ASHAK promovoi botimin e parë monografik-enciklopedik

OP-ED | admin | 01.07.11 | 21:29

ASH

 

 

Kosova – vështrim monografik”, titullohet botimi i cili do të shërbejë si letërnjoftim i shtetit. Botimi i parë i natyrës monografike-enciklopedike në të cilën janë përfshirë të dhënat themelore për fushat më të rëndësishme të njohurive për Kosovën, u promovua të enjten nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Hartimi i teksteve të monografisë, që përmban të dhëna nga gjeografia, historia, zhvillimet politike-juridike, ekonomia, arsimi, shkenca, shëndetësia dhe kultura, është rezultat i punës trevjeçare të 56 autorëve. Ekspertë të dijeve, shkencës dhe krijimtarisë, anëtarë të ASHAK-ut, profesorë të Universitetit të Prishtinës, punonjës shkencorë të instituteve dhe profesionistë të tjerë, kanë derdhur dijen në më se gjashtë mijë faqe të “Kosova…”. Kryeredaktorë të saj janë akademik Rexhep Ismajli dhe akademik Mehmet Kraja.

Me rastin e promovimit të kësaj monografie, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Besim Bokshi, ka thënë se përpilimi i saj ka plotësuar një nevojë të madhe.

“Përpilimi i kësaj monografie ka plotësuar një nevojë të shprehur pas luftës për një vepër të karakterit enciklopedik për Kosovën, për një vepër që do të sillte prezantim të gjithanshëm e gjithëpërfshirës të Kosovës, që do të ishte si të thuash një letërnjoftim i Kosovës”, ka thënë akademik Bokshi.

Sipas tij, ASHAK-u ka nisur punën që këtë monografi ta ofrojë edhe në gjuhën angleze.

“Akademia ka filluar punën për versionin anglisht pak më të shkurtër të kësaj vepre, me të cilën të huajve do t’u bëhet e mundur të kenë njohuri më të plota për shtetin e ri të Kosovës”, ka thënë ai.

Akademik Rexhep Ismajli, njëri nga kryeredaktorët, ka thënë se përkundër se ka pasur botime të shumta në dy dekadat e fundit, në opinion është vërejtur nevoja për botime të natyrës monografike – enciklopedike për Kosovën me të dhëna të përgjithshme të plota, të verifikuara dhe të pangarkuara me barrën e propagandës.

“Për t’ju përgjigjur pjesërisht dhe përkohësisht nevojave të tilla, pa mëtuar zëvendësimin e botimeve tanimë shumë të nevojshme të natyrës enciklopedike me gjithë vështirësitë për vjeljen e shpejtë të të dhënave, ASHAK-u vendosi t’i hynte hartimit të një teksti me vështrim, natyrë dhe synime monografike për Kosovën”, ka thënë akademik Ismajli.

Sipas Ismajlit, që në fillim është menduar që botimi të ndërtohej sipas fushave dhe në të mbisundonte synimi monografik, derisa nga ana tjetër ishte vendosur që tekstet për fushat e ndryshme të ishin të përmbledhura dhe sintetizuese.

“Në këto rrethana u vendos që botimi të quhej dhe të trajtohej si vështrim monografik. Kjo do të thotë se botimi duhej të kishte natyrë shkencore sa u përket të dhënave dhe interpretimit të tyre, informative dhe të integruar në tërësinë edhe enciklopedike sa i përket paraqitjes”, ka thënë akademik Ismajli.

Ai ka folur edhe për zanafillën e idesë për përpilimin e një monografie të tillë.

“Ideja për hartimin e një vepre të tillë lindi në Seksionin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në vitin 2007 dhe propozimi i grupit nismëtar ndërseksional për tërë këtë punë mori formë zyrtare në fund të vitit 2007”, ka shpjeguar ai.

Ismajli ka thënë se shpreson që kjo monografi të shërbejë si nxitje që në të ardhmen të krijohet një qendër dokumentacioni me informacione më të sistemuara për punë të këtij lloji.

“Kjo mund dhe duhet bërë në Qendrën Leksikografike – Enciklopedike tashmë të themeluar brenda ASHAK-ut, funksionalizimi i së cilës varet nga mbështetja që do t’i ofrojë qeveria dhe shoqëria e Kosovës. Një nga projektet e para afatmesme të saj do të jetë hartimi i Enciklopedisë së Kosovës, për të cilën tashmë kanë lindur nismat”, ka thënë ai.

I pranishëm në ceremoninë e përurimit të “Kosova – vështrim monografik” ishte edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili ka përgëzuar autorët e monografisë e cila do të ofrojë njohuri të përgjithshme për historinë e vendit.

Krasniqi po ashtu ka shprehur përkrahje për ASHAK-un që në të ardhmen të dhurojë një enciklopedi.

“Sigurisht ajo nuk do të ndjekë rrugën e enciklopedive të hartuara nga disa akademi fqinje, që me përbuzje flasin për kombin tonë. Ne duhet të shikojmë të vërtetën për vendin tonë, të vërtetën për popullin tonë, të vërtetën për historinë e kombit tonë. Dhe me këtë punë ne duhet t’i përmbysim ato qëndrime antishkencore që janë thënë në të kaluarën e mund të thuhen edhe sot për popullin tonë dhe për vendin tonë”, ka thënë Krasniqi.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen