Karaburuni-Hunda e zezë

Histori & Fakte | Zef Prenka | 19.04.13 | 10:29

Gadishulli i vetëm i Shqipërisë

Çdo verë në shpatet e gadishullit të vetëm të Shqipërisë shikon zjarre, të cilat i ndezin barinjtë e Dukatit për ti kthyer ato në kullota për bagëtitë e tyre. Kështu vazhdon ky proçes i vjetër i shkatërrimit të pyjeve në Karaburun i cili u ndërpre vetëm gjatë viteve të komunizmit kur gadishulli, Sazani, dhe zona përreth u shpallën zona ushtarake, të “denja” për emërtimin që i kish vënë Enver Hoxha si “Kyçi i Otrantos”.
Ndërkohë që 10 000 lekë të vjetra kushton një udhëtim nga Vlora në Karaburun me skaf turistik, ku plazhet e mrekullueshme dhe natyra e virgjër të bëjnë të harrosh realitetin nga vjen.

1.Karaburuni është gadishulli më i madh që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë. I shtrirë në pjesën jug-perëndimore të vendit ai ndodhet midis gjirit të Vlorës dhe detit Jon (Fjalori enciklopedik shqiptar. Tirane 1985, fq.455). Me një gjatësi prej 16 km, Karaburuni shërben si kufiri ndarës midis deteve Adriatik dhe Jon. Peisazhi i çuditshëm i tij ofron forma nga më të ndryshmet si gjire të vegjël, pllaja, shpella karstike, kepe, plazhe, shpate të zhveshur, maja malesh, etj. Midis tyre mund të përmendim gjiret me emra të çuditshëm si ai i Ariut, Dafinës, Raguzës së parë, Raguzës së dytë, Ravenës, Shën Janit, Shën Vasilit,etj, (M. Zeqo. Motive Arkeologjike. Tirane 1990, fq.67).
Interesant është edhe relievi i këtij gadishulli, i cili në të gjithë gjerësinë prej 4.5 km paraqitet me format e tij të larmishme, ku ai vjen duke pësuar një ngritje nga skajet drejt qendrës. Maja më e lartë e bllokut malor të karaburunit është Koreta me lartësi 826m, ndërsa përballë saj në vijë të drejtë ndodhet maja tjetër, ajo e ILQES me lartësi 7.33 m. (F.Enciklopedik. po aty.). Midis tyre ndodhet pllaja karstike e Ravenës me lartësi që varion nga 200-300 m, në lartësinë e të cilës Sovietikët mendonin të instalonin raketat e tyre në fund të viteve 1950.
Studimet gjeografike e klasifikojnë Karaburunin si pjesë të zonës tektonike të Sazanit. Së bashku formacionet e tyre gjeologjike përbëhen nga gëlqerorë të Kretakut, Poleogjenit dhe mergele të miocenit. Kjo gjë shpjegon edhe dukurinë aq të përhapur të Karstit, e cila e bën gadishullin të pabanueshëm për shkak të mungesës së ujit të pijshëm. Në gadishullin e Karaburunit evolucioni natyror ka krijuar një sërë kepesh si ai I Gallovecit, Gjuhëzës etj. Pikërisht kepi I Gjuhëzës që ndodhet në Veri-Perëndim të tij përbën edhe pikën më perëndimore të Shqipërisë.
Ashtu siç e theksuam edhe më sipër, përhapja e dukurisë gjeografike të Karstit ka bërë që në gadishull të zhvillohet dukuria e shpellave. Janë gjithsej 20 të tilla përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga ku mund të përmendim shpellën e Haxhi Aliut, atë të Dukë Gjonit, shpellën pranë gjirit të Ariut, Shpellën e pëllumbave, shpellën e Inglizit, shpellën e thellë, etj.
Por shpella më e madhe dhe më interesante e Karaburunit është ajo e Haxhi Aliut, të cilën studjuesi i mirënjohur Moikom Zeqo (M.Zeqo. Motive arkeologjike fq.159) e konsideron “si një nga më të mëdhatë dhë më të bukurat në Shqipëri”. Ndërsa e shikon me vëmendje të duket se Shpella ka formën e një kulmi me lartësi 60 m dhe thellësi 40 m. Brenda saj ndodhet një liqen i vogël, ndërsa në mure vihen re shenja bloze, dhe gjurmë zjarresh, fakt që dëshmon se shpella ka qenë e banuar në të kaluarën.
Sipas legjendës Shpella dikur është përdorur nga Pirati i njohur i shekullit të XVII-të Haxhi Aliu. Këtu ai strehohej së bashku me anijen dhe njerëzit e tij. Pozicioni I favorshëm i Karaburunit i ofronte këtij pirati mundësinë e plaçkitjes së anijeve napolitane, turke, veneciane, dalmate, etj. Në folklorin popullor ekziston edhe një këngë për këtë pirat të famshëm, ku midis të tjerave thuhet:

“Haxhi Aliu me të birin

Porsi Mbreti me Vezirin”

Pasi u vra nga venecianët në rrethana të panjohura Haxhi Aliu u varros së bashku me të birin në Sazan (M.Zeqo. Motive arkeologjike. Fq.159). Por varret e tyre nuk janë gjendur asnjëherë. Një tjetër shpellë e Karaburunit është edhe ajo e quajtur e Inglizit. E mori këtë emër gjatë viteve të luftës së II-të Botërore kur SOE, Drejtoria e Operacioneve të Posaçme me qendër në Kajro, krijoi një bazë detare për misionet e saj që vepronin në Shqipëri për të mbështetur rezistencën antifashiste. E quajtur Seaview (Riviera,) ajo shërbeu për misione të ndryshme në këtë rajon që nuk kontrollohej nga gjermanët.

2. Në Karaburun midis gjireve të shumtë të bie në sy edhe ai i Gramatës. Gramata në greqisht do të thotë “shkrime”. Me këtë emër njihet ky gji i vogël qe ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit. Qysh në periudhën antike këtu ankoroheshin anijet, të cilat dallgët e detit mund ti përplasnin në shkëmbinjtë e gadishullit. Të strehuar këtu udhëtarë të shumtë nga vende të ndryshme të mesdheut kanë lënë shënimet e tyre, të cilat i kanë gdhendur në faqet e shkëmbinjve, që janë përdorur edhe si gurore (Fjalori Enciklopedik, fq.317). Mbishkrimet më të vjetra nisin që nga shekulli i III-të P.K., dhe vazhdojnë gjatë periudhave të mëvonshme, duke shkuar deri në shekullin e XIX. (M. Zeqo. Motive arkeologjike. Fq.133). Mbishkrimet e para ju kushtohen perëndive dhe janë lutje për shpëtim nga furtuna në det. Ndërsa në të tjera mbishkrime përmendet figura historike të Romës si Pompeu, Dolabela, Mark Antoni ose Konsulli Tit Statit Tauri. Ndërkohë që interes paraqet edhe një mbishkrim i vitit 1396, I cili tregon se gjatë udhëtimit të tij për në Francë u strehua nga stuhia në Gramata, vetë Perandori Bizantin Joani i V-të Paleolog.
Mbishkrimet janë bërë kryesisht në gjuhën antike greke, latine, dhe greqishten Bizantine. Shpesh herë ato shoqërohen edhe me vizatime të ndryshme dhe simbole nga më të larmishmet.
Studimi i mbishkrimeve të Gramatës ka tërhequr vëmendjen e studjuesve qysh herët. Ato janë vizituar nga arkeologë e historianë, ku mund të përmendim Leon Hezein, Paolo Sestierin, Karl Paçin, Hamondin, etj. (M.Zeqo. Motive arkeologjike fq.132). Ndërkohë që ishte i pari humanisti Italian, Kiriaku i Ankonës i cili u befasua me mbishkrimet e Gramatës, pas vizitës që bëri këtu në vitin 1435 (H.Ulqini. Grabitës të Momumenteve, Tirane 1980. fq.2).Gjatë eksplorimit të tij arkeologjik, të bërë në Shqipëri, ai la në shënimet e tij punimet e para të mirëfillta të kësaj discipline shkencore.

3. Në pjesën juglindore të Karaburunit gjenden rrënojat e Orikut antic, i cili lindi si koloni e themeluar nga grekët e Eubesë në shekullin e VI. P.K., megjithëse një nga autorët antikë Plini thotë se: Oriku u themelua nga Kolkasit (Plini Secundi Naturalis Historiae LIB III.26). I ndërtuar sipas stilit të Polisit grek ai mbështetej në shpinë të kodrës së Paleokastrës me pamje të gjerë nga gjiri i Vlorës.
Gërmimet arkeologjike që janë kryer dikur kanë nxjerrë në dritë midis objekteve të tjera edhe një teatër të vogël, që merrte në shkallaret e tij rreth 500 spektatorë (Fjalori Enciklopedik. Fq.785), disa shtëpi banimi, dhe objekte të tjera.
Një nga burimet e mira të të ardhurave të Orikut vinte nga shfrytëzimi i guroreve të shumta të Karaburunit, që kontrolloheshin prej tij. Rëndësia e guroreve solli rivalitet midis Polisit të Apolonisë dhe Koinonit (Lidhjes) së Amantëve, i cili shtrihej në kufi me Orikun. Në shekullin e II-të ndodhi edhe ndeshja finale, ku Apoloniatët e thyen qytetin amant të Thronit dhe vunë nën kontroll Orikun. Për rëndësinë e tij strategjike ky qytet do të jetë dëshmitar i shumë operacioneve ushtarake të zhvillua në kohë të ndryshme nga epirotët, ilirët, maqedonasit dhe romakët. Për tu përmendur ndër to janë luftimet midis Çezarit dhe forcave të Pompeut gjatë luftës civile të vitit 48 P.K. Kështu në 5 Janar të vitit 48 P.K., Çezari u nis me shtatë legjione nga Brindizi dhe zbarkoi pa probleme ne Palasë, duke ju shmangur flotës së Pompeut, e cila ishte më superiore në numër dhe kontrollonte bregdetin e Adriatikut nga Lisi në Karaburun. Pasi ju ngjit Llogarasë ku dhe sot ruhet emri Qafa e Çezarit, strategu Romak pushtoi pa luftë Orikun dhe ju drejtua Apolonisë.
Interesante është për lexuesin përshkrimi që i bën Çezari dorëzimit të qytetit në librin e tij BELLI CIVILIS (lufta civile) ku midis të tjerave thotë: “Çezari zbarkoi ushtrinë po atë ditë u nis për në Orik. Këtu Luc Torkuati që sundonte në qytet me urdhër të Pompeut mbylli portat dhe u mat të mbronte qytetin, duke urdhëruar grekët të hipnin në mure, dhe të rroknin armët. B.CIVILIS. Juli Caesaris Lib III. 11.4.) Por këta nuk donin të luftonin kundër Romës, bile qytetarët përpiqeshin të pranonin Çezarin vullnetarisht. Atëherë Torkuati çeli portat dhe u dorëzua tek Çezari me gjithë qytet”.

4. Në këtë rajon që në antikitet njihej me emrin Akrokerou na përmenden një sërë ngjarjesh historike. Kështu në mesjetën e mesme në vitin 1081 nën drejtimin e Mbretit Norman të Napolit Robert Guiskardit nisi fushata e parë e shteteve latine (Perëndimore) ndaj territoreve shqiptar, që ishin pjesë e Perandorisë Bizantine. Tokat shqiptare shiheshin prej Mbretërisë së Napolit si “urë” kalimi për ekspansionin e tyre drejt Ballkanit. Në vijim të kësaj politike në pranverën e vitit 1081 ushtritë normane të komanduara nga Robert Guiskardi dhe i biri i tij, Boemundi zbarkuan në bregdetin shqiptar, duke pushtuar njëra pas tjetrës territorin e Vlorës, Kaninës, Orikumit, Bylisit (Gllavinicës), Butrintit, etj.
E bija e Perandorit Bizantin Aleks Komnenit, historiania Ana Komnena në librin e saj “ALEKSADA”, na jep këtë dëshmi interesante mbi sulmin Norman në Vlorë. “Boemundi pushtoi Kaninën, Jerihon (Orikumin) dhe Krahinën përreth. Më pas ai u nis në Butrint ku takoi të atin. Dhe kur të dy u nisën drejt Durrësit, Boemundi në tokë dhe Roberti me det, në vëndin e quajtur Gjuhë (Karaburun), stuhia e goditi keq flotën Normane. Pas kësaj Guiskardi u strehua në Gllavinicë ku qëndroi shtatë ditë dhe pasi priti përforcimet u nis drejt Durrësit”.
Pikërisht kjo dëshmi historike nxiti qysh në vitin 1986 Moikom Zeqo një nga njerëzit më aktivë në kërkimet nënujore në Shqipëri për të hedhur hipotezën: A do gjendet vallë anija e Princit Boemund Guiskardit në Karaburun? (Kërkime arkeologjike. Fq.72). Megjithëse gjirin e Dafinës dhe atë të Ariut Zeqo i ka konsideruar si “Muze të begatshëm të relikeve antike e mesjetare” ku janë gjetur me qindra anfora, enë , spiranca e objekte të natyrave të ndryshme, qëi përkasin periudhës së antikitetit dhe mesjetës.

5. Fare pranë Karaburunit ndodhet ishulli I Sazanit I cili njihet nga të gjithë si Ishulli më i madh i Shqipërisë, me një sipërfaqe prej 5.5 km2. I ndodhur në hyrje të gjirit të Vlorës, 16 km larg kësaj të fundit, ai ndahet nga Karaburuni prej ngushticës së Mezokanalit, 4.8 km e gjerë, ndërsa largësia e tij nga kepi i triporteve është 8.5 km, (Fjalori Enciklopedik. Fq.949). I përbërë nga dy kodra pothuaj “binjake”, Sazani ka një lartësi maksimale prej 342 m, dhe një vije bregdetare të lartë e shkëmbore, të pasur me gjire të vegjël. Më i rëndësishmi ndër ta është ai i Shën Kollit ku ndodhet edhe Porti ushtarak i Sazanit. Ky ishull ka edhe një të kaluar historike interesante dhe të pasur me dëshmi e ngjarje nga më të ndryshmet.
Në antikitet autorët grekë dhe romakë e quanin me emrin Sason. Njëri prej tyre Ptolemeu (Geografia, LIB 3,2) jep edhe koordinatat e tij gjeografike prej 44o51’. Kurse Plini e përmend ishulllin si qendër Piratësh. Si pjesë e Perandorisë Romake e më vonë asaj Bizantine Sazani nuk do të ketë ndonjë rëndësi të madhe. Ndërsa gjatë mesjetës do të bjerë nën sundimin e Venedikut. Në shekullin e XV ai do të pushtohet nga turqit, të cilët në vitin 1815 do t’ja dorëzonin atë Anglisë, që e mbajti deri në vitin 1864, kur Mbretëria e bashkuar do t’ja kalojë Greqisë (Fjalori Enciklopedik. Fq.949). Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1913 mori vendimin që t’ja dorëzonte Sazanin shtetit të sapokrijuar Shqiptar. Gjatë viteve të luftës së I-rë Botërore pikërisht në vitin 1915 ishulli u pushtua nga Italia, e cila e mbajti atë deri në 8 shtator të vitit 1943, kur Sazani u pushtua nga Gjermanët, të cilët u larguan që aty në 14 Tetor 1944. Që prej kësaj kohe e deri tani Sazani është pjesë e pandarë e shtetit Shqiptar, i cili e përdori atë vetëm për qëllime ushtarake.
Gjatë viteve të komunizmit këtu u ngrit një bazë ushtarake detare dhe një qytezë ku banonin familjet e ushtarakëve. Ato u larguan nga ishulli kur baza u braktis në vitin 1992 nga ushtria shqiptare, e cila më vonë e vuri Sazanin në dispozicion të NATOS.
Interesant është fakti se Sazani ka qenë dikur i banuar. Kjo dëshmohet gjatë zbarkimit të flotës veneciane në Vlorë në 26 shtator 1690, ku banorët e fshatit Shën Koll të Sazanit të quajtur kryezinj u bashkuan me venedikasit.
Fakt interesant është se në Sazan rritet edhe një lloj Lepuri i egër, i cili u soll në ishull midis dy luftërave Botërore nga Italianët. i quajtur Lepuri i gropave, kjo specie ka ardhur duke u shtuar dhe është bërë I çmueshëm për mishin dhe gëzofin e tij.

Ilirjan Gjika- Historian

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen