Arkivat e Turqisë – pesë shekuj dritë mbi shqiptarët

Histori & Fakte | admin | 03.03.13 | 21:20

Institucionet shqiptare, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, kanë mungesë të ekspertëve osmanologë, të cilët merren me hulumtimin e dokumenteve të periudhës osmane. Udhëheqës të këtyre institucioneve thonë se ka miliona dokumente që u dedikohen trojeve shqiptare nëpër arkivat e Turqisë, të cilat duhet të përkthehen nga osmanishtja. Periudha pesëshekullore nën Perandorinë Osmane, është periudha më pak e studiuar, për shkak të mungesës së ekspertëve të kësaj fushe.

Historia e popullit shqiptar ende nuk është e kompletuar, duke ditur se në arkivat shtetërore të Turqisë ekzistojnë miliona dokumente të paeksploruara dhe të cilat flasin pikërisht për trevat dhe popullin shqiptar. Historianë e osmanologë shqiptarë, thonë se ka mungesë të osmanologëve dhe ekspertëve të kësaj fushe, të cilët duhet të merren me këto hulumtime, për të nxjerrë në dritë të dhëna dhe fakte që i përkasin popullit shqiptar për pesë shekuj nën Perandorinë Osmane. Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, kanë marrëveshje bashkëpunimi me Turqinë, për qasje në arkivat e tyre, në mënyrë që historianët të bëjnë hulumtime shkencore të asaj periudhe.

Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, thotë se kjo agjenci ka marrëveshje bashkëpunimi me shtatë arkiva të vendeve të rajonit dhe më gjerë. Këto marrëveshje kanë të bëjnë kryesisht me këmbimin e dokumenteve për të krijuar mundësi të hulumtimit të tyre në periudha të ndryshme kohore. Por, për të nxjerrë dokumente dhe për t’i hulumtuar ato, duhen më shumë osmanologë, thotë Manaj.

“Në kuadër të bashkëpunimit që kemi, në veçanti me Republikën e Turqisë dhe me Egjiptin, dhe për të pasur mundësi praktike konkrete të vjeljes së dokumenteve të ndryshme, kemi nevojë ët kemi më shumë osmanologë. Aktualisht në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës kemi tre të tillë. Hulumtimi i dokumentacionit të ndryshëm për shkak të lidhjeve historike që kanë ekzistuar me Perandorinë Osmane, po ashtu edhe me Egjiptin, për shkak të faktit se Egjipti modern lidhet me emrin e themeluesit të këtij shteti, Mehmet Ali Pasha dhe kjo fushë është e pa eksploruar, kemi një nevojë të domosdoshme që të kemi osmanologë. Me Turqinë vazhdon bashkëpunimi, me Egjiptin do të intensifikohet bashkëpunimi”, thotë Ramë Manaj.

Ermal Nurja, osmanolog në Arkivin Qendror të Shtetit të Shqipërisë, thotë se arkivi i Stambollit zyrtarisht deklaron që ka rreth 100 milionë dokumente, ku 60 për qind prej tyre janë klasifikuar dhe janë në shërbim të studiuesve, ndërsa 40 për qind presin ende të përpunohen dhe t’u shërbehen historianëve. Osmanologu Nurja, thotë se në këtë mori dokumentesh të përpunuara duhet të jenë disa milionë që u përkasin trevave shqiptare.

“Arkivi i shtetit shqiptar ka marrëveshje me Arkivin e Stambollit dhe brenda mundësive financiare dhe bashkëpunimeve të ndërsjella, është bërë e pamundura në mënyrë që të gjeten këto burime, të pasurohet Arkivi i Shtetit të Shqipërisë me burime osmane për historiografinë shqiptare”, thotë Ermal Nurja.

Periudha pesëshekullore e të qenit pjesë e Perandorisë Osmane, është periudha më pak e studiuar, për shkak të mungesës së ekspertëve të kësaj fushe. Shefi i departamentit të degës së Orientalistikës në Universitetin e Prishtinës, Isa Memishi, thotë se në institutet shqiptare mungojnë osmanologë, të cilët merren me hulumtimin e dokumenteve të periudhës osmane, duke shtuar se janë mbi një milion dokumente që i dedikohen trojeve shqiptare nëpër arkivat e Turqisë, të cilat duhet të përkthehen nga osmanishtja. Ai thotë se dega e Orientalistikës ka nxjerrë kuadro të kësaj fushe, por duhet që institucionet shtetërore tu krijojnë mundësi për të specializuar, në mënyrë që ata të studiojnë të kaluarën tonë historike.

“Të bësh hulumtime në fushën e osmanishtes nuk është thjesht që mund të bëjë një student që sapo përfundon studimet, por ai ka nevojë që të specializohet në atë fushë, sidomos në Turqi dhe botën e orientit. Prandaj, do të apeloja që fillimisht të investohet që ata të specializohen nëpër qendrat orientit, që në të ardhmen ti kthehen Kosovës, arkivave shqiptare, për të ndriçuar të kaluarën shumë të begatshme me dokumente që çmimi i tyre nuk krahasohet”, thotë Isa Memishi.

Ai shton se ka kuadro të mjaftueshme për të punuar nëpër institute dhe arkiva, por do të duhej që këto institute të tregojnë interesim më të madh për këto kuadro. Ai thotë se asnjë institut nuk ka orientalist të diplomuar dhe nuk ka historian që e njeh osmanishten, me përjashtim të kuadrove të kësaj dege që janë orientuar në histori.

“Dita ditës dëgjojmë që nuk ka studime të periudhës osmane pa hulumtimin e arkivave të Turqisë. Si të bëhen ato hulumtime kur ne nuk kemi osmanologë? Janë mbi një milion dokumente arkivore që duhet të përkthehen nga osmanishtja, që u dedikohen pikërisht trojeve shqiptare nëpër arkivat e Turqisë. Ndoshta studimet e kombinuara me orientalistikën dhe departamentin e Historisë do të na bënin mirë, që studentët e diplomuar në histori të vazhdojnë me Master këtu, dhe e kundërta”, shton Memishi.

Drejtori i Institutit të Historisë së Kosovës, Frashër Demaj, thotë se Kosova dhe Shqipëria kanë mungesë të osmanologëve, për shkak se periudha e studimit ka kërkuar kosto të lartë dhe nuk ka qenë atraktive për studiuesit. Ai thekson se ka ekspertë të periudhës osmane por nuk mjafton të kesh vetëm njohës të gjuhës osmane.

“Është gjë tjetër të jesh ekspert i periudhës osmane, që trajtojnë çështje tjera, dhe është krejtësisht tjetër të jesh osmanolog dhe të kesh mundësinë e dijen për të hulumtuar nëpër arkivat turke, përkatësisht në arkivin e Stambollit, sepse nuk mjafton të jesh njohës i gjuhës turke, sepse gjuha osmane është gjuhë krejtësisht tjetër me elemente arabo-osmane”, thotë Frashër Demaj.

Ai sqaron se në kuadër të politikës kadrovike të Institutit të Historisë, është kërkuar përkrahje dhe ndihmë nga institucionet për të dërguar studiues të rinj në Stamboll, në mënyrë që ata të specializohen për të bërë kërkime dhe hulumtime shkencore në arkivat e Stambollit, për të nxjerrë fakte të reja lidhur me historinë e Perandorisë Osmane, përkatësisht për raportet mes shqiptarëve dhe Perandorinë Osmane.

Instituti i Historisë ka nevojë për osmanologë, thotë, drejtori i këtij instituti, por ata duhet të jenë me formim prej historiani.

“Osmanologët që ne i kërkojmë duhet të jenë me formim historiani, sepse nuk është se na duhet vetëm për të përkthyer dokumentacione. Të jetë osmanist përkthen dokumentacione, por nga ana tjetër është gjuhëtar. Nuk është se na leverdisë shumë kjo punë. Ideja është që në politikën tonë kadrovike ne të gjejmë historianë specialistë nga fusha e osmanologjisë. Ne mund të pranojmë dhe na duhen osmanologë dhe kurdo që na krijohen mundësitë dhe hapësirat, në fokusin tonë e kemi krijimin e ekspertëve të historisë së Kohës së Vjetër, të historisë së Kohës së Mesme dhe të periudhës osmane, më saktësisht të osmanologëve. Mendoj se do të jetë një periudhë jo shumë e gjatë që të kemi edhe osmanologë me formim historiani në mënyrë që edhe më tutje të thellojmë studimet tona për periudhën e sundimit të Perandorisë Osmane në territoret shqiptare”, shton Demaj.

Edhe drejtori i Institutit të Albanologjisë në Prishtinë, Hysen Matoshi, thotë se është e nevojshme që Kosova të ketë ekspertë të periudhës osmane, ku shqiptarët kanë qenë pjesë e saj për pesë shekuj.

“Normalisht, do të duhej të kishim dhe ne jemi shumë të interesuar që këtë pjesë të trashëgimisë sonë ta kemi të studiuar drejtpërdrejtë në mënyrë burimore dhe jo nga transkriptimet që kanë bërë të tjerët për nevoja të veta. Deri tani rezultatet janë tepër modeste. Vetëm para një viti ne kemi arritur të botojmë një libër me kontribute të asaj periudhe. Është fjala për studimin e Nehat Krasniqit, që përmban një numër të studimeve historike, kulturore e letrare të asaj periudhe”, thotë Hysen Matoshi.

Ai shton se as Instituti Albanologjik nuk mund të krenohet se ka arritur të bëjë shumë në këtë drejtim, për faktin se të kesh osmanologë është e pamundur.

“Në vend se të kishim një sektor, në vend se të kishim një brez studiuesish që merren me këtë periudhë 500-vjeçare të kaluarës sonë, të vlerave tona, ne, për fat të keq, nuk kemi asnjë osmanolog të mirëfilltë. Historianët tanë të cilët i qasen kësaj periudhë historike, i qasen në bazë të dokumenteve që janë transkriptuar nga autoritete të institucioneve të tjera që nuk i përkasin shqiptarëve. Jo gjithmonë ato dokumente mund të jenë transkriptuar në mënyrë autentike. Shkenca duhet të notojë, të gjejë atë që ndodhet në arkiv dhe që dëshmon se çfarë kemi qenë ne në atë periudhë dhe vetëm në këtë mënyrë, duke krijuar ekspertë të kësaj fushe dhe duke realizuar projekte, mund të gjejmë gjurmë edhe me të plota dhe më të sigurta të kaluarës sonë”, shton Matoshi.

Ndërkohë, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, bën të ditur se vitin e kaluar janë nxjerrë nga arkivat turke mbi 1 milion e 800 mijë tapi, që janë dokumente me vlerë historike.

“Tash për tash ne i kemi CD-të dhe janë pronë e ASHAK-së dhe kanë qasje të gjithë me anë të procedurave përkatëse dhe ka një klientelë që është në rritje. Po ashtu, aktualisht, drejtoresha Shuqevci është në hulumtime sa i përket të dhënave për regjistrimin e vitit 1840 në kuadër të Perandorisë Osmane. Ne e shohim me interes hulumtimin për të dhënat e këtij regjistrimi, që natyrisht i referohen kohës së atëhershme dhe hapësirës së ish-Vilajetit të Kosovës, por ne na duhen për krahasim dhe plotësim të informacioneve”, thotë Ramë Manaj.

Doktoresha e fushës së osmanologjisë në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Hatixhe Ahmeti, është marrë me hulumtimin e dokumenteve që janë defterë të rëndësishëm, të cilët kanë të bëjnë me sferën ushtarake. Ajo sqaron se ato dokumente janë deshifruar dhe tregojnë se çfarë përmbajnë, cilit vend dhe cilit vit i takojnë.

“Në administratën turke është përdorur lloji i shkrimit ‘RIK’-a, i cili ndoshta është pak më i lehtë se sa shkrimet e tjera në deshifrim. Ndërsa sa i përket shkrimit ‘DIVANI’, është shumë më i vështirë se sa shkrimet e tjera, sepse përmban një art shumë të rrallë. Në këtë fond kam deshifruar 20 fermanë, që do të thotë janë diploma, shkresa, kërkesa, të cilat u janë drejtuar sulltanit nga pashallarët apo vezirët e atëhershëm. 20 fermanë të ish-Vilajetit të Kosovës, por disa janë edhe të Bosnjës, të Maqedonisë, nga të gjitha territoret ku ka dominuar Perandoria Osmane”, thotë Hatixhe Ahmeti.

Ramë Manaj thekson se janë të përkushtuar sa i përket sigurimit të lëndës arkivore. Gjithçka që është lëndë arkivore, është publike, është e mundur të ketë qasje, të botohen e publikohen përmes procedurave, thotë ai.

“Lëndë arkivore, të dhënat në të janë publike, kanë qasje edhe personat juridikë dhe ata fizikë me procedura të caktuara. Ka diçka që mund të jetë në afat të hershëm që nuk lejohet qasja në të, sepse ka dispozita ligjore dhe afate se kur mund të bëhen publike. Por në parim mund të them se lënda arkivore, dokumentacionet arkivore për të cilat ka interes opinioni qytetar dhe opinioni shkencorë, ka dhe do të ketë publikime, janë të hapura dhe në dispozicion”, thotë Manaj.

Të gjitha dokumentet të cilat ka hulumtuar zonja Ahmeti, kanë qenë të administruara nga pashallarët shqiptarë. Ajo thotë se ka ende shumë për të hulumtuar, sepse janë me miliona dokumente që ndodhen në arkivat shtetërore të Turqisë. Turqia është një thesar, që paraqet një burim kryesor për identifikimin e autoktonisë sonë shqiptare ilire në këto troje, thekson Ahmeti.

“Tapitë janë dokumente që paraqesin rëndësi historike për popullin shqiptar, sepse identifikojnë autoktoninë tonë, për secilin person japin të dhënat e tyre, vendbanimet e tyre dhe se çfarë posedonte ai person. Gjithashtu kemi edhe disa defterë tjerë, regjistra të cilët japin në detaje pasurinë e secilit person. Në ato defterë përshkruhet deri sa edhe një person se çfarë kishte në pronë, shtëpinë, oborrin, sa trungje, sa kafshë… sa pula kishte”, shton Ahmeti.

Ermal Nurja, osmanolog në Arkivin Qendror të Shqipërisë, thotë se periudha e ndritshme e ekspansionit osman që mbulon shekujt XV dhe XVI, nuk është e pasur me dokumente arkivore, duke marrë si referim arkivin e Stambollit dhe atë të Topkapisë. Regjistrimet osmane të popullsisë, për arsye të kontrollit dhe të ardhurave financiare, me të cilat mbahej në këmbë sistemi ushtarak administrativ osman, janë burime të rëndësishme nëpërmjet të cilave ne njohim edhe situatën demografike të trevave shqiptare gjatë sundimit osman, thekson Nurja.

“Regjistri osman më i vjetër që ruhet sot në arkivin e Stambollit ka të dhëna për Shqipërinë e jugut dhe të Shqipërisë së mesme, dhe mban datën e viti 1431. Regjistrat e tjerë të shekujve XV dhe XVI na ndihmojnë që të zbërthejmë në detaje demografinë e trojeve shqiptare, madje të njohim edhe emrat e banorëve për fshatra shumë të largët. Po të kemi parasysh se shqiptarët të njohur si arbër dokumentohen që në shekullin e X dhe XI, deri në regjistrimet osmane nuk kemi të dhëna të bollshme në lidhje me shqiptarët. Regjistrimi në masë në shekullin XV dhe XVI ana e osmanëve dhe mungesa e të dhënave historike për lëvizjet e popujve drejt trevave shqiptare për periudhën mes shekujve X dhe XV, vërtetojnë në mënyrë të qartë vazhdimësinë e shqiptarëve deri tek Arbri, në dokumentet osmane arnauti, para së gjithash dhe mbi të gjitha, tregojnë një komb të ndryshëm dhe të dallueshëm nga kombet e tjera të Ballkanit”, thotë osmanologu Nurja.

Ai shton se punimet e bëra deri më sot i përkasin periudhave të shekullit XV dhe XVI, e cila është edhe periudha më e hershme e Perandorisë Osmane, pushtimet e tyre në hapësirat e Ballkanit.

“Studimet janë bërë pikërisht për të hedhur dritë mbi burime dhe gjetjen e ekzistencës së elementit etnik shqiptar. Studimet e bëra në këtë fushë kanë rezultuar pozitive, pra është vërtetuar me burime dokumentare ekzistenca e shqiptarëve në trevat e tyre etnike”, shton Ermal Nurja.

Ndërkohë, osmanologia Ahmeti tregon se tapitë të cilat janë klasifikuar tani, përfshijnë të gjithë Vilajetin e Kosovës. Ajo që është e rëndësishme janë edhe dokumentet për identifikimin e muhaxhirëve, të cilët janë larguar dhunshëm që nga Nishi e Molla e Kuqe për në Kosovë. Ajo tregon se si është emocionuar kur ka shfletuar ata defterë, të cilët kanë përmbajtur emra dhe pasuri të shqiptarëve.

“Kur kam shfletuar ata defterë, shumë lehtë mund të them se më kanë rrjedhë lotët, sepse kam parë emra të shqiptarëve aty, pasuri të shqiptarëve, e kam parë se Nishi dhe Beogradi me dokument, kjo ka qenë një vulë në zemrën time, jam bind se vërtetë këtu ka pasur gjithmonë shqiptarë. Kam studiuar në Kajro dhe më është dashur të udhëtoj nga Presheva deri në Beograd, dhe kur kam kaluar aty nga Nishi, Leskovci, Vraja, gjithmonë e kam ndjerë një frymë shqiptare, një frymë kombëtare. Ata edhe pse kanë shkuar, i kanë lënë gjurmët e tyre të gjalla. Besoj se këto dokumente do të ngrihen. Kemi bashkëpunim edhe me Maqedoninë, kemi dokumente të gjalla të shkruara, lutjet të cilat i kanë kërkuar vet muhaxhirët për t’u shpërngulur në Stamboll apo Turqi”, shton Ahmeti.

Për të vazhduar me hulumtime të tilla shkencore, historike e kulturore të periudhës osmane, duhen më shumë kuadro dhe ekspertë të kësaj fushe. Shefi i departamentit të degës së Orientalistikës në Universitetin e Prishtinës, Isa Memishi, vlerëson se osmanishtja duhet të jetë një lëndë obligative në departamentin e historisë, pse jo edhe në atë të gjuhës dhe të letërsisë. Sipas tij, filologu mund të bëjë punën e tij në ndriçimin e një dokumenti, mirëpo historianët janë ata që e komentojnë, duke u bazuar në metodat dhe hulumtimet e shkencave të historisë.

“Osmanishtja është më shumë se shkencë ndihmëse për historinë, apo të themi një fushë e cila duhet lëvruar nga historianët”, thotë Memishi.

Drejtori i Institutit të Albanologjisë, Hysen Matoshi, bën të ditur se disa herë është kërkuar që instituti që drejton ai, të plotësohet me kuadër, në mënyrë që të gjitha degët të kenë studiues dhe në këtë kontekst edhe me osmanologë. Por, në mungesë të buxhetit kjo gjë nuk është realizuar ende.

“Ne edhe vitin e kaluar i kemi adresuar Ministrisë që të shohë mundësinë për të paktën një osmanolog, të krijoj mundësinë për punësimin në Institutin Albanologjik, në mënyrë që më vonë të krijohet edhe sektori i kësaj fushe shumë të rëndësishme për të kaluarën dhe për vlerat tona. Ka vështirësi, e mirëkuptojë edhe qeverinë sepse shtim i numrit të punonjësve është proces i komplikuar. Arsyetimet janë të natyrës, të cilat lidhen me kufizimin e punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës”, thotë Matoshi.

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, thotë se bashkëpunimi me qeverinë e Turqisë është shumë i ngushtë, jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në atë të shkencës dhe fusha të tjera. Ai thekson se qeveria turke ka treguar gatishmërinë që t’u mundësojë studiuesve shqiptarë për të hulumtuar nëpër arkivat e ndryshme të Turqisë, kryesisht të merren me dokumente që kanë të bëjnë me periudhën e Perandorisë Osmane. Mustafa thotë se Ministria e Arsimit është e gatshme për të ndihmuar financiarisht projektet që kanë të bëjnë me studimin e asaj periudhe.

“Tokat tona, vendet tona kanë qenë për rreth pesë shekuj nën sundimin osman. Prandaj është shumë e logjikshme që ndoshta në asnjë vend tjetër të botës nuk mund të ketë dokumente për historinë e shqiptarëve më shumë se në arkivat e Turqisë. Mirëpo, kjo më shumë është çështje e vet instituteve që merren me studimin e atyre periudhave. Ministria është e gatshme që projektet e tyre që kanë të bëjnë me dërgimin e studiuesve në Turqi për fushën e osmanologisë, t’i financojë dhe t’u ndihmojë. Por, nuk kemi pasur edhe aq kërkesa nga institutet në fjalë në mënyrë që ata të shfrytëzojnë fondin që kemi për shkencën brenda ministrisë së arsimit”, thotë Nehat Mustafa.

Hulumtime të tilla historike kanë për qëllim kërkimin e mëtejshëm transparent historik për të kuptuar më mirë jetën shoqërore, politike dhe ekonomike të territoreve nën sundimin otoman. Në arkivat më të pasura të Turqisë përfshihen regjistra të tokave, dokumente gjyqësore dhe dokumente të tjera të hollësishme nga periudha osmane. Dokumentet e pahulumtuara në arkivat e Turqisë do të hedhin dritë mbi jetën në rajon dhe do të kapërcejnë pasaktësitë historike që janë krijuar madje edhe nga historianët, institucionet arsimore dhe shkencore. Për kombin shqiptar një histori e ndriçuar, e mbështetur në fakte historike, është përgjigja më e mirë dhe ndihmesa më e madhe për popujt miq dhe dashamirës të zhvillimit të popullit shqiptar./rtk/

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen