Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, grupi i martirëve të 4 marsit 1946

Histori & Fakte | Rrezore | 01.04.14 | 21:52

Atë Giovanni Fausti, Misionar jezuit italian, Atë Daniel Dajani, jezuit shqiptar dhe Atë Gjon Shllaku, françeskan shqiptar, u pushkatuan së bashku me seminaristët Mark Çuni e Gjergj Bici dhe me civilat Gjelosh Lulashi, Qerim Sadiku e disa të tjerë. Sentenca merrte fund më 22 shkurt 1946. U akuzuan për „tentativë arratisjeje“ dhe për formimin e Partisë Demokristiane, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. E u pushkatuan.

Para Pilatit

Ballë për ballë, para Pilatit, mendjet e kthjellta, të zhvilluara me disiplinë e rregull, nën drejtim njerëzish me aftësi të padiskutueshme. Bij të popullit, zgjedhur nga të gjitha klasat e shtresat, që kishin kryer rregullisht shkollat, nga fillorja, në universitet më në zë të Evropës. Pasuar nga vite rrëmimesh shpirtërore, studimesh filozofike e teologjike. Me shkolla të bëra larg zhurmave të botës, në heshtjen e manastireve e të kishave, të pajisura me biblioteka, me mjete dijeje e përparimi, me qendra pikture, skulpture, arkitekture, muzike, poezie, gojtarie, që ia kalonte shumë herë asaj të tribunave ndër gjykata e parlamente.
Ballë për ballë, para Pilatit: shpirtra, përkushtuar plotësisht shërbimit ndaj Zotit e të afërmit, pa kurrfarë shpërblimi a përfitimi personal. Mësues që, ndërmjet tjerash, i mësonin, prej një gjysëm shekulli, moshës së re, gjuhën shqipe e kulturën kombëtare.
Pasi kishin studiuar me themel, ata vetë, veprat e filozofëve, nga Platoni e Aristoteli, tek Seneka, veprat e etërve të Kishës, grekë e latinë, veprat e filozofëve e të dijetarëve të mesjetës, veprat e enciklopedistëve francezë e gjithçka, që kishte krijuar dija katolike e akatolike, përfshirë edhe shkencat ekzakte, nga matematika, tek astronomia. Deri më atë ditë, kur i ngrehën rrëshanë para Pilatit. Kur i nxorën para atij gjyqi, për t’u gjykuar nga….

…njerëz me mendje të mjegulluar, të lindur e të rritur në mjedise sterilizuese, në skuta të dyshimta fanatizmi e fatalizmi, ku çdo libër, veç letërsisë marksiste, materialiste, komuniste, shikohej si i dëmshëm dhe i rrezikshëm, pra për t’u djegur. Njerëz, që e urrenin emrin Zot. Që dinin vetëm të shanin bastardhisht çdo besim, Dalë nga shkolla fillore, me aq dije, sa për të nënshkruar dënime me vdekje. Gjyqtarë të aftë për të dëgjuar vetëm dëshmitarët e paditësit, por jo të të paditurit, a të pandehurit.
Njerëz kësisoji ishin ballë për ballë në gjykatën e Pilatit. Në atë gjyq-tragjikomik: përfaqësues të dijes e të kulturës më të stërholluar, nga njëra anë – e, nga ana tjetër, të diktaturës më kriminale, pasojat e së cilës vijojnë edhe sot në vendin më të varfër të Evropës. “I ligu për mend” e pati përkthyer atë Gjergj Fishta titullin e komedisë së Molierit “Le malade imaginaire”

Ndeshja do të përfundonte me pushkatimin e të parëve e me sundimin e të dytëve. Deri një ditë, kur rolet u përmbysën. Figurat e gjykuesve vërtetojnë se fjala e folur sot, mundet me të vra nesër. Se Pilatët zbresin në greminat e historisë, nësa të gjykuarit presin të lartohen në nderimin më të lartë: atë të elterit. Të ardhur nga prova e madhe, janë modelet më të denja për t’u ndjekur!

Radio Vatikani

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen