Intervistë me krijuesin dhe studiuesin, z.Mikel Gojani

Intervista, Rrezore | admin | 14.07.14 | 19:50

Me zotëri Gojanin, biseduam rreth veprimtarisë së tij  letrare,  mirëpo edhe rreth segmenteve të tjera të jetës kulturore, letrare e  shoqërore në përgjithësi.

“Rrezore”: Zotëri Gojani, në fillim të bisedës sonë e konsiderojmë të nevojshme që për lexuesit tanë  të na jepni një letërnjoftim tuaj?

Mikel Gojani: I lindur jam më 1956 në fshatin Dugajevë të Komunës së Klinës. Shkollën tetëvjeçare kam kryer në fshatin Drenoc (fshat afër vendlindjes), Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, ndërkaq Fakultetin Filologjik – Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Një kohë të gjatë (1980-2001), kam punuar mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, po ashtu, edhe biblioteker në shkollën fillore “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Zllakuqan të Klinës. Gjatë viteve të ’90-ta isha i angazhuar në asociacionet dhe institucionet kulturore e arsimore që funksionin në atë kohë. Isha anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) “Naim Frashëri” – dega në Klinë dhe në Këshillin Qendror të këtij asociacioni në Prishtinë. Gjatë kësaj kohe kam dhënë një kontribut në shumë aktivitete kulturore që janë zhvilluar në komunën e Klinës dhe nëpër qendra të ndryshme shqiptare. Pjesë e veprimtarisë sime profesionale janë edhe shkrimet dhe hulumtimet e natyrës dhe problematikës pedagogjike, të cilat i kam botuar në revistën pedagogjike “Shkëndija” në Prishtinë, e cila revistë tashmë ka shuar botimin e saj, për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Pas përfundimit të luftës, kam kryer disa punë. Për një kohë të caktuar kam punuar si koordinator në bibliotekën e qytetit “Kongresi i Manastirit” në Klinë, me ç’rast riaktivizova këtë bibliotekë, e cila e tëra ishte e shkatërruar nga regjimi i atëhershëm serb. Një kohë kam kryer detyrën e zyrtarit për informim publik pranë Kuvendit komunal të Klinës, ndërkaq tash kryej punën e lektorit në Kuvendin e Komunës në Klinë. Kam punuar edhe gazetar në të përditshmen kombëtare “Bota sot”.

Me krijimtari letrare merrem qysh herët. Poezinë e parë e kam botuar më 1968 në revistën për fëmijë “Pionieri” dhe “Jehona e Dukagjinit”, që ishte një organ i shtëpisë së kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë. Kam bashkëpunuar me shumë revista në gjuhën shqipe në Kosovë, Shqipëri, Amerikë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Lubjanë, si “Zëri i rinisë”, “Bota e re”, Jeta e re”, “Fjala”, Nëntori”, “Drita”, “Koha”, Alternativa”, “Republika” “Illyria”, “Flaka e vëllazërimit” etj. Me kumtesa nga fusha të ndryshme ka marrë pjesë në disa sesione e simpoziume shkencore në Kosovë dhe jashtë. Paraqitjet e tij janë pritur mirë nga auditoriumi prezent. Deri me tash kam botuar këto libra: Zëri i largët (poezi) – „Rilindja“ – Prishtinë 1990; Udhëtimi pas kaluarit të vdekjes (poezi), „Fjala“ – Prishtinë 1994; Ndrecë Ndue Gjoka (monografi në vazhdime), „Rilindja“ 1995; Shëti nëpër atdhe (poezi për fëmijë),“Pena“ – Prishtinë 1995; Llesh Gjon Lleshaj (monografi-bashkautor me Pal Canajn), „Forumi i Krijuesve të Artit“ – Prishtinë; Kroi që rrjedh rrëzë bjeshkës (poezi për fëmijë), Prishtinë 1996; Në profil kah Jugu (poezi) – Prishtinë 1996; Ai vjen me shirat e pranverës (roman), „Forumi i Krijuesve të Artit“ – Prishtinë; Mësonjëtorja e Zllakuqanit (monografi-bashkautor me Pal Canajn) – Klinë 1997; Udha e shkronjave (poemë) – Zllakuqan 1997; Kolë Ndrecë Mirdita (monografi) SHB „Anton Pashku“- Prishtinë 2003; Diell dhe reshje mbi Morenë (poezi) – Prishtinë 2005; Tradita dhe bashkëkohësia, (studime, vështrime letrare, intervista), botoi “ARSest” – Prishtinë 2007; Mendësi krijuese (vështrime letrare dhe intervista), Prishtinë 2008; Mësuesi në kujtesë (monografi), “Drita”, Prizren 2009; Dedë Daka – në kujtesën historike (monografi), Klubi Shkrimtarëve “Vorea Ujko”, Klinë 2009; Anton Frrokaj, në piedestalin e pavdekësisë, “Fishta”, Prishtinë 2010; Marjan Cubi, mes vizionit, angazhimit dhe sfidave (monografi), “Drita”, Prishtinë 2010; Nju Jorku, botë në miniaturë (udhëpërshkrim), ARSest, Prishtinë 2010; Fund i pritur (poezi), ARSest, Prishtinë 2010; Emra që reflektojnë dritë, Prishtinë 2011 dhe Bota e mendimit (Shënime letrare dhe intervista), botoi KSH “Vorea Ujko”, Klinë 2012.

Rrënimi i ideologjisë së kaluar ekstreme dhe krijimi i lirisë së të shprehurit solli një të mirë të madhe

“Rrezore”: Çfarë mendoni, cila është gjendja momentale e letërsisë në Kosovë, Shqipëri dhe hapësirat tjera tona etnike?

Mikel Gojani: Në dekadat e fundit, njëmend janë bërë ndryshime të mëdha në fushën e letërsisë. Janë botuar shumë libra me poezi (më së shumti në këtë fushë të letërsisë), por edhe në fushat të tjera. Hapja e mundësisë së botimit të gjithçkaje dhe nga secili pa ndonjë kontroll, shkaktoi një gjendje të mjaft anarkike dhe shpërthim i antivlerave, që në letërsinë tonë krijojë një situatë shumë të pakuptueshme e të papërfillshme. Kjo nuk lidhet vetëm me krijues të rinj, e pjesërisht të rinj, që më parë nuk kishin mundësi për të botuar për shkaqe tashmë të njohura, por edhe nga shkrimtarët në moshë, pra nga ata që ishin afirmuar në sistemin e kaluar. Që do të thotë se edhe këta shkrimtarë botuan libra të vlerave mjaft të dobëta.

Rrënimi i kriterit të vlerës ishte nga çështjet kryesore që e cilësoi kohën që u përmend më lart. Botoi kush pati mundësi e kush gjeti mundësinë e botimit. Vlera qe çështja e dorës së fundit. Kjo gjë mjerisht u shtri pothuajse në të gjitha rrafshet, edhe në institucione kulturore e shkencore.

Rrënimi i ideologjisë së kaluar ekstreme dhe krijimi i lirisë së të shprehurit solli një të mirë të madhe: shkrimtarët mund të shpreheshin në mënyrën më të lirë të mundshme, mund të shpreheshin haptazi atë ndjenjë dhe atë frymëzim që e ndjenin si frymëzim, e jo siç ishte më parë, të shkruanin sipas kërkesave që përcaktonte ideologjia e kohës. Në një gjendje me një situatë drejtpeshuese të lëkundur, për të mos thënë të rrënuar, dolën në sipërfaqe apasionantë të rinj letrarë, po ku gjallonte akoma koncepti paraprak i krijimit të artit të ngjyrosur ideologjikisht, me rast për fat të keq u krijua një kontekst mjaft i paqartë dhe mjaft konfuz me tendenca të përkeqësimit.

Kjo gjendje e krijuar shkaktoi realitet të rëndë dhe se lexuesit u gjenden në një situatë shumë të palakmueshme dhe duke e vërejtur këtë gjendje dhe depërtimin e këtyre antivlerave, humbën besimin në letërsinë tonë dhe tashmë numri i lexuesve ka rënë në shkallën më të ulët.

Duke e pasur parasysh këtë, studiuesit e letërsisë duhet të bëjnë një punë shumë të kujdesshme, që të ndërhyjnë dhe të luftojnë depërtimin e antivlerave që kanë kapërthyer letërsinë tonë, përkatësisht të bëjnë analiza të nevojshme për të vlerësuar prodhimin tonë letrar të periudhës përkatëse.

Kjo gjendje, jo që përcjell letërsinë në Kosovë, mirë e njëjta gjendje fatkeqësisht po e përcjell edhe letërsinë në Shqipëri, Maqedoni dhe hapësirat tjera tona etnike.

“Rrezore”: Po kultura në ç’pozita momentale të zhvillimit ekziston?

Mikel Gojani: “Arsimi, kultura dhe letërsia janë portretet më autentike të një kombi”, shprehet një mendimtar yni. Edhe hapësira jonë kulturore deri me tani ka qenë e ngushtuar, si pasojë e gjendjes që kishte krijuar pushteti serb gjatë atyre viteve të okupimit., i cili kishte bërë rrënimin e institucioneve më vitale të kulturës shqiptare. Mirëpo tash me ndryshimin e rrethanave në Kosovë, meqenëse akoma ka defekte në këtë drejtim, mendoj që jemi duke marrë veten.

Në këtë aspekt mendoj që ka ndikuar edhe mundësitë e integrimit kulturor e shpirtëror me shtetin amë – Shqipërinë, por edhe me pjesët të tjera të gjeografisë sonë etnike.

Edhe një herë po e përsëris se kjo gjendje e sotme vjen si shprehje e realiteteve të krijuara të këtij komunikimi real fizik, shpirtëror dhe kulturor, një komunikim i tillë, i cili deri me dje ka munguar. Shpresoj që një komunikim dhe një bashkëpunim mbarëshqiptar jo që do të vazhdojë, por besoj që edhe do të forcohet më tutje, sepse është në të mirën e gjithë kombit, sepse çdonjëri e dimë që integrimi dhe bashkëpunimi në të gjitha fushat e jetës janë në shërbim të kombeve. Sot Shqipëria dhe Kosova janë dy pjesë të një të tërë “Nja asht gjuha, kombi nja,” pati thënë i madhi Ndre Mjeda. Natyrisht, së bashku i ndiejmë si pjesë të trashëgimisë tonë atdhetare, krijuese dhe kulturore.

Nëse arrijmë që nxënësit tanë të edukohen në frymën më të mirë, që të jenë të vyer e të dijshëm, atëherë kemi kryer punën tonë

“Rrezore”: Si e vlerësoni situatën dhe gjendjen e tashme të arsimit në Kosovë?

Mikel Gojani: Meqenëse nuk jam i inkuadruar drejtpërdrejt në fushën e arsimit, megjithatë i përcjell rrjedhat zhvillimore në këtë segment shumë të rëndësishëm të jetës. Për ecuritë zhvillimore të këtij segmenti është i interesuar çdo individ – qytetar i Republikës së Kosovës, sepse që të gjithë jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe pothuajse edhe po deshëm nuk kemi mundësi t’i shmangemi këtyre proceseve. Sot në Kosovë, nuk ka familje që nuk ka duke vijuar shkollimin në nivelet e arsimit. Edhe në këtë drejtim mendoj që bëhen përpjekje për te ecur përpara. Në radhë të parë, falë ndihmës dhe përkrahjes së bashkësisë ndërkombëtare infrastruktura arsimore është zhvilluar, ngase është investuar shumë në këtë drejtim. Sot shkollat janë pajisur me godina të reja dhe moderne; shkollat janë pajisur me kabinete të lëmive të ndryshme, si të informatikës (që deri dje ka munguar), por edhe të fushave të tjera.

Mendoj që Ministria e Arsimit bashkë me drejtoritë të Arsimit nëpër komunat e republikës së Kosovës edhe për periudhën e ardhshme kanë vënë në prioritet edhe shumë çështje të tjera që lidhen me arsimin dhe edukimin e nxënësve, sidomos në ngritjen e infrastrukturës shkollore nëpër shkolla, zbatueshmërinë e reformave mësimore etj.

Besoj se do të jetë një përkushtim i veçantë i institucioneve të Republikës së Kosovës që në të ardhmen të krijohen mundësi edhe më të mira në fushën e edukimit dhe arsimimit të brezave tanë. Sepse, nëse arrijmë që nxënësit tanë të edukohen në frymën më të mirë, që të jenë të vyer e të dijshëm, atëherë kemi kryer punën tonë. Këto janë përkushtime që i duhen shkollës dhe nxënësit tonë.

Në kohën kur ka qenë një përpjekje e madhe për ta zhbërë shkollën shqipe dhe fjalën shqipe, armata jonë shkollare kanë sfiduar ato përpjekje bashkë me ata që sot nuk janë në mesin tonë, dëshmorët e kombit, shumë nga ta të cilët ishin edhe mësues dhe nxënës të shkollave tona, ku sot i përkujtojmë me pietet dhe kujtimi për Ta mbetet i përhershëm.

Misioni i shkollës shqipe, duhet të jetë mision në vazhdim të punës së madhe që është bërë dhe po bëhet, por, natyrisht, kjo kohë kërkon përkushtim edhe më të madh. Të hulumtojmë të arritura te reja në fushat e dijes dhe t’u mundësojmë nxënësve të nxënë sa më shumë dije . T’i edukojmë fëmijët tanë se si mbahet shteti, sepse shteti mbahet nga të gjithë që duhet të jenë në shërbim të tij.

Vlen të konstatojmë, se përpos këtyre të arriturave arsimin kosovar e kanë përcjellë edhe shumë vështirësi. Pra, në arsimin tonë ka shumë vështirësi që po e përcjellin. Nëpër shkollat tona vërehet një rënie drastike e numrit të nxënësve. Kjo rënie e numrit të nxënësve është si pasojë e shumë faktorëve me të cilat përballet shteti ynë.

Kjo rënie drastike e numrit të nxënësve ekziston si pasojë të gjendjes së rëndë sociale në Kosovë. Për shkak të kësaj gjendjeje shumë familje shqiptare për të siguruar kafshatën e bukës migrojnë jashtë atdheut dhe me vete i marrin edhe fëmijët. Kështu që migrimi i kësaj popullate, trend që vazhdon akoma edhe me tendencë të shtimit, ka ndikuar edhe në zvogëlimin e numrit të nxënësve nëpër shkollat tona. Kështu që, sot shumë shkolla po mbesin pa numër të mjaftueshëm të nxënësve dhe vihen në gjendje që të mbyllen.

Pastaj, vështirësi tjetër paraqet edhe mungesa e kuadrit të mjaftueshëm profesional, sidomos në disa lëndë deficitare, si të matematikës etj. Në shkollat tona ky kuadër mungon shumë (pothuajse në të gjitha shkollat), por ka edhe kuadro të lëndëve të tjera që ndjehet mungesë, sidomos në shkollat të viseve rurale.

Po që se nuk ndryshon diçka për të mirë në këtë drejtim, e ardhmja e këtyre të rinjve do të jetë shumë e paperspektivë.

Leximi të fisnikëron, të mundëson një botë të madhe

“Rrezore”: Sa janë të rinjtë të përkushtuar të lexohet në biblioteka, shkëmbim librash të zhanreve të ndryshme etj.? 

Mikel Gojani: Ne të gjithë e dimë që çfarë rëndësie ka leximi i librit? “Libri është dritare e jetës”. Kjo është një maksimë që është përdorur shumë herë nga ne dhe nga shumë popuj të tjerë. E potencova edhe më lart, se leximi i librit tek ne në Kosovë është një krizë dhe ky trend i kësaj gjendjeje sa vjen dhe vazhdon me situatë të përkeqësimit. Si duket ky brez (duke mos përgjithësuar), nuk e ka kuptuar, apo nuk do të kuptojë sa duhet se ç’rëndësi ka libri në jetën e tyre.

Tek ne ekziston një gjeneratë e mesme që akoma lexon dhe është në kontakt me librin. Të rinjtë kryesisht janë gjithnjë e më larg librit. Për këtë “largësi” të tyre me siguri ka ndikuar edhe shpërthimi i teknikës elektronike, si ai i internetit, televizionit dhe teknikave të tjera bashkëkohore, që me siguri kanë ndikuar në këtë “ikje” të të rinjve nga libri. Pra, edhe një herë e përsërisë, të lexuarit të librit sikur duket ka dalë jashtë mode, në një farë mënyre. Pra, futja e televizionit, kompjuterit dhe internetit, ka bërë një seleksiono të pamëshirshëm në kategorinë e lexuesit. Sot, pra, besnikë të librit janë përgjithësisht ata që i kushtohen sistematikisht një profesioni, shkrimtarët dhe individët të cilët e kanë shumë të fuqishëm nevojën e të menduarit. Të rinjtë shumë pak po lexojnë, mosha e thyer akoma po. Jo se u ka mbetur si zakon leximi, por, se e kanë të vështirë të përshtaten shpejt me kulturën dhe ritmin që ofron bota e ekranit apo internetit, një kulturë, deri diku e huaj për ta.

Ndryshimi i librit prej burimeve të tjera të informacionit është ndër të tjera fakti që librin e kontrollon, të tjerat jo. Kur lexon nuk mund të jesh një konsumator pasiv; leximi gjithmonë shoqërohet me reflektin individual. Është një lloj magjie që vjen ngadalë, por, edhe largohet më ngadalë, gjë që nuk i ndodh, kur shikon një film, fjala vjen. Me librin lexuesi, sipas meje, kërkon elemente unifikimi, dhe jo thjesht informohet.

Pse duhet lexuar? Për rolin e leximit as nuk kam nevojë të ndalem, sepse çdonjëri e kupton at rol. Më kujtohet ajo që kam lexuar nga një poet izraelit. Në një përgjigje të tij që i bënte gazetarit kur gazetari e pyeste se si është e mundur që hebrenjtë janë kaq të suksesshëm në botë, ai përgjigjej: “Një hebre edukohet që në moshën tre vjeç me leximin. Ne jemi një popull pa tokë, dhe e vetmja mënyrë për të jetuar është pikërisht puna intelektuale”. Në të njëjtën kohë, njohja shkon paralelisht me zbulimin e vetvetes. Leximi të fisnikëron, të mundëson një botë të madhe. Unë nuk kam parë sy më të bukur se sytë e njerëzve të ditur. Njeriu zhvishet nga gjerat e tepërta nëpërmjet dijes, dhe në të njëjtën kohë është në gjendje të pozicionohet dhe të investojë në drejtimin e duhur për veten e tij.

Shpresoj që ky trend do të ndryshojë pozitivisht, se po që se vazhdon në këtë mënyrë atëherë do të jetë shumë keq. Ne brezi më i moshuar nuk kemi asgjë kundër teknikës bashkëkohore që ka mbërritur si realitet i kohës, mirëpo mendoj që libri ka rëndësinë e vet primar në jetën e tyre. Prandaj, uroj që lexuesi shqiptar t’i kthehet kulturës së të lexuarit të librit.

“Rrezore” Si qëndrojnë raportet mes institucioneve shkencore dhe politikës ditore, a e ndihmojnë njëra – tjetrën? 

Mikel Gojani: Në Kosovë raportet mes institucioneve shkencore me politikën nuk janë edhe aq të mira. Politika jonë aktuale bën përpjekje që të depërtojë në të gjitha institucionet tona, edhe ato arsimore, edhe kulturore dhe ato shkencore. Në këtë drejtim, ne kemi shembullin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e cila është institucion i pavarur, mirëpo, ne jemi dëshmitarë i gjithë atyre sulmeve që bëhen nga qarqe të caktuara të politikës aktuale në Kosovës në mënyrë që të depërtojnë edhe në atë institucion dhe të mos lejojnë veprimtarinë e këtij institucioni në mënyrë të pavarur. Kohëve të fundit, pra kemi përpjekje që më çdo kush që edhe politika të depërtojë aty ku bëhet shkenca e mirëfilltë, pra në ASHAK. Madje, ka synime që përmes disa ligjeve të sajuara nga deputetë të caktuar të Kuvendit të Kosovës të ndryshojnë ligje dhe të sajojnë këto ligje sipas dëshirës së tyre në mënyrë që të “sundojnë”, edhe në këtë institucion, më të rëndësishëm shkencor. Kjo është diçka shumë e pakuptueshme dhe e patolerueshme, mirëpo për fat të kea në shoqërinë tonë ndodh dhe durohet shumëçka.

“Rrezore”: Sa bashkëpunoni me shoqatën e shkrimtarëve dhe a keni takime të rregullta me këtë asociacion kulturor e letrar?

Mikel Gojani: Unë qysh në fundvitet e ‘80-ta kam qenë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Dhe në këtë asociacion kulturor kam vepruar për një kohë bukur të gjatë, gjegjësisht deri në vitin 2006, kur edhe jam larguar për shkak të konfliktit ideologjik që pata me kryetarin e atëhershëm dhe të sotëm, z. Adem Demaçi. Zaten, largim im lidhej me emrin e dr. Ibrahim Rugovës, i cili për shumë vjet kishte udhëhequr këtë shoqatë. Më 2006, me rastin e vdekjes së dr. I. Rugovës, nga një grup anëtarësh të LSHK ishte një kërkesë që në emër të kontributit që për më tepër se një dekadë dr. Ibrahim Rugova ka dhënë në këtë shoqatë, Shoqata të organizojë një komemoracion. Kësaj kërkese të këtyre shkrimtarëve, në mesin e të cilëve isha edhe unë, zoti Demaçi e refuzoi në mënyrë shumë të ulët dhe nuk lejoi këtë organizim. Si reaksion i këtij veprimi të z. Demaçi dhe të njerëzve të tij afër, unë bashkë me disa shkrimtarë të tjerë dhamë dorëheqje nga LSHK. Edhe sot ndjehem shumë krenarë që kam bërë këtë veprim, sepse ne fort mirë e njohim, po e njohim edhe sot pas kaq vitesh të ikjes, virtytet dhe kontributin e studiuesit dhe arkitektit të pavarësisë së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.

Tash aktivitetin tim e zhvilloi i si një shkrimtar i pavarur. Ftohem në shumë organizime kulturore dhe letrare në Kosovë dhe Shqipëri, ku edhe jap kontributin tim. Këto ditë kam konfirmimin nga Lidhja e Shkrimtarëve të qytetit të Laçit – Shqipëri, që jam nga kandidatët më potencial për marrjen e shpërblimit tradicional me emrin “Serembe”, që ndan Departamenti i Kulturës i këtij qyteti në bashkëpunim me Ambasadën italiane në Tiranë dhe një fondacion të qytetit të Veronës në Itali, për kontributin e dhënë në kulturë dhe letërsi. Në këtë konkurs si konkurrent potencial gjendem krahas disa emrave shumë të shquar të letërsisë shqiptare, që për mua është një ndjenjë krenarie dhe privilegji.

Po ashtu, këto ditë kam botuar edhe një libër me titull: “Bota e mendimit”, që është mirëpritur mjaft mirë nga kritika letrare në Kosovë.

Librat e shumë autorëve kanë lënë vulën e vet në shkencën, kulturën dhe letërsinë tonë

“Rrezore”: Çfarë ngërthen në vete përmbajtja e librit tuaj të fundit “Bota e mendimit”, e cila kohë më parë është botuar? 

Mikel Gojani: Nga ndjenja e përcjelljes me vëmendje dhe kujdes kontributin e shumë etërve të letërsisë dhe, të cilët akoma meritojnë të hulumtohet biografia dhe veprimtaria e tyre, po ashtu edhe zhvillimin e letërsisë në përgjithësi, ishte shumë e natyrshme që në këto gjithë dekadat e fundit të të lexuar biografitë dhe veprat e disa autorëve që kanë lënë gjurmë që nga e kaluara, po ashtu edhe veprat e një plejade më të vonshme, brenda kopertinave të këtij libri vendosa t’i veçoj disa autorë dhe vepra në recensionet dhe vështrimet e mia. Këto biografi, recensione dhe vështrime letrare, të botuara kohë pas kohe në revistat shkencore dhe gazetat, do të përbëjnë një tërësi dhe në ato dimensionet e jetës shkencore dhe letrare për të dëshmuar përpjekjet dhe të arriturat hulumtuese të këtyre autorëve dhe veprave, mirëpo edhe për të pasqyruar arritjen e rezultateve në një shkallë të avancuar të këtyre studimeve.

Kështu, i nxitur nga këto ndjenja, edhe ka lindur ideja që në brendinë e këtij koncepti të këtij libri, si një tërësi përmbajtjesore, t’i kapërthej këta autorë dhe këto vepra që i kam konceptuar në brendinë e këtij libri. Në libër janë të përfshirë emra të shquar të letërsisë dhe të shkencës shqiptare, të cilët me veprat e tyre veçohen për arritjen e fuqishme me botën mendore, si vlera të daluar të shkencës dhe të kulturës shqiptare.

Libri, “Bota e mendimit”, është i konceptuar në dy pjesë tematike. Pjesa e parë titullohet “Gjurmë të traditës”, ndërsa pjesa e dytë, “Kontinuiteti i fjalës artistike”.

Në brendinë e kapitullit të parë të këtij libri, “Gjurmë të traditës, ngërthehen jetëshkrime dhe vepra letrare të disa shkrimtarëve të periudhës së traditës, si, At Gjon Shllaku, At Klement Miraj, dom Nikollë Gazulli, dom Kolec Prennushi, Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni dhe Rrok Zojzi etj.

Veprat e krijuara nga këta autorë, përkatësisht kjo traditë që na e kanë lënë si trashëgim këto figura dhe këta autorë, gjatë gjithë rrugës historike të shkencës dhe letërsisë sonë e ka frymëzuar jetën tonë shpirtërore, si faktor më i rëndësishëm i etnikumit. Në pjesën e dytë, të titulluar “Kontinuiteti i fjalës artistike”, janë të përfshirë studime dhe recensione të autorëve të periudhës moderne, si studimi për O. R. Gashi, veprat e H. Isufit, mr. S. Gashi, dr. R. Sadiku, P. Brahimi, P. Buzhala, dr. M. Dreshaj – Baliu, prof. dr. B. Baliu, P. Nikolla, A. Canaj, S. Berisha, A. Abazi, H. Morina e të tjerë.

Mendoj që librat e këtyre autorëve kanë lënë vulën e vet në shkencën, kulturën dhe letërsinë tonë.

Shkrimtari dhe studiuesi shqiptar, i realitetit të sotëm, jo vetëm që ndjehet i braktisur, i vetmuar, por edhe i fyer!

“Rrezore” Si ndjehen shkrimtarët dhe punonjësit shkencorë në realitetin e sotëm shqiptar dhe në këto zhvillime me plot kontradikta që prodhojnë një realitet pothuaj shumë konfuz. Pse kjo kategori intelektualësh nuk stimulohen materialisht nga shteti për punën e tyre në letërsi dhe shkencë dhe për veprat që dhurojnë? 

Mikel Gojani: Shkrimtarët, studiuesit dhe njerëzit të tjerë të letrave shqipe sot ndjehen shumë keq. Kjo gjendje dhe pozitë e vështirë shpirtërore, ndodh, pos tjerash, për disa arsye: Një, ai i ndjen më thellësisht kundërthëniet shoqërore, varfërinë dhe pësimet shpirtërore; e vëren më qartazi shpërpjesëtimin e mundësisë së individit tonë për një organizim më të mirë e më dinjitoz të jetës e të botës shqiptare dhe të përpjekjeve të vogla, përfillëse, për të mos thënë vetërrënuese që përligjen në rrjedhën e përditshmërisë së organizimit e të gjallimit të botës sonë. Tjetra, shkrimtari shqiptar, i realitetit të sotëm, jo vetëm që ndjehet i braktisur, i vetmuar, por edhe i fyer! Ai vuan jo për arsye të vetvetes e të përbuzjes që i bëhet atij, po pse e pëson bota që i takon ai. Dhe, më duhet të them me kuptimin e plotë të fjalës, se përkundër gjitha këtyre vështirësive shpirtërore dhe materiale me të cilat përballen shkrimtarët dhe studiuesit tanë, këta bëjnë punën e tyre për të mbajtur drejtpeshimin e tyre shpirtëror dhe për të ndihmuar mirëqenien dhe mbarësinë e botës sonë.

Për sa i përket pozitës materiale përçmuese, më drejt, përçmimit të punës që bëjnë këta, të mospagesës, që s’i bëhet frytit të punës së tyre, kjo nuk është e keqja më e madhe që i bëhet shkrimtarit dhe studiuesit të sotëm tek ne. Ka edhe shumë të këqija që sot u bëhen këtyre kategorive që i sjellin edhe deri te rrënimi shpirtëror. Meqenëse nuk njoh shumë realitete të tjera të trajtimit të këtyre kategorive, mirëpo mendoj se në botën e civilizuar kjo mund të ndodh vetëm tek ne, që do ta quaja një padrejtësi që nuk do justifikim.

“Rrezore”: A shpresoni që në të ardhmen ndonjë nga librat tuaj në vitet e ardhshme të përfshihet si lekturë shkollore? 

Mikel Gojani: Unë përpos që kam shkruar libra poetikë për të rritur, kam shkruar edhe për fëmijë. Një kohë të gjatë të punës sime ua kam kushtuar fëmijëve. Kam punuar si mësues në me fëmijët e Lugut të Drinit, përkatësisht me fëmijët e shkollës së Zllakuqanit. Dhe gjatë punës sime me fëmijë-nxënës, kam bërë përpjekje që të futem në lirishtën e tyre. Unë i dua shumë fëmijët. Gjej kohë të rri e të jetoj me ta. I kuptoj dëshirat e tyre e mundohem të futem edhe brenda lirishtës së tyre, do të thotë brenda jetës së tyre që është plot imagjinatë, plot vullnet për jetë dhe përplot dëshira. Për fat të keq, nga ne të rriturit edhe fëmijët pësojnë ndonjë herë.. Ata e duan jetën, janë si zogjtë që fluturojnë nga pema në pemë… Fëmijët janë si lulet. Të brishtë, të dashur sa s’bën më shumë. Sa herë që takohem me fëmijë më lënë mbresa të thella e të paharrueshme. Ata dinë të shikojnë ngultas në sy, të të pyesin, të nderojnë si mikun më të mirë. Krijuesit i çmojnë shumë, më çmojnë edhe mua. Nga letrat që marr nga ata bindem se ky nderim është vetëm i sinqertë deri në dashurinë e tyre.

Lashtësia më ka interesuar përherë. Ne kemi pasuri, e kemi një krenari që s’e kanë pasur të tjerët. Koha e ilirëve dhe koha dardane e në veçanti koha e fitoreve të Gjergjit Tonë të Madh janë gurra të pashtershme të krijuesit. Kjo kohë më frymëzon shumë edhe mua. Këto kohëra kanë dhënë njerëz të mëdhenj, siç janë Shën Albani, Shën Jeronimi, Marin Biçikmeni, Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi e shumë të tjerë.

Edhe fati i copëtimit të kombit padrejtësisht më ka sëmbuar përherë në frymëzimet e mia. Mbi këtë ndjenjë në vitin 1996 botova një poemë poetike të titullar “Shëti nëpër atdhe”. Më parë ishte botuar në vazhdime në revistën për fëmijë, “Pionieri”, me titull: “Shëti nëpër Shqipëri”, mirë kur u konceptua si libër i veçantë redaktori dhe recensenti bë një ndryshim në titull, me qëllimin të më “kursejnë” nga pushteti i atëhershëm serbosllav, i cili përcillte çdo shkronjë të shkruar shqip. Ato vargje në atë kohë nxënësve të shumë shkollave si “Dardania” në Prishtinë, të Preshevës e të Zllakuqanit ju shërbyen edhe si recitale me rastin e festave të ndryshme, ditëve të shkollave, apo të ndonjë kremte tjetër në përkujtim të ndonjë figure historike, apo ngjarje të rëndësishme kombëtare. Libri “Shëti nëpër atdhe”, si lajtmotiv kishte Teutën (personifikim i lashtësisë sonë), e cila kishte bërë një udhëtim nëpër Shqipëria, atdheun amë dhe në të gjitha trojet të gjeografisë sonë etnike, ku shpalos tërë atë mallin dhe dhembjen e këtij populli, i ndarë nga trungu amë dhe kërkon që “Rrënjët e së Bukurës”, t’i bashkohen këtij trungu. .

Në këtë kohë, libri u prit shumë mirë nga kritika e atëhershme letrare. Madje, shkrimtari i madh, i cili fatkeqësisht sot nuk gjendet në jetë, Mehmet Kajtazi, e pat propozuar si libër-lekturë shkollore, mirëpo, njerëzit kompetent të asaj kohe shkrimtarët i shikonin “Nëpër gishta të duarve”, libri im mbeti vetëm si propozim. Për mua më rëndësi është të shkruaj dhe të shkruaj… Çfarë të sjellë koha, mbetet çështje e saj. Meqenëse edhe sot është shumë vështirë të depërtohet sepse sikur në të gjitha fushat të tjera, tek ne çdo gjë ka marrë konotacion ideologjik, klanor etj. Prandaj, po përsërisë: për mua me rëndësi është të punojë dhe çdo punë timen e konsideroj si një apasionim për t’i shërbyer kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Mërgata jonë angazhohet në ruajtjen e vlerave të entitetit dhe etnitetit që i takon, mirë e ka të zorshme të sfidojë realitetet shoqërore që rrethojnë brezin e ri, i cili tashmë po arsimohet dhe po integrohet në jetën e atij ambienti ku jeton.

“Rrezore”: Si e vlerësoni angazhimin e mërgatës në luftën e asimilimit dhe integrimit?

Mikel Gojani: Ne të gjithë jemi njohës se çfarë po zhvillohet me mërgatën tonë e cila po jeton dhe po vepron jashtë atdheut. Mendoj që kjo shtresë e popullatës sonë, për kohën e ardhme, është në një rrezik permanent. Ne e dimë se nëpër këto vende ku po jeton dhe vepron popullata jonë janë formuar disa shoqata, ku njerëzit vullnet mirë bëjnë përpjekje për të mbajtur gjallë shpirtin kombëtar, pastaj, e dimë që ka edhe shkolla plotësuese për fëmijët tanë, mirëpo kam frikën që realiteti shoqëror që ka mbërthyer dhe mbërthen këtë pjesë të individit tonë, sidomos gjeneratën e re, paraqet rrezikun e asimilimit dhe të tjetërsimit. Rrethi shoqëror është segmenti i cili mendoj që më së shumti dikton në krijimin dhe formimin e individit.

Për të ruajtur këtë substancë, sidomos tek të rinjtë, duhet punuar dhe angazhuar edhe më shumë. Kontakti me vendlindjen duhet të jetë permanent, pastaj krijimi dhe forcimi i mësimit plotësues të shkollave shqipe në ato vende, formimi i shoqatave kulturore e artistike etj., do të ndikonin shumë në këtë drejtim.

Në këtë aspekt ,mendoj që edhe shteti i Kosovës do të kishte mundësi që të kontribuojë dhe kam shpresa që do të punojë në këtë drejtim, po që se ka si synim që këtë shpirt të këtij populli të tij ta mbajë gjallë. Mendoj që për këtë qëllim Qeveria e Republikës së Kosovës edhe ka formuar edhe Ministrinë e Diasporës, e cila duhet të punojë dhe të angazhohet shumë për atë pjesë të këtij populli, i cili pa dashje, por i detyruar për shkaqe ekonomike, ka qenë i obliguar që ta lëshojë vendin e vet dhe të migrojë në ato vende ku sot jetojnë.

Mendoj që mërgata në këtë drejtim ka bërë punë kolosale, mirëpo duhet punuar akoma, në qoftë se dëshirojmë që këtë damar kombëtar ta mbajmë në jetë, meqenëse, prapë e potencoj se do të jetë shumë sfiduese.

Pra, mërgata jonë me tërë angazhimi dhe potencialin që posedon po angazhohet në ruajtjen e vlerave të entitetit dhe etnitetit që i takon, mirëpo e ka shumë të zorshme të sfidojë realitetet shoqërore që rrethojnë brezin e ri, i cili tashmë po arsimohet dhe po integrohet në jetën e atij ambienti ku jeton.

”Rrezore”: A besoni se kjo intervistë do të jetë një lëndë studimi dhe interesimi për gjeneratat pas 30 e më shumë vitesh?

Mikel Gojani: Kjo intervistë do të shërbejë vetëm si disa pikëpamje aktuale të një krijuesi dhe një veprimtari të kulturës. Koha do t’i qartësojë realitetet. Vitet në vijim do të flasin ndryshme. Mbase kështu shpresoj.

“Rrezores” ju uroj mbarësi dhe suksese në punën mjaft të frytshme që po bën

”Rrezore”: Sa e çmoni punën vullnetare dhe të pa kompensueshme të portaleve si “Rrezore” etj.?

Mikel Gojani: Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për vështirësitë e “Rrezores” dhe të portaleve të tjera shqipe që funksionojnë. E dimë që këto portale funksionin e tyre informativ dhe shkencor e kryejnë nga vullneti i mirë, që individi ynë të jetë sa më afër informatave dhe sa më afër shkrimeve të tjera me interes, letrar dhe shkencor.

Unë, me këtë rast, shfrytëzoj momentin që faqes së portalit shumë të dashur dhe shumë të afirmuar “Rrezore”, t’i uroj mbarësi dhe suksese edhe në punën e mëtejme.

“Rrezore”: Para se t’ju falënderojmë për intervistën, më lejoni t’ju pyesim për preokupimet tuaja momentale: çka do t’u dhuroni së shpejti lexuesve?Mikel Gojani: Meqenëse asnjë shkrimtar as studiues nuk ka dëshirë t’i shpalos planet dhe prioritetet e tij. Edhe unë kam disa plane dhe prioritetet të mia të cilat nuk do t’i fsheh. Besoj që së pari do të jetë një roman i titulluar “Rrugëtim nën zë”. Është kjo një prozë që unë e kam mbajtur gjatë në tavolinën time të punës. Po përfundoj një tjetër libër tjetër të fushës së publicistikës dhe me studime dhe kritika letrare. Këto mendoj se janë projektet e shpejta. Më pastaj është herët të flitet për të tjera gjëra.

“Rrezore”: Ju faleminderit për intervistën!

Mikel Gojani: Ju faleminderit edhe nga Ju!

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen