Në kohën e Skënderbeut, nuk kishte nacionalizëm, por patriotizëm gjithsesi!

Histori & Fakte | Zef Prenka | 03.11.13 | 10:53

Në artikullin e kaluar, me të cilin unë tentova të argumentoja se “Skënderbeu do të luftonte kundër Perandorisë Osmane edhe sikur ajo të ishte Perandori krishtere”, argumenti contra që u përdorë më së shumti ne reagimet e atyre (që përdoret në vazhdimësi) të cilët tentojnë ta zhvlerësojnë figurën e Skënderbeut, ishte se “në kohën e Skënderbeut nuk kishte nacionalizëm dhe nuk kishte komb, andaj logjikisht nuk kishte as interesa kombëtare, që d.m.th. se Skënderbeu nuk është hero kombëtar sepse luftoi për interesa te veta dhe fe”.

Se në “epokën e errët” nuk kishte nacionalizëm kjo është diçka që dihet tashmë. Bile edhe racizmi si koncept nuk ekzistonte. Qëllimisht e përmenda racizmin, sepse shumë njerëz e ngatërrojnë racizmin me nacionalizëm, e më shumë herë me shovenizmin. Bie fjale, në ish Jugosllavi, ajo që de facto ishte racizëm, si p.sh., thëniet “shqiptarët (shiftari) janë me bisht, të paaftë, të retarduar…” që janë racizëm i pastër, në Jugosllavinë e Titos ato trajtoheshin si shovenizëm. Kurse, ajo që ishte de facto shovenizëm, atëherë trajtohej si nacionalizëm. Arsyeja ishte se zyrtarisht “në Jugosllavinë socialiste të gjitha kombet dhe kombësitë ishin të barabarta” dhe se racizmi ishte fenomen i “shoqërisë së kalbur kapitaliste”. Ngjashëm ishte edhe në shtetet tjera të Bllokut Lindor. Edhe sot e kësaj dite këto deformime të nocioneve janë prezentë. Prandaj, në debatet me shumë “të ditur” që e shpërfillin figurën e Skënderbeut (qofshin ata edhe “postmodernistë”) unë i pyesja se: çka ju nënkuptoni me nacionalizëm!?

Nëse me nacionalizëm nënkuptojmë atë që Robespieri me shokët e tij (të cilët u frymëzuan nga filozofët e “Ndriçimit” si Volteri, Ruso, Didro, Monteskje etj.) proklamonin, para dhe gjatë Revolucionit Francez, e që parulla “Liberté, égalité, fraternité” (liri, barazi, vëllazëri) e ilustron më së miri, atëherë sigurisht se nacionalizëm dhe komb në kohën e Skënderbeut nuk kishte. Sepse në kohën e Skënderbeut nuk kishte “asamble apo kuvend kombëtarë” (që merret si parakusht), por një “kuvendi” i cili përbëhej nga fisnikët e bajraktarët (gjaku i kaltër). Kuvendi i Lezhës (1443) është një shembull tipik.

Siç dihet, ende pa u themeluar “asambletë kombëtare”, në sistemin e vjetër feudal nuk kishte përfaqësim proporcional, por ato (pa marrë parasysh a quheshin “Model Parliament” apo “Parlament” si në Angli apo “États Généraux” si në Francë etj.), dominoheshin nga aristokratët dhe klerikët. Bie fjala, në Francë, “États Généraux” përbëhej nga: një e treta – klerikët; një e treta – fisnikët dhe një e treta nga popullata e gjerë (e cila realisht përbënte mbi 99 për qind të banorëve). Po ashtu dihet se klerikët dhe fisnikët nuk paguanin tatim shtetit, por vetëm shtresa e ultë paguante. Janë të njohura fjalimet në “États généraux” (kur ajo u mblodh pas shumë vitesh), e avokatit (nga qyteti Arras) Roberspier, i cili kërkonte që të gjithë banorët të kontribuojnë njëjtë me tatime për shtetin dhe të gjithë qytetarët të jenë hisedarë të shtetit. Kërkonte: Republikë dhe Kuvend Kombëtar! Kështu që edhe termi qytetar (aktiv apo pasiv) filloi të bëhet koncept. Bile, gjatë Revolucionit Francez, kur jakobinët filluan të dominojnë (pas vrasjes së Maratit zhirodinët apo të moderuarit, fillojnë të humbin influencën), kushdo që përdorte termet madam apo mysjo (madame-monsier) dhe jo sitoja (citoyen), trajtohej si kontrarevolucionar dhe madje dënohej me ekzekutim në gijotinë.

Pra, thënë shkurtë, sigurisht se këto koncepte nuk njiheshin në kohën e Skënderbeut, ndonëse ekzistonte Republika e Venedikut që nga shekulli VII (ajo ekzistoi deri me 1797). Por, siç dihet, në atë republikë udhëheqësi (duka) zgjidhej (votohej) nga oligarkët tregtarë, të cilët e dominonin shoqërinë venedikase, dhe ai merrte mandat të përjetshëm.

Mirëpo, patriotizmi si koncept ishte i njohur edhe pa u zhvilluar mirë koncepti i nacionalizmit dhe kombit. Atdhe(mëmëdhe)dashuria dhe përkushtimi ndaj vendit ishte diçka që dihej. Jo vetëm fjalia e famshme e Xhonsonit, “Patriotizmi streha e fundit e horrave”, i cili e tha në shenjë të protestës ndaj disa horrave të cilët silleshin si patriotë, apo fjalia e famshme e ushtarit Hejl të cilën e tha para se të ekzekutohej, se “të vetmin pendim që e kam është se e kam vetëm një jetë për t’ia dhënë atdheut tim”, janë ato të cilat e ilustrojnë argumentin se patriotizmi si koncept njihej para shfaqjes së nacionalizmit. Pa u fut në veprat e Shekspirit të cilat janë aq shumë të ngjeshura me “termin patriotizëm”, por edhe me vargje patriotike. Si bie fjala, ajo fjalia e famshme e Brutit, në tragjedinë e Shekspirit për Jul Cezarin, se “e vrava Cezarin jo pse nuk e desha, por sepse desha Romën më shumë se atë”.

Për më tepër, patriotizmi si koncept ekzistonte edhe shumë kohë para Skënderbeut. Si bie fjala Horaci (i cili jetoi para Krishtit), në veprën e tij “Carmina” e thotë atë fjalinë tashmë të famshme: Dulce et decorum est pro patria mori (është e ëmbël dhe e ndershme vdekja për vendin tuaj).

Apo, t’i përmendim edhe mendimet e Ciceronit (i cili po ashtu jetoi para Krishtit) për patriotizmin dhe obligimet e njerëzve ndaj vendit, në veprat e tij “De Legibus” dhe “De Re Publica”. Marrim shembull pjesën e dytë të “De Ligbusit”, të cilën Cicero e fillon me debatin fiktiv me mikun e tij Atikusin, lidhur me çështjen se “a mundet individi të ndjejë patriotizëm edhe për rajonin nga vije dhe për vendin në përgjithësi”? Siç thotë ai: “A mund të duash Arpinumin dhe Romën në të njëtën kohë”? Që nëse e përshtatim për kushtet e sotme, do t’i bie se a mundet dikush nga Gjilani në të njëjtën kohë të dojë njëjtë edhe Shkodrën edhe Shkupin; apo dikush nga Prizreni të dojë dhe Tiranën; ose dikush nga Tetova të dojë edhe Prishtinën, njëjtë në të njëjtën kohë? Dhe, sipas Ciceronit, përgjigja është: po! Këtë përgjigje e shpjegon mirë në librin “De Re Publica”, me fjalinë ku thotë se “ne i kemi obligime vendit (patrias) sepse ajo na lindë dhe edukon”.

Të gjitha këto që u përmendën (sigurisht edhe shumë argumente tjera) kanë bërë që bie fjala skocezët, Ulliam Uallasin (ju kujtohet filmi “Bravehart”), ta trajtojnë si hero kombëtarë. Bile, siç dihet Uallasi veproi më shumë se 100 vite para Skënderbeut. Ngjashëm bëjnë edhe francezët, të cilët Zhan D’arkun (e cila ishte kohanike e Skënderbeut) po ashtu e trajtojnë si patriote dhe heroinë kombëtare.

Andaj, duke i pasur parasysh këto, unë të gjithë atyre që thonë se “Skënderbeu ka luftuar për pronat e veta sepse nuk ka pasur komb dhe interesa kombëtare”, jua përsërisë pyetjen: pse atëherë ai u kthye në Shqipëri!? Shumë ma hesap ka pasur të rrinte pranë sulltanit në Edirne (ashtu siç bënë bie fjala Qyprylit) sesa të kthehej dhe të luftonte për kodrat dhe malet e Shqipërisë kundër superfuqisë së kohës! Dhe, nëse nuk pati interesa kombëtare, atëherë si arriti ai t’i motivonte me dhjetëra mijëra bashkëluftëtarë që ata t’i rrinë pranë deri në fund? Me siguri jo me poste ministrore, toka apo flori, sepse thjeshtë s’i kishte!

2010_4_15_Driton_Tali_v

Driton Tali

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen