Dr. Avni Kryeziu, internist-reumatolog

Shëndetësi | admin | 18.10.10 | 19:24

Përshëndetje, jam 48 vjeçe edhe kam një problem me eshtrat. Kam dhimbje në tërë trupin, në nyje edhe dhimbja ime ka filluar të shpeshtohet shumë, të bëhet e padurueshme. Jam kontrolluar me shumë mjekë, ata më kanë identifikuar me osteoporozë. Jam duke përdorur Omega 3 edhe osteopan, ka kohë që i përdori, por nuk kanë efekt pozitiv. Gjithashtu, desha të pyes për një injeksion me pesë miligram të substancës “cid Zoledroni”, a mundem ta përdori? Faleminderit shumë, pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Dhembjet tuaja mund të jenë si pasojë e ndonjë problemi eventual reumatizmal. Diagnozen Osteoporosis që ju e potenconi, mund edhe ta keni, por nuk mund të jetë ajo e vetme që iu shkakton të gjitha ato dhembje. Nuk mjafton që t’i merrni barnat që i keni cekur dhe që të ndalen vuajtjet tuaja. Ju duhet që, në mënyrë të drejtë të hulumtoni shkakun e dhembjeve duke bërë hulumtime dhe ekzaminime në sferën reumatike dhe tek pastaj të filloni një mjekim adekuat konform rezultateve të fituara. Ju këshilloj gjithsesi të vizitoni mjekun Internist-reumatolog në mënyrë që të merrni këshillat e duhura.

I nderuari Dr.Avni. Jam 20 vjeçar. Shkollën e mesme e kam të kryer-Farmacinë.
Po iu drejtohem ju që të më tregoni, ndihmoni dhe këshilloni. Në korrik të vitit 2008 për herë të parë më ka dhimbur gjuri i majtë dhe më është ënjtur. Pas një konsultimi me një mjek-ortoped dhe pas një terapie të përdorur deri diku më është larguar ënjtja, por pas 3 muajve prap më është ënjtur i njëjti gju dhe i njëjti mjek-ortoped ka intervenuar dhe m’i ka nxjerrë nga gjuri 3 shiringa me lëngë dhe disi më është qetësuar dhembja. Pas 3-4 muajve më është ënjtur gjuri tjetër i djathtë, po i njëjti mjek ka intervenuar me nxjerrjen e lëngut nga gjuri dhe prapë një qetësim relativë. Në ndërkohë jam drejtuar te një mjek në Prishtinë, reumatolog i njohur dhe, pothuajse plot një vit e gjysmë kam qenë nën përkujdesin e ti, pa përjashtuar edhe një mjek nga Gjakova, por pa ndonjë shërim të plotë. Herë pas here më janë ënjtur, qoftë njëri apo tjetri gju. Kohët e fundit, si rrallë po më ënjten edhe shputat e këmbëve, të përcjella edhe me dhembje, por jo aq të mëdha. Kërkoj nga ju mjek i nderuar dhe shumë i respektuar që të më ndihmoni dhe sugjeroni çka të bëj më tutje nga se jam i brengosur. Pres sugjerimet dhe ndihmën tuaj.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Sipas informatave që ju i keni dhënë në pyetjen tuaj, me gjasë bëhet fjalë për Artrit reaktiv, që në gjuhën jo mjekësore do të thotë pezmatim i nyjeve si pasojë e ndonjë infeksioni kudo në organizem, qoftë në grykë, në rrugët urinare apo gjetiu. Ky është një problem mjaft i shpeshtë. Më shumë përfshin gjininë mashkullore dhe në të shumtën e rasteve përfshin nyjet e mëdha, siç është nyja e gjurit, e thembrës, si dhe ka përhapje asimetrike, pra përfshin njërën nyje, mandej tjetrën, e kështu me radhë. Në këto raste, me rëndësi vendimtare është izolimi i shkaktarit, pra zbulimi i vatrës së infeksionit që e ka shkaktuar problemin. Siç po shihet, në këto raste duhet bërë një varg ekzaminimesh dhe analizash, andaj ju këshilloj që prapë të vizitoni mjekun dhe të këmbëngulni në shërimin tuaj.

Jam 57 vjeçar, para 23 vitesh kam patur dhimbje të këmbës së djathtë, së pari pata shtangime të midisit e pastaj më dukej sikur dhimbja rrëshqiti këmbës së djathtë. Dy tre herë kam patur gjendje të tillë. Pas vizitës te mjeku, ai më tha se është faza e parë e ishiasit dhe më pat thënë të bëj një terapi në Banjë, por dhimbjet më patën pushuar pas injekcioneve dhe barnave që mora. Kam përdorë Voltoren, brufen, diklofen. Këtë vit, ka dy muaj që më janë paraqitur dhimbjet. Këmba e djathtë nga gjuri e poshtë më mpihet, e përcjell një dhimbje e padurueshme, sikur kur eci nëpër prush. Nga zogu, këmba më shkonte pa kontroll. Kam bërë incizimin e boshtit kurrizor dhe mjeku konstatoi se kam problem me unazat e poshtme. DG Spond.lumbalis,ishialgia. Më caktoi injeksione diklofen, dexazon, tabl B kompleks dhe nje fletë për ushtrime me porosi, se po t’i bëja këto ushtrime, kurrë nuk do të shkoja te mjeku. Kam bërë terapi fizikale 10 ditë, dukshëm jam përmirësuar, por megjithatë, prapë kam dhimbje, jo si përpara, por janë prezente, veçanërisht gjatë ndryshimit të motit. Para terapisë kam pasur një vizitë tek një person privat që bënte masazh të unazave. Fitova përshtypjen se më bëri mirë, së paku në karrige mundesha të qëndroja. Në përgjithësi, jam më mirë sesa para fillimit të sëmundjes. Jam i gjatë 1.78m, peshoj aty rreth 80-85 kg. Duke ju përshëndetur, pres përgjigje. Faleminderit.

PËRGJIGJE:
I nderuar, në pyetjen tuaj, më shumë keni bërë një përshkrim kronologjik të gjendjes suaj shëndetësore, që me sa kuptova unë, tani është më mirë, se sa keni parashtruar pyetje. Megjithatë, unë do mundohem t’ju ndihmoj me përgjigjen time për aq sa kam mundësi. Sigurisht që problemet tuaja, e kanë zanafillën në unazat e pjesës së poshtme të boshtit kurrizor. Ju duhet të bëni ekzaminimet e nevojshme, si CT ose MRI e unazave të regjionit gjegjës për të diagnostikuar problemin. Nëse në incizimet e lartcekura, nuk duket shtypje e nervit nga rrëshqitja e kërcit ndërmjetunazor, mjekimi duhet të vazhdohet me barna dhe terapi fizikale. Por, nëse ka shtypje të nervit, atëherë mjekimi është kirurgjikal, andaj në raste të tilla duhet konsultuar neurokirurgu. Për të ditur se si qëndron problemi tek ju, ju gjithsesi duhet t’i bëni ekzaminimet e cekura dhe të veproni në bazë të rezultateve të fituara.

Jam 21 vjeçare nga Shqipëria, jam e martuar edhe e pres femijen tim të parë, jam në muajin e nëntë të shtatzënisë. Kam pasur vizita të njëpasnjëshme të rregullta te gjinekologu dhe më ka thënë se gjendja ime dhe e fëmijës është shumë e mirë, por kam 2 muaj e më shumë që më mpihen duart shumë, sidomos gishtat e duarve, dhe më dhembin shumë, nuk më lënë as të fle. Në mbrëmje edhe gjatë ditës non-stop më dhembin, s’mundem t’i duroj dot më, me zor i bëj punët me duar të mpira. I kam bërë analizat, më kanë dalë mirë. Ju lutem, më ndihmoni, nuk di ç’të bëj?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Shtatzënia është një gjendje mjaft specifike, delikate dhe e ndjeshme e cila, sidomos tek primiparet (tek femrat që për herë të parë bëhen nëna) mund të sjell gjendje fizike dhe psikologjike ndryshe para shtatzënisë. Nuk përjashtohet mundësia që ju mund të keni dhe probleme reumatike, por, në shtatzëni nuk preferohet të merrni medikamente për shkak të efekteve anësore që kanë për frytin tuaj. Ju këshilloj që të merrni ndonjë medikament të lehtë, siç është Paracetamoli, të merrni me shumë tableta minerale dhe vitamina derisa ta përfundoni shtatzëninë. Tek pastaj, ju mund të bëni analiza të nevojshme dhe të merrni mjekim adekuat nëse është e nevojshme.

Jam 24 vjeçar, kam dhimbje permanente të nyejve të gjunjëve, zakonisht kur jam duke qëndruar ulur ose duke u ngjitur shkallëve. Dhimbjet më paraqiten herë pas here dhe shpesh shoqërohen me temperaturë. Jam vizituar te reumatologu, kam përdorur ‘dovicin’ por pa sukses. Kam bërë 3 herë teste reumatike dhe analizat të tjera të gjakut dhe të urinës. Të gjitha ishin në rregull përveç fibrinogjenit 4.35. Shpesh kam infeksion (ftohje) të fytit që ndoshta mund të jetë shkaktari, por ende nuk mund të jem i sigurt se çka e shkakton këtë.

PËRGJIGJE:
Në pyetjen tuaj nuk më keni ofruar të dhëna të mjaftueshme në lidhje me ankesat tuaja si, kohëzgjatjen e ankesave, kohëzgjatjen e mjekimit, medikamentet e përdorura (përveç dovicinit) etj. Secila vatër infeksioni në trupin e organizmit, mund të rezultojë me dhimbje nyjesh të përcjella dhe me temperaturë trupore. Ju duhet të këmbëngulni në atë që të gjeni shkakun e ankesave tuaja. Ju këshilloj që përsëri të vizitoni mjekun dhe të bëni edhe një ekzaminim më të hollësishëm, sepse jo çdo herë mund të gjendet lehtë shkaku i ankesave. Pasi t’i bëni ekzaminimet e nevojshme në bazë të udhëzimeve nga mjeku, besoj që mund të gjendet diagnoza e saktë dhe pastaj të bëhet mjekimi adekuat dhe i suksesshëm.

I nderuari dr.Kryeziu. Jam 32 vjeç, ka 4-5 vite që kam probleme me nyjet në përgjithësi. Fillimisht dhimbja u paraqit në nyjen e krahut të djathtë, ndërsa 1-2 vite më vonë në krahun e majtë, e pastaj në këmbë. Tash kam dhimbje në të gjitha nyjet e sidomos me ndryshimin e kohës/klimës dhimbjet theksohen shumë dhe rezulton në kufizim dhe dhimbje të madhe gjatë shtrirjes së krahut ose këmbës (gjunjëve). Kam pasë një lëndim të vogël para 7 viteve në futboll ku e pata lënduar krahun/nyjën e djathtë, mirëpo ajo kishte kaluar e shëruar. Kam bërë kontrollime te mjekë të ndryshëm, disa prej këshillave që i kam marrë janë ku i kam bërë disa analiza të gjakut, mirëpo pa ndonjë rezultat pozitiv për reumë. Edhe analiza e strishos të fytit ka dalë në rregull! Ju lutem nëse mundeni, më ndihmona.
Falemnderit.

PËRGJIGJE:
I nderuar, është e vërtete që ndonjë vatër infeksioni në organizëm mund të sjelli deri te problemet në nyje që juve ju mundojnë qe disa vitesh, por nuk mjafton vetëm strisho e fytit për të përjashtuar infeksionin, pasi infeksioni mund të ndodhi kudo në organizëm e jo vetëm në fyt. Ju duhet të bëni një varg analizash laboratorike dhe rëntgenologjike për të parë se bëhet fjalë për ndonjë infeksion, apo për ndonjë problem tjetër eventual. Megjithatë, nuk do të thotë që medoemos të gjendet ndonjë vatër infeksioni pasi ka edhe një mori sëmundjesh reumatike që nuk lidhen fare me infeksionin. Ju këshilloj që ta vizitoni mjekun Internist –reumatolog dhe të merrni këshilla për problemin tuaj.

Dr. Avni. Jam një person i moshës 36 vjeçare dhe kam dhimbje të këmbës së djathtë, më saktë të shputë, e posaçërisht të thembrës. Kam një ndjenjë të pakëndshme dhe kur bën pak ftohtë kam mpirje të shputës në tërësi. Kjo gjendje percillet edhe me nje ndjenjë sikur e dhimbjes së lehtë prej beli e poshtë deri te shputa, gjithmonë ana e djathtë. Kur rri një kohë të gjatë në këmbë, më bën të ndihem keq dhe i lodhur, poashtu më shkakton edhe djersitje kur është pak nxehtë. Nganjëherë e kam bindjen se këmbën e djathtë e kam më të gjatë se të majtë dhe në anën e djathtë mbi bel prapa kam një ndjenjë të shtrëngimit dhe të dhimbjes që nganjëherë më shkakton si njëlloj temperature. E gjithë kjo ka filluar para pesë vjetëve duke ecur rrugës me gropa e kam pëlqyer. Kam qenë te mjeku, kam bërë fotografimet dhe më kanë thënë se çdo gjë është në rregull, por mua vazhdon të më dhemb këmba dhe shputa, e sidomos thembra.
Nderimet e mia.

PËRGJIGJE:
Dhembjen që ju e përshkruani, mund të jetë si pasojë e problemit me unazat e boshtit kurrizor të regjionit të belit. Nervat që fillojnë dhe dalin nga unazat e kurrizit, vazhdojnë rrugën e tyre deri te shputa duke inervuar të gjitha pjesët e këmbës. Çdo patologji që mund të ndodh në unaza dhe përreth tyre, ngacmon rrënjët e nervave që dalin nga to dhe që pastaj mund të përcillet përgjatë tërë rrugës së nervit, deri te shputa, në thembër dhe në gishtërinj. Ju këshilloj që të bëni ekzaminimin e unazava të kurrizit (Rtg, CT ose MRI ) dhe në bazë të rezultateve të fituara, të vazhdoni tretmanin e mëtejmë.

Përshëndetje dr .Kryeziu. Ka dy vite që ka filluar të më mpihet gishti i madh i këmbës së majtë. Këtë e kam vërejtur në fillim si një mpirje e vogël, ndoshta e ndonjë ene gjaku, mirëpo me kohë kjo po zgjerohet, posaçërisht në pjesën e sipërme të gishtit të madh të këmbës së majtë. Nuk kam kurrfarë pengesa vetëm kur shtrihem e vërej se është gishti dhe pjesa te nyja e mpitë. Qe disa ditë po e vërej se po më mpihet gishti i madh i dorës së majtë. Kjo për momentin nuk më brengos, por kam frikë nga e ardhmja. Jam 53 vjeçare dhe e kam kalu klimaksin, ka tre vjet nuk kam pas kurrfarë telashesh gjatë kësaj periudhe. Më intereson të cili doktor duhet të shkoj dhe cilat analiza duhet bërë pa bredhë nëpër ordinance të shumta.
Ju falënderoj paraprakisht për këshillë!

PËRGJIGJE:
Problemet e tilla siç i përshkruani ju, mund të jenë pasojë e problemeve qendrore, pra në tru, ose mund të jenë pasojë e problemeve periferike, pra që ndodhin në nervat periferik në gjymtyrë. Ju duhet të bëni ekzaminimet e trurit dhe nervave periferik në mënyrë që të gjendet shkaku i ankesave tuaja. Ju këshilloj që të lajmëroheni te neurologu, pasi problemi juaj me gjasë, më shumë i përket natyrës neurologjike.

Përshëndetje, jam një vajzë 22 vjeçare. Ndonjëherë kur të zgjohem prej gjumit më lëshon këmba, nuk mund të qëndroj, rrëzohem. Ky problem ka filluar të më shpeshtohet, kjo ndodh veç në këmbën e djathtë, kam dhembje të durueshme, por më bën nervoz. Kisha pas dëshirë të di për këtë problem. Faleminderit, shpresoj që nuk je i lodhur.

PËRGJIGJE:
Edhe problemin tuaj duhet hulumtuar në aspektin e hulumtimit të nervave, qoftë në boshtin kurrizor, qoftë në nervat periferik, pra në këmbën përkatëse. Ju këshilloj që të bëni hulumtime të unazave të boshtit kurrizor të regjionit të belit si dhe të këmbës në kuptim të ekzaminimit të nervit dhe muskujve të këmbës së djathtë. Duhet të bëni një vizitë tek mjeku në mënyrë që për së afërmi të merrni udhëzimet e duhura.

I nderuar dr. Avni. Jam 25 vjeç nga Maqedonia (punoj si kamerier). Ka disa javë që ndjej mpirje në duar dhe këmbë, poashtu natën kur shtrihem të fle fillon dhe më dridhet trupi (pulson), po kohët e fundit më ndodh dhe gjatë ditës. Gjithashtu, shpesh më merren mendtë, si dhe më bie sheqeri. Analizat e fundit që i kam bërë, rezultati më ka dalë se kam yndyrë në gjak dhe se rruazat (nuk jam i sigurt se cilat) e gjakut janë në rritje. Desha të di se përse më pulson trupi dhe çfarë do më këshillonit?

PERGJIGJE:
I nderuar. Ankesat tuaja janë të një natyre të përgjithësuar, pra, jo specifike dhe kërkojnë një trajtim të mirëfilltë. Me këtë desha të them se sipas ankesave tuaja, nuk do mund të themi se përse bëhet fjalë saktësisht në rastin konkret. Pulsimi i trupit i përgjigjet pulsimit të enëve të gjakut që është si pasojë e punës së zemrës e cila, pa u ndalur pompon dhe kjo punë e zemrës në formë pompe, reflektohet apo përcillet në formë të valëve në enët e gjakut në tërë trupin e njeriut që ne i ndjejmë pra, në formë të pulsimit. Kur njeriu e shton vëmendjen e vet në trupin e tij apo në atë që çfarë po ndodh në organizmin e tij, me siguri që do i ndjej apo edhe do i prek këto pulsime të enëve të gjakut. Poashtu rrënja e sheqerit që ju e potenconi, duhet sqaruar me anë të analizave që e diferencojnë rënien e sheqerit në gjak nën vlerat normale për shkak të ndonjë sëmundje apo rënien për shkak të lodhjes dhe mosmarrjes së ushqimit të nevojshëm. Edhe yndyra dhe rruazat e gjakut në vlera të ngritura, duhet sqaruar përsëri. Si përfundim i gjithë kësaj që e shpreha më lartë, mund të themi se në rastin tuaj asgjë nuk është e qartë, pasi nuk keni bërë ekzaminimet e nevojshme. Ju këshilloj të lajmëroheni te mjeku dhe të veproni në bazë të udhëzimeve të tij.

Djali im, 8 vjeç, që nga mosha 2 vjeçare ka pasur ankime të kohëpaskohshme dhimbje gjunjësh. Pas kontrolleve që kam bërë, mjekët zakonisht më kanë thënë se mund të jetë nga rritja dhe se me kohë do t’i ndalet dhimbja. Por, edhe tani vazhdon të ketë ankesa dhe dhimbje të gjunjëve, por edhe të nyjeve të tjera nga gjunjtë e poshtë. Kam bërë kontrolle dhe analiza, kontrollin e zemrës, mushkërive. Analizat kanë treguar se djali ka probleme me reumë apo diçka të tillë pasi që ai vazhdon të ketë dhimbje, sidomos gjatë mbrëmjes çdo të dytën ose të tretën natë (në gjunjë dhe në nyje të tjera).
I nderuar doktor, pres një këshillë nga ju që të më udhëzoni se si të veproj.
Ju përshëndes.

PERGJIGJE:
Jam i kënaqur që djali juaj nuk ka asnjë problem në organet në të cilat ju i keni hulumtuar. Dhembjet e nyjeve në moshat e reja siç është edhe djali juaj, mund të jenë si pasojë e rritjes dhe zhvillimit të hovshëm por, nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë problemi reumatik. Nuk kam njohuri se çfarë ekzaminimesh keni bërë për të sqaruar problemet reumatike, në rastin konkret përveç atyre që i keni përmendur më lartë (kontrolli i mushkërisë dhe zemrës), por ju këshilloj që të lajmëroheni te mjeku përsëri në mënyrë që ti bëni edhe disa ekzaminime dhe analiza që janë adekuate në aspektin reumatik dhe pastaj mund të themi se a bëhet fjalë për problem reumatik apo jo.

Kam një dhimbje mesi në anën e majtë, ka 2 javë që më dhemb këmba e majte nga rrëza e kofshës deri te gjuri. Dhimbjet i kam therëse dhe të padurueshme, sidomos kur çohem nga pozicioni ulur në këmbë. Mbasi bëj disa hapa me vështirësi, filloj të eci .I kam bërë masazhe me kremra të ndryshëm dhe kam pire eksedrina për t’u qetësuar, po dhimbjet vazhdojnë njëlloj, qetësohen disa e përsëri vazhdojnë. Ju lutem doktor, çfarë më rekomandoni pasi vuaj dhe nga stomaku dhe nuk pi dot aspirina apo ilaçe që më ngacmojnë.
Faleminderit !

PERGJIGJE:
Dhembjet e mesit që përcillen poshtë në këmbë, janë si pasojë e problemeve në unazat e boshtit kurrizor, të regjionit të ijeve (lumbosakral). Ju duhet të bëni analizat e nevojshme (CT ose MRI të boshtit kurrizor, të regjionit përkatës) në mënyrë që të caktohet saktë problematika dhe në bazë të rezultateve të fituara, duhet të bëhet mjekimi qoftë medikamentoz ose operativ. Barnat për dhembje duhet t’i merrni me shumë kujdes pasi keni probleme me lukthin dhe gjithmonë pas marrjes së ushqimit!

Jam 17 vjeçe, ankoj nga dhimbja e padurueshme e këmbëve, sidomos gjatë dimrit edhe gjate ecjes së gjatë. Kam qenë te mjeku në Prishtinë, më ka dhënë disa barna, por pa efekt, nuk kanë ndikuar fare. Ka 2 vjet që më dhembin shumë, nuk mund të fle rehatshëm, më kanë thënë se vuaj nga reuma. Dhimbja ka filluar të shpërndahet në tërë këmbët.
Doktor, pres këshillën dhe ndihmën tënde.

PËRGJIGJE:
Dhimbjet në këmbë mund të kenë shkaqe të ndryshme, siç mund të jenë shkak edhe problemet reumatike. Në pyetjen tuaj, nuk keni të dhëna të mjaftueshme për ankesat tuaja dhe për atë se çfarë kontrolli dhe ekzaminime keni bërë deri më tani. Thuani se mjekët ju kanë thënë që vuani nga reuma por, ky është term shumë i përgjithësuar, pra, nuk saktëson llojin e sëmundjes pasi ka një numër shumë të madh problemesh reumatike. Për faktin që ju jeni në moshë e re, mund të mendojmë në ndonjë ngjarje eventuale reumatike, por, për të sqaruar këtë, duhet që të vizitoni mjekun (Internistin-reumatolog) dhe pas ekzaminimeve dhe analizave të nevojshme, mund të konstatojmë se përse bëhet fjalë.

Përshëndetje dr Avni. Unë jam 32 vjeçare, parukiere, kam dhimbje tepër të forta në shpatull. Më kanë thënë sipas grafisë që është fillim i një borsiti si edhe problem me tendinë. Kam marrë mjekime, nuk kam më dhimbje, por dorën nuk mund ta ngre dhe ta ul lirshëm. Në këtë rast dhimbjet janë të vazhdueshme. Çfarë ushtrimesh mund të më sugjeroni përveç fizioterapisë që ma kanë këshilluar, ndonjë ushtrim që mund ta bëj vetë në shtëpi në mënyrë të vazhdueshme?
Në pritje të përgjigjes, ju falënderohem.

PËRGJIGJE:
Problemet reumatike të indeve të buta rrethnyjore ose, siç i quajmë ne në mjekësi, sëmundjet e reumatizmit periartikular, janë mjaft të shpeshta. Ato përbëjnë rreth 40% të të gjitha problemeve reumatike. Nëse nuk trajtohen me kohë dhe në mënyrë të drejtë, shpesh këto sëmundje lënë pasoja në kuptim të kufizimit të lëvizjeve për një kohë të gjatë dhe për pasojë, vështirësojnë kualitetin e jetës dhe shkaktojnë mungesa në punë. Në bazë të të dhënave në pyetjen tuaj, bëhet fjalë për Periarthropathi humeroscapulare, e cila poashtu i përket grupit të sëmundjeve të lartpërmendura. Në rastin tuaj, ju duhet të vazhdoni me mjekim medikamentoz për aq sa ndieni dhembje gjatë lëvizjeve krahas terapisë fizikale që në këto raste është e nevojshme dhe mjafte dobiprurëse. Nga terapia fizikale, më të favorshme në këto raste janë ushtrimet fizikale në formë të ushtrimeve gjimnastikore të cilat mund t’i aplikoni edhe në shtëpi.
Ju duhet ta konsultoni edhe Fiziatrin në lidhje me ushtrimet.

Përshëndetje, d. Avni. Unë jam 26 vjeçe, kam probleme me këmbën e djathtë, në fillim më ka dhimbur shputa, s’kam mundur ta lëshoj këmbën, më dhemb qafa dhe boshti kurrizor.
Mendimi i mjekut: TA:110/70MMHG, pcr:neg FR:neg ASO:neg WR:neg SE 13
Diagnoza: lumboischialgia lateris dextri.
Terapia: 1.Granula OKI A 80 Mgl 2×1 një pako. 2.Herron fish oil 1000 mg 1×1 dy muaj. 3. Gel rhuma Salbe 2×1 në mbrëmje. 4. tab parol 500mg 2×1.
Kontrolli pas 1 muaji me SE, ure, hemogram, rtg i vertebrave lumbosakrale.
Në radiogramet e kolonës L/S në dy projekcione vërehet; në trupin e unazave nuk vërehen ndryshime epidente morfologjike, në hapësirat i.v janë me gjerësi normale ndryshime tjera eventuale rtg nuk vërehen.
Analizat, sediment 14/30,3-4 eritrocite të freskëta, 12-15 qeliza epiteliale pllakore,10-20 leukocite, mjaft jargë.
Doktor, pres mendimin tuaj.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Dhembjet e këmbëve mund të jenë si pasojë e problemeve në unazat e regjionit të ijeve (regjioni lumbosakral ), qoftë nga sëmundjet inflamatore (pezmatuese) ose jo inflamatore – degjenerative (jopezmatuese ). Sipas rezultateve të analizave të prezantuara nga ju, nuk rezulton të keni probleme të reumatizmit inflamator, përveç një infeksioni urinar eventual që duket në rezultat. Nëse problemet tuaja vazhdojnë edhe pas terapisë që jeni duke përdorur, ju këshilloj të bëni CT ose MRI të boshtit kurrizor, në regjionin e ijeve (regjionin lumbosakral) pasi Rëntgeni i thjeshtë LS që e keni bërë, nuk na ofron të dhëna të mjaftueshme. Pastaj, në bazë të rezultatit të fituar nga ekzaminimi i lartpërmendur, mund të vendosim për tretman të mëtejmë.

Qe dy javë kam probleme me këmben e djathtë prej gjurit e poshtë. Në gju kam dhimbje, më duket sikur të pihet përreth meniskusit kam dhimbje. Në muskulin e këmbës së djathtë kam mpirje dhe më duhet ta ngjeshi. Gjithashtu kam dhembje edhe te zogu i këmbës kur rri në këmbë shumë, apo kur luaj futboll më ajet te zogu i këmbës. Por, më së shumti kam dhembje kur voziti veturën që më duhet ta mbaj këmbën në pedale të gazit. Kam një qëndrim konstant në pedale të gazit, tashti mundesh ta mendosh sesi mundet të jetë këmba, çfarë pozite më pihet shumë dhe më duhet ta ndali veturën për të pushuar. Kjo ndodh kur kam vozitje të gjatë për shembull, diku 100 km.
Me nderime, Naseri.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Dhembjet, mpirjet dhe ënjtjet në gjymtyrë dhe në nyje, pra, si në rastin tuaj në këmbën e djathtë, mund të jenë si pasojë e problemeve në unazat e boshtit kurrizor, por mund të kenë edhe shkaqe tjera si lëndimet, mikrotraumat, infeksionet e ndryshme që rezultojnë me dhembje në nyje dhe shkaqe tjera.
Ju duhet të konsultoni Reumatologun gjithsesi, të merrni këshilla se si duhet vepruar më tutje. Duhet bërë një varg analizash dhe ekzaminimesh për të zbuluar shkakun e problemit i cili ju mundon. Pas ekzaminimit dhe diagnostikimit të sëmundjes eventuale, mund të vendosim se si duhet vazhduar tretmanin në rastin tuaj.

Përshëndetje Dr.Avni, unë jam një vajzë19 vjeçare. Ka një muaj që i kam gishtat e dorës të ënjtur dhe më mpihen. Poashtu, edhe të dy këmbët poshtë gjurit i kam të ënjtura, kam pasur dhimbje të hatashme të gjurit, por kaluan tash me ndryshimin e motit, por kam dhembje në kërdhokulla dhe në dorë.
Të gjitha analizat kanë dalë mirë, ASTO,CRP, RF, WR.
Kam edhe disa probleme me qafën dhe shpinën.
Doktor, çfarë mendoni, ku është problemi tek unë.
Me respekt, Rita. Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhembjet, ënjtjet, mpirjet dhe shtangimi në gjymtyrë, sidomos në mëngjes, në të shumtën e rasteve mund të jenë pasojë e ndonjë procesi inflamator (pezmatues) reumatik në organizëm. Fakti që rezultatet e analizave tuaja, kanë rezultuar në normë, e vë në mëdyshje këtë që e thamë më lartë. Megjithatë, ju këshilloj të vizitoni Internistin reumatolog edhe një herë, të bëni ekzaminime dhe analiza të nevojshme në mënyrë që të dimë se përse bëhet fjalë në rastin tuaj. Shpeshherë analizat laboratorike nuk i përgjigjen gjendjes reale të organizmit, pra, nuk përkojnë me ankesat e pacientit dhe kjo ndodh nga shumë arsye. Duhet të vazhdoni të tentoni që deri në fund të zbuloni shkakun e ankesave tuaja.

I nderuari doktor Avni. Kam dhembje të nyjeve, të gishtërinjve të duarve qe një kohë të gjatë. Kam përdorur edhe osteopan, dexomen dhe gel fastum për lyerje, mirëpo nuk kanë pasur kurrfarë efekti.
A mendoni se mund të kem mungesë të vitaminave?
Të gjitha analizat e bëra më kanë dalë në rregull me përjashtim të sendimentit që vazhdimisht më del i ngritur 35-40. Analizën e fundit e kam bërë edhe anti-CCP, edhe ajo ka dalë në rregull.
Doktor, a mendoni se sendimenti i lartë del si pasojë e kësaj dhimbje dhe çka më këshilloni të bëj më tutje.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Dhembjet në nyjet e vogla të duarve të cilat janë simetrike, pra në të dy duart, që përfshin dy apo më shumë nyje, që përcillet me ënjtje dhe ndjeshmëri palpatore dhe që përcillen me shtangim mëngjesor që zgjatë më shumë se 1 orë, flet në të shumtën e rasteve për një sëmundje reumatike inflamatore (pezmatuese) që në mjekësi e quajmë Arthritis rheumatoides. Kjo sëmundje mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh shfaqet ndërmjet moshës 25-50 vjet dhe paraqitet më shpesh te femrat se te meshkujt në raport 3:1. Gjithashtu, kjo sëmundje përcillet edhe me ndryshime në analizat e gjakut, si Sediment të eritrociteve të ngritur, ndryshime në rëntgenin e shuplakave si dhe disa teste reumatike që kanë vlera të veçanta. Sipas pyetjes suaj, ju keni disa ankesa në nyjet e gishtërinjve të duarve si dhe një sediment mbi vlerat normale që neve na shtyn të mendojmë për sëmundjen e lartpërmendur. Megjithatë për të vërtetuar ose përjashtuar një gjë të tillë dhe, që përfundimisht të gjejmë diagnozën e saktë, ju ftoj ta vizitoni Internistin reumatolog dhe të veproni sipas udhëzimeve të tij.

Përshëndetje. Jam 56 vjeçar, fizioterapeuti dyshon për reumë. Kam pas dy-tri herë një lloj dhembje në këmbën e djathtë në tërësi, por me intervenimin e mjekut me injeksion, me sa di (diclofen+dexazon), gjendja përmirësohej dhe për një kohë të gjatë nuk kam pas problem.
Para 5-6 muajve, filloj një lloj dhembje në tabanin e këmbës së djathtë, mu në pjesën te gishtat e këmbës, ajo dhembje shfaqej pas një ecje goxha të gjatë, me një pushim të shkurtë prej disa minutash, prapë kam shëtit normalisht.
Një dite prej ditësh pata problem me dorën e majtë, dora më ishte bllokuar saqë nuk kisha mundësi ta lakoj deri në maksimum, as ta drejtoj deri në maksimum. Isha në fizioterapi, ku më është bërë termoterapia, elektroterapia, terapia me rrezatim, masazh 7 ditë me radhë, por pa kurrfarë efekti. Tani kam dhembje në nyje të gishti të madh te dorës së majtë, te gishti i unazës në dorën e djathtë (ku nyja qe disa kohë rri e ënjtur), kam bllokim në dy nyjet e duarve te shuplakat e duarve, herë-herë të dy nyjet e këmbëve (zogu i këmbës).
Ka një muaj që përdori diclofen supozitor, por jam i frikësuar se mos ka pasoja negative marrja e gjatë e tyre.
Pres mendimin tuaj, ju lutem një përgjigje.
Me nderime. Xhevati.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Në bazë të informatave që keni dhënë në pyetjen tuaj, bëhet fjalë për dhembje në disa nyje dhe që përcillen me ënjtje dhe poashtu me shtangim mëngjesor. Siç e përmenda edhe në një përgjigje paraprake, ankesat e tilla mund të jenë si pasojë e ndonjë sëmundje inflamatore reumatike (pezmatuese), e cila duhet diagnostikuar saktë në mënyrë që të fillohet me trajtim adekuat, sepse terapia që ju keni përdorur, nuk është e mjaftueshme, por duhet shoqëruar edhe me terapi tjetër adekuate. Zbulimi i hershëm i sëmundjes dhe fillimi i hershem dhe i drejtë i mjekimit, garanton prognozë shumë të mirë. Andaj, ju këshilloj vizitë te reumatologu sa më shpejtë që të jetë e mundur.

I nderuari doktor. Jam 37 vjeçare, ka dy muaj që ndjej mpirje të gishtërinjve të duarve, tash ka filluar të më mpihen edhe gishtërinjtë e këmbëve. Në fillim mendoja se po ndodh vetëm natën në gjumë, tash ndodh njëjtë edhe gjatë ditës.
Çfarë më rekomandoni ju? Me respekt, pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Ekzistojnë një mori shkaktarësh që mund të shkaktojnë mpirje të gishtërinjve, si të duarve, poashtu edhe të këmbëve. Ato mund të jenë nga shkaqe të përgjithshme si ndonjë ndryshim patologjik në organizëm apo nga ndonjë sëmundje sistemike që kompromiton të tërë organizmin, apo shkaqe lokale, pra, ndonjë patologji që ndodh lokalisht në gjymtyrë. Fakti që juve ndieni mpirje në të gjithë gishtërinjtë, pra, në të dy duart dhe këmbët, flet me shumë për ndonjë gjendje të përgjithshme, e jo lokale. Në pyetjen tuaj, nuk keni dhënë informata të mjaftueshme në lidhje me profesionin tuaj, shëndetin tuaj të përgjithshëm etj. Andaj, ju rekomandoj një kontroll tek mjeku në mënyrë që të bëhen ekzaminime të nevojshme dhe që të dihet saktë shkaku i ankesave tuaja.

Përshëndetje doktor. Jam 55 vjeçe, kam problem me këmbët e mia, më djersiten shumë dhe kundërmojnë rëndë.
Pres ndihmën tënde.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Problemi i cili juve ju mundon, është një problematikë me të cilën merren specialistet e sëmundjeve të lëkurës (dermatologët) andaj, ju këshilloj që t’i drejtoheni dermatologut për ndihmë.

Përshëndetje Dr. Pas disa netëve pagjumë filloj të më ënjtet fytyra dhe këmbët nën gjunjë. Çdo lëvizje gjatë fjetjes, natën më zgjonte nga gjumi dhe ishte e përcjellur me dhimbje. Pas 4-5 ditësh bëra analizat e gjakut. Sedimentacioni i eritrociteve 35/62, i përsërita analizat pas 6 dite 70/107.
Kam përdorur këtë terapi: Landacin, ampula dy herë në ditë (10 ditë), Vibramicin 2×1= 8 ditë, Brufen3x1=8 ditë, Bevipleks 3×1 = 8 ditë dhe vitaminë C.
Urinokultura ka dalë në rregull. Gjatë tër kohës më kanë përcjellë ethe dhe temperatura mbi 38 C. Pastaj, pas intervenimit për zbritje të temperaturës kam pas djersitje të pandërprerë deri në 6 orë. Tash e tri ditë, temperaturat janë nën kontroll.
Ju lutem më këshillo për veprime të mëtutjeshme.
Me shumë respekt, Miftari.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje i nderuar. Ënjtja e fytyrës dhe e nëngjunjëve mund të jetë si pasojë e disa sëmundjeve, si sëmundjeve të veshkave, të zemrës etj. Sedimentacioni i eritrociteve nuk është analizë specifike, pra, nuk tregon saktë se për çfarë bëhet fjalë, por është një analizë jospecifike, që mund të gjendet i rritur në shumë sëmundje, andaj, vetëm me këtë analizë, ne nuk mund të vijmë deri te diagnoza e saktë. Mjeku i cili ju ka ordinuar terapinë e përmendur nga ju, me siguri ka menduar për ndonjë infeksion në organizmin tuaj, gjë për të cilën, nuk keni dhënë informata në pyetjen tuaj. Unë ju rekomandoj që, përveç sedimentacionit të eritrociteve, t’i bëni edhe një varg analizash të nevojshme, si ultrazëri i barkut, ekzaminimi i zemrës, analizat biokimike dhe hematologjike, testet reumatike dhe tek pastaj, të dijmë se përse bëhet fjalë në të vërtet në rastin tuaj.

Përshëndetje Dr.Avni. Jam në moshën 44 vjeçe. Para gjashtë viteve kam pësuar aksident dhe kam pasur shumë fraktura. Tash pas ndryshimit të kohës, shpesh kam dhimbje.
Të lutem doktor, çka të përdori kundër dhimbjeve dhe për forcimin e eshtrave?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje i nderuar. Ekzistojnë një mori barnash që përdoren për qetësimin e dhembjeve. Zgjedhja e barit është individuale, pra, për secilin pacient zgjedhet bari që i përshtatet secilit veç e veç duke bashkëpunuar ngushtë pacienti dhe mjeku në zgjedhjen e tij. Ju duhet të zgjidhni atë i cili është më i përshtatshmi për juve, që ua ndal dhembjet dhe që nuk u shkakton efekte anësore të padëshirueshme. Në rastin tuaj, edhe terapia fizikale rehabilituese do të ishte më shumë interes, andaj ju rekomandoj që të bëni terapi fizikale të vazhdueshme.
Sa i përket barnave për forcimin e eshtrave, siç e quani ju, atë duhet dhënë vetëm në rastin kur mjeku, me anë të ekzaminimeve klinike dhe laboratorike, konstaton se është e domosdoshme dhënia e tyre.

Përshëndetje dr Avni. Unë jam 46 vjeçar dhe kam një problem me boshtin kurrizor, pikërisht me nervin shiatik qe 10 vite. Poashtu, para një muaji më është shfaqur një problem tjetër, bylyzyku i dorës së majtë ka filluar të më ënjtet nga pak, dhimbja me shoqëron prej gishtit nga nënsqetulla e krahut mbi gjoks e deri në fund të stomakut, mbi gjoks më është bërë një gjëndër, sa herë e shtrijë dorën më dhemb. Dhembjen e ndjej sikur të ma ngre dikush një pjesë të damarit.
Doktor, pres përgjigjen tuaj. Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje i nderuar. Dhembjet në duar dhe këmbë mund të shkaktohen nga problemet në unazat e boshtit kurrizor. Njëjtë, siç ke probleme me nervin ishiadik, pra me këmbë, i cili ka prejardhjen nga unazat e poshtme të boshtit kurrizor, problem të njëjtë mund të kesh edhe me nervin e dorës, i cili ka prejardhjen nga unazat e sipërme të boshtit kurrizor. Hapi i parë dhe i vetëm që duhet të bëni është që të vizitoni mjekun dhe të bëni ekzaminimet e nevojshme. Përveç reumatologut, ju duhet ta vizitoni edhe neurologun dhe neurokirurgun.

I nderuar dr Avni, jam 17 vjeçar dhe ndjej dhimbje të këmbës së djathtë, nga gjuri e poshtë, zakonisht e ndjej kur eci shumë ose pasi luaj futboll. Poashtu kam edhe një ndjesie, një lloj nxehtësie që kalon në këmbë.
Çfarë më rekomandoni?

PËRGJIGJE:
I nderuar. Në bazë të të dhënave në pyetjen tuaj, nuk mendoj që bëhet fjalë për ndonjë gjë serioze. Dhembjet në këmbën tuaj janë gjithnjë pas sforcimit fizik, gjë që, në shumicën e rasteve, mund të jetë normale. Në pyetjen tuaj nuk kam të dhëna të mjaftueshme në lidhje me shëndetin tuaj, si psh., nëse keni problem me grykë (fyt), me urinim dhe të ngjashme. Andaj, për t’i hequr dilemat, ju duhet të vizitoni mjekun Internist-reumatolog, të bëni ekzaminimet e nevojshme, dhe tek pastaj mund të japim mendimin përfundimtar.

Përshëndetje doktor. Kam dhimbje të nyjeve e cila zgjat nganjëherë 2-3 orë. Kam vizituar mjekun dhe jam diagnostikuar me Polyarthitis. A mund të më tregoni diçka lidhur me këtë sëmundje?
Ju faleminderit shumë. Fidani

PËRGJIGJE:
Përshëndetje i nderuar. Dhembjet në nyje mund të kenë shkaqe të ndryshme. Fjala “,Polyarthritis” është term mjekësorë që në gjuhën shqipe dmth “,pezmatim i shumë nyjeve” , por, nuk tregon se cila është sëmundja e saktë ose sëmundja që e ka shkaktuar këtë pezmatim, pra nuk është diagnozë definitive, siç e quani ju. Nëse bëhet fjalë për Arthritis rheumatoides që në disa raste, këtë sëmundje e quajmë edhe Polyarthritis chronica, atëherë kjo është një sëmundje inflamatore (pezmatuese) kronike e indit lidhor, progresive, që përfshin kryesisht nyjet e vogla, ndonjëherë edhe tetivat, sytë por edhe organet e brendshme si veshkat, zemrën, mushkëritë etj. Sido që të jetë, ne, në bazë të pyetjes suaj, nuk e kemi të qartë se përse bëhet fjalë në të vërtetë në rastin tuaj, andaj, ju këshilloj vizitë të menjëhershme te Internisti – reumatolog që të diagnostikojmë problemin tuaj dhe të fillojmë mjekimin, sepse, sa më i hershëm diagnostikimi dhe mjekimi, suksesi është më i madh.

I nderuar, kam probleme me reumë, kam dhimbje në gishtërinj të duarve, fibrinogjenin e kam 6.9, sedimentacioni gjithmonë i ngritur. Herën e fundit sedimentacioni ka qenë 74, hemoglobina 106. Mendoj se është një lloj reume, nuk di ende nuk kam bërë kontroll te mjeku. Ndjej dhimbje në duar, sidomos në mbrëmje, gishtat e duarve më janë ënjtur.
Ju falënderoj nëse më përgjigjeni. Jam 44 vjeçe.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje e nderuar. Duke u bazuar në të dhënat që ju i keni paraqitur në pyetjen tuaj, mendoj që mund të bëhet fjalë për ndonjë problem inflamator (pezmatues) reumatik. Dhembjet dhe ënjtjet në duar që përcillen me Sedimentim të lartë (sediemntacioni-74), Fibrinogjen të ngritur (fibrinogjeni- 6.9), dhe me pagjakësi (hemoglobina-106), janë shenja që flasin për ndonjë problem eventual reumatik. Megjithatë, gjithçka do të jetë e qartë nëse bëni vizitë te mjeku Internist –Reumatolog sa më shpejtë që të jetë e mundur.

I nderuar dr.Avni. Jam 50 vjeçar dhe ankoj prej këmbëve qe 3 vite. Kam dhimbje të shputave si dhe mpirje të këmbëve, vazhdimisht kam bërë me qindra analiza. Para 2 ditësh kam bërë analizat e reumës dhe në rezultatet e analizave më është informuar se Antistreptolysin-o ka dal pozitiv, ndërsa C-reaktive Protein, Rheeumatoid Faktor dhe W. Rosio negativ. Çfarë do të thotë Antistreptolysin-o dhe çfarë mund të më thoni më tepër?
Me nderime Rrahman Aliu.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje i nderuar. Antistreptolisin- 0 është antitrup, ose më thjeshë, për të kuptuar ju, është një materie në organizëm që është formuar kundër streptolisines- 0. Streptolisina-0 është enzim që prodhohet nga bakteria Streptokok. Pozitiviteti i antistreptolisines- 0 në gjak, ose siç është i njohur në mjekësi Titri ASO i lartë, është tregues që shpjegon një infeksion të kaluar me baktere Streptokok në organizmin e njeriut, por nuk vërteton medoemos infeksion të tanishëm ose Reaksion reumatik poststreptokoksik. Poashtu titri ASO variron me moshën, pozitën gjeografike, etj., andaj, për moshën tuaj, nuk mendoj që është një gjë me shumë rëndësi. Për të pasur rëndësi Antistreptolisina -0 në rastin tuaj, duhet plotësuar dhe një varg kriteresh si gjendja juaj klinike dhe një varg analizash tjera të cilat ne nuk i kemi të njohura. Sa i përket dhembjeve në këmbë, ato mund të kenë shkaqe të shumta të cilat duhen sqaruar.

Burri im ka dy javë që i dhemb këmba kur ngrihet. Kemi kontaktuar me doktoreshën dhe na ka thënë se bëhet fjalë për një herrni diskale. Kur është i shtrirë ndihet normalisht si më parë pa asnjë dhimbje, por kur rri në këmbë për 5-10 minuta, fillon të ndjejë dhimbje këmbe dhe nuk mund të qëndrojë në këmbë. Ju lutem të na ktheni përgjigje sa më shpejt.

PËRGJIGJE:
Hernia diskale do të thotë rrëshqitje e diskut ndërmjet unazave dhe shtypje e nervit, gjë që përcillet me dhembje, mpirje dhe një varg simptomash dhe shenjash tjera, varësisht nga niveli dhe nga shkalla e dëmtimit të nervit. Në rastin tuaj, ju duhet të bëni ekzaminim të unazave të kurrizit të regjionit të belit (CT ose MRI ) dhe pastaj, në bazë të rezultateve të fituara, mund të konsultoni neurokirurgun për të sqaruar se a është problemi për ndërhyrje kirurgjike, pra për operacion apo jo. Nëse është, duhet operuar, nëse jo, duhet vazhduar mjekimin medikamentoz nga reumatologu dhe terapi fizikale nga fiziatri.

I nderuari dr.Kryeziu. Jam 48 vjeçe, ka dy muaj që ndiej dhembje në gjurin e majtë, dhembja pastaj përhapet edhe në gjithë këmbën. Më tepër dhimbje ndiej atëherë kur e përkuli gjurin, kur p.sh dua të ulem në gjunjë, kur vishem etj.
Pasi jam në marrëdhënie pune kisha dashur të di se ku mund të t’ju gjej dhe në çfarë kohe për një vizitë tek ju.
Me respekt, Ahterja.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje e nderuar. Dhembjet në gjunjë mund të jenë të natyrave të ndryshme duke filluar nga lëndimet e nyjes, sëmundjet e reumatizmit inflamator, sëmundjet e reumatizmit degjenerativ (jo inflamator), sëmundjet sistemike të indit lidhor, etj. Fillimisht, ju këshilloj që të bëni një rëntgen të thjesht të gjurit dhe pastaj ta vizitoni mjekun.
Sa i përket vizitës tek unë, unë punoj në QKUK, Kliniken Interne, në shërbimin e Reumatologjisë, çdo ditë pune, prej orës 7-15 ku edhe mund të më gjeni.

Përshëndetje doktor. Vëllai im tani ka 20 vjet, por dora e majtë nuk i është zhvilluar normal, qe 3 vite është vërejtur që zhvillimi i duarve nuk është i njëjtë, por gjatë lindjes këtij i është nxjerrë krahu. A mund të jetë kjo pasojë e atij problemi apo diçka tjetër dhe kur merr diçka me peshë të rëndë 2kg, i dridhet dora.
Ju lutem a mundet tash me ndërmarr diçka, megjithatë sa mjekët i kanë thënë se tashmë vonë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Lëndimet e rrënjës së krahut gjatë procesit të lindjes së vështirësuar, tek fëmijët e porsalindur, nuk janë të rralla. Ato mund të lënë pasoja pastaj tek njerëzit ashtu siç i përshkruani edhe ju. Por, për dallim nga ju, zakonisht lëndimet e tilla, zbulohen qysh në fëmijërinë e hershme. Thënë të vërtetën, problematika të cilën ju e potenconi, i takon më shumë lëmisë së neurologjisë sesa reumatologjisë. Andaj, ju këshilloj të bëni vizitë tek Neurologu. Në raste të tilla, ndihmë të madhe, për mos t’thënë ndoshta edhe kryesore, jep terapia fizikale (ushtrimet) e dorës që është zhvilluar dobët, andaj, është e nevojshme dhe shumë e rëndësishme edhe konsulta e fiziatrit.

I nderuar Dr.Kryeziu, jam 24 vjeçar dhe qysh në moshën e hershme dmth 9 vjeçare ose edhe më herët, ndonjëherë kam ngërç të fortë në anën e djathtë të qafës dhe dhimbja zgjat afër 10 sekonda. Kjo dhembje vjen papritmas, por kjo më ndodh njëherë në 6 muaj, përafërsisht, çuditem pse dhe nga vjen kjo dhimbje të cilën në momentin e shfaqjes nëse nuk e ngjeshi qafën, mundet edhe të më hedh në tokë.
Ju faleminderit paraprakisht.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ekzistojnë disa problematika në organizmin e njeriut të cilat përcillen pastaj me ngërçe në muskuj. Në bazë të pyetjes suaj, nuk mendoj që bëhet fjalë për diçka serioze pasi ju, këto probleme i keni qysh në moshë të re dhe se përsëriten shumë rrallë, pra, përafërsisht në çdo 6 muaj. Më shumë mendoj që bëhet fjalë për ndonjë tik nervor se sa për ndonjë gjë tjetër më serioze. Sidoqoftë, ju këshilloj që të bëni një vizitë tek mjeku Internist- reumatolog, të bëni ekzaminimet e nevojshme dhe pastaj mund të vendosim se përse bëhet fjalë në të vërtetë.

Jam 15 vjeçar dhe para një viti më është diagnostikuar streptokoku në fyt dhe kam pasur disa therje në duar. Pas terapisë së suksesshme është eliminuar bakteria. Kam bërë analizat e reumës dhe më kanë dalë vlerat e rritura, më pas jam konsultuar me reumatologun dhe më ka propozuar që të marr ampula Extencyllin 1.200.000 dhe pas 3 dozave të terapisë vlerat më janë normalizuar. Extencyllinin ka një vit që e marr dhe ndihem shumë mirë. A duhet të vazhdoj me Extencyllin edhe më tutje për t’u mbrojtur apo duhet ta ndërpres përdorimin e tij, sepse kam dëgjuar se duhet të përdoret deri në 5 vite. Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Diagnostikimi i infeksionit me Streptokok në grykë (fyt ), nuk do të thotë apriori edhe sëmundje e etheve reumatike. Nëse ju jeni diagnostikuar me sëmundjen Febris Reumatika (ethe reumatike), çka në pyetjen tuaj nuk më keni sqaruar, atëherë duhet bërë prevenca sekondare e etheve me Exstencillin. Prevenca bëhet kësisoj: nëse ethet reumatike kalojnë pa pasur kardit (sëmundje zemre), atëherë mjekimi me Extencillin vazhdon 1 vit pas sëmundjes. Nëse ka edhe sëmundje zemre, por pa defekt në zemër apo, siç e quajmë ne, ves në zemër, mjekimi vazhdon 5 vite pas sëmundjes ose tek fëmijët vazhdon deri 25 vjet të moshës së tij. Dhe në fund, nëse ethet reumatike shkaktojnë sëmundje zemre të shoqëruar edhe me ves në zemër, mjekimi me Extencillin duhet vazhduar gjatë tërë jetës. Në rastin tuaj, nuk kemi njohuri për gjendjen e mëparshme, pra, nuk e dimë a keni pasur vërtet ethe reumatike, dhe nëse po, a është e prekur zemra apo jo. Kështu që ju preferoj një kontroll te Internisti- reumatolog, të bëni analizat e nevojshme adekuate në mënyrë që të vendosim për mjekimin e mëtejmë.

I nderuari z. Kryeziu. Jam një nënë e brengosur për shëndetin e djalit tim 14 vjeçar. Djali im ankohet në dhimbje të gjunjëve, e sidomos pas lojës së futbollit. Është i gjatë 1.80 m. Disa vizita i kemi bërë te ortopedi dhe te reumatologu dhe pas shikimit të analizave më patën thënë që nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe se janë, thënë në gjuhën e popullit, dhimbje të rritës. Mirëpo, që nga ato vizita kanë kaluar gati 2 vjet dhe djali im ende ankohet në dhimbje të nyjeve të këmbëve. Nyjet as nuk janë të ënjtura e as të skuqura!
Ju lutem për këshillën tuaj.
Me respekt, Merita Gara.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje e nderuar. Ne në mjekësi e përdorim shpesh një thënie ku thuhet: “më shumë duhet besuar pacientit se sa laboratorit”. Me këtë desha të them se, edhe pse analizat dhe kontrollet që i keni bërë tek mjeket përkatës, kanë rezultuar në rregull, prapë duhet përpjekur për të gjetur shkakun e ankesave të djalit tuaj pasi ai ende vazhdon të ankohet. Preferoj që të bëni rishtazi vizitë te mjeku Internist-reumatolog, të bëhet edhe një ekzaminim komplet në mënyrë që të hiqen përfundimisht brengat tuaja.

Mamaja është 73 vjeç dhe ka dhimbje në këmbë kur lëviz, kur rri shtrirë i pushon dhimbja. E ka bërë një grafi dhe ka osteodegjenerative në pors kumbaris.
Si mund të shërohet kjo. Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Sëmundjet degjenaritive të nyjeve, përfshirë këtu edhe pjesën lumbale të boshtit kurrizor, janë sëmundje shumë të shpeshta në gjithë njerëzimin. Në moshat e vjetra, ato zënë vend shumë të rëndesishëm. Rreth 80% mbi moshën 60 vjeçe dhe 100% mbi moshën 70 vjeçe vuajnë nga sëmundjet e reumatizmit degjenerativ. Ekzistojnë një mori medikamentesh qe përdoren në trajtimin e këtyre patologjive të cilat nuk e shërojnë sëmundjen, sepse reumatizmi degjenarativ nuk shërohet, por i lehtësojnë simptomat, si dhembjen, lëvizjen etj. Në moshat e shtyra, duhet pasur një kujdes të veçantë në caktimin e terapisë antireumatike për shkakun se në këto mosha, mund të ketë edhe sëmundje tjera bashkëshoqëruese si tensioni i lartë i gjakut, sëmundjet e zemrës, etj. të cilat mund të përkeqësohen me këtë terapi. Ju këshilloj të bëni një kontroll te mjeku Internist-reumatolog në mënyrë që të përcaktohemi saktë për trajtimin e nënës suaj.

Ka kohë që vuaj nga reumatizma. Gjithmonë kam pasur të ftohtë e herë-herë edhe probleme me nyje dhe eshtra. Tani jam 62 vjeçar . Përveç dhembjeve të herëpashershme në nyje e eshtra, po ndiej një të ftohtë tepër të madhe në këmbë. Pasi t’i ngrohë mir&eum

Dr. Avni Kryeziu,
internist-reumatolog
tel. 044 317 322

Komente

  1. bekim says:

    dr i nderuar po kame nje problem qe disa here,dhe qe njekohe jo te gjate kame mbirje te gishtave te dores ku po me ndodhe me mbihen dhe sikur nuk muje me i levize me se shumti kjo me ndodhe ne dorene majte por ngnjehre edhe e djadhta desha te dije nga kushe vjen kjo mbirje dhe me pas evine duke mu koqitur \
    prese pergjijgejen i nderuar doktorr

    faleminderit paraprakisht

  2. anila says:

    Pershendetje DR Kryeziu!Jam 38 vjece dhe prej disa kohesh me vjen dhimbje e padurueshme te gishtat e kembeve,ndersa se fundemi me mpihen 2 gishtat e fundit te dora e majte.Ka te beje me probleme reumatike apo dicka tjeter te lutem me thoni ku te drejtohem per kete problem.faleminderit

  3. endi says:

    Pershendetje doktor kam nje antar te familjes te gjinise femrore rreth 46 vjeq qe ankon nga dhembja ne gjurin e djathte.Dhembjet jane te fokusuara vetem ne pjesen e gjurit.Cilat mund te jene shkaqet per kete, ju lutem per ndonje informacion ose ndonje krem te posaqshem.

  4. Ona says:

    Ka nje vit qe me dhemb shpina ndermjet dy shpatullave dhe me djeg si spec vetem gjate qendrimit ne nje pozit(perkuljes).
    Her par here ka filluar te me dhemb dhe kemba e majt..
    Ju lutem me tregoni se per çfarë behet fjal..

  5. I dashur doctor, te pergezoj per kete ndihme qe na jep, dhete uroj suksese te metejshme ne profesionin tuaj.
    Une jam nje nene 30 vjecare,kam dy femije. U bene gati 2 vjet qe gjate nates me mpihej krahu i djathte nga parakrahu dhe deri tek dora. Me pas vetem dora,gishtat.kjo gje eshte me sezone nuk me ndodh per nate. Ndodh te mos kem mpirje per muaj,por serisht fillon e njeta gje. Jam vizutuar dhe doctori im me ka then qe nuk duhet te pije lengje me gaz dhe duhet te bie ne peshe, aktualisht jam 70 kg me gjatesi 1e 63.para disa diteshfilloi per dy nete me rradhe te me mpihet edhe krahu imajte me te njetat simptoma duke vazhduar deri te gishterinjte e dores. Cfare me sygjeroni. Pershendetje nga USA

  6. argela says:

    Pershendetje Dr.Kryeziu!Jam nje grua 46 vjeçare.Kam gati 5 vjet qe vuaj nga tensioni, dhe kam pak kohe qe vuaj dhe nga aritmia.Jam ne trajtimin e medikamenteve si per tensionin dhe per aritmin.Tashme jam stabilizuar qe nga fillimi i medikamenteve.Por koheve te fundit rralle here shof nje fenomen ne krahun tim te majte.Ka raste ne gjume me mpihet krahu i majte,dhe pasi zgjohem dhe e leviz krahun fillon dhe me shpihet.Kur shtrihem per gjume krahun e mbaj gjithmone te shtrire dhe jo te tendosur.Pyetja:Ky fenomen vjen si pasoje e problemeve qe kam parashtruar me larte apo eshte nje anomali tjeter e cila ka nevoje per konsult tek mjeku.Cila eshte keshilla juaj Doktor?

  7. elda says:

    pershendetje.doktor jam 14 vjeq dhe mua vazhdimisht me dhembin kembet po ashtu kam edhe therje te kraheve ,kembeve kam bere analiza ka dal rehuma dhe me qfar barna mundem te perdori prees keshillen tende….!!! faleminderit per mirekuptim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Rrezorja

Portali rrezore.com është i destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.