Analistët si zgjatim i politikës

OP-ED | Zef Prenka | 09.06.13 | 22:41

Politikanët na kanë zënë ekranin, gjithë hapësirën e jetës sonë në 23 vjet. Po kaq përdhunisht na janë imponuar ditë pas dite edhe një kategori të quajtur analistë të medieve”. Madje, këta janë shfaqur si një specie e veçantë dhe shumë intriguese.

Misionin për thënien e të vërtetave, për ndriçimin e mendjeve të njerëzve kanë kohë që e kanë braktisur. Këta janë kthyer në modifikues, amplifikatorë të politikës, në vrasës gjakftohtë të opinionit.

Është si një marrëveshje e heshtur mes palëve. Njëri hidh e tjetri prit për ta hutuar miletin, për ta dendur me llafologji boshe, për ta mbajtur në gjendje shoku të përhershme. Mund të konsiderohet hapja e frontit të dytë, jo për çlirimin e territorit të “pushtuar”, por për të fituar kohë, për të bërë divorc me shoqërinë në emër të interesave personale, si në paktin me djallin. Për këtë shumë syresh paguhen me shifra marramendëse. Paguhen edhe kur nxijnë me bojë të zezë, paguhen edhe kur zbardhin të pazbardhshmen.

Gjithmonë e kanë nga një version, nga një alibi, nga një përgjigje në majë të gjuhës. Janë ustallarë. Madje, jo rastësisht ata shpesh duken më të rëndësishëm se politikanët dhe mund të hapin çdo portë. Të japin shans të ngrihesh në përgjegjësi, të jesh publik ose të groposin, të degdisin në atë farë feje sa t’i bindin njerëzit se je armiku i tyre i përbetuar dhe duhesh fshirë nga skena. Analistët, të cilët kanë diktuar vendimet e liderëve kryesorë në situata të caktuara, janë bërë si legjendat urbane.

Por po kaq e vërtetë është se, pasi na kanë bindur për madhështinë dhe kauzën e drejtë të udhëheqësve tanë, për ndonjë qejfmbetje të çastit, mosplotësim kërkesash, janë bërë kundërshtarët më të përbetuar. Kanë zbuluar mjaft të vërteta nga të vërtetat që kanë pasur në repertorin e tyre, na i kanë hedhur përpara këmbëve si kockat e gjeneralit të ushtrisë së vdekur. Nganjëherë për t’i pasur duart e lira, për të amortizuar përballjen me opinionin, politika u jep rol parësor dhe i dekoron me urdhra dhe medalje për shërbimet. Për shërbimet e pashërbyera, ku sovrani gjendet i kapur në grackë si peshku në rrjetë. Sa më i lartë të jetë niveli i tyre i aktrimit, aq më e shumtë në numër audienca.
Emisionet me pjesëmarrje analistësh janë bërë shout më të ndjekur. Njësoj si “Big Brother”, ku “më the e të thashë” bëhen arritja më e madhe e 23 vjetve në hapësirat shqiptare. Personazhe VIP, për të cilët turma është gati të bëjë marrëzinë më të madhe për t’i takuar apo për t’u marrë autografe. Ata e dinë forcën, karizmën e tyre dhe shullëhen në kolltukët e studiove mu si pashallarë. Me shumë gjasë njerëzia nuk i njohin 140 deputetët e një legjislature, por dinë me rrënjë e degë ata të vetëquajturit “analistë”. Qoftë edhe për arsyen se shumica e deputetëve flasin një herë në katër vjet, ca “flasin me heshtjen”, kurse këta flasin çdo orë, çdo ditë, madje edhe natën. Shumë të papunë, pensionistë i zë gjumi me pult në dorë duke ndjekur paradën e analistëve nga njëri stacion në tjetrin. Pra, një koktej me analistë është një antistres i shkëlqyer.

Teknologjia ka bërë që ata të na shfaqen njëherazi në disa ekrane duke folur për tema krejt të ndryshme, nganjëherë kundërshtuese me vetveten. Kur nuk kanë ç’të thonë për politikanët, qëllon të kapen me njëri-tjetrin. Ruajnë ritmin e shfaqjes, shpikin makinacione. Nga suflerë bëhen protagonistë. Elitat e reja jo rrallë kaliten nëpër redaksi lajmesh, ose u lypset bekimi i tyre. Kohëve të fundit nga kjo fidanishte kanë filluar të shfaqen edhe kandidatë për deputetë. Ata s’di ku t’i klasifikosh: te politika apo te shoqëria civile. U pëlqen të hiqen të paanshëm, gjithsesi. Por druaj se nuk janë këta kontingjenti që u bëjnë thirrje ndërkombëtarët për të vepruar.

Ndajfolja “tani” për ta do të thotë një kohë e pacaktuar. Ashtu si polici është aty si kundërveprues ndaj hajdutit, kriminelit, por qëllon të bëhet edhe bashkëpunëtor, palë me shkelësit e ligjit, dhe ata janë për të kompensuar trillet, thagmat, piruetat e horrave të politikës, por mund t’u shërbejnë qorrazi atyre. Simbioza “jemi ne, pa jeni ju” ka vlerë të pandryshueshme.

Në një terren normal rasati i tyre do të firohej dhe shumë do të humbnin vendet e punës. Ata pak prej kësaj gjinie që ngulin këmbë si mushka për të mbajtur një tjetër qëndrim (me demek koherent), fshihen nga ekrani, koleksionohen tek “të humburit”. E shumta mund të hyjnë në punë për ndonjë puntatë të emisionit “Dezhavu”. Politikanët dhe analistët po shfaqen si zgjatime të njëri-tjetrit, si vëllezër siamezë, që duhet një bisturi shumë profesionale për t’i ndarë, për t’i bërë të marrin frymë lirisht.

Dhe publiku është kallëzuesi më i mirë, që lind nevojën e këtij interventi. Ashtu si mund të zgjedhësh të votosh për të dërguar këtë apo atë në parlament, mund të shohësh këtë apo atë ekran, të blesh këtë apo atë gazetë, apo ta bojkotosh fare për një kohë të pacaktuar./Metropol/

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen