Prapë karvane mërgimtarësh

Analiza & Komente | Engjëll I. Berisha | 28.11.14 | 15:54

Shkruan: Engjëll I. BERISHA

Biografia kombëtare thuajse nuk ia mbush dot veshin Evropës. Evropa nuk dëshiron t’ia shkelë kush kufijtë as në këmbë. Ndërsa shqiptarë, krijojnë karvane të reja të atyre që ikin nga Atdheu. Këta nuk duan ta pranojnë se i frikohen Atdheut. Por dikujt i frikohen. Ikin prej dikujt. Ikin prej varfërisë që ua zë pick Atdhedashurinë. Kjo është biografia kombëtare e përseritshme.
Një copë biografi kombëtare e kemi të shkruar në rrëfenjat syrgjynosje mërgimtarësh që e farkoi urtësinë: „ larg syve, larg zemrës“! Një tjetër biografi kaloi në ideologji profane, gati sa nuk e krijoi një tjetër njeri…. Dhe biografinë idealiste e cila po kalon në heshtje.
Çmimi i heshtjes dhe çmimi i harresës krijojnë historinë që e përsërit fatin e pamëshirshëm… Në Kosovën e mbushullueshme, lirinë e jetojnë kategoria e heshtur “ të vetmuar në gjithësi“ sikur flasin me gishtërinjë, me emocione, me mallin, nostalgjinë, si dhe kategoria që quhet pushtet. E vërtetë është se në liri e demokraci puna dhe interesi i shkapërderdh njerëzit, bashkësia e atyre ua lidh interesin. Por në atë demokraci ku vizatohen kufijtë politikë ndarës, syve u jep përfundimin jo të mirë.
Po të mbyllësh sytë për një çast e të shohësh botën larg, botën e ndërtuar sipas projeksionit të ëndrrave, botën e lirë, hapësira e së cilës, për kaq pak shqiptarë sa jemi, është aq e madhe, sa na bën të mos takohemi kurrë, sa na shtyn të mendojmë se jeta është kaq e shkurtër, kurse “portat e takimit të mbyllura arrinë”.
Kosova e jetoj robërinë duke e ushqyer trupin me thërrmitë e shpirtit të saj. Ajo Kosova që e mbushi botën me robër të bardhë, duke i falur botës rininë dhe gjakun e ri të saj, fabrikë për prodhimin e njeriut pa atdhe?
Prapë shqiptarët krijojnë karvane mërgimtarësh!? Prapë shqiptarët rrugicave të fshehura periferike të qyteteve të Evropës!? Edhe në Liri, stacionet e autobusëve u bënë “mure lotsh”. Përqafimet, shtrëngimet, vaji dhe fjalët lamtumirëse e përserisin plagën shekullore.
Ata thonë se po na ndjekë “buka” që s’e kemi. Po na ndjekë puna që nuk e gjejmë. Po na ndjekin kufijt ndarës të politikës.
Po rishkruhet edhe një copë biografi në mërgim. Biografinë që e shkrujnë të syrgjynosurit në kohë lirie, është më e dhembshme. Është mallkim që vret si pushka e Zotit.
Kush u kthye në atdhe nga ata miliona shqiptarë që morën mërgatën me sy që nga koha e largët njëmijë vjet? Askush.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen