Rikthim në kraterin e ferrit

Analiza & Komente | admin | 06.02.13 | 20:33

Me kërkesën e z.Agron Tufa, drejtorit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, u nisëm për të vizituar burgun e Spaçit. Nuk kisha asnjë lloj dëshire për të shkelur përsëri në këtë humnerë, këtë krater, këtë gropë të rrejpur pa asnjë lloj bimësie, pas asnjë lloj krijese të gjallë, ku edhe egërsirave apo kaçakëve nuk u pëlqen as të kalojnë e jo më të jetojnë. Në këtë anë këtu edhe uji i pakët që rrjedh nga grykat e galerive apo maja e kodrës së djegur ka një ngjyrë të kuqerreme i cili ngjan si të jetë gjak që rrjedh nga një trup i plagosur, që rënkon pa pushim.

Z.Agron Tufa, gjatë bisedës më pyeste herë pas here: “- Hë Bedri, si të duket ky udhëtim? Çfarë të bën më shumë përshtypje?” “- Asgjë nuk më bën përshtypje. Nuk është hera e parë që shkel pa pranga në duar në këtë humbëtirë të mbetur shkretë.”edhe ju Z.Agron këtë rrugë e keni shkelur që kur ishte fëmijë, me trasta në krahë, me opinga të grisura, me barkun bosh e me një ndjenjë frike tek shkonit të takonje babanë e tuaj. Sapo lamë autostradën, rruga më tej gjarpëronte përgjatë një përroi që zhdukej poshtë majave të maleve të rrjepura. Me vete kishim dhe një kameraman, që shikonte nga brenda xhamit të makinës këtë vend të çuditshëm, i cili vetëm shkrepte aparatin, psherëtinte e psherëtinte me vete, duke shikuar here nga unë e here nga përroi i thellë që si dukej fundi.

– Më falni zoti Blloshmi e zoti Tufa, por nga po na çoni këtej? Nuk besoj se nga kjo anë që po shkojmë ka jetesë? Kush mund të jetojë në këto shkrepa? Mos jemi gabim? – na pyeti kameramani ndërsa vazhdonte të shkrepte aparatin.

– Ne po shkojmë atje ku kemi qenë të mbyllur e rrethuar me tela me gjemba e gryka mitralozi, – iu përgjigja unë, – por edhe nëse e kemi gabim, kjo rrugë të çon o në Qaf Bari ose në burgun e Gurthit, këto rrugë janë vetëm rrugë burgu.
Pa e kuptuar sa kishim udhëtuar, në një moment shoferi më pyeti: – Z,Blloshmi, këtu nga do të shkojmë, se janë dy rrugë? Të thashë një herë si rruga poshtë edhe kjo sipër të çojnë në një burg por ne do kalojmë sipër këtu është burgu për të cilën jemi nisur ta vizitojmë.

– Mbaj sipër, – i them përsëri unë – ja, arritëm pas kësaj kthese do të shohim godinat që na presin me gojë hapur se galeritë nuk duken, janë në përrua. Çdo gjë është shkatërruar, por megjithatë gërmadhat janë. Ja, i sheh këto – vazhdova t’i shpjegoj, mbasi ecëm gati 300 u afruam unë fillova të tregoj ja kjo godina komanda, këtu, ka qenë porta e hekurt, këtu fusha e qymyrit, kjo gërmadha këtu, ka qenë një dhomë ku bënin spiunët “takim special”, këtu ka qenë mensa, këtu kanë qenë birucat, këtu depoja e veshmbathjeve, kjo është fusha që rreshtoheshim kur donin të arrestonin sërish një të dënuar. Këtu u arrestua Xhelal Koprencka kur prokurori thirri gjithë inat e turivarur, duke tundur dorën e shtrirë drejt nga ne në fushë: “Xhelal Koprencka, në emër të popullit arrestohesh!”, pa mbaruar fjalën prokurori policët e mbërthyen me pranga ndërsa Xhelali iu përgjigj: “Jo në emër të popullit, por në emër të armiqve të popullit po më arreston!”.

Kur kaluam përpara pallateve vazhdova të tregoj: Ky pallat ishte plot me të dënuar të cilët punonin në galeri. Kjo është dhoma ku kam jetuar për pesë vjet me radhë. Shiko mbi derë akoma është parrulla me thënien e diktatorit, ja shiko gjithë andej ka parrulla.Në këtë dhomë flinin 51-52 të dënuar e në çdo dhomë krevatet ishin me tre kate, të bëra me hekura të salduara. Kjo gërmadha përpara nesh ka qenë banjoja, ndërsa tarraca përdorej për të bërë apelin tri herë në ditë. Këtu rrinim me orë të tëra në shi e dëborë duke pritur of. rojes për të na numëruar. Kjo gërmadha tjetër këtu ka qenë depo që përdorej nga ne për të lënë çizmet e grisura të llastikut që kundërmonin era djersë e rrobat e grira nga acidi, që vinin po aq erë të keqe sa çizmet, të lagura nga djersa dhe uji që kullonte fillim e mbarim të galerisë. Ja dhe zona e dytë, ajo në kodër e njoh mire atë zone atje kam punuar 5 vjet pa shkëputje, aty temperature ishte 45 – 47 gradë. Lart fare, zona e pare e tretë dhe e katërta dhe kjo këtu poshtë fare quhej zona e pestë. Në këto zona punohej me tri turne. Në çdo turne kishte: brigadën e armatorëve, brigadën e sipërfaqes ku çdo brigadë kishte mbi 48 të dënuar veç brigades që nxirrte vagonat. Kur nuk arrinim të bënim normën, polici na lidhte pas një shtylle për 6-7 orë rresht e cila ndodhej atje tej, në kodër pranë barangës së tij. Shumë herë na lidhnin në hekuart e duarve edhe një rrotë vagoni e cila nuk takonte në tokë peshonte vetëm në duart e prangosura. Kishte raste që mbasi të linin lidhur në kodër, deri sa të dënuarit e tjerë të dilnin nga galeria në fund të turrnit kur brigada zbriste për të shkuar në fjetore, na zbrisnin të lidhur e më pas na fusnin në birucë. Në mëngjes të nxirrnin e na çonin prapë në punë. E sheh këtë pallatin tjetër? Ky ishte pallati i ”papaunësisë„ ishte i mbushur plot me pleq sakatë, me një dorë apo me një sy, dhe ata që ishin me raport mjeku. Kishte dhe të dënuar të cilët kishin dalë nga fiqiri prej torturave në hetuesi, thënë troç: i kishin çmendur dhe, të gjithë këta i fusnin çdo ditë në një sallë dhe u çanin kokën 4-5 orë duke lexuar dokrrat e përrallat e diktatorit. Tani të lutem mos më pyet më, se po ndihem keq. Pse çfar po ndjen? Të lutem ma thuaj. Unë habitem kur kujtoj se gjithë ajo dhunë psikologjike, gjithë ai presion, birucat, riarestimet, vrasjet në galeri, vrasjet nga ushtarët, pushkatimet.Shpesh here humbnim shpresën sa here futeshe operative në kamp të gjithë ne dridheshim nga tmerri se dinim që diçka do të ndodhte, ja tani si vjen koha çdo gjë është zhdukur e shkatërrua e kanë mbetur vetëm gërmadha.
Por kamerani prapë vazhdonte: – Po ndonjë rast vrasjeje, a të kujtohet?

– Po, – iu përgjigja unë, – disa raste. Ikim dhe flasim rrugës në makinë se nuk mund të qëndroj më këtu. M’u zgjuan shumë kujtime të tmerrshme që më kallin datën e drithërrojnë shpirtin, ikim ikim çfarë kërkon më shumë të dish. E gjithë pllaja ku jemi ne vetë rënkon e pëshpërin e janë shpirtrat që s’kanë gjetur asnjëher ashtue s’kanë për të gjetur qetësi.

Z.Agron vetëm shikonte i heshtur e thithte cigaren me ngut. Me bishtin e cigares së përfunduar ndizte tjetrën mendushëm ndërsa shtëllungat e tymit ngjiteshin e shpërndaheshin ngadalë kush e di se ku duke humbur ashtu siç u harruan e anashkaluan krimet 50 vjeçare të terroristëve komunistë, duke mohuar gjithë atë gjak të derdhur e gjithë ato sakrifica pa iu nënshtruar e pa u futur në strehën e çadrës së tyre gjakatare. E sot, bijtë e vrasësve të djeshëm sundojnë vendin duke u pasuruar e mbrojtur baballarët e tyre. Edhe kjo është “Demokraci”! Ndërsa me mijëra nëna shamizeza përsërisin legjendën e qyqes duke vajtuar kodër më kodër e përrua më përrua me lot në sy, me shkop në dorë e të kërrusura nga pesha e halleve dhe dhimbjes së përjetshme. Ato rënkojnë e shpresojnë për djemtë, vllezërit, baballarët e tyre që edhe të vdekur e të zhdukur i kërkojnë e i kërkojnë duke psherëtirë…

Mos të pafsha më kurrë shkretëtirë e mbetur Shkretë!

Bedri Blloshmi
Tiranë, janar 2013

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen