Njeriu dhe kriza e shoqërisë sonë…

OP-ED | admin | 04.11.11 | 23:00

 Çfarë po ndodh me njeriun në shoqërinë tonë ?

Pse po shtohen përditë dozat e shqetësimit social për orientimin dhe drejtimin individualist, tejet asocial që ka marrë jeta jonë? A mund të ndërhyhet për të ndihmuar në “rigjetjen e rrugës” së drejtë, që të jetë njëherësh individualisht dhe socialisht normale? A është e mundur që shoqëria dhe njeriu ynë të ecin së bashku, “të përputhur midis tyre”, apo ato do vazhdojnë të ecin në kahe krejt të kundërta me njëri-tjetrin, pa pasur asnjë pikë takimi, pa mundur të gjejnë “zonat e interferimit” të nevojshëm dhe të domosdoshëm?

Këto janë çështje me rëndësi, tejet shqetësuese për realitetin social të shoqërisë shqiptare, që duhen vlerësuar me seriozitet dhe jo duke qëndruar individualisht indiferent, apo duke luajtur rolin e “sehirxhiut social”. Padyshim, kemi të drejtë si qytetarë, që jemi të shqetësuar me dukuritë me të cilat po përballemi në realitetin tonë. Të drejtë ka edhe shoqëria jonë, që është e alarmuar për përmasat e devijimeve që ka marrë jeta personale dhe sjellja sociale e shumë njerëzve. Këto shqetësime nuk janë dukuri ekskluzive vetëm të jetës sonë, nuk janë fenomene nacionale, por dukuri sociale me shtrirje të gjerë dhe impakt social universal. Ndaj shumë sociologë në vendin tonë janë të frikësuar nga dimensioni i pakontrolluar me të cilin kanë filluar të shfaqen, të shpërthejnë shumë dukuri sociale të reja, duke filluar nga sjelljet anomike të njeriut, deri te prishja e lidhjeve sociale, zbehja e traditave, zakoneve dhe lidhjeve të tjera të gjakut, fisit, komunitetit etj.

Ndaj ata kanë të drejtë kur thonë se sot gjendemi të gjithë në krizë sociale të përgjithshme, që shfaqet jo vetëm në kaosin social të jetës njerëzore, por edhe në pështjellimin e madh natyror, sepse po ndodhin disa gjëra së bashku, që ndikojnë paralelisht në dimensionin e realitetit tonë, në të cilin shoqëria po “helmohet”, natyra po “qelbet” dhe në të njëjtën kohë edhe njeriu po “prishet”.

Fetarët nga ana e tyre, të traumatizuar nga prania e shumë dukurive atipike, të panjohura më parë, nga shume sjellje devijante dhe ekscentrike, thonë jo pa shqetësim se “njerëzimi gjendet para një kataklizmi me përmasa universale”. Ndërkaq, të gjithë së bashku kemi bindjen se nuk mund të ecet pambarimisht kështu, në kaos, në gjendje të plotë të anomisë sociale, të mungesës së rregullave morale. Ca më pak, duke u ftohur nga pikëpamja sociale. Unë nuk kam qejf të besoj në profecira dhe parashikime ogurzeza planetare, por ama nuk mund të mos pranoj idenë racionale, se nëse nuk bëhet një ndryshim i “kursit të anijes” të jetës shoqërore, pa dyshim që mund të vijë koha që të mbërrijmë deri te “fundosja” e saj.

Në këtë kontekst, shoqëria dhe njerëzit tanë kanë nevojë të ndihmohen, sepse realisht ato janë në një situate patologjike, që vërtet kërkojnë ndihmë. Kjo nuk mund të vijë nga jashtë, as mund të na e sjellin të tjerët. Rrugëdalja nga kjo krizë është në dorën e shoqërisë tonë, akoma më saktë është në brendësinë e natyrës së njerëzve tanë.

Koha kërkon që të mendojmë se çfarë mund të bëjmë që të ndalim shpërbërjen sociale, humbjen e orientimit human dhe braktisjen totale të vlerave sociale e morale të shoqërisë shqiptare. Çfarë mund të bëjmë për të vënë në eficiencë procesin e përgjithshëm të kthimit të vlerave etiko-morale, natyrisht ato që i duhen kohës, shoqërisë modern dhe njeriut për të bashkëjetuar në harmoninë e duhur midis tyre. Kjo është punë e vështirë, që nuk bëhet vetiu, aq më tepër që nuk bëhet, nëse të gjithë vazhdojmë të ecim pa kuptim, pa fre, në drejtim të qëllimit të plotësimit vetëm të kërkesave material, vetëm me obsedime të ekzagjeruara konsumistike, duke jetuar të budallepsur, të dhënë totalisht dhe vetëm pas parasë, konsumit këmbëngulës dhe botës së qejfeve seksuale.

Këto pasione në jetën e njeriut modern kanë vlerën e tyre të pamohueshme. Ne nuk mund të jemi më asketikë, që të mohojmë vlerën e veçantë që kanë kënaqësitë trupore të njeriut. Por këto kënaqësi të kthyera në epidemi sociale, e kanë futur shoqërinë tonë në kaos, jetën e njeriut në dëshpërim, në krizë identiteti, në paqëndrueshmëri, dhe për pasojë edhe në një beteje të pakuptimtë me veten dhe shoqërinë. Nuk më duket pa bazë ideja e sociologjisë moderne, se njeriu i kohës sonë për këto shkaqe dhe shumë të tjera si ato, duket sikur është radikalisht “jashtë qendrës”. Padyshim ne jetojmë në kohë dhe shoqëri moderne, dhe ndryshimet e natyrës së njeriut dhe beteja për përsosjen morale individuale të tij nuk bëhen duke i mbajtur sytë nga qielli, sepse “bota nuk mbahet me mite dhe legjenda artificiale”, A. Pajaziti “Ese sociologjike f 132-133”.

Koha moderne ka sjellë në shoqërinë shqiptare të ditëve tona, një situatë shqetësuese në marrëdhëniet konfliktuale të kërkesave të njeriut me mundësitë e shoqërisë, kontradiktë e cila është kaq e zgjeruar, e vazhdueshme dhe me një intensitet kaq të lartë, saqë nga shumë pikëpamje tregon se jemi shkencërisht në limitet e një krizologji ontologjike, teorike dhe fenomenologjike. Sepse nëse do të analizojmë situatën e shoqërisë sonë, sjelljen dhe komportimin e njeriut me veten e vet dhe shoqërinë në të cilën jeton momentalisht, të krijohet bindja e plotë se realiteti ynë është bërë një “konglomerat i çështjeve sociale”, cila përmbledh në esencën e vet shumë gjëra të jetës, shoqërisë dhe njeriut modern, duke filluar nga pasojat negative të jetës së shkujdesur, deri te degradimi shpirtëror, dehumanizimi dhe shumë probleme të tjera me rëndësi thelbësore ekzistenciale.

Në këtë kohë, shoqëria shqiptare nga njëra anë është bërë moderne si asnjëherë më parë, dhe nga ana tjetër është duke përjetuar një krizë, të cilën gjithashtu nuk e ka ndjerë kaq të thellë në të kaluarën. Kjo ka bërë që shoqëria dhe njerëzit tanë të jenë përballë dilemës më të madhe historike, që ka të bëjë jo vetëm me nevojën e “ripërkufizimit” të natyrës së shoqërisë dhe njeriut, por edhe me rishikimin e raportit midis tyre. Kriza është e tillë që e detyron njeriun të mendojë çdo ditë për konfliktualitetin e tij të përditshëm me shoqërinë tonë, me jetën e tij dhe me vetveten.

Sepse në situatën që ndodhemi, shumë gjëra po shkojnë keq në shoqërinë tonë, ngaqë kanë marrë deformim të thellë raportet e natyrshme të njeriut individualist me natyrën e jetës sociale të shoqërisë. Këto dy elemente thelbësorë të jetës tonë kanë marrë rrugë të kundërt, dhe sipas mendimit tim, në këtë realitet ndikon negativisht dimensioni absurd i individualizmit, që ushqehet nga ideja e çmendur e vetëmjaftueshmërisë së jetës së pavarur, pa nevojën e lidhjes sociale, mendimi ambicioz i disa njerëzve tanë që mendojnë se, duke qenë të aftë për të jetuar materialisht, duke i pasur të gjitha gjërat e trekëndëshit material (para-konsum-qejf) nuk kanë asnjë nevojë që të kenë lidhje me të tjerët, sepse sipas tyre, jeta moderne është të jetuarit vetëm, individualisht, pa pasur nevojë për lidhje sociale të domosdoshme.

Një gjë duhet të kuptojnë këta që mendojnë kështu, por dhe ne të tjerët që bëjmë sehir dhe nuk ndikojmë shoqërisht për të rivendosur ekuilibrin e duhur midis njeriut individualist padyshim, por dhe shoqërisë sociale domosdo. Shoqëria jonë nuk mund të jetë njerëzore, nëse lidhjet sociale do vazhdojnë të shpërbëhen, nëse anomia, mungesa e lidhjeve sociale, miqësore, komunitare, një ditë do të bëhen “rregull social i përgjithshëm” për shoqërinë tonë. Padyshim, fenomenet që po shfaqen në shoqërinë tonë, individualizimi i skajshëm i jetës sociale dhe prishja e lidhjeve sociale, humbja e traditave dhe zakoneve pozitive, që kanë mbajtur në këmbë jetën e shoqërisë tonë, tregon se shoqëria shqiptare ka probleme ekzistenciale serioze, që lidhen me prishjen e strukturës shoqërore dhe shpirtërore të saj. Reduktimi në dimensionin më të ngushtë biologjik të përmasave të jetës së njeriut, dominimi i “dimensionit konsumues” mbi “dimensionin shpirtëror” dhe njëherësh deformimi i lidhjeve sociale, kanë sjellë pasoja tejet negative për jetën tonë, për të sotmen dhe të ardhmen e njerëzve tanë, për marrëdhëniet midis tyre, të cilat e kanë vënë shoqërinë tonë në krizë të vërtetë sociale.

Padyshim që të kapërcehet kjo krizë nuk është gjë e lehtë, sepse atë nuk e bën as ligji, as shteti. Kjo do të kërkonte një aksion të madh të përgjithshëm qytetërues, në të cilin të mendojmë dhe të vëmë në lëvizje të gjithë fuqinë e pashtershme të botës edukative, të institucioneve të specializuara të saj, veçanërisht duke shfrytëzuar kapacitetet e konsiderueshme të shoqërisë civile, duke gjetur rrugën efektive, mënyrën sesi mund të rindërtojmë atë mekanizëm social që bën të mundur afrimin e botës shpirtërore dhe interesave të shoqërisë me ato të individit, natyrisht pa pretenduar që ato të përputhen plotësisht. Ne nuk mund të kënaqemi duke matur vlerat e jetës sonë me sasinë e mallrave që konsumojmë, apo mjetet që përdorim në familjen tonë, nëse në të njëjtën kohë nuk vlerësojmë sa dhe si duhet nevojën që kemi për të qenë të ndërlidhur me njerëzit e tjerë, të afërm, miq, kolegë etj.

Pajtueshmëria sociale e njerëzve tanë me shoqërinë tonë, ruajtja e lidhjeve sociale me të tjerët, janë kusht i parë për ekzistencën dhe funksionimin e shoqërisë tani dhe në të ardhmen, sado moderne që të bëhet ajo. Që të realizohen këto kërkesa në kushtet e sotme, duhet që në shoqërinë tonë, në familjet tona, në shkollat dhe institucionet tona fetare, të fillojë një aksion moral i të gjithë strukturave dhe institucioneve sociale, që të bëjmë çdo gjë për të rikthyer “ekuilibrin e nevojshëm” dinamik dhe të domosdoshëm, në mënyrë që ato të ndikojnë në përsosjen e brendshme morale të njerëzve tanë, ose në atë proces të gjerë të qytetërimit tonë, i cili kurrë nuk mund të realizohet me sukses, nëse nuk vëmë në lëvizje njeriun, shoqërinë dhe veten tonë në një proces permanent të “krijimit të pandërprerë të vetes”…

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen