E vërteta e vrasjes së Ded Gjo Lulit

Histori & Fakte | admin | 09.04.11 | 13:38

E vërteta e vrasjes së Ded Gjo Lulit qëndron ndryshe e jo verzioni i gatuar komunist për 50 vite në Shqipëri


(Reagim ndaj shkrimit të Gani Qarrit: 
Dedë Gjon Luli një jetë e shkrirë në luftë KombëtareVrasja e Ded Gjon Lulit botuar në Bota Sot 27 Mars 2011 Shfletimi i Historisë faqe 16 Rubrika Diaspora-).

Nue Oroshi

Nga Mr. sc. Nue Oroshi – Historian

Autorin e shkrimit Vrasja e Ded Gjon Lulit, z. Gani Qarri, nuk e njoh as si përson dhe as si studius, prandaj gjatë këtij reagimi nuk do të merrem fare me autorin e shkrimit, e as me motivet që e kanë shtyer z Gani Qarri që ta ripërseris një të pavertetë historike që për 50 vite me radhë është shkruar e përshkruar nga historianët komunistë në kohën e diktatorit antishqiptar Enver Hoxha. Por, do të sqaroj të vërtetën historike dhe shkencore të vrasjes së burrit të madh të Kombit Shqiptar Ded Gjo Lulit. Këto të pavërteta rreth vrasjes së Ded Gjon Lulit historiografia e kuqe komuniste i ka bërë me qëllim për t’ja humbur vlerën kombëtare familjes princore të Kapidan Gjon Marka Gjonit për tri arsye:
1. Që të gjuhet sa më tepër gurë e dru mbi familjen atdhetare të Kapidan Gjon Marka Gjonit që për pesqindë vjetë e udhëhoqi Mirditen në luftë kundër Perendorisë Osmane.
2. Që me të gjitha metodat të shkatërrohet kjo familje atdhetare, pasiqë dy djemt e Kapidan Gjon Marka Gjonit, Kapidan dr Mark Gjon Marku dhe Kapidan Llesh Gjon Marku e kishin udhëhequr me plot sukses luftën antikomuniste jo vetëm në Mirditë por në mbarë Shqipërinë Etnike derisa ranë heroikisht.
3. Për të mbjellë urrejtje në mes të dy krahinave heroike Shqiptare Mirditës dhe Malësisë krahina të cilat gjithmonë bashkëpunuan me njëra tjetrën për të mirën e kombit shqiptar, për këtë flet edhe fakti që trimi i Malësisë Ded Gjon Luli nuk i kishte rënë në dorë Knjaz Nikollës së Malit të Zi pas përfundimit të kryengritjes së Malësisë por kishte gjetë strehim dhe mikpritje pikërisht në Mirditën kreshnike. Në Mirditën e cila në mbrojtje të Ded Gjon Lulit dha shtatë djemë më të mirë të saj.
Para se ta bëjmë sqarimin në baza shkencore dhe historike rreth vrasjes së Ded Gjon Lulit do ti japim disa të dhëna të shkurtëra historike lidhur me kontributin kombëtar të familjes princore të Kapidan Gjon Marka Gjonit, që rrjedhë direkt nga vëllai i Lek Dukagjinit, Pal Dukagjini, që lexuesit dhe studiuesit të kenë mundësi që, së paku shkurtimisht të njihen me kontributin e kësaj familje princore të Kapidanit të Mirditës.

Pak gjeneologji 
Kur Principatat Arbërore me qendër në Durrës, Shkodër e Artë, filluan dobësimin e tyre kur shteti i Gjergj Kastriotit filloi rënien pas vdekjes se Gjergjit në vitin 1468, si dhe kur dukagjinasit u dobësuan tej mase, me depërtimin e osmanlinjve në viset Arbërore, filluan shpërngulje masive dhe lëvizje të mëdha të popullatës Arbërore përtej viseve të Adriatikut. Por njërit nga vëllezërit e Lek Dukagjinit, konkretisht, Pal Dukagjini, më tepër i pelqeu shkrepat, kreshtat dhe ato bjeshkë te bukura të Mirditës kreshnike dhe u vendos njëherë e përgjithmonë në Grykë të Oroshit, në atë grykë ku për pesë shekuj shqiptarët në Mirditë qëndruan me një heroizem të paparë. Dhe, nga Pal Dukagjini rrjedh familja e Kapidan Mark Gjon Markut udhëheqësit trashëgimor të Krahinës së Mirditës. Kjo gjeneologji duket kronologjikisht në këtë mënyrë:
Pal Dukagjini, i biri Kol Pal Dukagjinit. Nga Kola rrjedh Mark Kol Pal Dukagjini, nga Marku rrjedh Gjon Mark Kol Pali apo Gjomarku I-rë, nga Gjon Marku I-rë rrjedh Marka Gjoni I-rë, nga Marka Gjoni I-rë rrjedh Gjon Marku II-të, nga Gjon Marku II-të rrjedh Llesh Gjoni I-rë.
Më pas, trungu gjeneologjik i kësaj familje arbërore ndahet në tri pjesë: Preng Lleshi, Lleshi i Zi dhe Dod Lleshi. Nga familja e parë e Preng Lleshit që njëherit trashëgon derën e Gjon Markut, sepse ishte vëllai i parë, rrjedhin Dod Prenga, Nikoll Doda, më vonë Dod Doda dhe Bib Doda e nga Bib Doda rrjedh atdhetari Prenk Bib Doda. Me vrasjen e Prenk Bib Dodës, i cili nuk lë pasardhës, drejtimin e udhëheqjes së derës së Kapidanit të Mirditës e merr barku i Lleshit të Zi, ku pason kjo renditje: Mark (Mar) Lleshi, Ndue Lleshi dhe Dod Lleshi; nga Mark (Mar) Lleshi do te rrjedhë Gjon Mark (Mar) Lleshi, e nga Gjon Mark Lleshi do të rrjedhin Llesh Gjoni, Marka Gjoni, Ndue Gjoni dhe Ded Gjoni, ndërsa nga Llesh Gjoni do të rrjedhin Dod Lleshi dhe Preng Lleshi; nga Marka Gjoni do të rrjedhë Gjon Marka Gjoni e nga Ndue Gjoni, Lleshi e Kola; nga Dod Lleshi, Frrok Doda e Zef Doda; nga Prenk Lleshi -Nikoll Prenga; nga Lleshi e Kola, Ndoi, Gjoni e Kola, ndërsa nga Gjon Marka Gjoni rrjedhin pesë djem (i pari kapidan dr. Mark Gjon Marku, i vrarë në luftë kundër komunizmit, i dyti kapidan Ndue Gjon Marku, i cili e udhëhoqi për gjashtë muaj luftën antikomuniste në Mirditë dhe për 45 vjet Bllokun Kombëtar Indipendent dhe kapidan Llesh Gjon Marku i vrarë në luftë kundër komunizmit si dhe dy vëllezërit më të vegjël, Deda i cili mbajti 45 vite burg dhe internim në kohën e Komunizmit në Shqipëri, si dhe Nikolla udhëheqës i Blokut Kombëtar Independent). Dhe, kur i bën nje vështrim shekullor kontributit të kësaj familje kapidanësh, shikon se të gjithë këta kapidanë të Mirdites, prej Pal Dukagjinit e deri në ditet e udhëheqësit të luftës për Shqipërinë Etnike, Kapidan Dr. Mark Gjon Markut, çdo brez u vra në mbrojtje të atdheut në luftëra të ndryshme. Japim faktet e pamohueshme: Në vitin 1500 Gjon Marku I-rë ka nxjerrë autonominë e Mirdites; Mark Gjoni në vitet 1600 ka përzënë agjentët e Begollit prej Mirdite; Gjon Marku i dytë ka mbetur në luftë në rreth të Peqinit në vitin 1775; Llesh Gjoni I-rë ka bashkuar Fandin me Mirditë dhe është vrarë prej turqve; Prenk Lleshi ka vdekur në vitin 1815 prej plagëve të marra në luftë kundër Malit te Zi; Dod Prenka ka vdekur në Kotorr i helmuar nga turqit; Bib Doda ka vdekur në Shkodër i helmuar prej turqve ndërsa trupi i tij u la jasht për disa netë ku një pjesë e trupit të Bib Dodës është ngrenë nga qentë endacakë mu sikur Pjetër Bogdanin e madh; Prenk Bib Doda është vrarë në afërsi të Lezhës nga të shiturit qe ishin në shërbim të sllavëve; Lleshi i Zi në vitin 1812 ka marrë Dibren duke ngritur Mirditen në pesë bajrakë si dhe ka bashkuar bashkë me Mirditë edhe katër bajrakët e Lezhës duke bërë Mirditen në 12 bajraqe. Është vrarë prej shërbëtorëve te Turqisë. Në luftë për mbrojtjen e dinjitetit kombëtar kjo familje kapidanësh ka dhënë edhe Mark Lleshin, Ndue Lleshin e Dod Lleshin. Gjithashtu në mbrojtje të nderit dhe dinjitetit kombetar nga kjo familje janë vrarë edhe Llesh Gjoni e Ded Gjoni, Frrok Doda, Nikoll Prenga e deri tek udhëheqësi i luftes për Shqipërinë etnike, kapidan dr. Mark Gjon Marku, i cili u vra në natën në mes të 13 e 14 Qershorit 1946, dhe më vonë heroikisht do të bie në vitin 1947 edhe vëllai i tretë i kapidan dr. Mark Gjon Markut, kapidan Llesh Gjon Marku. Nga ky përshkrim i shkurtër gjeneologjik del se familja e kapidanëve të Mirditës prej Pal Dukagjinit e deri tek Kapidan dr Mark Gjon Marku për 500 vjet ishin në shërbim të mbrojtjes se identitetit kombëtar qe u rrezikua dhe erdhi deri në prag të shkatërrimit nga pushtuesit e ndryshëm aziatikë e karpatianë të përkrahur nga shqipfolësit e ndryshem, që ishin të mjerë shpirterisht dhe të shitur poshtërsisht.

Ded Gjo Luli u vra nga dora e kriminelit serb, kapedan Gjura

Në këtë shkrim, zoti Gani Qarri, citon komplet variantin e historianëve komunistë, që këto gjëra i bënin vetëm e vetëm që ta degradojnë kontributin kombëtar të familjes princore të Kapidanave të Mirditës. Madje ky variant i vrasjes nuk ka asnjë argument historik përpos rrëfimeve të trilluara kinse këto gjëra i paska thënë Nora, reja e Dedë Gjon Lulit, -pra përralla të imagjinuara që ka mundur t’i pjellin vetëm mendje të sëmura të historianëve të kuq të cilët shkruanin për qefë të udhëheqsit të tyre. Qika e babës e qika e nanës. -Jo zoti Qarri, Mirdita dhe Mirditorët nuk e lanë vetëm Ded Gjon Lulin. As nuk e lanë në përcjellje të grave por ia dhanë me vete shtatë djem Mirditorë të cilët u sakrifikuanë në moshën më të re për nderë, besë e burrni dhe për mos ta prerë asnjëherë mikun në besë, se, kjo ka qenë traditë e Mirditoritë nëpër shekuj. Ded Gjon Luli është vrarë nga dora e kriminelit serb Kapetan Gjura. E vërteta historike e vrasjes së këtij vigani të Malsësisë dhe mbarë Shqiptarisë është kështu: Serbët pas hyrjes në Mirditë filluan akte violence dhe terrori. Plaqkitën dhe dogjën Abacinë e Oroshit dhe vilën e Monsinjor Doqit, në maje të Malit të Shëlbuemit në Malin e Shejtë. Populli i Mirdites filloi me jetue nën Terror. Tue pa këto akte terrorizmi Ded Gjo Luli kujtonte se, mund t’i bindte serbët që mos të terrorizojnë popullin dhe pa e pyet askënd, vendosë me shkue në komandën e ushtrisë serbe, me i thanë komandantit ta ndalonte dorën. Megjithë këshillat e këshillit të te parëve që mos të shkonte atje, se shkau është i pabësë, ai vendosi me shkue. Tu mos mundë me bindë me hjekë dorë prej atij qëndrimi, Mirditasit ia dhanë shtatë burra për ta shoqërue, dhe emrat e të cilëve janë këta: 1. Mark Llesh Doda, 2. Ndue Kol Pjetri, 3.Zef Ndue Gjoka, 4.Preng Qup Deda, 5.Preng Gjok Skana, 6.Bib Marlula, dhe 7.Llesh Deda.
Porsa mbërrijtën në komandën serbe, që ishte vendosun në Abacinë, e pa i lënë shtek të paraqiste ankesën, i qarmatosin dhe i lidhin, e Ded Gjo Lulin e qojnë në rrafshnaltën që quhet Sheshas, e aty e pushkatojnë, kurse të shtatë burrat i qojnë në Breshten (Pyllin) e Oroshit, në Mal të Shejt, e atje në grykë të shpellës së Akullit, që është 15 metra e thellë në tokë, jua nxjerrin shpirtin duke i therë me bajoneta, e ashtu të gjallë i hedhin mbrenda ku kanë vdekë të ngrimë.

Në vend të përfundimit

Për të parë se kush ishin komunistët, në mesin e shumë fakteve, po e sjellë vetëm një dialog të pazakontë të zhvilluar në mes të atdhetarit Prenk Cali dhe kriminelit Mehmet Shehu. Kryekomandanti kriminel Mehmet Shehu në një shkëmbim fjalësh me Prek Calin atëherë të lidhurë këmbësh e duar në Rapshë të Hotit, pasi e zunë me tradhëti komunistët, në rrugën për në Shkodër e zhvilluan këtë Dialog. Kryekrimineli komunist Mehmet Shehu i drejtohet Prenk Calit me këto fjalë: E more Prenk Cali të pat ardhur dita ta mbyllje historinë tënde me shkronja ari po t’ishe bër me ne komunistat. Pse bëre kështu. E drangonji i Malësisë Prenk Cali i përgjigjet: Zotni, faji bjen mbi ju komunistat, se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor me Serbinë“, iu përgjigj burrnisht Prenk Cali.

Prandaj, zoti Qarri, është koha e fundit që ata që dëshirojnë të merren me studimin e historisë mos të bazohen asnjëherë në argumentët e atyre që u bënë me armikun tonë shekullorë serb, siç e tha burrnisht Prek Cali, edhe pse e dinte se po shkonte drejt pushkatimit. Kështuqë studiuesit seriozë mos të përdorin burimet e fallsifikuara historike komuniste, sepse ky brum që është gatuar në elaboratet pansllaviste është brum i thartuar.Por të bazohemi në fakte shkencore, edhe pse faktet dhe argumentet shkencore shpeshëherë janë kokforta por historia duhet të shkruhet ashtu siç ka ndodhë dhe jo ashtu siç kanë dëshirë disa të ketë ndodhur. Prandaj, ne të gjithë duhet të punojmë që në këtë 100 vjetorë të Kryengritjes së Malësisë, Ded Gjon Lulit t’i ipet vendi i merituar në Historinë Shqiptare si njëri ndër udhëheqsit e Kryengritjes se vitit 1911, që i parapriu shpalljes së Pavarsisë së Shqipëris.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen