Dr.sci.dr. Naim Shabani

Rrezore | admin | 18.10.10 | 19:28

I trajnuar për më shumë se 15 vite në klinikat me renome ndërkombëtare (Universiteti më i vjetër gjerman Heidelberg, në Universitetin e Jenës dhe në Universitetin elitar të Mynihut LMU). Ekspert i trajtimit të pothuaj shumicës së operacioneve gjinekologjike me Laparoskopi.

Përshëndetje, doktor. Më intereson të di se a mundem të mbetem shtatzënë 8 ose 5 ditë para ciklit menstrual?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Se a mund të mbeteni shtatzënë 8 ose 5 ditë para ardhjes së menstruacioneve varet nga ajo se zgjat cikli i juaj menstrual (te disa femra më i shkurtë e te disa më i gjatë).
Se cilat janë ditët Nertile llogaritet me metodën kalendarike (Knaus Ogino) në bazë të përcjelljes së ciklit menstrual: cikli më i shkurtë dhe ai më i gjati.
Psh:.Cikli më i shkurtë: 26 ditë minus 17 = 9 ; Cikli më i gjatë : 34 ditë minus 13 = 21.
Nga këto të dhëna fitohet periudha e fertilitetit (kur femra mund të mbetet shtatzënë) prej ditës së 9 deri në ditën 21 të ciklit menstrual.
Unë nuk ju preferoj që të përdorni këtë metodë si mjet kontraceptiv (mbrojtje nga shtatzënia e padëshiruar).
Konsultohuni me gjinekologun e juaj për metodën më adekuate për ju.

Njoftojmë lexuesit e portalit tonë, se dr. Naim Shabani, do të jetë në Kosovë prej datës 16-24 tetor.

Përshëndetje, jam 30 vjeçe, kam një djalë 8 vjeçar. Para 3 vjetëve më janë krijuar disa mioma në mitër, të cilat i kam hequr me djegie në Shkup. Operimi ishte me sukses, por tash para 8 muajve, më filloi sërish gjakderdhja me sasi jo shumë të madhe. Menstruacionet i kam të çrregulluara. Prapë në Shkup, mjeku më tha se kam edhe një miomë me madhësi 5 cm. Bëra edhe Pap testin, që rezultoi me HPV (Herpes Papiloma Virus) si dhe si dhe CIN2, Endometriumi ka ndezje.
I nderuari mjek, më trego më gjerësisht se çka është HPV, edhe nëse ngelem shtatzënë mund të ndikojë në zhvillimin e frytit?
Me respekt Z. R.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Një nga shkaqet e çrregullimit të ciklit mund të jenë miomët (posaçërisht te lokacioni në afërsi të mukozës- miomet submukozale; në lidhje me miomet, lexo të lutem, artikullin në telegraf).
HPV virusi pozitiv te ju (i cili tip nuk e cekni?), nuk ndikon ne zhvillimin e shtatzënisë. CIN II i diagnostikuar te ju (me biopsi? ose konizim?), paraqet një gjendje prekanceroze (shkallë para se te paraqitet kanceri i qafës së mitrës) dhe kërkon mjekim adekuat.
Edhe njëherë po e them për ju dhe lexueset tjera se, për këto dhe probleme të ngjashme gjinekologjike, duke përfshirë edhe trajtimin e sëmundjeve malinje gjinekologjike dhe të gjirit, nuk keni nevojë të shkoni në Shkup apo diku tjetër jashtë Kosove. Ne kemi mjaft ekspertë tanë, të cilët në formë ekipore, mund të bëjnë trajtim profesional.

Jam pesëdhjetëvjeçare, para pesë viteve e kam hequr mitrën dhe vezoret. Por, tashti kam po kam dhimbje në fshikëzën e urinës. Dhimbja zakonisht shfaqet kur kam të ftohtë apo kur kam aktivitete e rri më gjatë në këmbë. Dhimbja më paraqitet edhe gjatë pastrimit të anusit, kur e prek me dorë pjesën e brendshme. Shpesh përdori bactrim si dhe çaje të ndryshme. Kur pushoj në vend të ngrohtë, më kalon.
Ju lutem, më tregoni se për çka është fjala.

PËRGJIGJE
Përshëndetje. Nuk kam të dhëna se, pse është hequr te ju mitra me vezore para 5 vjetësh (tani jeni 50 vj. Dmth. atëherë keni qenë 45 vj.). Nëse nuk keni vuajtur nga ndonjë sëmundje malinje (kancer), një intervenim i tillë me heqje të vezoreve, lë pasoja afatgjate për organizmin (mungesë hormonesh seksuale femërore që shoqërohet me zbutje eshtrash-osteoporozë, djersitje, depresion si dhe shenja tjera të klimaksit të parakohshëm). Këtë po e theksoj, sepse praktika e heqjes së vezoreve nga disa kolegë në Kosovë ( po citoj një paciente” mjeku më tha se pasi është hapur barku për të hequr mitrën, po i heqim edhe vezoret”) te pacientet që nuk janë në klimaks (pra, ende funksionojnë vezoret) pa ndonjë shkak, është e gabuar.
Te ju, sipas përshkrimit të pengesave që keni si pasojë e mungesës së hormoneve (heqja e vezoreve), ka ardhur deri te lëshimi (“zhdjergie”, latinisht “descensus” e vaginës me tërheqjen e fshikëzës së mitrës.
Për këtë ka shërim. Së pari, ju preferoj që të paraqiteni për kontroll gjinekologjik, e pastaj mund të caktojmë terapinë adekuate.

Jam 21 vjeçe, studente! Para një viti, kam pasur shumë dhimbje në regjionin e poshtëm të barkut, ku pas një kontrolli, jam diagnostikuar me Cysticum OV Sinistra. Kam bërë kontrolle te disa mjekë që janë më të njohur në Prishtinë si dhe kam përdorë terapi për mjekimin e këtij problemi, por në fund, cista veçse u zmadhua edhe mbas konsultave me tre gjinekologë të klinikave të ndryshme, ata më preferuan operacion me laparaskopi të cilin edhe bëra me 15 janar të këtij viti edhe dmth u operova.
Por, tashti, para një jave, pas dhimbjeve në të njëjtin vend, u detyrova të bëj një kontroll dhe, sërish doli që kam ciste, në të njëjtin vend!
Mjeku më tha që është e mjekueshme, s‘ka vend për shqetësim, por ama kërkoj edhe mendimin e juaj pasi që J,u jeni një mjek, ndoshta me më përvojë dhe më adekuat për probleme të tilla!.
Faleminderit, pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE
Përshëndetje, cistet e vezores mund të përsëriten disa herë te femrat e moshës reproduktive (siç jeni ju), andaj edhe premtimi i mjekut që ju operoi se nuk do të përsëritet, është i gabuar. Tani nuk jepni të dhëna se sa është cista dhe a ju shkakton probleme. Cistet nën 5 cm që në ultrazë kanë mur të lëmuar dhe nuk shkaktojnë dhimbje, nuk preferohet të operohen menjëherë, por duhet të përcillen disa muaj.
Ju preferoj që së pari të mjekoni këtë ciste (varësisht nga madhësia, etj), e pastaj si parandalim, të përdorni barna.

Jam 28 vjeçe, ka disa vite që e kam një ciste në vezoren e majtë. Doktor, sa është e rrezikshme cista edhe, a e operoni me laparoskopi? Pres përgjigjen tuaj me padurim.
Përshëndetje, Flutura.

PËRGJIGJE:
Cistet në vezore paraqiten zakonisht te femrat në moshën riprodhuese dhe mund të jenë si pasojë e mospëlcitjes së folikujve ku grumbullohet lëngu folikular. Ato mund të arrijnë madhësisë disa cm dhe shpesh tërhiqen vetvetiu. Një ciste e cila persiston (qëndron) për disa muaj me radhë, ka një madhësi mbi 5 cm ose nëse shkakton dhimbje të fundbarkut duhet të hiqet. Intervenimi është i lehtë dhe kryhet me laparoskopi (nëse mjeku e zotëron këtë formë operative). Në të shumtën e rasteve bëhet vetëm qërimi i cistës, pra duke ruajtur vezoren.
Meqenëse cistet mund të jenë edhe të natyrës tjetër, psh cistet e endometriozes, ose cista dermoide (të dy format duhet të operohen posa të diagnostikohen) është i nevojshëm ekzaminimi gjinekologjike dhe ai me ultrazë. Në raste të rralla cistet mund të jenë edhe malinje. Kanceri i vezores që është një tumor me prognozë shumë të keqe, poashtu paraqitet në formë të cistes së vezores.
Ju preferoj që të paraqiteni për vizitë ku do të caktohet natyra e cistes, madhësia dhe varësisht nga kjo edhe terapia përkatëse. Nëse ka nevojë për intervenim kirurgjik këtë mund ta bëjmë me laparoskopi në Prishtinë. Unë do të jem në Kosovë prej 30.09.10- 05.10.10. Ju dhe lexueset tjera të Telegrafit mund të më kontaktoni në e-mail ose prej dt 30.09.10 në tel 044 677 333, ose 049 677 333

Përshëndetje Dr.Naim. Jam 37 vjeçe dhe kam një vajzë 11 vjeçe. Asnjëherë pas vajzës nuk kam mundur të ngelem shtatzënë. Për momentin jam e diagnostikuar me miomë në mur të mitrës dhe analiza Ca 125 më ka dalë 16.3. Një gjinekolog më ka thënë se duhet të operohem, ta heq miomën, sepse nuk mundem të mbetem më shtatzënë dhe se është e dëmshme për shëndet që të mbahet në trup, ndërsa gjinekologu tjetër më ka thënë se nuk ka nevojë të operohet, se nuk është aspak rrezik as për shëndetin tim dhe as për shtatzëni, pasi që çdo e 4-ta grua e ka këtë sëmundje. Sipas jush, duhet të operohem për miomë apo jo, dhe, a kam mundësi të ngelem shtatzënë.
Tung nga Netti.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Neti. Se a duhet te hiqet mioma apo jo (me drejtë: a është mioma fajtore që nuk po mbeteni shtatzënë), mund të konstatoj më saktësisht vetëm pasi të bëj një ekzaminim në ultrazë (madhësia, vendi ku ndodhet mioma, etj). Më gjerësisht për miomat, së shpejti mund të lexoni në faqet e Telegrafit.

Përshëndetje doktor. Jam Njomza, kam qenë shtatzënë, prej fillimit të shtatzënisë kam pas problem me tensioni e lartë. Në javën e 10-të kam pasur abort për shkak se tensioni i lart e ka mbyt frytin. Kur më ka pastruar mjeku, më ka thënë që kam një varrë në qafë të mitrës, sikur kur të jesh e përvëluar me ujë. Doktor, a ka mundësi që kjo varrë, të ndikojë në tension të lartë e ta mbyt frytin? Përshkrimi i preparatit: në strisho, vihen re mjaft qeliza pllakore superficiale dhe intermediare me raport te ruajtur nukleocitoplazmakit, si dhe mjaft infiltrate kronike inflamatore dhe makrofag.qelisa susp:diskariotike dhe malinje nuk ka.
Shkalla e papastërtisë: 3.
dg:citologjike:cervicitis chronica
Pas këtij rezultati te papa testit kam përdorë këtë terapi: palin, hypervaginet dhe çaj korouvae plus.
Doktor, dua të di, a është kjo terapia adekuate për këtë varrë që e kam në qafë të mitrës, si të shërohem që të kem shtatzëni pa probleme?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ndryshimet në qafën e mitrës („varra“) nuk ndikohen nga shtypja e lartë areteriale. Ju nuk shkruani se cilin grup të PAP testit keni, por në bazë të përshkrimit supozoj të jetë II ( pra, në rregull). Nuk kam të dhëna kur ka qenë kontrollimi i fundit te gjinekologu. Terapia e përdorë nuk ju bënë dëm, por pothuajse ka qenë e panevojshme.

Përshëndetje edhe shumë faleminderit për ndihmën që na ofroni. Jam 26 vjeçe, kam pasur dy dështime. Dështimin e parë e kam pasur me ndërhyrje kirurgjike, ndërsa të dytin- jo. Në bazë të analizave patohistologjike, ka dalë se ndërprerja edhe shkaktuar nga infeksioni, pas analizave kam dalë pozitiv në Klamidia, mirëpo kam përdorur Azomex, së bashku me burrin, mirëpo, në echo ka dalë edhe PCSO. Për tre muaj kam përdorur metaformin edhe e kam pasur ciklin çdo 28 ditë (më parë e kam pasur afro 50 ditë). Analizat e hormoneve kanë dalë mirë qe tri herë, me përjashtim të prolakinës. Për këtë shkak kam marrë dosninex një në javë. Nëse keni pasur mundësi doktor, më tregoni mënyrën se si të mjekohem dhe të mbes sërish shtatzëne?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Rozafa. Ju jeni mjekuar në bazë të rezultateve bakteriologjike si dhe keni marrë terapi për PCO. Ky mund të jetë njëri nga shumë shkaqet pse nuk mund të mbeteni shtatzënë. Për PO, më detajisht jem përgjigjur në një nga pyetjet e mëparshme (shih më poshtë). Ju preferoj që të paraqiteni te gjinekologu i juaj.

Përshëndetje doktor. Ju falënderoj për ndihmën që po na e jepni përmes e-mailave tuaj. Gruaja ime ka qenë e diagnostikuar me tumor në mitër (Mioma Uteri)…tumori ka qenë kryesisht i lokalizuar në brendësi të mitrës dhe me anë të operacionit është hequr e tërë mitra. Pyetja ime është se a ka mundësi të përsëritjes së tumorit apo mund të jemi të qetë. Rezultati i tumor markerit para operacionit ka qenë 17.5 dmth ,sipas mjekëve shihet në suaza normale të lejuara. Në bazë të CT-së që kemi bërë në Maqedoni, specialisti atje na tha që është tumor mashkullor dhe nuk kemi pse të brengosemi… Faleminderit paraprakisht dhe ju uroj punë të mbarë
Me respekt, Xh. D.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Në fillim dua t’ju qetësoj duke ju thënë që mioma është tumor „i mirë“ beninj dhe nuk ka arsye që të brengoseni se mund të rishfaqet. Përcaktimi i tumormarkerëve në rastet kur në ultrazë vërejmë miomë të mitrës, është i panevojshëm (si edhe CT-ja).
Meqenëse jam gjinekolog dhe patolog (mjek specialist i cili ndër të tjera cakton diagnozën histopatologjike të tumoreve) për ju dhe lexuesit e nderuar të telegrafit, do të jap disa sqarime në lidhje me këtë tumor në punimin që do të botohet te Tema e javës (të mërkurën).

I nderuar doktor, kam disa pyetje rreth Chlamydia, Staphylococcus aureus, Condyloma Wart dhe Postinor 2. Kam bërë testin mikrobiologjik- strisho cervikale për Chlamidya trachomalis dhe strisho vaginale dhe cervikale. Testi për Chlamydia ka dalë pozitiv si dhe analiza mikrobiologjike pozitive për Staphylococcus. Doktoresha te e cila jam kontrolluar m’i ka dhënë këto medikamente Doxocylin 100 2×1/1 javë, Azomex 0.5 1×1/ 3 dite si dhe Polygynox Vaginalete. Mbasi e kam mbaru terapinë 2 javë, prapë e kemi përsërit testin. Unë dhe bashkëshorti im kemi marrë terapi edhe pse ka dal negativ në Chlamydia. 3 muaj më herët kam përdor Postinor 2, 2 herë, herën e parë pas përdorimit kam pas gjakderdhje pak, herën e dytë kur i kam përdor kam qenë në përfundim të ciklit menstrual, 5 ditë më vonë kam pasur gjakderdhje. Doktor, a ka të bëj kjo me Postinor, apo ka qenë vetëm sinjal që kam Chlamydia? Dhe, sa është pozitive të përdori Postinor 2, pse vjen deri tek gjakderdhja? A ka gjasa të ndikoj diçka në mitër dhe vezore kjo gjendje? Sa i përket Condyloma Wart, kam përdor Padofilin, herën e parë janë tërhequr, por prapë janë formuar. A ka ndonjë medikament që parandalon Condylomat?
Ju faleminderit.
Ina

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, keni shtruar disa pyetje dhe po mundohem të përgjigjem në të gjitha me radhë. Infeksioni që e keni pasur, me chlamydia trachomatis, është mjekuar me antibiotikë (Doxycyclin). Postinor është një mjet kontraceptiv postkoital (pilulë „emergjente“) që përmban substancën Levonorgestrol. Aplikohet në rastet kur metoda normale kontraceptive (për mbrojtje nga shtatzënia) nuk ka funksionuar ose gjatë marrëdhënies seksuale nuk është përdorë kurrfarë metode. Merret brenda i 72 orëve pas marrëdhënies. Deri te gjakderdhja (pak më e shtuar se menstruacioni) vjen për shkak se ky preparat që përmban hormonin e lartpërmendur shkakton proliferim (shtim) të mukozës së mitrës, e cila pastaj mënjanohet nga organizmi. Nuk preferohet përdorimi shpeshtë i këtij preparati (pra, vetëm në raste emergjente). Në vend të tij, partneret duhet të zgjedhin një metodë mbrojtëse të përshtatshme. Kondylomat ose lythat në regjionin gjenital paraqiten si pasojë e infeksionit me virusin HPV (human papilloma virus- shih pyetjet dhe përgjigjet e mëhershme në këtë rubrikë). Terapia medikamentoze me Podophylin ndihmon në disa raste, por siç keni vërejtur edhe ju, ato përsëriten prapë. Terapia më e mirë është heqja me operacion („djegia “ e tyre).

Përshëndetje, jam Alketa, 27 vjeçe. Para 1 muaji kam konstatuar një gjëndër të fortë në gjirin e djathtë, pasi bëj vizitën e parë, kirurgu thotë që janë fibroadenoma dhe jo vetëm 1, por 3, dy nga i djathti dhe një nga i majti, dhimbje nuk kam aspak, por herë pas here me therr gjoksi i djathtë dhe pothuaj e gjithë shpatulla e djathtë. Doktori më tha që pas 4 muajsh të bëjmë një vizitë tjetër dhe s’ka asgjë për tu shqetësuar (kontrollin dhe eko-n e kam bërë tek onkologjiku). Atëherë këto formacione mund të jenë mastite dhe jo fibroadenoma? Apo diçka për tu shqetësuar? Formacionet janë të forta, të lëvizshme, jo të dhimbshme, të kufizuara mire, jo të vaskularizuara, të rrumbullakosura mirë. Gjiri i djathë ka marrë përmasa pak më të mëdha se tjetri. Çfarë mund të më thoni ju doktor. Shpresoj të më ktheni përgjigje sa më shpejt.
Çfarë duhet të di për fibroadenomen dhe për mastitin?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Alketa. Fibroadenomat (3 sosh) që janë konstatuar në gjinjtë e juaj janë tumore beninje („të mira“). Janë tumoret më të shpeshta të gjirit te femrat e reja (gati te çdo e treta femër). Ky tumor është i kufizuar mirë, rrallë shkakton tendosje në gji dhe përbëhet nga proliferimi i indit lidhor dhe gjëndrave të gjirit. Në të shumtën e rasteve zbulohen nga vet femra (duke prekur një ose më tepër nyje në gji), janë formacione të lëvizshme ndaj strukturave përreth ne gji dhe nuk shkaktojnë dhimbje gjatë ndrydhjes. Problemi kryesor është rritja e tyre, posaçërisht në shtatzëni (nën ndikimin hormonal) gjë që bënë që femra të ndjehet e shqetësuar. Preferohet që diagnoza fibroadenome të sigurohet përmes biosisë me gjilpërë. Nëse pacientja vërtetë ndjehet e frikësuar dhe dëshiron që ky nodus të hiqet, mund të bëhet kjo përmes operacionit (intervenim i vogël ku mënjanohet vetëm tumori). Sa i përket pyetjes suaj për mastitin, kjo është temë krejt tjetër, ku kemi të bëjmë me ndezje dhe infektim të gjirit që përcillet me temperaturë, skuqje të gjirit, dhimbje dhe deri te grumbullimi i qelbit (absces). Krejt kjo nuk ka fare të përbashkët me fibroadenomën.

I nderuari Dr. Naim. Jam 30 vjeçare dhe më brengos fakti se edhe meqenëse kanë kaluar 14 muaj nga lindja e fëmijës së dytë ende nuk më është rikthyer cikli menstrual. Unë bëj vizita të rregullta te gjinekologu, në fakt kam vizituar shumë prej tyre, por edhe pse asnjëherë nuk më kanë thënë se mund të vuaj nga sindroma policistike e vezorëve unë dyshoj se e kam këtë problem bazuar në faktet në vijim. Përpos që kurrë nuk kam pasur cikël të rregullt, unë shpesh kam dhimbje shumë të forta në regjionin e abdomenit ku janë të vendosur vezorët, sidomos në anën e djathtë. Veç asaj kam pasur 3 cista gjatë tremujorit të parë me shtatzëninë e parë dhe atë shumë të mëdha 8-9 cm (jo mm), por janë tërhequr vetvetiu pas rreth dy muajve nga paraqitja. Konstatimi i mjekut ka qenë se cistat ishin rezultat i hiperstimulimit nga bari klomid. Mirëpo, çfarë më brengos edhe më shumë lidhur me gjithë këtë është se vuaj edhe nga hirzutizmi dhe kjo me shtyu të bëj një analizë te statusit hormonal që edhe tregoi se niveli i testosteronit është i ngritur (1.5). Andaj pyetja ime është a mund të përdori ndonjë medikament për balancim hormonesh që do të ishte i sigurte gjatë gjidhënies dhe sa janë ato efektive në eliminimin e simptomës së hirzutizmit përpos tjerash. Gjithë të mirat dhe ju falënderoj shumë për punën që bëni përkundër angazhimeve te shumta,
Lena

PËRGJIGJE:
E nderuara Lena, disa nga të dhënat e letrës suaj çojnë në konstatim se te ju ndoshta kemi të bëjmë me çrregullime hormonale, gjegjësisht PCO. Se a vuani ju nga ky sindrom mund të konstatoj vetëm pas vizitës gjinekologjike dhe caktimit të statusit hormonal. Gjithsesi ka terapi adekuate për këtë.  Sa i përket marrjes së medikamenteve në periudhën e gjidhënies (laktacionit), mendoj se kjo temë për ju do të duhej të mos jetë më aktuale (pas 14 muajsh siç cekni ju, duhet të planifikoni ndërprerjen graduale të gjidhënies).

I nderuar dr.Naim. Jam Endina, 27 vjeçare. Menstruacionin e parë e kam pasur në moshën 13 vjeçe, mirëpo asnjëherë të rregullt. Në marrëdhënie seksuale kam hyrë para 1 viti, nuk kam asnjë problem. Para 3 viteve gjatë kontrollit tek gjinekologu (pasi që nuk kisha pasur menstruacion për 6 muaj), më janë detektuar cista, të cilat pas terapisë një javore hormonale nuk janë eliminuar, por pas një injeksionit (nuk e di përmbajtjen) më është lajmëruar gjakderdhja menstruale. Mirëpo, nuk kam pasur ndonjë anomali në mitër apo vezore. Para një viti, gjatë një kontrolli rutinor gjinekologjik, me ultrazë, mjeku më thotë se e kam mitrën PAK të vogël, nuk bëra panik.Nga fotografia e ultrazërit të fundit, para një jave, po ashtu mu potencua se kam mitrën të vogël, dhe më dha vitaminë E si terapai për tre muaj, se më sugjeroj kontrollin e radhës për të parë a do të ketë ndonjë rritje mitra. Brenga ime është nëse për shkak të ciklit jo të rregullt menstrual, në mos mitra vazhdimisht tkurret, zvogëlohet deri në atë masë sa do të paraqiste problem për të ngelur shtatzënë, si dhe mendimi juaj në raport me terapinë me vitamine E, sa do të mund të ketë efekt…a do te duhej të vazhdoja me analiza më të thella gjinekologjike apo edhe hormonale?!
Me respekt, Endina.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Edina, çrregullimet e ciklit hormonal mund të kenë për bazë shumë faktorë, por në rend të parë janë ata hormonal. Sa a është mitra e juaj „pak“ e vogël apo jo, nuk i kam të dhënat e sakta se sa cm është. Përdorimi i vit. E si terapi për të parë se a po rritet mitra është absurd (më tepër duhet kuptuar si terapi sa për të dhënë një bar). Vit E (tocopherol) është një antikosidans, i cili i nevojitet organizmit për të vazhduar të jetë i shëndoshë. Vit E ndodhet në sasi të mjaftueshme në buter, drithëra, vaj të sojës dhe fruta me thelb, siç janë arrat, lajthitë, etj. Dozat e tepërta të vit E mund të kenë efekt të kundërt, pra të jenë të dëmshme.

Së pari ju përshëndes dhe ju falënderoj për ndihmën që po e bëni.
Unë kam një vajzë 6 vjeçare cila ka lindur me katarakte në syrin e djathtë. Para 3 viteve isha te gjinekologu për ta kuptuar se cilat mund të jenë shkaqet për një lindje të tillë dhe gjinekologia 1 më tha t’i bëj këto analiza: Toxoplasma gondi – Elisa IgG, e cila ka dalë negative.
Herpes simplex 2 – Elisa IgG dhe Elisa IgM negativ.
Chlamydia trachomatis – Elisa IgG dhe Elisa IgA negativ
Cytomegalovirus – në Elisa IgG – pozitiv 63.02, ndërsa në Elisa IgM – negativ 2.70. Ginekologia më ka shkruar tableta Para proteus, por mbase nuk doja ende të mbetem shtatzënë, nuk i përdora.
Ju lutem, më tregoni, se a janë adekuate ato tableta për këto rezultate?

Tash para 3 muajve isha te një gjinekologe tjetër, bëra PAP testin dhe strishot. Rezulatetete PAP testit:
Strisho-konvecionale e pershtatshme per evaluim
Nndryshime qelizore beninje
Bakterie kokoide
Inflamacion (përfshirë regjenerimin).
Kam bërë strishot vaginale ku Chlamydia ka dalë – negativ, Mycoplasma Hominis – negativ, Ureaplasma Urealiticum – negativ, Staphylococcus aureus – pozitiv.

Terapia ka qenë kjo:
Clindomicin dhe Metrodiazol. Këto të dyja t’i përdorim unë dhe burri për 7 ditë,
ndërsa unë Heoponetron (kështu më duket) vaginaleta 7 net dhe krem Travazol.
Pas terapisë më ka dhënë edhe Lactagyn – 7 ditë dhe Floragyne vag. 6 net, pas terapisë kisha kruarje.
Pastaj kam bërë analiza të gjakut ku Herpes Simplex 2 ka dalë negativ, ndërsa Cytomegalovirusi ka rënë (shiko rezultatin lart në Elisa IgG 50.61 dhe Elisa IgM 1.65.
I kam përsëritë strishot dhe më ka dalë Candida Albicans si dhe Chlamydia – pozitiv, ku për terapi unë dhe burri kemi marrë Doxycyclin për 10 ditë, si dhe unë Polygunox vag. 6 net, ndërsa për Cytomegalovirus më ka dhënë vetëm vitamina .

Doktor, si është e mundur brenda 1 muaji deri sa i kom marrë këto terapi, unë jam infektuar me Chlamydia, kur as unë e as burri nuk kemi pas partner tjerë, e sidomos gjatë marrëdhënieve kemi përdorur kondom që të mos mbetem shtatzënë.
Mjekja më ka thënë se merret edhe prej guacës së tualetit, por unë kam lexuar se ajo merret vetëm gjatë marrëdhënieve. Analiza mikrobiologjike ka dalë pozitive, dy herë, pas kësaj, të them të drejtën, jam dëshpëruar sa nuk po kam më forcë që të shkoj te gjinekologia.
Nëse infeksioni mund të vjen nga guaca, atëherë unë dyshoj se e kam marrë nga karrigeje e gjinekologes, sepse atje as nuk kishte se paku ndonjë salvetë që ta ndërrojnë nga secila grua që kontrollohet.
Më falni që e kam zgjatur shumë, por u mundova që të jem sa më e qartë rreth analizave.
Shpresoj të më ndihmoni dhe mendoj se kam besimin te ju.
Ju përshëndes, me respekt.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje.
Gjinekologu 1: rezultati i strishos është plotësisht në rregull. Cytomegalovirus IgG pozitiv tregon se keni qenë në kontakt me citomegalovirus, por nuk don të thotë se jeni e sëmurë. Mirë keni bërë që nuk i keni marrë barnat Para Protex (shpresoj se edhe nuk i keni blerë dhe nuk keni shpenzuar para kot!).

Gjinekologu 2: PAP testi nuk keni shkruar, a është I, II apo III.
Strisho vaginale: të gjitha negativ vetëm S. aureus pozitiv (kjo është florë normale e vaginës dhe nuk duhet të jepet terapi).
Ju keni marrë Klindamicin dhe metronidazol (të dyja antibiotike) madje edhe burri (pse?!). Keni marrë edhe Heoponetron (nuk e di çka është, por duket të jetë bar homeopatik?!).
Nga kjo terapi antibiotikësh plotësisht e panevojshme iu është shkatërruar flora normale vaginale dhe keni fituar infeksion mykotik të vaginës.
C. trachomatis + mund të jeni infektuar edhe nga kontakti me gjësende të infektuara. Terapia me Doxyciklin është në rregulll, por duhet të merret 2 javë.

I nderuar doktor Shabani.
Jam shumë e shqetësuar sepse jam shtatzënë (8 muajshe). Në analizën e urinës dhe urinokulturës më ka dalë bakteria e- coli. Gjinekologia ime më ka sugjeruar të pi çaj belushi (‘brusnice’) dhe në rast që kjo nuk tejkalohet me çaj, duhet marrë antibiotikë, ndërkohë nuk më ka garantuar për fëmijën. Ju lutem kam nevojë për komentet e juaja lidhur me situatën time. I kam parasysh obligimet tuaja por ju lus një këshillë.
Me nderime, Blerina.

PËRGJIGJE:
E nderuara Blerina. Ju jeni shtatzënë në muajin e 8-të (pengesa në urinim si djegie apo dhimbje) dhe aty është gjetur e.coli (nuk kam të dhëna se sa është numri absolut i kësaj baktere). Sido që të jetë një kallje e fshikëzës së urinës gjatë shtatzënisë duhet patjetër të trajtohet me antibiotikë, sepse ekziston rreziku i infeksionit të rrugëve urinare të epërme dhe infeksion i veshkave (pielonefrit). Pirja e çajeve të ndryshëm nuk është i dëmshëm (preferohet sa më shumë lëngje). Ekzistojnë disa antibiotike te java 34-të) dhe shtatzënia është në rregull. Keni bërë urinokulturën (besoj se keni patur cilët nuk kanë kurrfarë ndikimi negativ te fëmija, andaj edhe komenti „nuk garantoj për fëmijën“ është absurd. Përdorimi i disa barnave dhe edhe i antibiotikëve në shtatzëni, posaçërisht duhet të jetë i kujdesshëm në tremujorin e parë kur kemi fazën e krijimit të organeve të fëmijës.
Ju preferoj që të paraqiteni për një kontroll te unë.

Doktor, të përshëndes për punën tënde të palodhshme, posaçërisht që papërtuar po jep përgjigje në konsulta të pacientëve në nivel rajonal. Unë kam një brengë ku kisha dashtë në mënyrë të sinqertë dhe pa ngurrime të më përgjigjesh. Jam i martuar dhe kam dy fëmijë mbi moshën 10 vjeçare,dhe parapake kohe ishte shoqja prapë shtatzënë dhe në muajin e 4 aborton, sepse fëmijës pas 2 jave i është ndalë zhvillimi. Pas abortit në spitalin e Prishtinës dhe analizave të bërë del se kemi grup të ndryshëm të gjakut, ajo 0-negativ,e unë D-pozitiv, për këtë arsye ka ardhë deri ke aborti më shpjeguan, dhe për shtatzëni të suksesshme duhet shoqja të merr një lloj gjilpëre. Doktor, unë për 2 fëmijë e parë shoqja nuk ka marr gjilpëra të tilla. Besoj tash po e kupton shqetësimin tim personal prandaj edhe njëherë po të lutem të jesh sa më e sinqertë në përgjigje. Gjitha të mirat nga një prind.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje zotëri. Unë e kuptoj plotësisht shqetësimin e juaj dhe theksoj se ky shqetësim është i pavend. Aborti i tashëm nuk është e thënë të jetë për shkak se prindërit kanë grup të gjakut me Rh të ndryshëm. Ekzistojnë edhe disa shkaqe tjera që mund të sjellin deri te aborti. Preferimi për të marrë një injeksion (Rhesusprofilakse) është i drejtë. Shqetësimi i juaj lind pse bashkëshortja e juaj nuk ka marrë këtë lloj injektimi pas 2 lindjeve. Nëse vërtetë është ashtu (duhet të jeni të sigurt në këtë që pohoni), shkaku mund të jetë ky: pas çdo lindje te femra Rh + dhe burri Rh- caktohet Rh faktori te fëmija. Nëse ky është negativ, femra nuk ka nevojë të marr RH profilakse (pra një lloj gjilpëre siç shkruani ju). E njëjta gjë vlen edhe për fëmijën e dytë. Te aborti gjërat ndryshojnë: këtu nuk kemi mundësi të caktojmë Rh faktorin e frytit, andaj pa marrë parasysh këtë (për të mos rrezikuar) duhet që nëna të merr Rh profilakse.
Besoj se kam qenë mjaft i qartë në sqarimin tim.

Përshëndetje, jam një vajzë 20 vjeçe, e martuar qe 1 vit e 5 muaj. Pas një muaji martesë, abortova pa dashje dhe, ndodhi krejt spontanisht me gjakderdhje në javën e 7-të të shtatzënisë. Mjekët më rekomanduan që të bëj një pauzë prej 3 muajsh dhe pastaj unë mbeta shtatzënë sërish për të abortuar pas 4 muajsh. Po provoj të mbetem shtatzënë dhe nuk mundem, mjeket më thonë se je krejt në rregull (ashtu edhe burri).

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Abortet spontane paraqiten shpesh te femrat (siç kemi shkruar më herët, shih tekstin më poshtë). Sipas shkrimit tuaj, çdo gjë është në rregull te të dy partnertë. Unë ju këshilloj që të keni durim dhe sigurisht do të mbeteni sërish shtatzënë. Përmbajuni udhëzimeve të mjekut tuaj.

Jam në moshën 43 vjeçe, kam tri lindje prej të cilave njëra ka qenë lindje e frytit të vdekur në muajin e 6-të të shtatzënisë, e më pastaj kanë pasuar fatmirësisht edhe dy lindje tjera në rregull. Në kontrollin rutinor gjinekologjik është vërejtur prania e një polipi me madhësi shumë të vogël në sipërfaqe të qafës së mitrës…Përndryshe të gjitha analizat e bëra, si Papa testi, Strishoja vaginale, Urinokultura kanë rezultuar në rregull…cikli menstrual ka qenë në rregull pa gjakderdhje të shprehur në masë të madhe (dhe 2-3 ditë para datës së ciklit paraprak, pra çdo 27 ditë). Tani kanë filluar, nëse mundem me i quajtur, disa çrregullime sa i përket datës së fillimit të ciklit dhe atë edhe deri në 6 ditë para kohës. Gjakderdhja pak a shumë është normale, nuk kam dhimbje të mëdha, nuk përdori asnjë medikament kundër dhimbjeve, as mjete kontraceptive. Doktor, çka më kishit preferuar në lidhje me atë polip, a duhet të largohet apo të mos ngacmohet. Ju falënderoj paraprakisht duke shpresuar që pyetjes sime do t’i përgjigjeni dhe ju dëshiroj punë të mbarë.
Merita.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Unë ju preferoj që të bëni një kontroll në mënyrë që të verifikohet prezenca e polipit apo jo, e pastaj mund të marrim një vendim për hapa të mëtejmë. Polipet qofshin të qafës së mitrës, qofshin të trupit të mitrës duhet të largohen dhe të ekzaminohen histopatologjikisht.

Përshëndetje doktor, kam kaluar dy aborte, mjekët konstatuan që kam uterus bicornis.
Ju kisha lutur të më ktheni përgjigje, çka duhet të bëj?
Ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
Zhvillimi jonormal i mitrës (anomalitë) i hasim në 0,1-3,2 % të femrave. Shumë femra nuk e dinë fare meqenëse këto anomali nuk kanë ndikim në shtatzëni. Anomalia më e shpeshtë është Uterus bicornis (mitra me 2 “brinjë“), ku mitra në vend të formës normale (si ajo e dardhës) ka një thellim në fund dhe merr formë të zemrës. Forma tjera të zhvillimit jonormal janë: Uterus unicornis (me një “bri“), uterus septus (hapësira e mitrës e ndarë me një mur të hollë) e deri te mitra e dyfishtë. Është vështirë të konstatohet se sa mund të ndikojnë këto anomali në mbetjen shtatzënë të femrave. Problemet paraqiten në mbajtjen e shtatzënisë dhe zhvillimin deri në kohën e lindjes. Në rastin tuaj duhet hulumtuar dhe mënjanuar edhe shkaqe të tjera që mund të qojnë deri te aborti.

Tung, jam një zonjë 53 vjeçe nga Prizreni, vuaj nga një varrë në qafë të mitrës tash e sa vite, kam bërë një sërë analizash e testesh (papa), kontrolle, por kot. Mbaj një erë të keqe, vazhdimisht me sekrecion. Mjekët më kanë rekomanduar vaginaleta të ndryshme, por pa ndonjë sukses. Kam kërkuar të ma heqin mitrën, por nuk më kanë lejuar. Çka duhet të bëj? Mirëpres këshillën tuaj.
Flm për këtë mënyrë të komunikimit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje zonjë. Nga të dhënat e juaja shihet se vërtet vuani nga ky problem. Unë kam pak të dhëna mbi rezultatin e PAP testit dhe analizave tjera bakteriale. Në rend të parë është e rëndësishme që PAP testi të jetë në rregull (të mënjanohet dyshimi për ndonjë ndryshim prekanceroz (displazi) të qafës së mitrës. Edhe strishoja bakteriale është me rëndësi. Ju shkruani se keni marrë vaginaleta të ndryshme, por pa sukses. Këtu po theksoj se, në bazë të përvojës nga pacientët që vijnë te unë në kontroll, fatkeqësisht si edhe në shumë lëmi të tjera të mjekësisë (pra, jo vetëm në gjinekologji), vërej se ata ngarkohen me barna të shumta. Kur është fjala për vaginaleta të ndryshme duhet patur kujdes se në disa raste mund të vjen deri te shkatërrimi i florës vaginale që mund të ketë pasoja afatgjate.
Unë ju preferoj që me të gjitha analizat të vini në kontroll te unë (jam në Prishtinë prej datës 26.06.10-03.07.10).

Përshëndetje . Jam një vajzë që për momentin jetoj në Greqi. Para 7 muajve në gjoksin e majtë pata një gjëndër dhe doktorët më bën një biopsi me gjilpërë dhe pas 15 ditëve më thanë se ishte vetëm ciste, më dhanë një xhel që quhet progestogel dhe antibiotik ceclor 500mg, vitamina evening primrose 1000mg. Këtë të fundit e vazhdova për 6 muaj. Por, doktorët më thanë se ka mundësi të përsëritet. Unë i bëj kontrolle vetes gjithmonë me duar, nuk kam më gjëndër, por ka pak kohë që më shpon gjoksi dhe sqetulla, dhimbja është pak e fortë për momentin dhe më dhemb pak gjoksi i majtë.
Doktor, a mund të më jetë përsëritur dhe pse unë nuk e ndjej kur e prek gjoksin me dorë?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Cistet në gjinj janë ndryshime beninje që paraqiten si pasojë e mbylljes së kanalit drenues në parenkimën e gjirit.. Si pasojë mblidhet sekreti, i cili nuk mund të zbrazet dhe formohet cista; mund të shkaktojë pengesa dhe nëse palpohen nga femra shkaktojnë shqetësim, sepse për nga konsistenza e tyre nuk mund të dallohen nga tumori i gjirit. Metoda më e mirë diagnostikuese për ciste është ultrazëri.
Këto ciste nëse arrijnë një madhësi të konsiderueshme mbi 1 cm mund të punktohen në kontroll të ultrazërit. Lëngu i nxjerrë nga cista duhet të dërgohet për ekzaminim citologjik. Cistet mund të paraqiten sërish veçanërisht ato të mëdhatë. Cistet të cilat ndodhen në thellësi të gjirit për dallim të atyre me lokalizim në sipërfaqe, nuk mund të ndjehen gjatë prekjes së gjirit.

Jam 23 vjeçe dhe qe 2 muaj jam shtatzënë, kam dhembje gjoksi. Edhe gjatë periodave kam patur dhimbje, por këto dy muajt e fundit mezi e prek gjoksin.
Doktor, a është normale kjo? Ju lutem, më kthe përgjigje…

PËRGJIGJE:
Dhimbjet në gjinj janë një ndër ankesat që kanë femrat gjatë shtatzënisë. Këto dhimbje në të shumtën e rasteve merren si gjendje „normale“ e shtatzënisë. Në anën tjetër, këto dhimbje mund të jenë aq të pakëndshme saqë mund të ndikojnë që femra shtatzëne të detyrohet të ndërrojë stilin e jetës dhe aktiviteteve gjatë shtatzënisë. Për shumicën e femrave, ndjenja e shtypjes në gjinj dhe „rritja“ e tyre janë si shenja të para të shtatzënisë.
Ndryshimet në gjinj, pra edhe dhimbjet, janë pasojë e ndikimit të hormoneve me qëllim të përgatitjes së organizmit të femrës, pra edhe të gjinjve për zhvillim të shtatzënisë dhe për periudhën e laktacionit (dhënies së gjirit) pas lindjes. Posaçërisht në 3-4 muajt e parë këto ndryshime përcillen me pengesat të lartpërmendura deri nganjëherë me dhimbje të padurueshme. Në këto raste preferohet të bartet BH elastik që nuk shtyp shumë gjinjtë. Herë-herë ndikojnë pozitivisht edhe masazhet e lehta me vajra eterik ose vajra që përdoren në shtatzëni.

Përshëndetje Dr.Naim. Jam me grup të gjakut 0 negativ, kam dëgjuar që duhet me marrë vaksinë për këtë grup të gjakut që më vonë mos të ketë problem fëmija më vonë.
Ju lutem, më ndihmoni.
Me respekt, Ermira.

Përshëndetje doktor. Të përgëzoj për punën që bëni. Kam një pyetje, edhepse hulumtova nëpër internet, po prapë se prapë pa ndonjë përgjigje të qartë.
Unë kam 32 vjet, me grupin e gjakut 0 -, kam fëmijën 5 vjeç, pas lindjes kam marrë Rogham. Pyetja ime është: para planifikimit të shtatzënisë së ardhshme, a është e nevojshme të merret edhe njëherë Rogham apo jo? Kam dëgjuar që Rogham ka efekt vetëm 5 vjet.
Ju faleminderit shumë, Linda.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Ermira dhe Majlinda. Me të dhënat e mëposhtme po mundohem të jap sqarime në dy pyetjet e juaja që prekin përafërsisht të njëjtin problem – grupin e gjakut ku femra është Rh negative.
Faktori Rhesus (quhet kështu sepse është zbuluar së pari te majmunet Rhesus) është një proteinë në sipërfaqe të membranës së rruazave të kuqe të gjakut (eritrociteve). Ekzistojnë pesë lloje të këtyre proteinave (C, c, D, E, e) u më e rëndësishmja është ajo D. Nëse një person e ka këtë proteinë në membranën e eritrociteve kemi të bëjmë me grup të gjakut i cili posedon Rh faktorin, pra RH(D) + ose RH+. Për dallim nga ata persona te të cilët mungon ky (Rh -).
Çfarë rëndësie ka ky faktor në shtatzëni? Nëse femra shtatzënë është Rh- (negativ), kurse fetusi ( fruti) Rh+ çka ndodhë në rreth çdo të 10-tën shtatzëni mund të vjen deri te senzibilizimi i nënës (rënia në kontakt e nënës me eritrocitet Rh+ të fëmijëve dhe krijimi i antitrupave për t’i shkatërruar këto eritrocite- janë si antigjen apo trup i huaj). Ky senzibilizim (pra, krijim i antitrupave kundër Eritrociteve RH+ mund të jetë fatal për shtatzëninë e ardhshme (vdekje e frytit). Preventiva më e mirë është që nënat me Rh- të mos prodhoj antitrupat e lartpërmendur (nëse për ndonjë operacion etj duhet të marrë gjak, ai duhet të jetë Rh- si dhe për çdo shtatzëni ku fëmija është Rh+ te i jepet antiD profilaxe (Rhesogam apo Rhogam si dhe emra të tjerë në treg të preparateve). Në fillim të shtatzënisë në mënyrë rutinore (në Gjermani ku unë punoj e besoj edhe në Kosovë) bëhet i ashtuquajturi testi i kërkimit të Antitrupave ( për të shikuar se a ka ardhë në kontakt shtatzënia më parë me antigjenet RH + në kontakt, pra a ka krijuar antitrupa apo jo). Te femra Rh- duhet gjatë shtatzënisë të aplikohet dhënia e anti D imunoglobulinës. Ky aplikim duhet të përsëritet menjëherë pas lindjes nëse fëmija është Rh+. Në rastet kur fëmija është Rh- për këtë nuk ka nevojë.
Besoj se përgjigjet në pyetjet e mësipërme janë të qarta. Pasi që, të dy lexueset e nderuara kanë grup të gjakut me Rh – nëse planifikojnë të mbeten shtatzënë duhet gjatë shtatzënisë të marrin anti D imunoglobulinë dhe pas lindjes së fëmijës (nëse ata janë Rh+), kjo procedurë duhet të përsëritet.
Efekti i anti D imunoglobulinës 5 apo, më pak a më shumë vite nuk ka kurrfarë rëndësie.

Ju përshëndes dhe ju lutem të më përgjigjeni sa më shpejt se ka kohë që ju shkruaj, po nuk më ktheni përgjigje.
Jam e martuar qe 5 vite dhe pas kontrolleve që kam pasur, kam dalë mirë, mirëpo burrit i kanë dalë analizat me baktere si dhe numri i spermatozoideve i vogël -13%.
Pas terapisë që ka bërë dhe hapave që i kemi marrë për stimulim, nuk ndodhi asgjë. Një gjinekolog ka thënë se duhet të vazhdohet terapia, edhepse në vend se të rritet numri, ai po zbret. Mua po më duket absurde që vetëm me një lloj terapie të rritet numri i spermatozoideve. A thua, sot, nuk ka ndonjë terapi stimuluese dhe për spermatozoide. Ju lutem, më ndihmoni…Ju përshëndes dhe ju falënderoj shumë.
Lana nga Prishtina.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Iliriana. Ka shume paqartësi në letrën tuaj. Nuk tregoni se çfarë terapie ka përdorë bashkëshorti i juaj dhe ju, nuk dihet saktë rezultati i spermogramit. Do të ishte mirë që burri i juaj të paraqitet për kontroll te urologu.

Përshëndetje i nderuar. Jam 30 vjeçare, nënë e 3 fëmijëve, asnjëherë nuk kam abortuar. Ka 4 vite që e kam spiralen e vendosur. Pas vendosjes së saj, kam patur më shumë gjakderdhje se zakonisht, por jo ndryshime tjera të shprehura. Kohët e fundit po vërej një erë shumë të pakëndshme dhe disa dite para ciklit po ndjej lagështi në vete më shumë se zakonisht. Poashtu, edhe gjate marrëdhënieve po kam dhimbje, nëse mundeni të më ndihmoni.
Ju faleminderit. Me respekt, Sanija.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Sanije. Era e rëndë dhe shtimi i sekrecionit mund të jetë pasojë e ndonjë infeksioni vaginal. Duhet të shikohet (me ultrazë) se a është spiralja në rregull dhe eventualisht të mënjanohet ose të ndërrohet.

I nderuari Dr.Naimi, jam e martuar dhe kam 2 fëmijë. Para 2 javësh kam pasur një abort, mjeku më ka këshilluar të përdor Harmonie si kontraceptiv, mirëpo, a duhet të pres ciklin e parë e të filloj me kontraceptiv, apo duhet të filloj menjëherë t’i përdor.
Faleminderit për kohën tuaj…

PËRGJIGJE:
Ju këshilloj që të pritni derisa të vij cikli menstrual (është edhe shenjë e shërimit-regjenerimit të mukozës së mitrës – endometriumit), e pastaj të filloni me kontracepsion oral (në ditën e parë të ciklit).

Uroj të jeni mirë! Doja t’ju bëja një pyetje sepse jam shumë e shqetësuar. Motra ime ka frikë se mos ka një barrë jashtë mitre dhe doja të dija simptomat që mund të ketë. Deri tani nuk ka pasur asnjë problem, ciklin e ka në kohën e duhur, analizat e gjakut, urina dhe testi i shtatzënisë janë parë nga mjeku, porse motra ime ende ka frikë. Ju lutem dhe një herë, si mund të kuptohet një barrë jashtë mitre?
Faleminderit për mbështetjen, uroj që të marr një përgjigje nga ju.

PËRGJIGJE:
E nderuara Majlinda. Barra ose shtatzënia jashtë mitrës (extrauterin grav.- EUG) definohet si gjendje kur barra vendoset dhe fillon të zhvillohet jashtë mitrës. Shpeshtësia e paraqitjes së EUG është rreth 2% te të gjitha shtatzënive. Në afër 90% të rasteve kjo ndodhë në vepërçues (shtatzënia tubare).
Shtatzënia jashtë mitrës është një gjendje alarmante dhe paraqet një ndër rreziqet për jetën e femrës nëse nuk diagnostikohet me kohë.
Faktorët që ndikojnë që veza e fekonduar me spermatozoid nuk përcillet deri në mitër ku normalisht duhet të vendoset dhe të zhvillohet më tutje janë të shumtë. Këtu duhet theksuar adnexitet e shpeshta (kalljet ose inflamacionet e vepërçuesve dhe vezoreve), shtatzënitë përkundër spirales në mitër, te rastet kur kemi sterilizim të vepërçuesve ose intervenimet kirurgjike në vepërçues.
Është me rëndësi që kjo gjendje të diagnostikohet sa më herët.
Se pari duhet të kemi shenjat e përgjithshme se një femër është shtatzënë: amenorreja (mungesa e menstruacionit për disa ditë apo javë), testi i shtatzënisë pozitiv. Pastaj pasojnë disa simptome specifike që na mundësojmë të dyshojmë ose të dg shtatzëninë jashtë mitre: gjakderdhje e pakët vaginale (çdo ditë disa pika, më pak se perioda), në ultrazë nuk shohim ndonjë shenjë për shtatzëni në mitër. Në aspektin klinik pacientja mund të ketë dhimbje të barkut në njërën anë, gjakderdhje më të shtuar vaginale e në raste më të theksuara edhe dhembje të forta të barkut të ashtuquajtura abdomen akut dhe deri gjendje shoku. Kjo gjendje alarmante paraqitet në rastet kur shtatzënia jashtë mitre është vënë re relativisht vonë (pas psh, 7-10 javësh) dhe fruti i zhvilluar në vepërçues ka bërë që kjo e fundit të pëlcasë dhe të kemi gjakderdhje të shtuar në bark (abdomen) që mund të jenë fatale për jetën e pacientes.
Shtatzënia e diagnostikuar jashtë mitrës duhet menjëherë të trajtohet në formë operative: Laparoskopi me hapje të vepërçuesit dhe largim të materialit të shtatzënisë ose në rastet kur vepërçuesi (tuba) është dëmtuar së tepërmi ajo të largohet tërësisht: Është një operacion i shkurtë i cili në mënyrë dramatike e përmirëson gjendje e përgjithshme të pacientes dhe kështu eviton përfundimin katastrofal që mund të ketë kjo gjendje.
Ne rastin konkret të motrës suaj, nëse nga ana e mjekut është konstatuar se nuk është shtatzënë nuk keni arsye të brengoseni.
Po përsëris edhe njëherë edhe për lexueset tjera: nëse te një femër konstatohet (me test të shtatzënisë dhe mungesë të periodës) se është shtatzënë dhe me ultrazë nuk dihet se ku është kjo shtatzëni, atëherë këtë rast duhet mbajtur në kontroll të shpeshtë me dyshim se kemi të bëjmë me EUG, normalisht në ultrazë do të duhej të shihet fillimi i shtatzënisë 4 ditë pas mungesës së periodës ose 10 pas mungesës së periodës (java e 6-të e shtatzënisë) do të duhej të shihen aksionet e zemrës së fëmijës.

Përshëndetje i nderuari Dr. Naim. Ju përgëzoj shumë për punën dhe vullnetin tuaj për t’i ndihmuar njerëzit që kanë nevojë për ju. Unë jam një vajzë nga Prishtina, jam e fejuar, akoma nuk kam pasur marrëdhënie me të dashurin. Mirëpo, unë kam filluar të vërej një rënie të flokëve dhe kam qenë te mjeku. Pas disa analizave, mjeku erdhi në përfundim se si pasojë e sindromës policistike unë kam rritje të hormonit mashkullor Testosteron dhe për këtë shkak flokët po më bien.
Dr. i nderuar, jam shumë e frikësuar se unë nuk mund te ngelem shtatzënë, a mund të shërohem nga kjo sindromë dhe të më kthehen flokët sërish.
Pres përgjigjen tuaj… Me shumë respekt, Linda.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Linda. PCO (syndroma policistike e vezoreve), është një ndër sëmundjet më të shpeshta endokrine te femrat në moshën reproduktive. Kjo sëmundje diagnostikohet me ekzaminime klinike dhe laboratorike. Ekzaminimi klinik mund të tregojë prezencë të çrregullimeve metabolike: adipozitet (shtim pesh), akne, rënie flokësh, hirzutizëm etj. Në ultrazë vërehen vezoret policistike (një nr i madh-mbi 12, i cisteve të vogla folikulare deri max 9 mm).
Për të ulur nivelin e testosteronit te ju, ju preferoj (meqë ende nuk jeni martuar), medikamentin Diane 35 1×1. Me këtë terapi, vjen te përmirësimi i simptomave që keni si psh, rënia e flokëve.

Përshëndetje, Dr.Naim. Së pari uroj të gëzoni shëndet të plotë ju dhe familjarët tuaj.Unë jam një vajzë 23 vjeçe, dhe, nëse mundem desha t’ju parashtroj problemin tim. Para një viti kam pasur sekrecione, por në sasi shumë të vogël, ndërsa tani më janë shtuar shumë dhe janë të bardha, me pak erë. Jam shumë meraklie në lidhje me anën e pastërtisë, lahem dhe ndërrohem në mëngjes dhe në darkë. Jam e fejuar prej 4 vitesh dhe kontakt me të fejuarin kam 1 herë në javë ose 1 herë në dy javë, a ndikon kjo? Ciklin e kam fiks me datë 8, por disa herë më çrregullohet dhe më vijnë me dy ose tre ditë vonesë. Duke ju falënderuar, ju uroj punë të mbarë gjithë të mirat.
Me respekt Ola.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje Ola. Sekrecioni i shtuar vaginal, të bardha (fluor albus) mund të jetë pasojë e infeksioneve të ndryshme bakteriale apo infeksion me kërpudha (zakonisht candida albicans). Ky sekret i shtuar mund të jetë edhe pasojë e ndryshimeve hormonale dhe zakonisht është normal në kohën e ovulacionit (mesi i ciklit).
Ju preferoj të paraqiteni te gjinekologu i juaj për strisho vaginale (për të verifikuar se a kemi të bëjmë me ndonjë infeksion, apo jo).

Përshëndetje doktor. Kam pasur dy aborte, njërin në javën e 9-të e tjetrin në javën e pestë. Pas abortit të parë i kam bërë të gjitha analizat (kariogranin, toksoplazmën, strishot vaginale, cervikale, për kllamidia, hemogramin, glikeminë, SE) dhe të gjit.

Dr.sci.dr. Naim Shabani

Gjinekolog-onkolog
Patolog-citolog

tel: 044 677-333 (Prishtinë)
tel. ++ 49 174 38 38 705 (München)
e-mail: drnshabani@hotmail.com
www.klinikum-muenchen.de

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen