Kongresi i Manastirit,kujtim i harruar institucional

Analiza & Komente | admin | 21.11.11 | 15:51

Pas shpalljes së kushtetutës së xhonturqve në korrik të vitit 1908 klubet e ndryshme ,gazetat dhe shkollat në gjuhën shqipe, kishin filluar të përhapeshin me shpejtësi të madhe nëpër qytete dhe vendbanimet kryesore shqiptare,si në Elbasan, Vlorë, Filat, Manastir, Shkup, Kolonjë, Korçë , Gjirokastër dhe shumë vende tjera,gjithandej ku kishte shqiptar. Vitet 1908-1909 për shqiptarët ishin periudhë e zgjimit, formimit dhe ngritjes së vetëdijes së tyre kombëtare.

Kongresi i Manastirit
Por,këto zhvillime të hovshme kombëtare,që në nisje kishin hasur në pengesa të pa kalueshme nga mungesa e një alfabeti të përbashkët i cili do të kuptohej, shkruhej dhe lexohej nga të gjithë shqiptarët. Ndaj,me nismën e klubit kulturor „Bashkimi“ të cilin e udhëhiqte Fehim Zavalani më 14 nëntor të vitit 1908,do të organizohej Kongresi Kombëtar i Manastirit,në të cilin do të merrnin pjesë 50 delegatë, nga të cilët 32 me të drejtë vote,përfaqësues të shquar nga klube e shoqëri të ndryshme patriotike e kulturore, brenda e jashtë tokave shqiptare në Evropë, Azi e Amerikë.

Kryesia e kongresit do të zgjidhej në mënyrë demokratike dhe me votim të fshehtë e cila, edhe pse Mit`hat Frashëri nuk kishte mbërri me kohë në Manastir,i cili atëbotë ishte vetëm 28 vjeçar,përkundër mospranisë së tij fizike dhe moshës së re, ai do të zgjidhej Kryetar i Kongresit të alfabetit,kurse kryetar i Komisionit Gjergj Fishta,nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qirjazi.

Në Kongresin që do mbahej nga 14 deri më 22 Nëntor të vitit 1908 në Manastir,çështja kryesore për të cilën duhej të vendosej ishte krijimi i një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët,me ç`rast sipas pajtimit të shumicës së delegatëve edhe u arrit ky vendim historik për krijimin e alfabetit të përbashkët kombëtar me shkronja latine. Kontribuuesit kryesor për arritjen e këtij suksesi sublim,ishin Kryesuesi i Kongresit Mit`hat Frashëri,Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Bajo Topulli, Sotir Peci, Gjergj Qiriazi, Shahin Kolonja dhe delegat të tjerë pjesëmarrës.

Për fat të keq edhe në ato kohë të vështira,ndasitë e intelektualëve shqiptar ishin prezente,ndaj kjo do bëhej edhe shkak i mospjesëmarrjes së Faik Konicës në Kongresin e Alfabetit i cili gjoja se ishte ndjerë keq nga lajmërimi me vonesë (4 dit para fillimit) për pjesëmarrje në Kongresin e Alfabetit Shqip. Por, fjalët e ashpra të tij ndaj Mit`hat Frashërit dhe disa udhëheqësve të Kongresit se gjoja,përveç Alfabetit të Stambollit ata me një apo dy ndryshime të vogla, kishin përvetësua edhe Alfabetin e përdorur nga Konica në Gazetën Albania, shfaqnin hapur mospajtimet në mes tyre me ç`rast ai do shprehej me mosbesim edhe ndaj qëndrueshmërisë së Alfabetit,i cili sipas tij nuk do të ishte asgjë më tepër se i përkohshëm dhe sa për të qeshur pak vjet me te.

Megjithatë,pas një pune disa ditëshe me shumë përkushtim, delegatët e Kongresit kishin përfunduar me propozimin për dy alfabete,ndaj Mit`hat Frashëri si udhëheqës i punimeve ishte shprehur për hedhjen në votim se cili nga alfabetet duhej të mbetej në përdorim për të gjithë shqiptarët.

Por pasi që komisioni kishte hasur në vështirësi për krijimin e shkronjave „dyshe“ si; „dh“,“gj“,“nj“,“th“,etj. At Gjergj Fishta kishte propozuar që përkohësisht të përdoreshin të dy alfabetet, ai i Stambollit dhe Alfabeti latin i përgatitur në kongresin e Manastirit i cili me kohë, e sidomos nga viti 1920 do të bëhej alfabeti i vetëm dhe i përbashkët për të gjithë shqiptarët, ai që njihet edhe sot si Alfabeti i Gjuhës Shqipe.
 
Pas vendimit të Kongresit të Manastirit për një alfabet latin i cili jo vetëm se ishte më i përshtatshëm për botimet në gjuhën shqipe por vërtetonte edhe përkatësinë evropiane të popullit shqiptar, Dom Ndre Mjeda me ngazëllim dhe urtësi, i kënaqur nga përkrahja e delegatëve të të tri besimeve,kishte deklaruar se shqiptarët qenkan të zotët të bashkohen dhe të punojnë së bashku, për të mirën e vendit dhe kombit të tyre,sikur se e kishte vërtetuar edhe Kongresi i Alfabetit në Manastir.

 Si në të gjitha ngjarjet e mëdha kombëtare,edhe në këtë rast historik,kontributi i femrës shqiptare i cili u dëshmua në të gjitha kohët, nuk mungoi as në Kongresin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ku njëra ndër femrat delegate ishte Parashqevi Qiriazi, përfaqësuese e Shkollës së Vashave në Korçë, edhe pse në ato vite gruaja ,nuk kishte të drejtë vote në kuvende.

 Në Kongresin e Manastirit merrnin pjesë edhe personalitete si Hilë Mosi, të cilit i ishte besuar sjellja e Himnit të Flamurit kombëtar nga Bukureshti të përgatitur nga Asdreni për ta dërguar në Shqipëri. Hilë Mosi ishte delegat i Shkodrës dhe njeri që kishte rol të madh në lëvizjen kombëtare i cili në kohën kur përgatitej organizimi i Kongresit ai kishte shkruar edhe një këngë kushtuar Kongresit të Manastirit:

Humb se kemi jo shpresën

Zëri i atdheut na thërret

Ejani vëllezër të gjithë në një besë

Sot atdheu na thërret.

Gjuha shqipe siç dihet historikisht,ishte shkruar gati katër shekuj më parë,por me alfabete të huaja dhe jo me një alfabet të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Ndaj,arritja e krijimit të një alfabeti të përbashkët i cili deri atëherë mungonte,kishte për qëllim edhe arritjen e një bashkimi më të fuqishëm dhe pajtimin e përgjithshëm kombëtar në ato momente të rënda, para stuhive të mëdha të luftërave që trokisnin përditë e më zëshëm në dyert e shqiptarëve të pushtuar, për çlirim nga Turqia.

Shoqëria e Shqiptarëve të Selanikut,të cilën e udhëhiqte Mit`hat Farashëri më 14 mars të vitit 1909 kishte shpërndarë thirrjen drejtuar të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare për mbledhjen e Kongresit kulturor të Elbasanit i cili do të mbahej nga 2 deri më 8 shtator 1909,ku do të kërkohej Themelimi i shkollave shqip; kthimi i shkollave greke në shkolla shqipe në qytetin e Korçës,themelimi i një shkolle normale për mësues dhe të një Universiteti Kombëtar në Shqipëri. Ishte kjo koha kur Alfabeti ynë i ri rrezikohej seriozisht ndaj kërkoheshin organizime të reja.

Kongresi i Dytë i Manastirit me 2 e 3 Prill 1910

Pas krijimit të suksesshëm të alfabetit të gjuhës shqipe nga Kongresi i parë i Manastirit,hapja e shkollave shqipe ku gjuha jonë mësohej me Alfabetin e ri ,nuk kishte të ndalur. Kjo i pengonte organet zyrtare të perandorisë turke të cilat filluan sulmet e njëpasnjëshme me qëllim të pengimit të shkollimit me Alfabetin e ri të Gjuhës Shqipe.

Ndaj,atdhetarët shqiptar me nismën e klubit „Bashkimi“ të Manastirit me 2 e 3 prill të vitit 1910, organizuan një Kongres të dytë në Manastir në të cilin morën pjesë 20 delegat nga të gjitha viset shqiptare me ç`rast kryetar i Kongresit, kësaj radhe do të zgjidhej Bedri Pejani kurse sekretar Ferit Ypi dhe Petro Nini Luarasi.

Ky Kongres kishte për detyrë mbrojtjen e Gjuhës dhe Alfabetit Shqip i cili përhapej me të shpejt në të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe gjithandej trojeve shqiptare,por që kishte filluar të pengohej nga xhonturqit të cilët me gjithë premtimet do tu mohonin shqiptarëve të drejtën e arsimit kombëtar me alfabetin e tyre,duke i penguar edhe me dhunën e shtetit.

Ndaj delegati i parë i cili kishte hapur punimet e Kongresit të dytë, Dervish Hima ,do të deklaronte se xhonturqit u kishin shpall luftë shkronjave shqipe të cilat ne do ti mbrojmë me çdo mjet. Këto ishin edhe një paralajmërim për kryengritjen që do të fillonte në Pranverën e vitit 1910 kur qeveria turke e udhëhequr nga Ibrahim Haki Pasha,Alfabetin e përbashkët të shqiptarëve e shihte si problem politik,ndaj kishte urdhëruar ndalimin e përdorimit të tij nëpër shkolla, duke botuar edhe Abetare shqip me alfabet arab të cilat shqiptarët nuk do ti pranonin.

Përveç organizimit të Kongresit të Manastirit më 1908, i cili për nga rëndësia,cilësohet si njëra ndër tri ngjarjet më të rëndësishme të kohës,pas lidhjes së Prizrenit 1878-1881 dhe Lidhjes së Pejës 1899-1900,Rilindësit tanë, duke parë gjendjen dhe rreziqet që i kanoseshin të ardhmes së kombit në ato kohë të vështira, organizuan edhe mbledhje të fshehta në të cilat miratuan një program kombëtar me kërkesa politike, ekonomike dhe administrative me qëllim të krijimit dhe arritjes së mëvetësisë së shtetit tonë kombëtar.

Ndaj,Kongresi i Manastirit,me të drejt konsiderohej edhe kongres shkencëtarësh, politikanësh e luftëtarësh për liri e pavarësi ngase rilindësit të prirë nga Mit`hat Frashëri me 14 tetor të vitit 1912 do të mbanin një mbledhje në qendrën e vilajetit të Kosovës në Shkup ku do të vendosej për thirrjen e një kuvendi mbarëkombëtar për shpalljen e Pavarësisë e cila do të realizohej me 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë nën kryesimin e Ismail Qemalit.

Por ajo që nuk ngjau tek popujt tjerë,për fat të keq ngjau tek shqiptarët,pasi që Rilindësit tanë të cilët vunë themelet e alfabetit dhe të shtetit kombëtar,nuk janë përndjekur e vrarë vetëm nga armiqtë e shumtë të kombit siç u vra Martiri i Gjuhës Shqipe, Petro Nini Luarasi,nga shovinistët grek, por kanë vuajtur shumë edhe nga keqtrajtimet, dënimet dhe përndjekja e regjimit komunist,i cili kishte persekutuar dhe internuar edhe personalitete si kryetari i Kongresit të Manastirit, Mit`hat Frashëri, kishte pushkatuar delegatin e Elbasanit Lef Nosi,e persekutime të tjera, pas të cilave nuk munguan as baltosjet e figurave historike,nga shumë historianë të kohës së monizmit të cilëve as sot ndoshta nuk iu pëlqen që ne ti nderojmë rilindësit tanë, qoftë edhe në momente historike.

Të gjitha botimet për Kongresin e Manastirit,në Shqipëri ishin censuruar dhe denigruar deri aty sa që emri i Mit’hat Frashërit si kryetar i Kongresit dhe Gjergj Fishtës si kryetar i komisionit të alfabetit, përkundër kontributit të tyre të jashtëzakonshëm,për motive politike, as që ziheshin kund në gojë dhe në mënyrë që emrat dhe roli i tyre për alfabetin e njësuar dhe çështjen kombëtare të mos dilnin në pah, procesverbalet e Kuvendit të Manastirit nuk ishin botuar kurrë nga historiografia komuniste.

Veprimtaria kombëtare e Kongresit të Alfabetit në kohën kur shqiptarëve ,lufta përditë e më zëshëm po u trokiste në derë,ishte rast i mirë për të arritur një bashkim midis tyre edhe nëpërmjet alfabetit të përbashkët. Ndaj vendimet e këtij kongresi dhe protagonistët e tij,duhet të përkujtohen me nderime të mëdha,nga njerëz të zgjedhur të gjuhës,historisë, artit dhe kulturës së kombit tonë, në qytetin e Manastirit,i cili na dhuroi alfabetin tonë të përbashkët,me të cilin sot të gjithë shqiptarët mësojnë, shkruajnë dhe shkollohen në gjuhën tyre amtare kudo që ata jetojnë.

Mbi varret e lavdishme të rilindësve që tregojnë historinë e vuajtjeve të mëdha të këtij populli e cila neve na flet shqip ,në gurët e varreve të paraardhësve tanë,dhe në vendin e shqiptarëve ku kanë jetuar dikur dhe atyre që jetojnë edhe sot atje, të cilët edhe tani flasin gjuhën tonë të bukur, germat e alfabetit tonë duhet të përdoren lirshëm dhe ti mbijetojnë diskriminimit të hapur agresiv sllav edhe në vendin e lindjes së shkronjave tona, në kryeqytetin e njërit nga vilajetet kryesore shqiptare në Manastir si germat që dikur ishin vendosur në oborrin e shkollës së parë shqipe në Korçë,për tu rritur e përhapur në gjithë hapësirën tonë kombëtare. 

Por fatkeqësisht, megjithëse këto ditë ishte 103-vjetori i Kongresit të Alfabetit, as sivjet me rastin e kësaj ngjarje kombëtare nuk është organizuar ndonjë manifestim zyrtar kushtuar këtij akti historik edhe pse në fillimet e shekullit të 20-të, rilindësit tanë kombëtar ishin ata që do të bëheshin misionar dhe zëdhënës të denjë të shqiptarizmës, të cilët morën barrën e rënd të një lëvizje kombëtare për krijimin e unitetit të të gjithë shqiptarëve. Ata duhej të nisnin rrugën e formimit dhe ndërgjegjësimit të popullit tonë për arritjen edhe të pavarësisë sonë kombëtare,si gjithë kombet tjera,përkundër sakrificave të mëdha që kërkonte koha.
 
Alfabeti i krijuar nga ata, është e vetmja fije e fortë dhe e qëndrueshme ,që gjatë gjithë kohës bashkon një komb të ndarë ndër shekuj me shumë kufij,siguron nga atëherë edhe sot lidhjen e vetme të sigurt dhe më të fuqishmen në përafrimin e një populli të shpërndarë në shumë shtete, rajone e kontinente,siç është populli shqiptar. Krijon dhe forcon atmosferën e një dashurie familjare për të gjithë shqiptarët, ndaj gjuhës shqipe dhe vlerave të mëdha të kulturës sonë të përbashkët kombëtare. Kështu që një akt i tillë me rëndësi të veçantë kombëtare siç ishte Kongresi i Alfabetit, edhe pas 103 vitesh të kaluara nga ajo ngjarje e bujshme historike,meriton më tepër se një përkujtim spontan-studentësh të rinj, siç ndodhi këtë vit.

Kongresi i Manastirit me gjithë distancën kohore është dhe mbetet një ngjarje historike ndër më të mëdhatë kombëtare,një e arritur nga vendimet më sublime të njerëzve më me kulturë të kohës,siç ishin Rilindësit tan të nderuar,ata që përfunduan me sukses krijimin e një alfabet të njësuar kombëtar,i cili nuk guxon të qitet në harrës nga institucionet tona shtetërore e kombëtare. Kujtimi për Kongresin e Alfabetit duhet të mbahet i gjallë dhe nuk duhet lejuar që ai të vjetërsohet. Ndaj,datat dhe vendet në të cilat u sollën vendime të mëdha kombëtare,duhet të përkujtohen në mënyrë të organizuar institucionale dhe shtetërore,me nderime të merituara festive ndaj këtyre akteve të pa harruara historike.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen