirësime pas trajtimit dhe dietës, atëherë lajmërohuni tek gastroenterologu për evaluim të mëtutjeshëm.

Përshëndetje. Nga analizat, më ka dalë helikobakter pylori 1.08, desha të di a ka arsye për brengosje dhe a kanë lidhshmëri dermatiti peroral me këtë, pasi jam i diagnostikuar me të. Përndryshe, me lukth nuk kam probleme të mëdha, nganjëherë kam ngapak mundime, kurse brenda dy muajve të fundit kam pasur të vjella, por njëkohësisht dhembje të madhe koke (kjo më ka ndodhur dy herë).
Jam 36 vjeçe. Ju faleminderit

PËRGJIGJE:
Helicobakter pylorit deri në 1.0 është normal. Nëse nuk keni probleme gastrike, atëherë nuk duhet të brengoseni, por nëse diskonforti epigastrik fillon të shpeshtohet dhe rëndohet, atëherë është mirë të konsultohet gastroenterologu. Rozacea është një ndryshim në lëkurën e fytyrës që paraqitet nganjëherë tek pacientët me HP, por nuk do të thotë se çdo ndryshim dermal në fytyrë dhe trup ka lidhje me këtë baktere. Unë mendoj se mirë është të konsultoheni me dermatologun dhë nëse mjeku mendon se ndryshimet përgjigjen infeksionit, atëherë bëhet mjekimi kundër kësaj baktere. Të vjellat nëse shpeshtohen duhet të ekzaminohet shkaku i saj. Me rëndësi është të dihet nëse vjellja ka qenë para ose pas dhimbjes së kokës, shpesh dhimbjet e kokës shkaktojnë të vjella, qe nuk janë në lidhje direkte me stomakun.

Përshëndetje, doktor Arbër, jam Bekimi 31 vjeqar, qe 6 vite vuaj nga hemorroidet e mbrendshme. Diagnoza ime sipas mjekut specialist është: Nodulli heamorrhoidales, gr IV, stenosis canalis analis. Kam përdorë shumë barna, si, amoksicillin, oravgil, suposte Faktu, por shërim të plotë nuk kam pasur, vetëm lehtësim të simptomave ose dhembjeve. Kam probleme me kapsllëk, çdo herë duhet për të marrë laksativ të ndryshëm për ta lehtësuar jashtëqitjen, gjakderdhje nuk kam vetëm fryrje të barkut, dhembje në zorrë të trashë, por këto më kalojnë me përdorimin e supozitorëve diklofen. Mjeku më ka thënë se duhet t’i nënshtrohesh intervenimit kirurgjik, por kam degjuar se hemorroidet përsëriten. Asnjëherë nuk kam bërë fotografim të zorrëve, nuk di çka të bëj, cili është mendimi juaj.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje. Ekzaminim e parë që duhet të bëni është Sigmoidoskopia (ekzaminimi endoskopik i zorrës së trashë, rektumit dhe sigmës), aty mund të shofim qartë hemorroidet dhe shkallën e paraqitjes. Nëse vërtetohet se hemorroidet janë të shkallës së katërt, atëherë mund të vie në shprehje ligatura (lidhja e tyre) e hemorroideve ose intervenimi kirurgjikal.

I nderuar doktor, gjatë jashtëqitjes vërej disa shiritave të bardhë. A mund të më tregoni se çfarë të përdori kundër tyre?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Mendoj se bëhet fjalë për parazitë në zorrën e trashë. Për mjekim të plotë dhe të saktë duhet të ekzaminohet fecesi në parazit, merret fecesi dhe dërgohet tek laboratori i mikrobiologjisë për ekzaminim. Varësisht nga lloji i parazitëve bëhet edhe mjekimi. Giardia Lamblia është paraziti më i shpeshtë në zorrë, por ky lloj paraziti nuk ka formë të shiritit, parazitët e llojit Tenias kanë formë shiriti, por janë më të gjatë dhe më të rrallë në popullatë dhe mjekimi ndryshon nga infeksioni me giardia. Prandaj, ekzaminimi i fecesit ka rëndësi në mjekimin e saktë. Mjekimi jo i mirë dhe adekuat dhe pa ekzaminim tësaktë të recesit, çon në përsëritjen dhe vazhdimin e prezencës së parazitëve në zorrë.

Unë jam Kaltrin, 16 vjeç. Gati një vit u bë që kam problem me jashtëqitje dhe për 10-16 ditë nuk mund të dal jashtë. Kjo po më brengos, mirëpo unë veten e ndjej shumë mirë, sepse as nuk kam problem me barkun, e as nuk kam dhimbje. Nuk e di se pse kjo po më ndodh? Te mjeku nuk kam shkuar fare.
Kur nuk mund të dal jashtë për 15 ditë, atëherë përdori kiwi, që më ndihmon gjithëherë. Doktor i nderuar, unë pres këshillën tuaj në çdo moment.
Mirupafshim.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Shkaktari më i shpeshtë i konstipacionit në moshën tuaj është përdorimi i pakët i ushqimeve me fibra, drithërave dhe pirja e pakët e ujit dhe lëngjeve. Kiwi është një nga pemët që nxit peristaltikën (lëvizjen) e zorrëve dhe rekomandohet në rastin tuaj. Nëse dieta me shumë fibra, pemë dhe perimë nuk përmirëson konstipacionin atëherë lajmërohuni tek gastroenterologu për ekzaminime shtesë.

Përshëndetje. Jam 30 vjeçare dhe ka disa muaj që vuaj herë pas here, kam dhimbjet në lukth. Është një ilaç i bimëve natyrale të cilin e kam përdor dhe për një kohë të caktuar më ka ndihmuar (i përgatitur nga kundrit). Por, pas një kohe, përsëri vazhdojnë dhimbjet si pasojë e nervozes që më paraqitet. Andaj, ju pyes doktor, a duhet të vazhdoj me këtë ilaç natyral, apo të kërkoj kurim tjetër.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Unë nuk ju kisha rekomanduar përdorimin e bimëve natyralë pa konsultë me mjekun apo specialisitin. Nervoza është një nga shumë faktorët që shkaktojnë diskonfort epigastrik, por nëse ky diskonfort është i shpeshtë, sezonal dhe një kohë më të gjatë, atëherë duhet konsulta e gastoenterologut.

I nderuar doktor, pranoni përshëndetjet e mia. Gruaja ime është shtatzënë në muajin e 7-të dhe vuan nga hemorroidet e jashtme të cilat i ka vërejtur qe dy javë. Ka dhimbje shumë në vrimën anale. Doktor, sa zgjat kjo sëmundje dhe, a do t’i largohen pas shtatzënisë. Për momentin është duke përdorur modilux. Çfarë ushqimi duhet të përdorë? Më duhet ndihma dhe këshilla e juaj.
Mbeteni i përshëndetur.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Hemorroidet, si ato të brendshme dhe të jashtme, janë të shpeshta tek shtatzënat, venat e zgjëruara nuk paraqiten vetëm në fund të zorrës së trashë, por edhe në këmbë dhe vulvë. Ka shumë faktorë që shkaktojnë zgjerimin dhe ënjten e venave, njëri nga to është presioni i shkaktuar nga rritja e uterusit dhe frytit në venat pelvike dhe venën cava inferior. Si pasojë kemi rritjen e presionit në venat poshtë uterusit siç janë ato në rektum, këmbë dhe vulvë. Rritja e hormonit të progesteronit tek shtatzënat shkakton relaximin e venave dhe ënjten e tyre . Konstipacioni është një faktor tjetër që shkakton paraqitjen e hemorroideve. Trajtimi është simptomatik, me yndryna dhe supozitorie siq janë Modolex, Faktu. Grimca të akullit të mbështjellë me material të butë vendosen për disa minuta , ato zvogëlojnë ënjten e hemorroideve, pastaj banjo të ngrohta për disa minuta. Banjo me tretje. Rivanoli sipas nevojës për hemorroide të jashtme, disa herë në ditë. Anestetik lokal si Lidokain 2% në rast dhimbjeve të forta. Dieta luan rol, përdorimi i lëngjeve, ujit, pemë, perime, produkte të drithërave. Në shumicën e rasteve pas lindjes hemorroidet largohen, nëse vazhdojnë edhe pas shtatzënisë, atëherë lajmërohuni tek gastroenterologu për trajtim të mëtutjeshëm.

I nderuari mjek. Kam një kërkesë, të më jepni sqarime për këtë diagnozë: Dg: Gastritis chronika superfittialis Gradus I?
Faleminderit për kohën dhe angazhimin tuaj.

PËRGJIGJE:
Gastriti superficial është term histologjik që tregon shkallën fillestare të gastrit kronik. Shkaktari kryesor për gastrit kronik është helicobakter pylori, pastaj përdorimi i gjatë i medikamenteve jo steroide si Diklofen, Brufen, përdorimi i gjatë i aspirinës etj. Varësisht nga shkaktari bëhet edhe mjekimi.

Jam 20 vjeçare, kam probleme me lukth qe 3 vite! Kam bërë dy gastroskopi, është konstatuar se nuk kam asnje problem, por unë vazhdoj të kem dhimbje të mëdha, zakonisht në mëngjes.
Ju lutem më ndihmoni!

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Nëse gastroskopitë kanë rezultuar normal, atëherë shkaktari i dhimbjes nuk është stomaku, por dicka tjetër që duhet të hulumtohet. Ju mund të lajmëroheni tek gastroenterologu për evaluim të mëtutjeshëm.

I nderuar, Dr Arbër. Jam 30 vjeçar. Tash e katër vite vuaj nga refluxi gastrik, e kam bërë gastroskopinë në vitin 2007 tek doktor U.B. dhe sipas ekzaminimit, është vërtetuar se vuaj nga refluxi gastric. Unë kam marrë një kohë të gjatë pontoprazol dhe englonyl, në fillim ndjehesha mirë, nuk e kisha atë refluksin dhe thartira filloj të zhduket. Kohë pas kohe kisha probleme, më vinte një ndërprerje e frymës disa sekonda kur e teproja me pije ose me ushqim si, brumërat edhe lëngjet që kanë thartirë (lëng portokalli, makiato, lëng i vishnjave, por me heqjen e këtyre nga menyja, jam më mirë.  Gastroenterologu më ka udhëzuar të marr herë pas here lanzoprazol, të pauzoj me ulfamid dhe nëse kam probleme, të vazhdoj prapë me omeprazol ose lanzoprazol.
Unë shqetësohem për dëmet që pasojnë pas përdorimit të këtyre ilaçeve!
Me respekt, Gazmendi.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Refluxi gastrik është i shpeshtë në popullatë, refluksi gastrik në ezofag mund të shkaktojë erozione apo skuqje në këtë pjesë, por ka raste kur ka refluks, por nuk ka erosione, dhe varësisht nga endoskopia bëhet edhe trajtimi. Trajtimi tek refluxi apo GERD zgjatë nga 4-8 javë. Pastaj sipas simptomatologjisë mund të reduktohet apo vazhdohet mjekimi. Përdorimi i tejzgjatur i PPI(lansoprazolit,omeprazolit, etj) tek disa pacientë, posaçërisht ata të shtruar në spital apo me probleme tjera shëndëtësore mund të shkaktojë paraqitjen e pneumonisë dhe C.difficiles në zorrën e trashë që manifestohet me dhimbje barku, barkqitje të shpeshtë. Arsyeja kryesore është se me uljen e gjate të aciditetit në stomak krijohen kushte për bakteret të arrijë më lehtë në zorrën e trashë dhe në mushkëri. Në rastin tuaj unë nuk shoh ndonjë rrezik të përdorimit të here pas hershme të Omeprazolit apo medikamenteve të ngjajshme.

Përshëndetje doktor. Jam 40 vjeçare qe 5 vite vuaj nga ataku i panikut. Në konsultim me një psikolog kam përdorur citalopram 2 vite dhe them se kam qenë thuajse stabile, por jo të marrë hapa konkrete, psh., të udhëtoj, të shkoj në katin e 4-të të ndonjë banese apo në ashensor
Unë kam probleme zakonisht me ndërrimin e kushteve klimatike. Problemet e fundit janë përcillen me një marramendje të keqe, me disa halucinacione të së kaluarës, e cila nuk ka qenë edhe e hidhët. Kam marramendje me një plogështi, djersitje duarsh, më ajet lukthi, sikur të jem shtatzënë. Nuk jam e martuar, kam bërë të gjitha analizat, pastron. Kostatimi dhe dijagnoza endoskopike, Dg, Reflux oesophagitis, Hijatus hernia axialis intr, Grastitis chr (antralis), testi i ureazes i hershëm, negativ. Kam përdor terapi, por pa ndonjë përmirësim. E kam bërë CT-në e abdomenit, CT e pelvikut, pasazha e ezofagut. Diagnoza: pa ndryshime evidente patologjike të toraksit dhe abdomenit. Dg, Rtg, pasazha e Ezofagut pa ndryshime patologjike.
Doktor, të lutem, çka më propozoni? Pres mendimin tuaj doktor, te me ndihmoni.
Ju përshëndes përzemërsisht.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Çdo gjendje anksioze-depresive përcillet me probleme gastrointestinale duke filluar nga urthi, barkqitja, diskonforti epigastrik, Sindromi i kollonit irituar (që përcillet me dhimbe barku, gazra, konstipacion ose diare).
Mendoj se duhet te vazhdoni konsultat me psikiatrin tuaj dhe të merrni terapinë përkatëse. Sa i përket analizave të traktit tretës duket se nuk ka diçka që duhet të brengoseni. Çdo hernie hiatale përcillet me reflux, për këtë ju mund të merrni Inhibitorë të pompës protonike (omeprazol, lansoprazol, pantoprazol) një herë në ditë ose dy herë varësisht nga simptomet. Sulpiridi (Meresa, Eglonyl) një antagonist i D2-receptorëve të dopaminës, një antidepresant dhe antipsikotik me efekte qetësuese të traktit digjestiv, posaçërisht stomakut, preferohet tek pacientët siç është rasti juaj. Për gazra të tepërta mund të merrni Espumisan (simetikon), kjo ndihmon zbrazjen e zorrëve nga gazrat e tepërta.

Përshëndetje. Jam një vajzë 28 vjeçe. Kam përshtypjen se vuaj nga koliti. Në momentin e parë që ndiej pak ftohtë, fillon shqetësimi në bark: fryrje të tij, marramendje, dhimbje koke, nervozizëm. Shpeshherë gjej qetësim duke vendosur shishe me ujë të ngrohtë në bark.
Ju lutem doktor, një përgjigje se kjo gjendje më ndodh gati çdo ditë dhe tashmë është bërë e padurueshme.
Faleminderit, në pritje të përgjigjes suaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Mendoj se bëhet fjalë për kollon irritabil (IBS) që përcillet me dhimbje barku dhe fryrje. Mirë është të lajmëroheni tek gastroenterologu për të caktuar analizat dhe ekzaminimet përkatëse për të parë gjendjen tuaj .

Përshëndetje i nderuari dr.Arbër. Kam telashe me lukth edhe atë qe 6 vjet dhe çdo ditë kam dhimbje lukthi të vazhdueshme, të manifestuara si përdredhje, fryrje të barkut, gazra, telashe në barkqitje. Shpesh kam përshtypjen se kam edhe telashe me zemër, por nga kontrolli tek mjeku i zemrës mora sugjerim se nuk kam telashe me zemër, por është si rezultat i fryrjes së lukthit dhe presionit në pjesën e kraharorit.
Kam bërë dy gastroskopi- është konstatuar se kam helicobacteri pylori, për të cilin kam përdorur shumë herë terapi: omaprazol, amoksicilin dhe një tjetër që nuk po me kujtohet tash, kur i përdorja kisha përshtypjen se pak sa po më ndihmojnë.
Është interesante se kam fituar përshtypjen se çfarëdo lloji ushqimi që ha, po më bën telashe (i kam ikur ushqimit që shkakton – djegës, pije të gazuara, ushqim nga skara, turshi, etj.). Kohë pas kohe e përdori ultopin kur kam telashe më të mëdha, ose ranital pas ushqimit, por kot. Kam filluar edhe të humb në peshë, duke mos guxuar të ha aq sa kam nevojë, oreks kam, por nuk guxoj të ha.
Gjumin shumë keq e bëj, natën më shqetëson shumë kur bie me fjet, para dy orësh nuk mundem të fli, në mëngjes shumë më mundon, në punë më sjell shumë telashe, sepse nuk mundem të përqendrohem, kam edhe stres.
Të lutem doktor, më trego si të veproj.
Faleminderit për çdo këshillë.
Bahriu, Prishtinë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Z. Bahri. Edhe pse nuk e di raportin endoskopik mendoj se bëhet fjale për reflux gastrik kronik që mund të shtohet ose rëndohet varësisht nga ushqimi dhe stresi. Mendoj se duhet të vazhdoni të largoni ushqimet që ju pengojnë dhe rëndojnë stomakun, të vazhdoni të merrni inhibitorë të pompës protonike (omeprazol, lansoprazol ose pantoprazol) një kohë më të gjatë dhe pa ndërprerje 3-4 javë. Nëse gastroskopia është bërë vite më herët mirë është të bëhet një tjetër kontrolluese. Të merreni me aktivitete të lira në kohën e lirë. Kujdes që para gjumit stomaku të jetë i zbrazët, së paku 2-3 ore para gjumit.
Rënia në peshe duhet të përcillet, nëse vazhdon të bie pesha përkundër marrjes së ushqimit atëherë duhet të lajmëroheni tek gastroenterologu. Shpesh përdorimi i medikamentit si sulpiridi (Meresa) mund të ndihmoj që stomaku juaj mos të ndikohet nga stresi.
Të përcillet analizat e gjakut dhe sedimenti.

Përshëndetje. Unë kam problem me zorrën e trashë, kam dhembje gjatë kryerjes së nevojës dhe shpeshherë kjo shoqërohet me gjakderdhje. Më shumë i preferoj ushqimet e thata dhe mendoj se e kam nga kjo, por sërish kisha dashur të di diçka më tepër, frikësohem mos ka ndonjë rrezik, apo duhet të konsultohem me ndonjë mjek? Ju lutem, më ndihmoni. Ju faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Mendoj se bëhet fjalë për hemorroide, por nëse gjakderdhja nga zorra e trashë paraqitet më shpesh, atëherë duhet të lajmëroheni tek gastroenterologu për të bërë një ekzaminim endoskopik (Sigmoidoskopi) për të verifikuar me saktësi burimin e gjakderdhjes. Zakonisht personat që hanë ushqim të thatë, marrin pak ujë dhe lëngje, konsumojnë sasi të vogla të pemëve dhe perimeve, kanë predispozita për të zhvilluar hemorroide të brendshme si pasojë e jashtëqitjeve të forta dhe me dhimbje. Unë ju rekomandoj të ndryshoni stilin e të ushqyerit dhe të përdorni më shumë ushqime të lëngshme, më shumë fibra dhe produkte të drithërave.

Përshëndetje e nderuara Redaksi. Përshëndetje i nderuari doktor. Bashkëshorti im është 40 vjeç, ka peshë trupore 95 kg dhe ndonjëherë ka tension të lartë. Ajo që brengos është se kur kryen nevojën, ka barkqitje të shoqëruar paraprakisht me dhimbje barku (temperaturë në bark), më pas që kjo kalon. Këtë gjendje ai e ka prej afër 9 vitesh. Ai asnjëherë nuk ka bërë ndonjë kontroll mjekësor, sepse e konsideron si gjendje normale. Unë shqetësohem mos është në pyetje ndonjë infeksion i zorrëve dhe frikohem për mundësinë e përhapjes te fëmijët pas përdorimit të tualetit. Është me rëndësi të theksohet se kur ai ka ndonjë gjendje gripoze,shpesh përdor Amoksiklav, që përkohësisht i ndihmon, mirëpo pas ndërprerjes, serish është e njëjta situatë. Ju lutem që të përgjigjeni në lidhje me këtë dhe të jepni këshillën e Juaj.
Faleminderit për kohën e kushtuar.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ka shumë faktorë që shkaktojnë barkqitjen, nga më banalet siç janë infeksioni me parazitë dhe sindroma e kollonit imitues (IBS) e deri tek ato më serioze si inflamacioni zorrës (Koliti ulceros dhe M.Crohn), diabeti, hipertireoidizmi, abuzim me alkool dhe birrë, alergjia në ushqime të ndryshme, etj. Është me rëndësi të dihet sa barkqitje në ditë ka shoku juaj, një, dy ose më shumë, kjo ka rëndësi, pastaj jashtëqitja a është e ujshme, apo normale. Barkqitjet me origjinë organike, dmth nga sëmundjet e ndryshme në zorrë mund të shkojnë me rënie në peshë dhe zakonisht nuk mund të zgjatin 9 vite si tek rasti juaj, kjo tregon se kemi të bëjmë me diçka më pak serioze, si psh Kolloni i irrituar apo ndonjë infeksion nga parazit apo bakterial. Sidoqoftë, duhet të lajmërohet tek gastroenterologu për evaluim të mëtutjeshëm.
Marrja e antibiotikëve një kohë të gjatë dëmton florën normale bakteriale, dhe pas marrjes mund të ketë barkqitje. Asnjë antibiotik nuk duhet të merret në mënyrë ambulatore dhe pa konsultë të mjekut.
Unë mendoj se shoku juaj duhet të kontakton gastroenterologun, të bëhet fecesi në parazit, koprokultura dhe sipas nevojës kollonoskopia për të parë zorrën e trashë dhe pastaj të merret mjekimi përkatës.
Ushqimi dhe stresi luajnë rol të rëndësishëm.

Jam 25 vjeçare dhe kam probleme të mëdha me lukthin të cilat përcillen me vjellje të shpeshta, thartirë e tepruar. Ruhem shumë në ushqim, sepse shumë nga ato ushqime më shkaktojnë probleme, sidomos ato me thartirë. Desha ta pyes mjekun se çka më rekomandon që ushqimet dhe baza nervore të mos ndikojnë në lukthin tim, të mos më shkaktojnë vrer, ngase gjendja më rëndohet sa herë që vjell. Ju përshëndes, gjithë të mirat.
N.H.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Si këshillë e parë është të largoni nga tavolina ushqimet që ju ngacmojnë dhe ju shkaktojnë më shumë thartirë dhe urth. Zakonisht ushqimet si qepa, hudhra, lëngjet e portokallit, vishnjës, makiatos dhe ëmbëlsirat, tek personat e ndjeshëm dhe personat me hipersekrecion gastrik, siç është rasti juaj, e irritojnë mukozën e stomakut dhe duhet të evitohen sa është e mundshme. Marrja e antacidëve apo medikamenteve që e neutralizojnë ose zvogëlojnë thartirën në stomak, nganjëherë është e preferueshme. Dieta e rregullt dhe marrja e medikamenteve mund të lehtësojnë gjendjen. PPI si Omeprazoli, Lansoprazoli apo Pantoprazoli ndihmojnë zvogëlimin e thartirës në stomak, urthit dhe refluxit gastrik. Marrja e tyre rekomandohet të bëhen në konsultë me mjekun.

Përshëndetje. Jam 20 vjeçar, kam probleme me oreks të bukës. Nuk më hahet buka fare. Ndonjëherë kam barkqitje. Cili mund të jetë shërimi, apo medikamenti që më ndihmon.
Gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Humbja e oreksit dhe barkqitja duhet të shihet me seriozitet, pasi që nuk kemi shumë të dhëna tjera nga ana juaj unë ju rekomandoj të konsultoni gastroenterologun dhe të shihet se ku qëndron problemi.
Me disa analiza laboratorike dhe diagnostiko, besoj se do gjendet shkaku i humbjes së oreksit.

Jam 45 vjeç, qe 2-3 vite, kur ha pak djegës, në zorrën e trashë kam djegie, e kohët e fundit gjatë kryerjes së nevojës kam dhimbje dhe liroj shumë gazra. Doktor, të lutem, me tregoni se a bëhet fjalë për diçka serioze pasi që, asnjëherë nuk kam qenë te mjeku për këtë problem.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ushqimi ka një rol të rëndësishëm në organizmin e njeriut, disa ushqime në kohën e caktuar dhe momentin e caktuar krijojnë diskonfort gastrik dhe intestinal. Ushqimet pikante(djegs) tek personat me hemorroide të brendshme dhe të jashtme, tek personat me hipersekresion gastrik (thartirë të tepërt), urth dhe reflux krijojnë shqetësime serioze dhe pengojnë shërimin e tyre. Ato shpesh krijojnë gazra në stomak dhe zorrë, prandaj duhet të largohen nga tavolina juaj e ditës.
Këshilla ime është që të largoni gjithë ushqimet pikante, në vend të këtyre të përdoren pemët, perimet, produktet e qumështit dhe djathit, etj.
Nëse djegia dhe pengesat vazhdojnë përkundër dietës, atëherë lajmëroheni tek gastroenterologu për ekzaminim të mëtutjeshëm.

Përshëndetje, jam Trina. Unë nuk e di se çfarë po ndodh me mua nuk mund të dalë jashtë për 10-14 ditë dhe kjo gjë ka filluar të më brengos. Ky problem ka filluar qe 2 muaj dhe asnjëherë më parë nuk më ka ndodhë diçka e tillë. Nuk kam probleme me barkun, as nuk kam dhimbje.
Doktor, pres këshillën tuaj. Mirupafshim.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Trina. Çdo person është normale të ketë tre deri katër jashtëqitje në javë, më pak se këto kemi të bëjmë me një konstipacion të lehtë, kurse një jashtëqitje në javë është konstipacion i rëndë dhe duhet të shihet arsyeja e kësaj. Mendoj se jeni vajzë e re dhe me studime, STRESI dhe ngarkesa psikofizike luan një rol të rëndësishëm në moshat e reja. USHQIMI me pak fibra dhe produkte të drithërave luan një rol tjetër të rëndësishëm në paraqitjen e konstipacionit. Prandaj si hap i parë i juaji është të evitoni stresin (nëse keni!), dhe përmirësoni ushqimin… dmth në tavolinën e ditës duhet të ketë më shumë pemë, perime (posaçërisht KIVI nxit peristaltikën e zorrës), produkte të drithërave, musli me shije të ndryshme, jogurt biaktiv etj.
Siç duket tek ju peristaltika (lëvizja) e zorrëve është e ngadalësuar në masë të madhe, këto zorrë duhet të vihen në funksion, ushqimet me fibra, pemë dhe perime e nxisin zorrën të zbrazet më shpesh.
Këshilla tjetër është që nëse nuk ka përmirësim të konsultohet gastroenterologu për ekzaminime shtesë për të parë ku është problemi.

Jam vizitore e rregullt e portalit tuaj. Jam 30 vjeçe, qe një kohë vuaj nga hemorroidet, çdoherë kur kam jashtëqitje, kam djegie dhe gjakderdhje në anus. Ju lutem, më këshilloni, si mund ta evitoj këtë problem, sepse përveç dhimbjes, kjo më shkakton edhe molisje dhe nervozë. Paraprakisht, ju lutem për mirëkuptim!
Me respekt Altina.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Hemorroidet janë të shpeshta në popullatën tonë, nuk janë rrezik për jetë, por që shkaktojnë ndjesi të pakëndshme dhe kufizojnë kualitetin e jetës varësisht nga shkalla e paraqitjes. Dieta e mirë, mjekimi sipas nevojës zvogëlon paraqitjen e tyre. Unë në rastin e juaj ju rekomandoj të merrni medikamente si Faktu ose Modolex suppozitorë, nëse janë të brendshme ose yndyra nëse kanë dale jashtë, të gjitha këto sipas nevojës, kujdes në ushqim, largojuni peshave të rënda etj. Nëse nuk ka përmirësime dhe vazhdon gjakderdhja, atëherë duhet të bëhet largimi i tyre përmes metodave endoskopike ose kirurgjike.

Përshëndetje dr Arbër. Jam 32 vjeçe, e pamartuar, kam probleme me lukthin. Çka ha, e vjelli. Mjeku më ka dhënë do tableta, por po e ndiej veten edhe më keq, po kam shtrëngim në trup dhe vjellja s’po më ndalet. Doktor, më ndihmo!

Dr.Arber Veliu

Dr. Arbër Veliu, specialist
Gastroenterolog – Hepatolog
tel. 044 165 624
www.dr.arberveliu.4t.com

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen