Daniel Gàzulli: At Justin Rrota – një jetë përkushtue shqipes

Arkivi | admin | 01.11.10 | 08:44

 K.Prenushi,Gj.Fishta,J.Rrota,Sh.Gjeqovi

(Ne foto kater françeskant e mdhaj Karl Prennushi-Gjergj Fishta-Justin Rota-Shtjefen Gjeçovi)

Më rastisi të kisha edukatorë dy vëllazën: Simon Rrotën, profesor të landës së vizatimit në shkollë; At Justin Rrotën,udhëheqës shpirtnor në jetë.

Dy vëllazën me artin e shkencën në gjak.
Kanë kalue pothuej pesëdhjet vjet qysh atëherë. Pesëdhjetë vjet që kur ndrruen jetë. Po ata i lanë, si thotë Fishta, një përmendore vetes me veprat e tyne përkushtim Atdhetarie, çka i ban të pavdekshëm.
At Justini (1889-1964)
Justini (emni i pagëzimit Ndoc) leu në Shkodër me 17 shkurt 1889. Ishte djali i tretë i Gjush Rrotës. Të gjithëve, ndonse në kushte të vështira e të randa të pushtimit turk, Gjushi u dha shkollë: Ma i madhi, Kola, u ba profesor në Katedrën e Gjuhës shqipe në Vjenë; i dyti, Simoni, një ndër piktorët ma të mëdhej shqiptarë të të gjithë kohëve; Justini u ba frat, por jeten ia kushtoi veçanarisht gjuhësisë shqiptare dhe studimit të autorëve të lashtë, arbëreshë e të Shqipnisë amë. Ai ka qenë (e do të jetë përgjithmonë) një ndër gjuhëtarët tanë ma të mirë, përkah Mjedës, Xhuvanit e Çabejt, sidhe një ndër studiuesit ma me vlerë në fushën e kulturës shqiptare në përgjithësi, asaj të historisë latrare e arsimore në veçanti.
Justini, shëndetpakë që në vegjëli, kreu shkollën fillore pranë Françeskanëve, kurse me 28 Gusht 1902 vijoi Kolegjin Françeskan, ku ishte drejtor At Fishta, e që për herë të parë në një shkollë fetare, të gjitha landët jepeshin në gjuhën shqipe. Në themel të mësimdhanjes u vu atdhetaria, ndonse nën pushtimin osman. Liria, dashunia për gjuhë e për Atdhe, ishin yll polar i atij Kolegji.
Më 1904 veshi zhgunin e rishtarit për frat në Rubik e qé me këtë rast që iu dha emni Justin.
Mbas një viti kaloi në Troshan ku studjoi teologi.
Po në Gusht, tashma në vitin 1907, shkon në Austri, në Klaghenfurt, gjithnjë për studime teologjike, por kthehet pa e mbushë motin për arësye shëndetësore dhe i kryen studimet në Shkodër nën drejtimin e At Gjergj Fishtës dhe At Ambroz Marlaskajt.
Shugurohet meshtar me 11 Gusht 1914 në Kishën e Fretënve, në Gjuhadol; predkun e rastit e mbajti Frati i Madh, At Gjergj Fishta.
Emnohet profesor i gjuhës dhe latinishten po në atë Kolegj ku kishte rritë shtatin e rysë mendjen edhe ai vetë. Mungonin librat, metodikat, mungonte një përvojë e mirëfilltë pedagogjike. E ai iu vu punës me i mbushë këto boshlleqe vetë: në pak vite (1914-1917) ai u ba një referim për landën e gjuhës jo vetëm për shkollat e kohës, por edhe për gjuhëtarët e mirëfilltë, si Mjeda, Logoraci, apo krijuesit ma në za si Fishta, Gurakuqi etj.
Më 1917 fratin e ri e emnuen në Plan të Dukagjinit. Atje, për herë të parë, ra në kontakt me gurrën e pashtjerrëshme popullore dhe u mahnit: Ishte një shqipe si e dalun prej shkambijsh graniti, legjenda e përralla mitike, një kangë që shungullonte malet, e mbi të gjitha atje njohu me themel atë shqiptarin e patjetërsuem, që sikur vinte prej kohësh të lashta pellazge e drejt e në shekullin XX. U mahnit, po nuk u shtang. Iu vu punës me mish e me shpirt në njohjen me themel të çdo elementi gjuhësor, të çdo tingulli e të çdo trajte morfologjike, që ndryshonte shumë nga ajo e Shkodrës ku ishte le e rritë ai.
Nësa vazhdonte edhe natën në dritën e kandilit të sendërtonte atë sistem gjuhësor të të folmes së Dukagjinit, që askush para tej nuk e kishte shtjellue, në mëngjes priste në qelë voglushët: pa asnjë mjet e mbështetje, ai hapi shkollën e parë në Plan e u ba mësues i dukagjinasve të vegjël.
Mbas dy vjetësh, tue njohë përgatitjen e tij të thellë, e transferojnë profesor në Kolegj të Troshanit, kurse më 1921 ishte, bashkë me Fishtën, Sirdanin, Logorecin nismëtar i themelimit të Liceut të Shkodrës, i pari i llojit e i atij niveli në Shqipni.
Studimet e tij gjuhësore filluen të mbushnin faqet e revistës zamadhe “Hylli i Dritës”, shpesh herë edhe në formë debati, e tue dëshmue me to se askush tjetër nuk i njihte si ai me themel si gegnishten, ashtu edhe tosknishten e deri tek arbërishtja e shqiptarëve të Italisë.
Njohës i mirë si i gjuhëve modrene, italishtes, frëngjishtes, gjermanishtes, sllavishtes, ishte njëherësh ndër studjuesit me themel e në ballafaqim me shqipen e lashtë të latinsihtes e të greqishtes së vjetër, ai përfitoj prej tyne shtjellimin metodik dhe iu vu punës për hartimin e teksteve, në fillim të atyne shkollorë, e në vijim edhe i atyne me karakter të thjeshtë shkencor, qoftë në lamë të gjuhësisë, ashtu edhe ate letrar, kryesisht tekste për shkollat e mesme.
Edhe pse në vitin 1925 ai u prek nga paraliza progrsive, jo vetëm nuk e ndërpreu punën e tij kërkimore, por e shtoi ate, e për 39 vjet, deri një javë para vdekjes, nuk e lëshoi makinen e shkrimit tue punue me vetmohim vetëm me dorën e majtë.
Ndër studimet e tij që çelën shtigje të reja e lanë gjutmë në shkencën shqiptare janë studimet për Gjon Buzukun e autorët të tjerë të vjetër si Lekë Matrënga. Ai edhe kishte sjellë për herë të parë prej bibliotekës së Vatikanit të fotokpojuem në katër kopje “Mesharin” e Buzukut, që pothuej 40 vjet ma vonë do ta transkriptonte miku i tij, Prof. Eqrem Çabej. Qysh më 1930, një vit mbasi e kishte sjellë nga Roma, ai botoi në librat shkollorë fragmente të komentueme të “Mesharit”, e solli shtjellime e ngriti probleme ende të pa trajtueme në mënyrë shtjerruese. Me vlerë asht edhe studimi i tij, botue më 1956, “Hulumtimi dhe shënjime mbi Gjon Buzukun” ku argumenton edhe preardhjen e autorit tonë ma të lashtë, prej Kraje, krahinë në përendim të liqenit të Shkodres.
Por rrezja e studimeve të tij përfshinë edhe autorët tanë të vjetër si Budi, Bogdani, Bardhi, randësia e Kuvendit të Arbënit etj.
Një vepër me vlera jo vetëm historike e gjuhësore asht studimi i tij, ma i thelli i llojit, “Për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe” (1936), ku evidentohet roli i intelektualëve shkodranë në atë proçes të mundimshëm që çoi në Kongrsin e Manastirit, 1908, ku ndër 32 delegatët me të drejtë vote, pesë ishin prej Shkodre e me një rol vendimtar në atë Kongres, si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi. Studimi përfshin analizën e veprës së 23 autorëve e shoqnive, analiza ma e thellë e bame sistemit të alfabetëve deri më sot.
Po në këte periudhë ai solli edhe mendime me vlerë për gjuhën e përbashkët shqipe. Komisia e Letrare e Shqipes, Shkoder 1916-1917, kishte hedhë themelet e një shqipeje të njësueme me bazë të folmen e Elbasanit. Shkrimi i tij “Rreth problemit të gjuhës letrare” dëshmmonte një njohje të tillë të thellë filologjike të shqipes, që nuk ishte arrijtë nga autorët tjerë.
Trajtoj në atë shkrim edhe një temë shumë të ndjeshme edhe në ditë të sotme, ate të barabarizmave në shqip dhe faktorët ndikues në këtë proçes. Në debat me puristat, përgatitja e tij e thellë bani që ai të trajtojë për herë të parë në mënyrë bindëse ndërkombëtarizimet nga fjalët e hueja parazite e të panevojshme.
Sa i përket idesë së gjuhës së përbashkët, ai kambëngulë në pranimin e përdorimin e një gjuhe të përbashkët letrare, çka mund të arrihet vetëm nëpërmjet përafrimit të të folmeve e dialekteve, ide që do ta bante të veten ma vonë edhe Çabej, por që nuk u përfill më 1972.
Po puna e tij, ndonse tashma paraliza përparonte në mënyrë të dhimbëshme, nuk reshti me kaq. Ai trajtoj edhe probleme të morfologjisë, fonetikës e sintaksës si në studimet “Analizimi i rasave të emnit në zhvillimin historik të tyne”, deri tek “Sintaksa e shqipes (1942), studimi me i randësishëm për këte temë, qoftë nga ana shkencore, ashtu edhe metodike.
Por kryevepra e Justin Rrotës asht “Gjuha e shkrueme ose vërejtje gramatikore”, që ai e la në dorëshkrim e që autori i këtyne radhëve e ka njohë qysh kur ishte gjallë At Justini, nëse dorëshkrim mund të quhen mija faqe të shkrueme me një dorë në një mkainë të vjetër metalike “Olivetti”.
Kjo vepër asht padyshim ma e mira e llojit në gjuhën shqipe, por edhe ma tragjikja, pse qendroi ma se 40 vjet në Arkivat e Institutit të Gjuhësisë, pa e pa dritë e botimit, sepse autori ishte … frat.
Vetëm më 2006 (përsëri sa vonë!) ajo u botue e plotë në 612 faqe, nda në Brumi i shqipes (Leksikologji), Fjalia e shqipes (Sintaksë), Trajtat e shqipes (Morfologji), Të përbamit e fjalës (Etimologji), Lëvruesit e shqipes (Albanologji).
Studjuesi Kolec Çefa, që i qëndroi afër At Justinit në të gjallë, ka ruejtë edhe letërkëmbime apo kujtime të tjera me vlerë të madhe për njohjen e personalitit të At Justinit. Dëshiroj të sjell disa fragmente nga kujtimet e tij: Ja si i përshkruen Çefa:
Vizita e Çabejt e kënaqte në mënyrë të veçantë. Unë ishe i porositun, kur të vinte Profesori në Shkodër, në Institutin a në Universitetin e Shkodrës, ta përshëndetshe e ta ftojshe në emën të Pader Justinit. Kaq sa, kur më shihte Profesori që ishe përzie midis studentash, m’u afronte e më thonte: “Po, sot mbasdreke, do të vi te Justini. Përshëndete!”. (ose: “sot nuk mund të vij, do të nisem për Tiranë”).
Të dy e njihnin veprimtarinë shkencore të njeni-tjetrit, e çmonin dhe e donin njëni-tjetrin. Sidomos Buzuku i lidhte. “Shih, shih, më thonte sa herë, shih sa bukur e ka shkrue”.
Me rastin e pesëdhjetëvjetorit, më 1958, Justini i dërgon këtë urim:

“Në ditën e 5 korrikut
në të cilën
Doktori i nderuem i letrave tona
Zoti Ekrem Çabej
Lumnisht mbush vitin e pesëdhjetë
Miqtë, kolegët, bashkëqytetarët
Të mrekulluem me mprehtësinë e mendjes së tij
I urojnë me hare gjithë të mirat
Ty Perenditë e qiellit
Të të ruejnë për dashuninë e njerëzve të tu
Për shkelqimin e gjuhës sonë
Për vjet shumë e të lumtun
Që të vijosh të punosh
E të rrnosh gjatë e ma gjatë
Si shkrimet tueja do të mbetën përjetë
Përmendore të gjuhës shqipe!”
Tue e mendue të sigurtë botimin e veprës së vet “Gjuha e shkrueme shqipe…”, pader Justini pati përgatitë edhe disa kushtesa eventuale, kushtue personaliteteve të ndryshme. Justini ka qenë mjeshtër për hartimin e këtyne kushtesave, epigrameve etj. Po botoj për të parën herë kushtesën për prof. Ekrem Çabejt, Tiranë:

“Albanistit ma të madhit kombëtar
Profesor Doktor Ekrem Çabejt
Këto hulumtime linguistike nxanësish
Gjithë motin e jetës mirnjohtës
Për kontributin e vlefshëm dhe bujarisht të huajtun
Në favor të këtyne fletëve”
Autori
Por shprehjet e miqësisë, të dashamirësisë e të vlerësimit ishin të ndërsjellta. Për ilustrim, po xjerri disa fragmente nga letërkëmbimi i profesor Jupit me Pader Justinin, tue përjashtue këtu thaniet e vlerësimet gojore që sillte nga Tirana prof. Jupi. “Dr. Eqrem Çabej dhe Z. Xhuvani Ju falen me shëndet. I pari Ju ka dhurue edhe një kopje të dispensave të albanologjisë, të cilën ia kam pasë dhanë Kolecit” (autorit të këtyne kujtimeve, k.ç.).(letër e Prof. Jupit e vitit 1954). Xhuvani e Domi Ju nderojnë së tepërmi; Çabej thotë me të drejtë “Rrota asht shkencëtar”. Prof. Dr, Çabej: “… me një rradhë punimesh… ky studiues i gramatikës e i letërsisë së vjetër shqiptare ka ndihmuar shumë ndër ne”.
Nga një letër e datës 5.XII.1961: “Sa dëshirë kishte me ardhë në Shkodër A. Xhuvani së bashku me profesor Eqrem Çabejn dhe me u takue me Ju. Sa nderim kishte për Ju.”
Dy kujtime personale:
Jam rrëfye e kungue tek At Justini për katër vjet. Qysh herën e parë shtanga: Nuk më pyeti ç’mëkate kisha ba, e kështu nuk do të më pyeste kurrë, edhe pse, prej respektit të veçantë për të, shpesh here unë kambëngulja t’i tregoja ndonjë mbrapshti timen, por ai më thonte: “Eja tash e t’i lutemi Zotit të na i falë mëkatet që kemi ba”, sikur të ishte edhe ai bashkëautor i mëkateve të mia.
Njëherë e pyeta nëse mund të gjeja Analet e Raguzës të Appendinit, ku ndër të tjera fletej edhe për astronomin Gjon Gàzulli.
“Na i kanë marrë qysh më 1946” – më tha – Po ti shko te Profesor Bebeziqi. Thuej se të kam çue unë, e Izeti tash po ta gjen”.
Njihesha me biblotekarin legjendar të Shkodrës, i privuem nga e drejta e botimit dhe e mësimdhanjes edhe mbasi kishte mbarue shtatë vjet burg politik. Më trajtonte gjithmonë me dashamirësi, pse kishte qenë mik i Dom Nikollë Gàzullit, joqë me dashamirësi i trajtonte të gjithë ai burrë fisnik e me kulture të rrallë, njohës i 11 gjuhëve të hueja.
Shkova në bibliotekë e i trasmetova fjalët e At Justinit. Nuk u përmbajt. Lotët i rodhen e ai as mori mundimin me i fshi. Ndjehej fajtor që nuk shkonte dot me takue mikun e tij të paralizuem. Po si të shkonte ai, një ish i burgosun politik tek një frat?!
Asht në nderin e Shkodres, që ashtu si vëllaznit Justin e Simon Rrota, të kujtojë edhe Atdhetarin e shkëlqyeshëm, Profesor Izet Bebeziqi.
Dy fjalë për Profesori tim Simon Rrota (1887-1961)
Simon Rrota leu me 23 tetor 1887.
Filloren e kreu edhe ai te franceskanënët e ma tej në shkollën italiane të artizanatit, tue ndjekë ndërkohë edhe rrethin e pikturës të Kolë Idromenos. Punësohet si çirak tek Ndrek Mini deri sa thirret nën armë nga ushtria turke, së cilës i shmanget tue u hedhë në Mal të Zi prej nga gjen strehim si refugjat politik në Bari të Italisë. Regjistrohet në Akademinë e Breras të Milanos, të cilën e përfundon nën udhëheqjen e mjeshtrit Kampestrini. Gjatë studimeve lidh miqësi me piktorin Mario Karminatin, kunatin e tij të ardhshëm. Mbas studimeve viziton Francën dhe Austrinë, dhe më 1914 kthehet në Shqipni. Fillimisht punon në Lushnje si fotograf, mandej si dekorator në shoqnitë kulturore të Shkodrës. Më 1922 emënohet mësues i vizatimit në Gjimnazin Shtetnor prej nga shkëputet vetëm mbas 40 vjetëve. Gjatë kësaj periudhe merr pjesë në të gjitha ekspozitat e vendit si dhe në disa aktivitete ndërkombëtare.
Pë analizën artistike të veprës së Simon Rrotës më duhet me u mbështetë veçanarisht tek monografia e Vladimir Janit, botue pak mbas vdekjes së piktorit.
Si tek të gjithë rilindasit, ndjenjat patriotike, atdhedashunia ishin shtrati emocional i artit të tij. Simoni nuk i kërkoi kurrë majat e virtuozizmit dhe dukjen e sforcueme. Ai ishte një personalitet i thjeshtë me një dhunti natyrore për punë dhe krijimtari të pandërpreme me çka ngjallte ngado simpati dhe mirëkuptim. Ai jetoi dhe punoi në një kohë kur shoqnia dhe shteti shqiptar po hidhnin hapat e parë, në një kohë kur çdo gja me vlerë kërcënohej nga forca të egra fatale, nga terri i gjithëgjindshëm, në një kohë kur një ligësi absurde, e stisun nga njëqind duer të padukshme, e rrezikonin imazhin – pikturën shqiptare – po aq sa dhe fjalën shqipe.
Cilatdo qofshin preferencat personale të artdashësve të shumtë, në një pikë të gjithë bashkohen me kritikën, e cila nuk ndesh asnjë kundërthanie midis artit dhe personalitetit të tij si “…një qytetar i mirë, i pa të keq, i drejtë dhe gjithëherë i gëzueshëm. Shprehjet e tij vizuale gjenerojnë impulset e një shpirti të këthjelltë plot mirësi. “Ma i riu” i rilindasve, e përjetoi atë epokë me gjithë qenien, tue mbartë në shtratin e artit të dashun idealin kombëtar dhe mishërimin e tij – Gjergj Kastriotin. “Ndër ditët e sundimit të sulltan Hamitit – tregonte ai – ishte një periudhë kaq e vështirë për piktorët, sa mjaftonte me të pa kush në dorë një skicë njeriu për t’u krijue dyshimi se ishte fytyra e Skenderbeut. Dhe mjaftonte ky fakt për të dhanë rrugën e internimit ose burgun e përjetshëm”. Këtij represioni, pak ma vonë, artisti do t’i përgjigjet me tabllonë “Beteja” ku paraqet Skenderbeun tue u përleshë me tërbim kundër turqve, sidhe me kompozimin e njohun “Skënderbeu në shtratin e vdekjes”.
Gjatë jetës së vetë piktorit iu kushtue kryesisht pejsazhit dhe portretit, të cilat do të na i japë “… me ngjyra të gjalla e të forta dhe të bukura… tue trajtue tema etnografike paraqet edhe objekte të vjetra, shtëpia tipike të moçme, kostume kombëtare… të cilat kanë vlera artistike dhe historike”. Narracioni i tij nuk asht i rastësishëm, por i qëllimtë. “Tabllotë e tij kanë karakter përshkrues… dhe po t’i mblidhnim të gjitha së bashku do të fitojnë ma shumë interes se plotësojnë njëna-tjetrën…”. Dëshira e Simon Rrotës ka qenë që “… të japë të gjallë kohën e vet, t’iua tregojë brezave të ardhshëm se cila qe jetesa, cili qe shpirti, zakoni, zhvillimi, dhe dëshira e shqiptarit, kryesisht e shkodranit të shekullit të tij”.
Romantizmin e shëndetshëm si dhe skenat e paqme bukolike Simoni do t’i mbajë nën kontrollin e profesionistit serioz. Në tabllonë “Ura e Mesit” autori nuk ka si qëllim të tregojë arkitekturën e një monumenti kulturor. Harku i madh dhe i randë jepet pjesërisht, aq sa me hijen e vet qarkon horizontin, ujnat, dritën dhe bagëtinë, tue lanë mënjanë bareshën të zhytun në një vetmi soditëse të një jete të braktisun.
Hijet e rrepta të rrugëve, dyert e mëdha prej guri të latuem me qemer, me pullaz të gjanë për strehë e me frëngji, artisti nuk do t’i shohë si dekore të thjeshta dhe kurioze; ai do të hulumtojë shpirtin që ato mbartin. Piktori e di mirë se rrugët e qyteteve kanë diçka nga fytyra e vërtetë e vendit. Psikologjia e gurtë e pejsazheve plotësohet me figura të rralla njerëzore; ma së shumti gra me veshje tipike lokale. Ato shkojnë dhe vinë tue paraqitë veshjet, etnografinë, natyrshëm, larg pozave dhe sforcimeve; me shami kumashi në krye, me japanxhat, xhybet, barnavekët dhe enteritë.
I drejtë dhe gjithëherë i gëzueshëm, por pa iu fshehë imazheve dramatike, ai kalonte e rridhte për të çue diku, drejt moteve që do të vinin, një mesazh fisnik dhe burrënor. Në mes të artit zyrtar ai nuk bije në sy. Tonet e nostalgjisë dhe një lloj brenge romantike e shoqnojnë ndonjëherë në ngujimin, në vetëflijimin e tij, tek një art me interes të theksuem etnografik.
Dy fjalë në fund edhe për djalin e tij, kompozitorin e talentuem, gjithmonë me brum të theksuem kombëtar në krijimtaari,Tonin Rrota. Një meritë të veçantë ka ai në përpunimin e muzikës dibrane dhe në përgatitjen e kangëtarëve e grupeve muzikore në Peshkpi që, vështirë ta harrojë “kompozitorin e tyne”, pse kështu e quenin dibranët: “Kompozitori ynë Tonin Rrota”.
Një familje e bukur shkodrane, joqë, një familje shqiptare, përkushtue deri në fund idealeve kombëtare.

Per rrezore.com

Xhenc Bezhi

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen