“Belle Air” vjedh pasagjerët dhe Qeverinë

OP-ED | Zef Prenka | 12.08.13 | 18:47

Aviokompania „Belle Air“ ka torturuar pushuesit Kosovar gjatë këtyre ditëve të pushimeve vjetore. Janë shumë pasagjerë që kanë marrë telefonata nga kjo aviokompani, gjatë tërë pushimeve të tyre, duke bërë kështu edhe presion të vazhdueshëm tek ata, për gjoja ndryshim të orarit të fluturimit, pastaj edhe për arsye se vëndet e rezervuara dhe biletat e tyre janë nga dy lista -njëra e quajtur lista e vjeter e tjetra lista e re-dhe në kohë pushimesh, pasagjerët apo klientët e tyre në vënd që të pushojnë rehatshëm dhe pa brenga, pasi që kishin paguar dhe rezervuar prej tre deri në pesë muaj më parë biletat e tyre për pushime vjetore në Kosovë e më gjërë.

Kështu ishin të shumta thirrjet në redaksinë e „Rrezores“, që të apelohet tek institucionet vëndore që, të kenë konsideratë dhe të merren me qështjen e tyre, pasi që shumica nuk ndiheshin rehat, sepse axhendët e aviokompanisë“Belle Air“kanë manipuluar me biletat e tyre dhe ata që kishin një rezervim të sigurtë, qoftë online apo edhe direkt nga shalterët e kësaj aviokompanie kishin marrë thirrje të shpeshta deri në tri apo katër herë në ditë për ndryshime të orarit por edhe të  datës së fluturimit.

Sipas  Petrit dhe Suzana Prenka me bijën e tyre 4 vjeqare Dalina, me banim në St.Gallen të Zvicrres, ata duhej të kthehëshin me dt. 11.08.2013 për në Zürich, por atyre u kishin thënë disa herë përmes  telefonit  nga Prishtina , por edhe nga Zürich-u ,  se ata nuk gjinden në listat e udhëtarëve për orarin e paraparë, por se duhet tua ndërrojnë kohën dhe orarin e fluturimit për një kohë të pacaktuar.

Herë – herë nga data  11.08.2013,  u kishin thënë se duhet të shtyhet për dt.16.08.2013 , por asnjëherë e sigurtë, gjë për të cilën ata ishin tmerruar dhe të shokuar përpiqeshin të gjënin ndonjë zgjidhje tjetër me ndonjë aviokompani serioze, për tu kthyer në vëndet e tyre të punës dhe vajza e tyre të mundë të fillonte me shoqet dhe shoket e saj ditën e parë në “ Kindergarten“(Qerdhe fëmijësh), ani pse kishin paguar shumë  para për udhtim me ketë aviokompani. Gjëra të ngjashme kishin pësuar edhe I.K,  pastaj D.H.,S.T  etj.

Në vazhdim sjellim reagimin e mediave Kosovare lidhur me ketë skandal.

Marrë nga „Zëri,“ shkruan :Laura Hasani
Gjashtë policë të Kosovës, një i EULEX-it, dhe mbi katër punëtorë të sigurimit, e ruanin të dielën sportelin e aviokompanisë “Belle Air”, e cila gjendet brenda terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Megjithatë, as këto forca policore nuk mund t’i ndalnin qindra qytetarë, të cilët shtyheshin me bërryla për të marrë informacione rreth vonesave dhe anulimit të fluturimeve nga kjo kompani, sidomos për në Zvicër dhe Gjermani.

Sali Topojani nga Kaçaniku së bashku me gruan e tij e kombësisë gjermane dhe dy fëmijë, të premten e kaluar kishin hyrë në avion për t’u nisur drejt Dyseldorfit të Gjermanisë. Mirëpo, në moment të fundit atij iu është thënë që duhet të dalë nga avioni, sepse numri i udhëtarëve është më i madh se numri i ulëseve.

Aeroporti i Prishtines-Belle Air- Protestat e pasagjerëve me 11 gusht 2013- nga Laura Hasani

Aeroporti i Prishtines-Belle Air- Protestat e pasagjerëve me 11 gusht 2013- nga Laura Hasani

“Këta të kompanisë na thanë se duhet të presim deri të dielën në orën 17:00 për të fluturuar, mirëpo edhe sot për arsye të panjohura është anuluar fluturimi. Ne nuk dimë se çka të bëjmë dhe ku të shkojmë. Si pasojë e vonesave ne po i humbasim vendet tona të punës. Ky është mjerim. Veç në Kosovë ndodhin gjëra të tilla”, shprehet i mllefosur ai, derisa tentonte të merrte sqarime nga punëtorët e kompanisë “Belle Air”.

Mirëpo, as pas shumë përpjekjesh nuk arriti të bëjë një gjë të tillë. Topojani nga distanca kërkonte nga stafi i kompanisë që t’i japin një dokument rreth anulimit të fluturimit, por tre punëtorët e kësaj kompanie, dy nga Shqipëria dhe njëri nga Kosova, nuk e bënin një gjë të tillë.

Madje ky i fundit kishte sjellje arrogante, edhe në raport me gazetarët e gazetës “Zëri” dhe të Radio Televizionit 21, të cilët bisedonin me qytetarë afër sportelit, të cilët pritnin me orë të tëra për të marrë informacione. “Vonesat po bëhen veç për pikë të qejfit”, thoshte punëtori i “Belle Air”, derisa fshihte ID-në e tij.

Aeroporti i Prishtines-Belle Air-11 gusht 2013nj-Laura Hasani- 2

Shtyrjet dhe pritjet me orë të tëra janë bërë të padurueshme për familjen Topojani.

“A ka Kosova institucione dhe ata a po e shikojnë se çfarë po na ndodh neve. Ky është mjerim. Nuk ka mbetur me ardhë në këtë shtet. Kompanitë mashtruese siç është ‘Belle Air’ po plaçkitin qytetarët e Kosovës, ku disa nga ta po na lënë edhe pa vende pune”, tha i zhgënjyer ai.

Nga ora dy e natës në Aeroport

Kastriot Mustafa nga Komuna e Suharekës, është dashur të shtunën të fluturojë drejt Zvicrës, mirëpo për shkak të shtyrjes së fluturimeve atij i është thënë nga punëtorët e kompanisë “Belle Air”, që fluturimi do të ndodhë të dielën në orën 4 të mëngjesit.

“Kam ardhur këtu në orën 2 të natës, ku kemi pritur deri në orën 4 dhe është shtyrë fluturimi. Më vonë na është thënë se fluturimi është shtyrë për në orën 14:00, por prapë nuk ndodhi. Sërish na premtuan se fluturimi është shtyrë për në orën 15:00, por edhe kjo nuk ndodhi. Së fundi na është thënë se fluturimi do të ndodhë pas orës pesë dhe po presim apo ndodh një gjë e tillë. Më shumë se 10 orë jam në Aeroport”, shprehet i mllefosur ai.

Mustafa thotë se sjelljet e tilla të kompanisë “Belle Air”, janë të papranueshme dhe të paarsyetueshme. Ai thotë se rezervimin e biletës për t’u kthyer nga Kosova në Zvicër e ka bërë në janar të këtij viti. “Është hera e fundit që unë blej biletë në këtë kompani. Po iu siguroj se 5 vjet nuk kam për të ardhur më në këtë shtet. Unë këtu kam ardhur për të pushuar dhe shpenzuar, por jo edhe për t’u torturuar”, shtoi më tej ai.

I lodhur dhe i nervozuar me pritjet shumë të gjata është edhe Besim Jakupi. Ai thotë se për orë të tëra është duke pritur në Aeroport me gruan dhe dy fëmijët e tij.

Jakupi bën të ditur se prej mëngjesit në vazhdimësi po ka shtyrje të kohës së fluturimeve drejt Zvicrës. Ai bën të ditur se të shtunën edhe miku i tij, Betim Zeqiri, nuk ka mundur të udhëtojë nga Aeroporti i Prishtinës drejt Zvicrës, pasi që kompania “Belle Air”, ia ka marrë paratë dhe nuk i ka siguruar ulëse në avion. “Ai dje është detyruar që nga Aeroporti i Prishtinës të shkojë me taksi në Shqipëri, ku më pastaj ka fluturuar nga Rinasi drejt Zvicrës, ku i ka humbur më shumë se 1000 euro. Kjo është papërgjegjësi i kompanisë dhe institucioneve që e lejojnë funksionimin e kësaj”, tha ai.

I shqetësuar, i maltretuar dhe i lodhur nga sjelljet e kompanisë “Belle Air” është edhe Naim Gashi, i cili të dielën së bashku me gruan dhe fëmijët e tij po mundoheshin të gjenin vend të lirë për të udhëtuar drejt Zvicrës. Ai thotë pardje punëtorët e kësaj kompanie e kanë marrë atë në telefon dhe i kanë bërë të ditur se të dielën nuk ka vende të lira, duke i sugjeruar që të udhëtojë 3, apo 4 ditë me vonesë. Mirëpo, Gashi thotë se nuk e ka pranuar një gjë të tillë, pasi që rezervimin e biletave e ka bërë qysh prej muajsh të tërë.

“Unë nesër në orën 7 duhet të jem në punë. Paratë ua kam dhënë dhe këta duhet të kryejnë shërbimin e jo të na mashtrojnë neve”, tha ai.

Rashica: Ku është ministri i Diasporës?

Edhe Qefsere Rashica së bashku me axhën e saj të dielën kishin planifikuar të udhëtonin drejt Hanoverit të Gjermanisë, përmes kompanisë“Belle Air”. Mirëpo, në momentin e fundit, asaj por edhe qindra udhëtareve tjerë fluturimi i është shtyrë për të hënën, pa ndonjë paralajmërim.

“Unë nuk po e di së çfarë është duke ndodhur. Unë nesër jam në punë, nuk e di se si do të arsyetohem atje. Edhe vëllai dje është dashur të udhëtoj drejt Gjermanisë me këtë kompani, por në momentin e fundit është dashur të blejë një biletë në kompaninë “Euro Koha”, sepse kompania “Belle Air” i ka mashtruar”, shprehet e zhgënjyer ajo.

Sipas saj, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, është dashur të merret me problemin e saj, por edhe qindra qytetarëve tjerë që të dielën kanë pritur në Aeroport për më shumë se 10 orë dhe në fund janë detyruar të kthehen në shtëpitë e tyre, disa me taksi e disa me vetura të familjareve që i pritnin në Aeroport.

“Kjo është torturë. Kjo i jep Kosovës një imazh të keq dhe veprime të tilla të rinjtë edhe më shumë i ftohin për vendlindjen e tyre”, tha ai. Por, krahas shumë bashkatdhetarëve, në radhë pritnin edhe ushtare të NATO-s, por edhe punëtorë të zyrave dhe administratës ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.

Edhe këta ishin mërzitur nga pritjet e gjata, por duke biseduar me njeri-tjetrin mundoheshin që ta ruajnë qetësinë dhe durimin.

“Belle Air” refuzon takimin me Makollin!

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, thotë se kohëve të fundit udhëtarët po maltretohen në Aeroport nga kompania “Belle Air”. Sipas tij,shumë qytetarë kanë paguar biletat dhe nuk po munden të udhëtojnë drejtë vendeve ku ata punojnë, pasi që numri i biletave të shitura është shumë më i madh se numri i ulëseve në avion.

“Unë kam parë shtyrjet dhe vonesave dhe për këtë çështje menjëherë kam kontaktuar me Ministrinë e Infrastrukturës. Nga ata kam kuptuar se kompania ‘Belle Air’, është si nënkontraktore e kompanisë ‘Darvin’. Nga ta kam kërkuar që të marrin masa ligjore ndaj kompanisë në fjalë, sepse shumë udhëtarë që udhëtojnë më këtë kompani hasin vështirësi të mëdha ose në ardhje, ose në shkuarje”, tha Makolli për gazetën “Zëri”.

Më tej, ministri Makolli bën të ditur se për këtë çështje ai ka kërkuar që të takohet me zyrtarë të kësaj kompanie dhjetëra herë, por kërkesa për takim është refuzuar nga pronarët. Ai thotë se për t’iu ndalë në ndihme bashkatdhetarëve rreth problemeve që ballafaqohen me këtë kompani, Ministra që ai drejton ka tentuar që të bisedoj, apo ta gjej zyrën e kësaj kompanie, por përpjekjet kanë qenë të kota. “Ata thuajse çdo ditë e ndërrojnë zyrat dhe numrat e telefonit”,tha më tej ai.

Ministri apelon te bashkatdhetarët që të gjitha rastet rreth vonesave dhe shtyrjeve të fluturimeve t’i evidentojnë në formularët që gjenden brenda terminalit, pasi që vetëm përmes tyre mund të merren veprime ligjore ndaj kompanisë “Belle Air”.

Aeroporti i Prishtines-Belle Air-11 gusht 2013y-Laura Hasani-3

Shqyrtohet marrja e licencës së “Belle Air”

Makolli më tej bën të ditur se është shqyrtuar mundësia e marrjes së lejes së fluturimit, por, sipas tij, kompania në fjalë ka shitur shumë bileta dhe nëse ndodh një gjë e tillë shumë bashkatdhetarë që punojnë në shtete të ndryshme të botës do të mbeteshin në Kosovë, ose do të detyroheshin të blejnë edhe një herë biletën. “Ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme për t’i mbrojtur qytetarët tanë nga kompania ‘Belle Air’”.

Sipas Makollit, nëse kompania në fjalë edhe më tutje vazhdon me vonesa dhe mashtrime, ajo do ta humbë lejen e fluturimit për në Kosovë. Gazeta për këtë çështje ka provuar të kontaktojë edhe më ministrin e Infrastrukturës, Fehmi Mujota, por ai nuk është përgjigjur në telefonin e tij zyrtarë. Njëjta ka ka vepruar edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

“Limak” mbron “Belle Air”

Në anën tjetër, zyrtarë të kompanisë “Limak”, e cila e ka në koncesion Aeroportin e Prishtinës thonë se kompania në fjalë të shtunën nuk ka pasur asnjë vonesë në fluturim. Valentina Gara, zyrtare për media në Aeroport, thotë se “Limak Kosovo” është i zotuar të ofrojë shërbimet më të mira të mundshme në procesimin e udhëtarëve dhe kompanive ajrore. “Sipas të dhënave tona zyrtare me datë 10 gusht 2013 (e shtunë) kanë qenë 24 fluturime (vajtje dhe ardhje) të kompanisë ajrore ‘Belle Air’.

Nuk ka pasur asnjë vonesë apo anulim të fluturimeve të kompanisë ajrore ‘Belle Air’. Ne si autoritet i aeroportit nuk ndërhyjmë në marrëdhëniet në mes kompanive ajrore dhe pasagjerëve dhe në rast se pasagjerët janë të kënaqur apo të pakënaqur me shërbimet e kompanive ajrore atëherë ata duhet te drejtojnë këto çështje te Departamenti i Aviacionit Civil brenda Ministrisë se Infrastrukturës i cili është autoritet për këto çështje”, tha ajo.

Gazeta “Zëri” të dielën gjatë gjithë ditës ka provuar të kontaktojë drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Driton Gjonbalaj, por kontakti më të ka qenë i pamundur.

 

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen