Përvjetor: Me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit

Diaspora | admin | 08.10.10 | 13:14

 

PËRCAKTIM   DHE   DËSHMI   E   KULTURËS

EUROPIANE

Rrethanat historike dhe politike, në kohën kur u mbajt Kongresi i Manastirit, 14-22 nëntor 1908, në të gjitha vilajetet shqiptare ishin shumë të vështira dhe kaotike. Pas përmbysjes së sundimit të egër të sulltan Hamitit,  turqit e rinjë, proklamuan me bujë të madhe Kushtetutën dhe regjimin e tyre, kinse me disa të drejta më të mëdha për popujtë nën sundimin e Përandorisë.Kongresi i Manastirit Këto të drejta u priten më një farë simpatie edhe nga shqiptarët të dërmuar nga robëria shekullore. Zatën, shqiptarët, edhepse nën sundim, kurrë nuk e ndalën luftën e tyre për liri, për çlirim. Periudha më e shëndritëshme e historisë sonë, Rilindja Kombëtare, kishte përcaktuar rrugën që duhët të ndiqet deri në çlirim Rilindasit tanë nuk pushuan asnjë herë së vepruari për vetëdijsimin e popullit në baza kombëtare e posaçerisht rëndësi i kushtuan arsimimit. E gjithë veprimtaria e tyre letrare e botuar në shumë qendra të mërgatës, sepse ata vepronin larg atdheut të pushtuar, ishte orientuar në zgjimin e ndjenjës kombëtare, gati e shlyer, e tjetërsuar Dhe kjo lëvizje e re nga turqit e rinjë, e cila në fakt, nuk ishte edhe gjithëaq për të drejtat e popujve nën sundimin e Perandorisë, se sa ishte për interesin e tyre, edhe në Vilajete shqiptare nisën disa levizje konkrete, të hapta dhe paksa legale tani. Kështu u formuan disa klube arsimore dhe politike të cilat detyrë kryesore kishin organizimin konkret të popullatës dhe të rinjëve në shkolla të cilat hapeshin në mënyrë solemne dhe me entuziazem. Aty përgatiteshin programe të ndryshme kulturore.Mirëpo, rruga e filluar dhe e trasuar nga populli, binte ndesh me interesat e turqëve të rinjë. Kështu që këta nuk lanë formë dhe intrigë pa përdorë që kjo ringjallje të pengohët ose të orientohët gabim duke bërë përçarje nga më të ndryshmet, në baza kombëtare dhe fetare.
Klubet kulturore u formuan në shumë qytete, Manastir, Vlorë, Tiranë, Berat, Korçë, Elbasan etj. Klubi kryesor ishte në Manastir dhe për këtë arsy u caktua pikërishtë ky klub që të bëjë organizimin e një konference për çeshtje të alfabetit. Për këtë çështje shumë të rëndësishme për Kombin shqiptar ka pasë inisiativa  edhe më herët nga shoqëritë e ndryshme kulturore që vepronin në atë kohë. Idetë dhe inisiativat e para kanë qenë nga shoqëritë e mirënjohura „Bashkimi“ dhe „Agimi“ nga Shkodra sepse nga këto shoqëri dhe nga ky qytet ishin botimet më të rëndësishme të librave, revistave, gazetave të kohës. Udhëheqësit e këtyre Shoqërive, e dinin se një komb, një gjuhë dhe një alfabet do të jenë e ardhmja kombëtare. At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Imzot Prenkë Doçi, Imzot Lazër Mjeda, Dom Ndoc Nikaj, Dom Nikollë Kaçorri, Luigj Gurakuqi etj. ishin këta që i vunë bazat e alfabetit që kemi sot.
Dhe me datën 14 nëntor 1908 në Manastir filluan punimet e Kongresit të Alfabatit. Këtu më poshtë do të sjellim shenimet shumë besnike  nga ditari i At Pal Dodaj me titull „Shënime vrojtimesh vetjake 1907-1911“ të cilat flasin më së miri se si ka shkuar ecuria e punimeve në këtë Kongres. Tekstin do ta paraqesim origjinal:

                                                                                 06.11.1908

„At Gjergj Fishta  e Luigj Gurakuqi, n’emër të „Bashkimit“,u nisën nga Shkodra për Manastir.
Gjithashtu niset Dom Ndre Mjedja dhe mësuesi Logoreci si përfaqësues t'“Agimit“. Luigj Gurakuqi dhe Logoreci kanë mandat me përfaqësue edhe qytetin e Shkodrës.
Asnjë musliman i Shkodrës nuk u bashkue  me katër të sipërpërmendunit.Kongresi i Manastirit
Durrësi dërgon famullitarin e vet Dom Nikollë Kaçorrin…“

                                                                              14.11.1908

„Çelje solemne në Manastir e Kongresit Kombtar për zgjedhjen e çashtjes së alfabeteve. Numri i kongresistëve nuk i kalon të gjashtëdhjetët.
Por Kongresi mund të quhet i përgjthshëm në kuptimin e vërtetë të fjalës, mbasi janë të përfaqësueme te tana krahinat e Shqipnisë e  shoqnitë shqiptare jashtë nëpërmjet njerëzve ma të zotë e ma me ndikim. Marrin pjasë gjithashtu  kryetarët  e famshëm të partive të xhonturqve, Njazi Beu e Seladin Beu. Gjithashtu ka dërgue përfaqësuesin e vet komiteti i xhonturqve dhe klubi shqiptar i Konstandinopojës.
Për zgjedhjen e kryetarit të kongresit Gurakuqi mori 30 vota e Mit’hat Frashëri 28. Ky i fundit atëhere mungonte e së bashku me Shahin Kolonjën as që kishin ndër mend të marrin pjesë, mbasi që të dy  nuk donin të përdornin alfabet tjetër përveç atij tosk.Për me shmangë nji mungesë të tillë Gurakuqi, në marrëveshje me AT Fishtën, ia lëshoi kryesinë  Mit’hat Frashërit.
Ma në fund, mbas bisedimeve të përsërituna, nëpërmjet telegrafit, Frashëri e Kolonja  me marrë pjesë.
Para se të procedohej me caktimin e komisionit , u mbajtën fjalime të ndryshme mbi alfabetin shqiptar në përgjithësi. Vetë Mjedja mbajti dy, por nuk asht i lumtun, e veçanërisht me të dytin, më të cilin ma drejtpërdrejt sulmon shoqëninë „Bashkimi“, bahet qesharak dhe pritet keq nga auditori.
Ngrihet Gurakuqi e aty për aty kërkon ti përgjigjet.
Të nesërmen At Fishta,me nji fjalim të duertrokitun së tepërmi, rreh persëri dhe hedh poshtë pikë për pikë pohimet e Mjedjes dhe, tue u zgjanue mandej në refleksione ma të përgjithshme, me humanizmin e atdheut e të mirëkuptimit,i ban për vete kongresistët, shumë prej të cilëve qajnë nga mallëngjimi dhe nji hoxhë  me lot në sy  ngrihet, vrapon e i hidhet në qafë.
Efekti i këtij fjalimi duket ma qartë edhe nga fakti që në zgjedhjen e antarëve të Komisionit At Fishta, midis 53 votuesve mori 49 vota.
Komisioni përbahej gjithsej prej 11 vetësh. Gurakuqi u zgjodh përseri kryetar.“

                                                                               22.11.1908

„Imzot Abati (Prenkë Doçi) mori nji telegram prej Manastirit, kështu të konceptuem: „Çashtja e alfabetit u zgjidh. U pranuen njokohësisht, me ndryshime, alfabeti i Frashërit dhe i Bashkimit. Çdo alfabet tjetër asht i përjashtuem“
                            Fishta

Shenimet: Hylli i Dritës, Faqe 105, 106, 107. Tiranë 1993.

Kështu, në bazë të këtyre shenimeve mund të kuptojmë se punimet dhe ecuritë e Kongresit të Manastirit nuk kanë qenë edhe pa vështërsi nga më të ndryshmet. Historiografia shqiptare nuk i ka shpjeguar dhe analizuar nga të gjitha aspektet këtë ngjarje shumë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.  Këmbëngulësia dhe vizioni i qartë i At  Gjergj Fishtës me shokë ka bërë që ne të kemi këtë alfabetë  të pranueshëm  përndryshe ka qenë rrezik të kemi çoroditje në kulturën tonë. Besojmë,  se me organizimin e simpoziumeve, konferensave dhe debateve që do të pasojnë në të ardhmen, do të sjellin më shumë dritë për këtë perudhë sepse pikërishtë kjo ngjarje e rëndësishme në aspektin kulturor, shkencor, politik e kombëtarë i parapriu shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar. Më këtë ngjarje ne u rreshtuam në  sferën e kulturës europiane.

 

100 vjetori i Kongresit te Manastirit

 

Lekë  Preçi

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen