Vëllaznit Sirdani -V-

Histori & Fakte | admin | 10.12.10 | 08:54

Porsa u permenden amnisti e konçesjone prej perfaqsuesve të Turkis, Dedë Gjo Luli n‘ emen të Malcorve u pergjegj se as nuk do tu xishin në gojë fjalë te atilla. „Turku, thojte aj, kundra çdo tagrit nderkomtar kishte hi e shkretnue vende që s‘ ishin të tijat. Malet tona qysh me Kongresin e Berlinit edhe prej Turkut i kjenë lshue Malit të Zi. Na me armë në dorë kemi ruejtë lirin tonë jetike perballe Malit të Zi e tëTurkis e nuk jemi ba kurr të tyne. Sa pse na, si popull i vogel, jemi kenë ngushtue me ndejë në lidhje miqsore me Turk kundra anmiqve të perbashkët, e kemi ba vetem kur na ka interesue, por kurr me zor’t. Jemi kenë perherë të lirë e autonoma nder kto male, prandej kurdo qeverija turke ka me dashtë me shtrue kuvend me ne, s’do të permendin amnisti e konçesjone, por autonomi, e ket jo vetem per ne, se na e kemi pasë edhe mandej, por per mbarë Shqypnin.“

Fjalët e theksueme prej kryetarit të kryengritsve u vran veshin perfaqsuesve të Turkis, e tuj e dijtun se qeverija e tyne nuk ishte kurrkund gati me dhanë nji autonomi aq të hapët, u dan pa muejtë me perfundue kurrgja.

Fuqit e Mdha prej frigës mos të ngatrroheshin Mali i Zi e Turkija, e urdhnuen Malin e Zi me qitë jashta kufinit të gjith kryengritsit. Lufta me gjithshka vijoj poené edhe me ma furi deri nder ditët e para të gushtit, por atëherë, tuj e pa malcorët se ishte e kotë per nji herë me folë per Shqypnin mbarë, mbasi nuk luejte kush per së gjalli, ran në godi me Turki me kto kondita:

l) Me dhanë amnisti të pergjithtë;

2) Me u lanë armët;

3) Mos me iu perzie në kanun, fe e zakone;

4) Me u çilë shkolla shqype në seicillin bajrak;

5) Me u pague damet e luftës;

6) Me u dhanë bereqeti i njaj vjeti.

Ky kje perfundimi i njaj luftës së pergjakshme të sa muejve. Verte malsorët nuk muejten me ia dalë qellimit në skaj, por mbrrijten me ia mbushë menden Turkis se me shqyptarë nuk u luete, e formuen opinjonin publik n‘ Europë se edhe shqyptarët meritojshin lirin komtare si popujt tjerë të Ballkanit.

Pajtimi i Malsis me Turki kje sa per faqe, pse edhe malsorët kishin mbrrijtë me kuptue se pshtimi i vertetë do t’ishte vetem atëhere kur t‘ u trajtote nji Shqypni e lirë. Pritshin prandej rasen me pertri të pergjithtë. Me 22 Qershuer 1912 malcorët e Bregut të Matës kjenë lajmue se shi m’at ditë do të kalojte andej Kajmekani i Lezhes me 500 asqer, e mbasi pritshin rasen me u kacafytë me ushtri turke, u mueren vesht me shoqishoqin e dan me ia nisë pushken të dalë si të dalë. U ba nji luftë pak orësh, por e pergjakshme. Kajmekani mbet dekun me 187 asqer, prej malscove mbeten dekun e varrue 19 vetë. N‘ at luftë u dan në shej Gjeto Coku me të vllan, Deden, Pjeter Sokoli i Llesh Nikë Dakës i quejtun prej disa „Leonida i Bregut të Matës“. Plaçka që mueren n‘ at ditë permbahej në katerdhetë kual e mushq të ngarkuem me fishekë, mitroloza e nozull ushtrije. Me ket hap të bâm kundra qeveris turke, malcorët u bajten me rob e robi e gja e u rrasen mbrenda kufinit të dymdhetë bajrakve të Mirditës Ky guxim i diftuem prej malsorve u muer me simpati prej shumkuj e menjiherë u bashkuen te Kuvendi françeskan i Rrobigut krent e Kurbinit e disa persona me randsi të krahinës së Krues e të Tiranës, Avdi Beg Toptani e Gjin Pjetri i Skurajve, posë tjerve, dhanë shpresë të madhe per nji bashkim të vertetë ndermjet të dy elementave, kristjan e muhamedan. Prodhimi i ksajë lidhje kje e çuemja e Avdi Toptanit e të Kapidan Marka Gjonit në Kongres të Shkupit, dhe msymja e Lekve me ngrehë flamurin komtar në Durrëc, por të dyja të daluna pa dobi. E para pse në Shkup delegetent tonë nuk gjeten ambjentin e gatuem per me lypë nji autonomi e ma pak nji pamvarsi; dhe e dyta mbaroj tuj ba fli disa atdhetarë në Rushkull, shi në fund t’Erzenit. Kta kjenë Kolec Marku, Gjokë Doda, Zef Harapi e gjashtë vetë të tjerë; Dedë Coku kje varrue let, e Llesh Nikë Daka, hini në vorr me 29 Gusht, prej tri varrve që pat marrë at ditë. Por edhe kundershtarët e paguen shtrejt tradhtin pse mbeten tetë të dekun e kater të varruem. Kjo vllavrasje, shi në nji tokë ku ishte nisë nji bashkim elementash, e ma fort pse u xu e shkakëtueme prej ndonjanit nder Toptaj, si edhe perfundimi i paknaqshem i Kongresit të Shkupit, ringjalli mendimin e kundershtimit që vjeten perpara kishin pasë prej muhamedanve shkodranë, e fashiti çdo entuzjazëem per kahë levizjet komtare. Nder tjerë Emzot Serreqi e Emzot Doçi u munduen me e fashitë at pabesim ndermjet të dy elementave, por ishin fakte teper të freskta e nuk u duel me qetsue zemrat e pezmatueme, prandej paten formulue nji „memorandum“ fort me randsi por delegetent e krahinës së Shkoders nuk e pan me udhë as m‘ e paraqitë n‘ at Kongres, mbasi nuk e gjeten ambjentin në favor t’autonomis.

Kshtu tuj u gjetun Shqyptarët të dam mbeten ndermjet dy zermoreve pa dijtë kahë me ia mbajtë. Disa u vun me perkrahë Turkin, disa Bal1kanasit, e tjerë u struken. Ushtrija turke e pagatueme per nji luftë t‘ atille u dermue gjithkahë, e Ballkanasit, ta pershkuen vendin tuj ba mizori të çuditshme. Kto ngjarje ia mbushen menden shqyptarve se, a atëherë a kurr, do të bashkoheshin e do të lypshin pamvarsin komtare. Atdhetarët mbrenda e j ashta Shqypnijet çëmos kurr perdoren te gjitha mjetet per pshtimin e Atdheut prej nji rrezikut aq të madh. Gjithkah mbledhje, gjithkahë marrveshje, e shum herë me krye në gershanë. Nji meritim të madh pa dyshim, si ndërmjetës mbledhjesh, perpjekjesh e marrveshtjesh, si atëherë, si edhe do vjet mbrapa, e pat P. Pal Dodaj.

Para ktij rreziku të madh komtar, Esad Toptani kje kshillue disa heresh prej disave të klerit katolik, e ikje premtue ndima e të gjith katolikve të vilajetit të Shkoders, mjaft të ngrehte në kthtjellin „Rozafat“ flamurin e Shqypnis, por ky s’i vuni vesh kshillit të tyne, e ashtu s’u ba kurgja. Në ket nderkóh Ismail Qemali i Vlonës, i siguruem prej Austrije e prej Italije se do ta mprojshin, me një tubë atdhetarë duel në Vlonë e me 28 Nënduer proklamoj indipendencen shqyptare. Vepra e tij u prit me entuzjazem prej të gjith atdhetarve, e perbri tij, edhe katolikët, megjithse Shkodra, qandra morale e intelekëtuale e tyne, ishte e rrethueme, paten, nder tjerë, dy ftyra të shkelqyeshme: Emzot Nikollë Kaçorrin, që kje i pari nenkryetar i shteti të ri shqyptar, e Luigj Gurakuqin, që kje dora e djathtë e Ismail Qemalit.

Nuk ishte marrë vesht ene mirë çpallja e indipendencës, e me 2 Dhetuer bahet nji mbledhje e madhe te Kuvendi Françeskan i Rrobigut. Aty mueren pjesë posë krenve të dymdhetë bajrakve edhe Gjin Pjetri i Skurajve e Emzot Koleci e disa pari të Zadrimës. Emzot Doçi, që kryesojte at mbledhje, paraqiti projektin, që kje pelqye prej të gjithve, me mkambë nji qeveri të perkohshme nen kryesi të Prengë Pashës, e cilla do të permblidhte gjith njat vend, që shtrihet që prej Urës së Drojës e deri në Liqe të Plavës. Kshtu do të kshilloheshin me ba edhe të gjitha krahinat tjera të Shqypnis tuj cakëtue nji qeveri të perkohshme per me trajtue• të gjitha sbashkut nji lidhje të pergjithtë.

Nevoja e bashkimit komtar ndoshta ma fort se ngjeti u ndiete në Shkodem e rrethueme. Edhe aty mbrendë kishin fillue perpjekje e marrveshje, e Hasan Riza Pasha, kryekomandanti i ushtris turke, tuj e pa se Shkodra nuk do të mbette ma e Turkis, mbas kshillit të mikut të vet, P. Gjergj Fishtës, dau me e pshtue at gjytet prej Malit të Zi, tuj ngrehë në kshtjell flamurin e Shqypnis. Por në sa ishin tuj u ba lidhje e marrveshtje me Malsi me i ra gjith njiherit anmikut, Esat Toptani nshíni e mbyti at kryekomandant, e marrë aj krye sundimin, me 23 Prill ia dorzoi gjytetin Malit të Zi.

Mendimi i sajuem qysh me Hasan Rizan me i ra Malit të Zi e me pshtue Shkodren kishin marrë dhen: kushtrimi kishte dalë prej Oroshit të Mirditës e kryetar i lidhjes që do të bahej në Lezhe ishte vetë Abati i Mirditës, Emzot Doçi. Ket mbledhje të prekun per sa kóh nuk e ndaloj as të ramt e Shkoders në dorë të Malit të Zi, e ndër ditët e para të majit u mblodh kuvendi në Lezhe ku mueren pjesë Mirdita, Mati, Gjakova, Puka, Shala e Shoshi, Malcija e Madhe, Kthella, Kurbini, Bregu i Matës, Zadrima e tjera, që u lidhen besabesë me msy Malin e Zi e me e qitë prej Shkodert. Por per me e realizue ket të msym nuk u duel kóh, pse pa organizue planin e luftës Mali i Zi u bajtë, e me 14 Maj mueren dorzimin e atij gjyteti Ushtrit Nderkomtare. Kshtu Shqypnija u gjet e dame trish, pse posë Ismail Qemalit në Vlonë, me 13 të Korrikut edhe Esad Toptani kishte ngrehë nji qeveri në vedi në Durrëc. Fuqit e Medha atëherë mbasi kishin pasë vendue qysh në muejin e Dhetorit, 1912, në Konferencen e Londers, me e njoftë mbretni në vedi, emnuen Princ Wiedin per mbret të Shqypnis, i cili me 7 Marc 1914, erdhi në Durrëc e muer rejen e sundimit në dorë.

Po s’vonoj e Esad Toptani, ke dojte per fas-et-nefas me e ba Shqypnin të veten, shtini ngatrresa e pshtjellime, e antarët e tij, qitën m’anesh nderen komtare, permysen flamuri komtar e në vend të tij u vu në vendin tonë Turkija, e që prej Bregut të Matës e në Vlonë u fashit çëdo e mirë që kje nisë e vetem mbi kshtjiellin „Rozafat“ valvitej ene flamurin komtar. Per me ndalue ket shkandull, kishin rranë në ndihmë të mbretit, posë tjerve edhe Prengë Pasha me ma se 10.000 katolikë nder të cilët edhe shum djelm zotnish Shkodret, por kje e kotë, pse kryengritja kishte marrë teper të hapët, e pse ishte rrezik me shtue ma fort anmiqsin ndermjet të dy elementave.

Në ket kóh, P. Gjergj Fishta, per shkak të shkrimeve që botojte në të perkohshmen „Hylli e Dritës“, tuj qitë në shesh qellimet e t‘ interesuemve per ato ngatrresa, kje dnue per mergim.

Kto pshtjellime e ky pabashkim vijoj se vijoj edhe gjith kohen e luftës europjane, e dymdhetë bajrakët e Mirditës e do të Pukës kjenë shkretnue prej esadistavet. Nder të gjitha ato luftime, pos sa burrave tjerë, Gjon Shkurt Lufi i Selitës e Pal Ndue Berhani i Pishkashit, i lanë nam vedit e bajrakut të vet per kreshniki që diftuen.

Edhe bajrakve të Dukagjinit u tokoj në vjeten 1915 me psue shum. Të msym kta prej njaj ushtris së madhe të Malit të Zi u shtrenguen me qindrue. Lufta e bame në Qafen e Kolçit e ajo e Lugut të Shalës janë të rralla në historin tonë. E para, pse nji numer i vogel komite theu me dâm të madh ushtrin e madhe malazeze; dhe e dyta, pse shaljanët ban me ra në dorë 1500 ushtarë, e në shej robnijet me u pershkue të gjith nen armë. Para se të hijte ushtrija malazeze në Shalë, Mehmet Shpendi bashkë me do kren i duel perpara ushtris per me u marrë vesht me ta, por kta per me ngushtue vendin mos me u vu pushken i mueren me vedi me hi në Dukagjin. Mehmeti athere, megjithse e dijte vedin e shokët të shkuem, u çoj lajmin bajrakve që mos të mendojshin per jeten e tyne, por të kryejshin detyren tuj mprojtë vendin prej të huejve, e ashtu ky me gjith shokët e vet kje ba fli prej malazezve, posa krisen pushkët e para kundra tyne. Shpirti i ktyne dy luftave kjenë françeskajt P. Çiril Cani, famullitari i Shalës; P. Leonard Shajaku, famullitari i Nikajve; e P. Ber nard Llupi, famullitari i Rajës, të cilët jo vetem se nxiten popullin kundra Malit të Zi, por mueren pjesë, sikomita, nder të msymet ma të rrezikshmet.

Nuk âsht per ta qitë në harresë as aktivitetin e katolikve të Kosovës, ku s’bashkut me muhamedanë, nder çashtje komtare, kjenë edhe ata me gjith kler. Veprimet e P. Kelmend Mirajt në Pejë e të Dom Shtjefen Krasniqit në Gjakovë ene nuk janë harrue. Nder katolikë te asáj krahine u dan në shej kryetarët e komitës katolike: ZefI i Vogel, Pjeter Qeli, Pjeter Ramaja e Zef Gjin Doda. Atje u ban fli per atdhe, posë sa e sa katolikve, edhe dy françeskaj, P. Luigji Paliq e P. Shtjefen Kostantini Gjeçov.

Mbasi muer fund lufta europjane, u ba paqa, por kufijt e Shqypnis nuk ishin ene të siguruem. Propagandat e hueja ishin gjithnji në kambë e u dojte guxim e therori per me i dhanë fund atij shkandulli të sa vjetve. Do shqyptarë të shitun slavit kishin ba parti e dojshin me ia lshue Serbis n‘ Ujë të Matës e perpjetë. Çeta serbjane perzietas me shqyptarë partizan të tyne kishin hi mrenda kufinit të Shqypnis e msyjshin Shkodren. Para ktij mendimit të ri rranen muhamedanët e katolikët e Shko ders , e bashkue me malsorë, u kundershtuen me armë në dorë derisa te e mbramja i shtyn pertej kufmit. Bashkë me popull luftoj shin kundra shkjaut edhe P. Çiril Cani, françeskan, e Dom Loro Caka. Ky i mbrami kje aj që kishte marrë pjesë edhe në të shumten e levizjeve komtare qysh në kohen e Turkut.

Vien me u dijt se edhe kur në vjetin 1921 Mark Bozhi, nenprefekti i Gucis, kishte ba per vedi Dukagjinin e mendojte me msy Shkodren, fjala e Emzot Shllakut e e P. Çiril Canit bani me e zhgatrrue at bashkim që kishin pasë lidhë me Serbi.

Por per me sigurue kufijt e pamvarsin shqyptare nuk mjeftote vetem arma, u dojte edhe penda. Edhe në ket pikë katolikët shqyptarë ia lanë dalë tjerve. Si prej viseve tjera të Shqypnis ashtu edhe prej krahinës së Shkoders, katolikë e muhamedanë, çojnë protestë mbas proteste në Lidhje të Komeve kundra atyne që dojshin me prekë në token shqyptare. Ma teper, ku në Lidhje të Komeve perflitej se nuk ishte mirë me e lanë Shqypnin shqimit të pamvarshme per shkak se tuj pasë hegjemonin në dorë muhamedanët, nuk do të mujte me perparue ekonomisht e moralisht nji shtet kostituejonal, kleri e populli katolik deklaruen, nepermjet Emzot Bumçit, që asokohet ishte kryetar i dergatës shqyptare para Konferencës së Paqes, se ata muhamedanët shqyptarë i mbajshin vllazen, e prandej me ta dojshin me e gzue Shqypnin. Kshtu edhe në vjetin 1921, kur çohet nji komisjon shqyptarësh katolikë e shkon në Gjenevë e lypë prej Lidhjes së Komeve, që Shqypnija e Eperme – në Mat e perpjetë mu qitte kanton i pamvarshëm në vedi, kleri katolik mënji protestoj telegrafisht kundra asaje kerkese edhe i deklaroj Lidhjes se Komeve se muhamedanin e mbajta vlla per kahe komsija e politikisht. Ket deklarate e banin edhe ne vjeten 1923 kur njifare Lambertit lypte prej Lidhjes se Komeve, që Shqypnija te dahej e te qeverisej ne kantone.

At Marin Sirdani
________________________________________
Marin Sirdani

 At Marin Sirdani

(1885 – 1962)

Lindi në Gurez të Lezhës,kreu kolegjin Françeskan në qytetin e Shkodrës.Shkoi në Vienë ku u diplomua pë teologji.Kur erdhi në Shqipëri punoi në kolegjin françeskan dhe në gjimnazin e Shkodrës.
Më 1925 ai publikoi veprën Legjenda e Gjergj Kastriotit e cila konsiderohet si kryevepra e tij.Në vitin 1941 publikoi „Shqypnija dhe shqypëtarët“ dhe më 1942 „Historija e provincës françeskiane në Shqipëri“.
Ai ka publikuar mjaft vepra në artikullin „Hylli i Dritës“ si „Për çka fajsohet Skënderbeu,Kontributi i katolikëve në Shqipëri,Nora e Kelmendit,Varri i Skenderbeut si dhe botime të tjera periodike.
Mijëra dorëshkrime të tij u dogjën nga Koazkët të cilët erdhën në Shqipëri diku rreth 45 vjet përderisa Perandoria Sovjetike u shpërbë.
Marin Sirdani u burgos për dy vjet vetëm se u bë prift i kishës katolike.
Ai vdiq në vitin 1962,pesë vjet para se feja të ndalohet në Shqipëri,ai ishte vllau i folkloristit dhe etnografit Aleksander Sirdanit.

Nga ……………
Pas rënies së diktaturës ne përballemi me Kujtesën tonë kolektive. Më saktë se me përballje, kemi kundërvënien e kësaj Kujtese, luftën e njërës për të spostuar, margjinalizuar dhe sfumuar krejtësisht kujtesën Tjetër, atë që zhaurin nga dhimbja, klithmat, lotët dhe përndjekjet. Mendoj se Kujtesa zyrtare e ish-komunizmit ia ka dalë deri më tash me sukses ta spostojë kujtesën e Burgjeve, Internimeve, Persekutimit politik. Tashmë duket se e ka marrë në dorë shtypi dhe ekrani të vendosin, se çfarë kujtese duhet të kemi. Përrenjtë e zhultë të kujtimeve nuk kanë të sosur nëpër dossierë; faqet e gazetave të përditshme nuk ka ditë në këto 20 vitet e fundit, që të mos ringjallin bëmat, sagat, mitet e legjendat e diktatorit. Nuk ka gazetë që të mos hapet me një foto të diktatorit apo ministrave të tij. Një „epos“ me kujtime e thashetheme të tipit: „Çfarë i tha Teme Sejko në vesh Enver Hoxhës tek Uji i Ftohtë“, ndërsa nëntitulli sqaron: Dëshmon ish-bodigardi i Enver Hoxhës. 

Krejt e kundërta ndodh me rrëfimet e familjeve të masakruara, të intelektualëve të pushkatuar, dënuar apo internuar. Ata nuk gjejnë vend nëpër dosierë me vazhdim. Në një mënyrë djallëzorë, shprazja e thesit të gërbulur me kujtimet e protagonistëve të diktaturës ka arritur të ngjallë një folklor të tërë ku pak e fije, nga pensionistët gjer tek shoferët e taksive shtohet përnjëmend respekti për vampirët azganë të diktaturës.
Memuaret e viktimave nuk ngjallin asfare interesi për mediat. Disa dhjetëra libra tronditës janë botuar mezi-mezi me shpenzimet e vetë autorëve, janë botuar, sipas takatit, kryesisht shkel-e-shko dhe kanë humbur qëkur nëpër qoshke librarish, si diçka e padenjë për lexim. Dhe pikërisht e vetmja Kujtesë e denjë, që mban ndër dhëmbë kumtin e Madh, u gjend e shpërfillur, e privuar, në mungesë vëmendjeje.

Pikërisht Kujtesa që duhej të dëshmonte dhe të na mbushte me dinjitet, u shporr pa mëshirë nga komunikimi. Mezi ia kanë dalë vetëm disa tituj, edhe ato, në sajë të ribotimeve, për të mbërritur në veshët tanë jehona tragjike e kumtit, mbi atë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Të tillë janë librat „21 vjet burg komunist“ të Uran Kalakullës, „Ridënimi“ i Fatos Lubonjës, „Retë dhe gurët“ i Petro Markos dhe sidomos libri voluminoz i Atë Zef Pllumit „Rrno vetëm për me tregue“. Tash kur diskutimi mbi ligjin e Ilustracionit ka degraduar krejtësisht, i rekomandoj lexuesit ta gjejë përgjigjen thjesht, pa hyrë në diskutime pa bukë, duke marrë në duar këtë libër të Madh.

Rrno vetëm për me tregue

I takon priftit të pushkatuar Atë Marin Sirdanit kjo shprehje, e cila është bërë dhe titulli i librit. Është një këshillë imperative që ia jep Sirdani më të riut prej priftërinjve, fra Zefit, në pikun e terrorit komunist mbi klerin në përgjithësi. Memuaret e tre vëllimeve prej mbi 1000 faqeve “Rrno vetëm për me tregue” (i botuar së mbrami në një vëllim të vetëm), shpalosin afresket nga më të zymtat, më makabret e më gjakataret që ka njohur ndonjëherë historia e Shqipërisë. Lexuesi duhet të jetë i pajisur me nerva të forta për përballimin psikologjik të gjithë atij hadi komunist, i cili përshkohet faqe për faqe nga zhaurima mortore e vdekjes, torturave, përpëlitjeve e rraskapive nëpër kampet komuniste, pa i lënë gjë mangut përvojave të sadizmit më të sofistikuar nazist.

Tablotë që ngërthen rrëfimi që me hyrjen e ushtrisë partizane në Shkodër, nuk janë më esenca e shurupi i trëndafiltë i serviruar nga Historia Famëk(e)uqe e PPSH-së, porse hordhi pa krisht, pa din e imam, që përveç pushkatimeve, bastisjeve, flamujve të shkijeve, lënë prapa thjesht, morrat. Një hordhi e ngjashme me ato të Çingiz-Khanit që vetëm shkreton, rrënon e perversionin çdo gjë që dëshmon vlerën e qytetërimin e mbijetuar në zgrip të historisë. Pas këtij prologu të zi, autori, pra vetë fra Zefi është dëshmitari, djelmoshi i njomë që zbret rrathët e ferrit komunist, pa Virgjil, sall me zemrën drithëruese, jo vetëm për fatin e kishës katolike dhe besimtarëve të saj, por në tanësi për fatin e individit shqiptar të çfarëdo besimi, për fatin e atij nocioni të turbullt e abstrakt që quhet “komb”, “shqyptari”, për zhdukjen e çdo ndjenje njerëzie e ndjenje mëshire.

Rrënimi i tempujve të besimit, persekucioni fizik i përfaqësuesve të besimeve, pushkatimet dhe torturat e krerëve të kishës katolike, por edhe të klerit mysliman, gjenden përballë një fatkeqësie të përbashkët që i lidh, i bëjnë ta ndjejnë e përballojnë së bashku provën e madhe përballë Djallit të Kuq. Sa e sa faqe të shkëlqyera gjen në këtë vepër ku njeriu i besimeve të ndryshme bashkëjeton duke sakrifikiuar për tjetrin me një humanizëm të ngjashëm me sprovat e martirëve biblikë, të cilin mund ta falë vetëm përshkënditja e besimit në Zot, vetëm vlerat e mëdha shpirtërore të asaj edukate të rrallë – mbrujtën në dyert fisnike shqiptare. Përveç besimtarëve, niveli i memuarëve të padre Zef Pllumit ngërthen nivele të tjera rrëfimore me fatet tragjike të intelektualëve shqiptarë, njerëzve të shkencës dhe kulturës që ëndërronin një tjetër Shqipëri nga ajo e variantit stalinist. 

Kjo kataklizmë e përgjithshme që gllabëroi gjitha indet e jetës shqiptare rrëfehet me detaje ngjethëse, në çdo paragraf, me episode të shumta; në çdo fletë vlon druri, thyhen gjymtyrë e kafka, vdesin njerëz në tortura, vdesin nga uria, në kampet e punës në Kavajë, Maliq, miniera, gëlojnë dëshmitarë të rremë, thyhen karaktere, braktiset besimi, por ka dhe shembuj të një qëndrese të paimagjinueshme. Libri me tre vëllimet e tij është një epope e gjerë e plojës së madhe nën tisin e dridhshëm të zisë, pa asnjë shpresë të dukshme në horizont. Si i tillë është ndoshta libër që dëshmon shumë më tepër se të gjitha romanet e shkruara deri më tash mbi ekzistencën e shqiptarit për 50 vjet. Është një “Arkipelagu “GULAG” shqiptar në një variant ku e ku më autentik e më të tmerrshëm se ai sollzhenician. Në përgjithësi, 3 volumet e prozës memuaristike të At Zef Pllumit i japin shqiptarit të sotëm (e sidomos, atij të nesërm) pamjen pa maskë të komunizmit në tërësi dhe në veçanti, variantin e shëmtuar enverist aty ku thyen kokën realiteti.

Leximin e këtij libri unë do ta quaja jo këshillë, por domosdoshmëri për të kuptuar të gjitha nivelet e shprishjes së konstitucionit shpirtëror, etik e etnopsikologjik të asaj çka ishte njëherit shqiptar. Falë Zotit këto kujtime, jashtë çdo mase të çmuara, janë dhënë me sistematikën dhe intimitetin e një shpirti të naltë që pau dhe foli nga zgavrat më lebetitëse të hadit shqiptar. Ata nuk janë më të manipulueshme, anipse një dorë – (gjithkund e vazhdimisht e shohim këtë dorë) – mundohet ta zhdukë nga qarkullimi duke i blerë njëherësh të gjitha kopjet e librit, me qëllim që këto të vërteta të mos komunikojnë me lexuesin e sotëm. Me zhdukjen misterioze të librit “Rrno veten për me tregue” komunistët (me vijim në faqen tjetër) (të sotme) të historisë, mendojnë se mund të manipulojnë edhe gjënë më të pamundur – kohën.

“Rrno veten për me tregue” është ndoshta (të paktën për mua) libri memuaristik më tronditës në gjithë Lindjen Komuniste; mizoritë e qelive, hetuesive e kampeve të përqendrimit shqiptar nuk i gjen as në episodet më të egra të terrorit stalinist të kohes së Jezhovit e Djerzhinskijt, as në Kolimë e as në Gulak. Ato përçudnime, megjithatë, kanë mundur të ndodhin në popullin më të vogël me diktaturën më të tmerrshme.
Mbaj mend se në një nga emisionet “Shën Libri” në NTV (emision, i cili u dogj misteriozisht në arkivë, fill pas transmetimit), e pata pyetur padre Zefin në studio:

– Si shpjegohet gjithë kjo egërsi e paparë, gjithë kjo katastrofë humanizmi, pikërisht në Shqipëri? Mos vallë ne paskemi qenë më shpirtligj nga gjithë popujt e perandorisë komuniste të Kampit që arritëm t’i shkaktonim vetës aq dhimbje, aq vuajtje, aq përgjakje e ç’njerëzi? Nga mendoni se e ka origjinën gjithë kjo egërsi?.
I urti At Zefi i ndjerë dha një përgjigje lakonike:
– Unë them se të gjitha këto kanë një burim të vetëm: injorancën e madhe, paditurinë. Me njerëzit e paditur, të pandriçuar, mund të bësh ç‘të duash.
“Rrno vetëm për me tregue” – titulli i memuareve të padre Zefit është, sikundër e kuptojmë nga leximi, është një amanet që ia lë autorit plaku i ndritshëm at Marin Sirdani në vitet më makabre për kishën katolike kur sapo kishte nisur thertorja e madhe e komunizmit. Rrnoi At Zefi, ky trashëgimtar i etërve të mëdhenj, Patër Gjergj Fisha e At Gjon Shllaku (filozofi), ndër të rrallët trashëgues i asaj plejade që, siç thotë me të drejtë Dom Gjergji, ka trashëgue edhe strukturët e tyre të të menduarit. Rrnoi At Zefi dhe kallxoi gjithçka i panë sytë. Jo vetëm tregoi, por edhe dëshmoi. E ne na duhet me i pa edhe njëherë këto ngjarje përmjet syve të dëshmitarit – prej andej ku nuk zdriti asnjë fije shprese – prej zgavrës më të errët të hadit komunist, por ku shpresa qe njehësuar dhe gjallonte, siç thotë shën Agustini – rrjedhë e kulluar e kohës në shpirt. Shtojmë edhe ne: me të gjitha farërat e besimit përbrenda.

 

Postuar më: 2010-02-18 20:40
Z. Agron Tufa, autor i artikullit te mesiperm e lexues te tjere, po Ju dergoj permes ketij shkrimi nje fragment nga libri i Konrat Gjolaj:“CINARET“me qellimin e mire qe te mesoni diçka reale per njerez qe i sherbyen diktatures permes „deshmive“ ne rrene.Disa prej femijeve te tyre sot kapardisen neper kafene e zyra shteti. I njhni?! Gjithmonë duke cituar At Konrrad Gjolajn nga libri i tij “Çinarët” (1996), konstatojmë se: Misto Treska, Kolë Jakova, Rasim Guri, Gjovalin Luka, Irakli Bozo, Tonin Jakova, Gjon Bushati, Muhamet Oruçi, Ahmet Daja, Sadetin Mandija, Ismail Barbullushi, Zija Dibra, Mark Ndoja, Arif Gjyli, Hajdar Delvina, Dulaç Lekiqi, Elez Mesi, Qazim Kapisyzi, Zoj Themeli, Fadil Kapisyzi, Hysni Ndoja, Dul Rrjolli, Lilo Zeneli, Zoj Shkurti, Nesti Kopali, Gjon Prendushi, Çesk Shoshi, Hys Zaja, Pjetër Darragjati, Mestan Janiku, Aranit Çela, Tonin Miloti, Spiro Pane, Gjon Jaku, Rrahman Përllaku, Qamil Gavoçi, Gani Dizdari, Ahmet Çaku, Mahmut Kaja, Shaban Arra, Gaspër Leci, Martin Margilaj, Gac Mazi, Nuri Llazani, Stavro Frashëri, Çiril Pistoli, Sabri Hoti, Ethem Barbullushi, Gjon Banushi, Hamit Beqja, Ramiz Alia, Ylvi Dibra, Pjerin Kçira, Gjovalin Mazreku, Zef Bardhoku, Vehbi Çanga, Luigj Shala, Hulusi Hako, Dilaver Sadikaj, Pjetër Hasi, Mark Uli, Sadik Rama, Rustem Sykja, Nevzat Haznedari, Ndoc Deda, Vehibe Xhabija, Xhixhi Mazi, Xhuhere Mushani, Satber Jubani, Minire Haxhi, Kasëm Troshani, Xheudet Miloti, Hamdi Ulqinaku, Shyqyri Çoku, Asllan Lici, Rakip Beqja, Jup Kastrati, Viron Koka, Bik Pepa, Kadrie Kopliku, Marie Vasili, Mita Leka, Bose Marku, Marie Siliqi, Laje Haxhia, Gjylafe Gjylbegu, Jovanka Perja, Violeta Stavri, Adlije Kazazi,Pal Mëlyshi, Xhemal Selimi, Adlije Bushati, Ndreko Rino, Mehmet Shehu, Shefqet Peçi, Faik Kapllani, Skënder Drini, Tano Banushi, Hasan Smaja, Lin Çollaku, Nush Baba, Asim Halili, Zef Shohi, Faik Minarolli, Ali Xhunga, Hilmi Seiti, Dhimitër Shkodrani, Jahe Tefiku, Mustafa Qilimi, Hilmi Hebovija, Loro Beltoja, Xhemal Dini, Angjelin Kumria, Fadil Ymeri, Ramiz Hafizi, Halit Isufi, Fadil Kraja, Jovan Vojushi, Selahedin Cena, Luigj Frangaj, Mikel Prennushi, Musa Kraja, Lin Simoni, Pjetër Hasi e Mark Tarri ishin njerëzit më aktivë të kohës në krye të luftës kundër fesë dhe njerëzve të fesë.
Perseri Autori prek plagen me te hapur te shoqerise shqiptare: Denimin e krimineleve te diktatures komuniste! Sa e rrealizueshme eshte kjo sfide? Kush do ta beje kete? Perse duhet ta bejme? Perse nuk u be per rreth 20 vjet te ktheses historike shqiptare? Perse Kushtetuesja eshte kunder denimit te krimineleve? Kush jane Kriminelet? Kush del i fituar dhe kush i humbur me kriminelet te lire dhe neper kembet tona si hallka Zinxhiri, si fije te dukshme te nje merimange infektuese, labirinthe sketerrash sinistre, djaj te zgjyret dhe te pa fytyre!? Sigurisht qe kriminelet nuk jane pendesa te gjalla, por per cudine e ne te gjitheve ato jane djalli vete. Ata dine se cfar bejne. Ata jane te organizuar nen moton “ Le solidarite de salon.“(Uniteti i Qelbesirave). Ato molepsin, lebyrin, mjegullojne, ndyjne edhe kur nuk jane te afte te vrasin, perdhunojne, persekutojne. Ata jane mes nesh ne mund ti prekim edhe me supet tona pa e kuptuar prezencen e tyre. Ata jane ujqit qe duan mjegull. Nje pyetje nuk arrin te marri pergjigje ne trurin tone:- Po ne, kush jemi?!… 
Komunistet treguan se dine vertet te hedhin valle jo ne goje te ujkut, por mes viktimave, dje dhe sot. kam bindjen e patundur se jo shume vone, keto dosiere te ish-liderve komuniste ne shtypin shqiptar do te kujtohen me turp. dhe kjo me shpresen kur ne si shoqeri do te ljame duart me periudhen me te erret te historise tone: komuniste=vella-vrasese… 

 

Komente

  1. Pingback: At Marin Sirdani: Histori & Fakte | EuroEmigrant

  2. Pingback: At Marin Sirdani: Histori & Fakte « Kosova tek AlbEmigrant

  3. Pingback: At Marin Sirdani (1885 – 1962) | EuroEmigrant

  4. Pingback: Kosova tek AlbEmigrant

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen