Europa dhe ish-”Evropa”

Analiza & Komente, OP-ED | Rrezore | 09.05.14 | 19:20

AUREL PLASARI
Pikërisht sot që është Dita e Europës le të vëmë re se nuk janë të paktë shkrimtarë dhe publicistë, nga ata të cilëve – siç thuhet! – u shkon fjala, që në gjithë këto vite të lirisë së shkrimit ngulmojnë ta shkruajnë emrin e kontinentit tonë Europë. Pra jo “Evropë”, simbas trajtës greke e njëherësh sllave, dhe siç e ka pas imponuar më 1976 “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”. Prej lagjes së gjuhëtarëve sikur nuk duket ndonjë reagim, ndonjë propozim, qoftë edhe ndonjë përsaktësim. A mos i mbajnë për budallenj ata që Europën ngulmojnë ta shkruajnë Europë? Për të padijshëm në çështje të gjuhës shqipe? Dhe të gjuhësisë? Çështja e ësë së zëshme dhe ë-së së pazëshme, së cilës i është përkushtuar ndonjë komision akademik, mund të jetë përnjëmend me vlerë për ç’i përket fonetikës historike të shqipes, morfologjisë së saj, edhe praktikës së sotme gjuhësore, ndoshta. Nuk mund të shprehem me bindje. Vetë, qysh 17 vjeç kur kam pas filluar të botoj përkthime nga letërsia, u kam qëndruar normave të atij që e quaj Standard të gjuhës së sotme shqipe dhe që e vlerësoj të domosdoshëm. Pra nuk do të parapëlqeja ndërhyrje aventurore në të. Ndërkaq, shkrimi i emrit Europë, dhe jo ndryshe, përbën çështje sfiduese të kulturës sonë dhe, për ata që e duan kështu, të qytetërimit shqiptar. Që nuk vuaj prej paragjykimesh ndaj gjuhës greke dhe/ose gjuhëve sllave, këtë më duket e panevojshme ta pohoj. Por Europa e shkruar “Evropë” u bien ndesh vetë ligjësive të shqipes, madje normave të saj drejtshkrimore, pra as ka të bëjë me respekt ose mosrespekt ndaj gjuhëve fqinje. Trajta “Evropë” është marrë prej traditës në të cilën është shkruar ky emër në greqishten e vjetër. Prej mitologjisë së viseve jonike Europa ishte emri mitologjik i së bijës së njëfarë Agjenori, mbret i qytetit të lashtë Tir të fenikasve. Aq e bukur ishte sa Zeusit qejfli i ra keq në kokë për të dhe i punoi rrengun e madh: duke u shndërruar në dem të bardhë, e joshi, e mori në shpinë dhe e rrëmbeu e me të çau detin. E kam përshkruar këtë prejardhje mitologjike në një ese të titulluar “Rrëmbimi i Europës” (1999) dhe s’ka vend ta përsëris. Në traditë të sistemit alfabetik fenikas që grekët e përshtatën për vete, – specialistët e gjuhësisë i dinë lidhjet e alfabetit grek me alfabetin e hershëm fenikas, posaçërisht shtesën më të rëndësishme greke në të që ishte futja e zanoreve, – ata në greqishten e hershme ia shkruan emrin cucës së bukur “Evrope”, ÅPñþðç. Pra me diftongun åP. Shpjegimi i evoluimit historik të diftongut åP nga greqishtja e vjetër, nëpër greqishten bizantine, në greqishten e re, nuk përbën çështje në këtë mes: është një ndër disa diftongjet zbritëse të greqishtes me paraqitje njëkodëshe, të ndara nga përdorimi i tyre në alfabetin grek për nga trajtat konvencionale grafike të ndryshme nga ato origjinalet. Çështje përbën fakti historik që, në rastin e emrave që vijnë nga tradita greke, – pavarësisht rrugës së hyrjes së tyre në shqipe: drejtpërdrejt nga greqishtja ose tërthorazi nga latinishtja etj., – në kulturën e gjuhës sonë ata janë bartur simbas traditës së shkrimit dhe shqiptimit latin, pra me Eu dhe eu. Dhe kjo traditë mund të quhet e stabilizuar. Pikësëpari ajo është e stabilizuar në emra vendesh (toponime) dhe emra personash (antroponime). Kështu emrin e nimfës mitologjike, që me vdekjen e saj e bëri Orfeun të shkrehej në vaj e njëherësh t’ia merrte këngës, nuk e shkruajmë “Evridhiqe”, por Euridika. Hyjneshat mitologjike të shpagimit nuk i shkruajmë “Evmenidhe”, por Eumenide, ashtu si edhe titullin e tragjedisë me po këtë emër të Eskilit. Thirrjen e famshme të Arkimedit, tek bëri zbulimin shkencor ndërsa zdërgjahej në ujët e banjës, nuk e shkruajmë “Evreka”, por Eureka! Ishullin e Greqisë në detin Egje nuk e shkruajmë “Evbea”, por Eubea. Matematikanin grek të Aleksandrisë ose Atin e Gjeometrisë nuk e shkruajmë “Evklidhi”, por Euklidi. Ndërsa tragjedianin e madh të Athinës klasike e shkruajmë Euripidi dhe jo “Evripidhi”. Me këtë shembull të fundit besoj që mjafton. Ky parim duhet llogaritur i stabilizuar, madje i sanksionuar në vetë Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe, edhe për emrat e përveçëm – në përgjithësi terma të fushave diturore – që e kanë ardhjen pikërisht prej greqishtes me diftongun zbritës grek “ev”. Si janë shkruar ata në “Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (Tiranë 1976) dhe në “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” (Tiranë 1980)? Janë shkruar me eu: eufemizëm dhe jo “evfemizëm”, eufoni dhe jo “evfoni”, eufori dhe jo “evfori”, eukalipt dhe jo “evkalipt”, euklidian dhe jo “evklidian”. Madje tek i pari, në f. 171, vini re: ndeshet edhe termi europiúm, d.m.th. emri i atij elementi kimik me simbolin Eu, i cili nga vjen? Vjen nga termi Europë. Mund të shtohen edhe të tjerë terma, po të fushave diturore, që fjalorët e atyre viteve nuk i kanë përfshirë: eugjenia (ose teoria naziste e racës së pastër) dhe jo “evgjenia”, eutanazia dhe jo “evthanazia” etj. Vetë varianti Europë, pavarësisht mosreagimit të gjuhëtarëve, me hapjen e shoqërisë shqiptare ka bërë në shqipe folezën e vet familjare: me Eurovizion, Eurosport, Euroloto, Eurodeputet, Rini eurosocialiste, deri tek ajo monedha bukuroshe që në mënyrë të njëzëshme e të padiskutueshme e quajmë Euro dhe jo “Evro”. Por si ka mundësi, mund të pyetet, që brenda një norme të tillë të mirëstabilizuar, të bartjes në shqipe në bazë të traditës së shkrimit dhe shqiptimit latin me “eu” të emrave të tillë, qenkësh përjashtuar nga norma pikërisht Europa? Nuk ka synim kjo parashtresë t’u japë përgjigje pyetjeve të tilla, të cilat fshikin fushën e minuar të politikës gjuhësore në Shqipërinë socialiste. Rëndësi ka që ky përjashtim përbën një rravgim – angl. aberration – nga norma. Arshi Pipa në veprën polemike “The Politics of Language in Socialist Albania” (Columbia University Press 1989) i trajtoi një varg rravgimesh të tilla si produkte të një konspiracioni, në qendër të të cilit vendoste njëfarë “Kostallari’s group”, atë e shkartiste me Trakë e me trakas e me trakizëm, me bizantinizëm e deri me vetë Bizantin e njëhershëm. Kështu i interpretonte ai, së paku, nga SHBA. Ne tanimë dimë që trajtën “Evropë”, këtu dhe një shekull e ca më parë, e përdornin edhe dytre rilindës me emra të mëdhenj, të ndikuar nga formimi i tyre shkollor. Qenë kohë kur as alfabeti i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip të Stambollit nuk bënte dot pa ndoca shkronja nga alfabeti grek. Më 1868 Sami Frashëri nga Stambolli, në një letër Visarion Dodanit në Bukuresht, detyrohej të qortonte prirjen greqizante të Jani Vretos: ky, gjatë korrektimit të bocave, fjalën Babilonia e shkruante “Vavilonia”, nga Kartagjenë e bënte “Karqidhonia” etj. Samiu porosiste që fjalë të tilla të shkruheshin “pas frymës së shqipes”. Me gjithë respektin për Zosimean, në të cilën u shkolluan shumë burra të zot, – në të rastësisht nxuri shkollë edhe një gjysh imi, – tanimë ajo fazë kulturore është e kaluar. Nuk jemi më të shkollës së Zosimeas. Me Ardian Klosin, përkthyesin e parë në shqipe të disa prej polemikave gjuhësore të Arshi Pipës, qeshnim dikur me amzën konspirative të teksteve të tilla, por nuk mund të mos kujtoj se si pezmatohej Klosi kur në mbrëmje kishte shkruar Europë dhe në mëngjes ndonjë gazetë ia qiste “Evropë”. Ish-Evropën do të dëshiroja ta quaja një rravgim aksidental që e ka sfiduar në mënyrë të pahijshme kulturën tonë. Atë vetë praktika e shkrimit dhe e ligjërimit po e korrigjon prej njëzet e më shumë vjetësh, pavarësisht nëse komisionet akademike do të kujtohen ta “shenjtërojnë” apo jo faktin që Europën e shkruajmë – dhe do ta shkruajmë – Europë dhe jo ndryshe.
Burimi:Gazeta Panorama Online

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen