Grigor Jovani për Llemadeo-n

Analiza & Komente | admin | 21.01.12 | 09:14

Ngaqë flet një burrë i vërtetë, një mik që, siç thuhet në viset e zemrave tona, “nuk të bën hasha kurrë…”. 

Unë e kisha për fat ta bëja mik dikur, kur punoja me të vëllanë, Palin, në një gazetë të atdheut. Atëhere merreshe me folklorin… Një djalë i pashëm, gjithë jetë, që të bënte për vete me çiltërsinë dhe fisnikërinë e tij prej malësori. Ashtu kishte mbetur në mendjen time. 

Pas njëzet e ca vjetësh, në kohëra krejt të ndryshme e në vende të krejt të huaja , u rigjetëm. Virtualisht, natyrisht, por ç’rëndësi ka? Kishte mbetur ai tharmi i vjetër i miqësisë në vetëdijen tonë, i cili kishte buitur filiza të rinj malli e miqësie. Një poemë të tërë më përkushtoi, në faqet e shtypit shqiptar të emigracionit dhe në internet, me rastin e një çmimi letrar, që më kishte dhënë një organizëm artistik (natyrisht, pa të drejtë, siç do të vraponte të ndërhynte me këtë rast, nga Nju Jorku, i treti i shoqërisë sonë të dikurshme, Vaid Hyzoti). Kështu u rilidhëm. Atëhere mësova se pas personalitetit të njohur të artit dhe jetës kulturore shqiptare në Gjermani, pas emrit të koduar LLAMADEO, fshihej miku dhe vëllai i mikut tim koleg të rinisë gazetareske në Atdhe. Poeti, publicisti, fotografi i mrekullueshëm, specializuar madje në shkollat gjermane, veprimtari i shquar i jetës patriotike që bëjnë bashkëatdhetarët tanë në këtë djep të rëndësishëm të kulturës perëndimore, në zemër të Evropës. 

“Të paça, o këngëtar, me shpirtin fisnik,

si dikur, derte qamë, vargu yt malle më ndezi…

Qofsh mirë në Greqi, me fjalën e bukur shqipe,

që e përhap si rrezja e dritës,

me nje bukuri mengjezi!

Le të këndojmë së bashku, or mik i vjetër, 

se ndoshta vesh i shurdhur do të dëgjoje një ditë.

Kjo botë e çmendur korrupsionesh, ku rrojmë,

prej fjalës sonë poetike,

ndoshta mund t’i hapë sytë!

Kështu e përfundonte LLAMADEO poemën që më kishte përkushtuar dikur. Nuk ma merrte mendja kurrë, se do më përkushtohej një ditë një poemë (!) Por hallall edhe teprimet e një miku të vjetër, gjersa u bë shkak të rigjeheshim, për të “kënduar bashkë”, siç na e dëshirojnë zemrat dhe filizat e reja të miqësisë, që flladitin jetën tonë të mëtejshme. Jetën tonë jo dhe kaq të lehtë…

I botova ciklin e mëposhtëm me poezi, në numrin më të fundit të “PEGASIT” – ia bëra surprizë, pasi poezitë ia zgjodha nga ciklet që kishte botuar në shtypin internetik – dhe ia nisa revistën në Gjermani me shënimin: “Po të dërgoj kalin tim fluturues, o vëlla. Shaloje dhe bëj një fluturim në qiejt e ëndrrës dhe shpresës. Paç erë të mbarë!”

Nuk më ka kthyer përgjigje. Ç’rëndësi ka? Mbase është duke fluturuar…

Cikël me poezi

 

BIOGRAFIA IME

Unë… thjeshtë unë!

Si një gjeth që e merr era, 

si një kujtim që nuk harrohet, 

si një mall që dhemb aq shumë, 

si një det që s’rron pa lumë…

Unë pra, thjeshtë unë!

 

NUK DO TE NDODHE KURRE!

Do të shëmben male, 

do të këndohen këngë për heronj, 

legjenda të reja do të thuren…

Të tjerë do të bien ndër beteja, 

dhe të rinj do të ngrihen përsëri…

Por kombin nuk ka mundur kurrë, 

ta ngreje mbi shpinë, 

i vetëm, 

një njeri!

 

E DASHUR!

Shkuan vitet nëpër ne…

që nga koha jonë lozonjare.

Dielli shkon e vjen, 

i njëjtë përmbi re…

Ndoshta ti 

s’më harron për fare!

Zjarri ndezur rri në vatrën e vjetër…

Mbase prej së largu s’të duket as shkëndi,

por ah, që ta shohësh dritën e flakëve, 

moj zemër, 

do të digjem një ditë, 

m’u në mes të tij.

 

KESHTU QENKA JETA…

Në mesnatë është aq terr…

Mëngjezit dritë e plotë na mbështjell.

Por ne, të zgjuar nuk jemi gjithnjë,

ndaj shqetësimi në krahë na merr.

Ti vjen tek unë, unë tek ti vij…

Nëpër udhët imagjinare, mbi male e qytete…

Por në mbrëmje më mungon, si dhe unë ty,

kjo është çudia e kësaj jete!

 

U THANE…

U thanë të tëra, nga ti… nga unë,

u tha se s’jam, 

as nuk do të jesh më…

As ëndrra, 

që aq na mbajti në të ankthit gjumë,

sa herë, nga të dy anët, 

nuk dëgjohej zë!

 

QYTETI

Qyteti u zgjua vonë atë ditë,

se pas mesnatës kish rënë në gjumë,

lodhjeve ish këputur, 

udhëtarë duke pritur,

por ndër ta nuk ishe, 

më kot prita unë!

 

DIKU…

Diku një pllakë e thyer, 

një mur i vrarë,

diçka e shtrembër, e gërrvishtur…

Ndërsa prapë ata, 

vinin si më parë,

si tregtarë që blejnë…

kur skanë për të shitur.

 

ERDHE

Ti erdhe, 

por shkove ashtu pa pritur,

si një erë vjeshte, që fshin çfarë ka rënë,

duke i marrë përpara, 

vajetimesh në të gërrvishtur…

çfarë qe e thënë dhe e pa thënë.

 

PO DITE…

S`ka fuqi me të madhe 

se Mënçuria!

S`ka armë më të fortë 

se Durimi!

Po dite që t’i mbash, 

të shkojnë që të dyja,

dhe do të shquhesh 

si më i miri!

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen