Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Atë Bernardin Palaj

Histori & Fakte | Rrezore | 30.03.14 | 16:01

Atë Bernardin Palaj (Shllak, Shkodër, 02. 10. 1894 – Shkodër, 08. 12. 1947) frat e poet i madh, do të vdiste në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhës i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, muzikant e pianist i talentuar. Pasardhës i denjë i Fishtës së madh, u mbyt, e u harrua.

I gozhduari

Enigmë mbetet deka e Atë Bernardinit. Deri tashti dëshmitë për fundin e tij janë tepër të vorfna. Letra e mbrame, që shkroi, iu drejtue Atë Jakob Marlekajt në kulmin e sulmit të komunizmit mbi institucionet fetare. Ishte si një kushtrim dalë prej vorrit. Shkruente:
I dashtuni P. Jakob, jena në gazep të Zotit. Thueju miqve t‘ ikun andej qi t’orvaten me sa të munden për me na pshtue prej këtij kobit. Ka nji ka nji po na qesin faret të gjithve. Bâne të njoftun mjerimin t’onë ku të dijësh. Të fala B.dini
20. IV. 1946
Letra e masipërme ruhet në fletoren „Histori“ të Atë Paulin Margjokajt(AFSH), ku lexojmë edhe dishminë: „Kopjue prej notes: P. Bernardini i pat shkrue P. Jakob Marlekajt në tetuer 1945 prej Oroshit njëkto fjalë: Nji ka nji të tanë intelektualt po na hjekin qafet. Njoftoj (bâni me dije) botës kulturore t’andejshme gjejen e trishtueshme t’onën“Mos më harro! B.“Pranë këtij shenimi ruhet vetë letra. Dhe shtohet: „Më ka kallëxue edhe Gjoni i Marka Gjonit se P. Bernardini i paska thanë kto fjalë: „Zoti nuk ká si na lshon doret“.
Kaq, e ma s‘ iu ndie zâni. E arrestuen, si të tjerët. Ata që vuejtën me tê kallëxojnë se e lidhen me tel të ndryshkun aq fort, sa teli i hyni në mish e shkaktoi tetanozin me dhimbje të tmershme. Thohet se e çuen në spital e e flakuen nën shkallë, ku edhe diq.
Kur u përhap lajmi se Atë Palaj nuk ishte ma mes nesh – dëshmon Pater Viktor Volaj, – u mundova, tue u ruejtë fort, me mbledhë dishmitë e mbrame të jetës së tij. Më thanë se Palaj iu nënshtrue torturave ma mizore, qi njihen në historinë botnore të mundimeve. Se, mbasi e kishin torturue keqas, ashtu tanë varrë, prej nga gurronte gjak, e kishin flakue nën shkallë të burgut, lidhë me tela të ndryshkun. Aty edhe kishte dhanë frymën e fundit, me dhimba të papërshkrueshme, shkaktue prej tetanozit. Mandej kush e di në ç’gropë e flakuen. Mbet pa kangë e pa vorr. Kështu më kallëxuen. Por një ditë, njeni prej atyne, që ishte torturue bashkë me ‘Zogun e kangëve’, më dha lajmin ma të mnershem. Në sa gjimonte, shtri mbi një dërrasë, nën shkallë, aty pari kishte kalue nji prej kriminelave të sigurimit. Kishte ndigjue gjamën e kishte zdrypë nën shkallë për të shijue prej së afërmit mundimet e Fratit të kangëve. Dërrasa, ku e kishin shtrî, ishte plot me gozhda të ndryshkuna. Atëherë katili zhguli nji gozhdë e, tue marrë një gur aty ngjet, e gozhdoi për dërrasë dorën e djathtë të Fratit, atë dorë që i kishte dhurue Kombit Kangët e Kreshnikëve. Tue gozhdue, kështu, me të, edhe Mujin e Halilin e epet e trimnive të tyne e darsmat e mortet e padeksueme te kanga. Këtë shpërblim i epte Atmja Poetit. Njeriu, qi më kallëxonte, vijon Atë Volaj, shtoi se prej nënshkallës ishte përhapë nëpër korridore nji gjamë e randë, si gjama e motit në bjeshkë, kur e merr fryma rrapin e Jutbinës, këndue me aq art prej atij, qi po diste mbi një dru, me dorën e djathtë të gozhdueme, si dora e Krishtit. Atë Zef Pllumi, një nga dëshmitarët e rrallë të kohëve tragjike, mbetë gjallë vetëm për të tregue, shkruen kështu për fundin e Atë Palajt: „Atë Bernardini mbaroi tragjikisht në burgun e Sigurimit të Shtetit komunist në vitin 1946“.
Sigurisht që gjatë hulumtimeve për lumnimin e tij, duhet të kenë dalë në dritë dëshmi të reja. Urojmë, sidomos, t’i gjinden eshtënt-relike.
Do të ishte figura ma e përshtatshme për t’u njohë si Pajtor i Rapsodëve, i Poetëve e i Muzikantëve shqiptarë. Në se nuk asht ma shenjti ndërmjet artistave, sigurisht do të jetë ma artisti ndërmjet shenjtënve.

Sipas veprës së Atë Daniel Gjeçajt “Galeria e artit të martrizimit”, Vepra II, Botime Françeskane, Shkodër, 2012

„Frati, kangëtari, poeti folkloristi, shkencëtari… ai zog i rrallë”

Atë Bernardin Palaj, frat, kangëtar, poet, folklorist, shkencëtar, Martir i fesë së Krishtit, kje „zog i rrallë“(atë Zef Pllumi). S‘ mund të ishte gjetë fjalë ma shprehëse për një nga figurat madhore të kulturës shqiptare, endè larg vendit, që i takon.
Lindi në Shkodër më 2 tetor 1894 në një familje të shpërngulun prej Shllakut. Prindët, Gjoni e Marta, e pagëzuen me emnin Zef e në të rritun, e çuen në shkollën e fretënve, ku kreu filloren e liceun „Illyricum“. Më 15 shtator 1911, sapo i kishte mbushë 17 vjetët, veshi zhgunin e Shën Françeskut. Kushtet e para i bâni me 1 nanduer 1912; kushtet e përjetshme, më 14 korrik 1917. Mbasi kreu shkollën e mesme, të parët e çuen për të vijue studimet në Austrí, fillimisht në Salcburg, mandej në Insbruk, ku kreu filozofinë e teologjinë, fakultete të detyrueshme për të gjithë ata që kishin zgjedhë rrugën meshtarake. Në të njejtën kohë ndoq edhe kurset e rregullta universitare në fakultetin e letërsisë. U pregatit shkëlqyeshëm për t’u ngjitë në elter. Meshën e parë e çoi më 2 gusht 1918. Fillonte për tê jeta e misionarit të Krishtit. Ishte thellue në filozofi e teologji, kishte njohuni të plota në letërsi, njihte mjeshtrat ma të mëdhaj të muzikës botnore, flitëte e shkruente mrekullisht gjuhët klasike, gjermanishten e italishten, i binte pianos, këndonte. Atë Zef Pllumi na e përshkruen kështu pamjen e tij të jashtme: „Kishte një trup qeskin dhe një pamje shumë simpatike“.Ndërsa të vetmin portret që kemi prej Atë Palajt, e pikturoi Atë Ambroz Martini, i cili ruen shumë kujtime për sivëllaun frat.
Kështu, qeskin, i ri, simpatik e sidomos, tejèt i pregatitun, u kthye menjëherë në Atdhé. Nga Austria e kulturueme, në maje të bjeshkve, në Palç të Mërturit, vend emnin e të cilit misionarët e huej e shkruejshin dhe e shqiptojshin Plaç; mandej në Toplanë, Shalë, Bushkash, në maje të shkambit të Rubikut. Në vetmí të maleve, vetmi lodhëse, vetmí e njeriut të mësuem me viset e qytetnueme, në mes malsorëve, me të cilët kurr nuk mund të çilë, nga shkaku i mendësisë rrâjsisht të ndryshme, marrëdhanie shfryese shpirtënore. E me mendue, mandej, se dimnit këto vise për gjashtë muej shkëputshin çdo marrëdhanie me qytete. Po frati i mësuem dinte si me e mbushë kohën, më sa vetminë e vuejtjen ia lehtësonte vetëdija e naltë e detyrës, e misionit që kryente në ato vende të egra, ku malsorët kishin aq shumë nevojë për fratin e frati për malsorët. Përndryshej do të kishte dalë mendsh. Ose do të kishte zdeshë zhgunin e do t’ia kishte mbathë kambëve nepër botë, ku me kulturë që kishte, mund të jetonte kambë mbi kambë, në mjes të kryeqyteteve ma në zâ. Po kjo as nepër mend s’i shkoi zhgunamurrtit të maleve. Palçi, ku pat ndejën për një kohë të gjatë, si famullitar i Mërturit, ishte një ndër famullitë malore ma të largtat e ma të vështirat. Ata që shkojshin me e takue në mes malesh, çuditeshin kur e ndiejshin tue bisedue si njeri mali me njerëzit e malit, në sa kishin ndigjue bisedat plot vlerë e mendehapta të fratit ndërmjet rretheve ma të arsimueme të qytetit. Së pari, me Krishtin, e mandej me kulturën e krishtenë e me Kombin. Në vetminë e rreptë të qelës së Palçit, midis maleve. Përshkonte me kalë shtigjet e thikta, për me shkue atje ku e pritëte detyra. Kthente vonë në qelë. Ma parë ndigjohej zhapllima e thundrave të kalit të tij, mandej dukej edhe ai vetë, me mantelin që i valëvitej prej erës së bjeshkëve në sa kali, edhe ma i lodhun se i zoti, u epte mundimshëm kambëve kah tëbana. Atje Frati kishte një odë të vogël, ku ndrynte ato thesare që ia ambëlsojshin vetminë e ia bâjshin të kandshme ndejen në ato vise të egra. Mbi lëpizat e një rafti të vjetër kishte rendue turra letrash, zverdhue prej motit, tuba tefterësh të trashë, të pluhnuem. Mbrenda tyne ishte tanë jeta e Kombit, me djepa e kunorë, me kremte e gjamë. Aty ai kishte mbyllë tanë historinë e atyne maleve të ashpra. Pritshin me dalë prej aty mija kangë kreshnikësh e trimnísh, mija valle darsmash, poezi shekullore e popullit shqiptar, përherë e njomë, kalue nga goja e breznive në të sosun në gojën e breznive në të këndellun. I shfletonte ato fletë në dimnat acár, kur pullazi rrezikonte me u shembë prej peshës së borës, kur dielli shndritëte fort e xete pak e i merrte frima rrapat, kthye në shtatore të çuditshme, me degë e gjeth akulli. Shfletonte e ndiente si prej tyne delte fryma e nji prandvere së amshueme. Niste kanga e rapsodit të Dukagjinit, që i këndonte Mujës e Halilit me gjuhë të kulluet e të thekshme. Ndigjoheshin po ato kangë, por me zânin e kangëtarëve të Malsís së Madhe, tanë fantazi e gjallësí. Mandej vallet e Kosovës e të Dibrës plot njomësi dashunore. Ato të Shestanit e të Ulqinit me përfëtyrime detare, të holla, të lëmueta. Ato të Bizës françeskane, tu Kepi i Rodonit, afër Durrësit. Delikate, plot analogjí me trajtat toskënishte. Nuk e dij se kush pat thanë se gjithkund në botë poetët këndojnë për popullin, vetëm në Ballkan populli, ma i madhi poet i këtyne trevave, këndon për poetët. Kjo e vertetë shndritëte ma shumë se kudo e se kurdoherë, në Palç, në qelën e heshtun të fratit të kangëve. Atje duhet të ishte Muzeu Kombëtar i Eposit!
Ai, në vetminë e malit, ia vente veshin kangës së pashterrshme, që buronte shi nga thellësitë e zemrës së Kombit arbënuer dhe ia rrëmbente atê harresës. Tue harrue vetin e tue u shkrî më nja me atë jetë që lëvizte e hasharitej ndër lëpizat e pluhnueme të qelës vetmitare në maje të thepave. Në ato lëpiza flente fara e pranverës së përtardhun e poezisë së re shqiptare, për të cilën u mundue dhe e nxorri në dritë
Gjatë Luftës II Botnore, Palaj shkoi në Romë për arsye shëndetësore. Kishte fillue me e ndie sëmundjen e zemrës dhe kishte nevojë për t’u kqyrë nga specialistat e përmendun të kryeqytetit të Italisë. Për fat të tij në Romë aso kohe banonte dhe kryente detyrën e mjekut pranë Kuries gjenerale të françeskanëve e pranë Universitetit Antonian, një frat, italo-shqiptár nga nana, Pater Domenico Franzè, françeskan edhe ky e mik i përzemërt i fretënve shqiptarë. E ‚i mend, kur ndërmjet këtyne e qeverisë fashiste italiane shpërthei kundërshtimi i hapët për çashtje okupimi, Franzè kje dërgue në Shqipní porsi ndërmjetës e paqëtues për të pështue çka ishte e mujtun para tanksave të ushtrisë pushtuese.
Pater Franzè pat njohë mirë Atë Gjergj Fishtën e shumë fretën tjerë ma të rij, të cilët radhë mbas radhet kishin pasë krye mësimet e nalta fetare në Romë. Me Atë Gjergjin, mandej, Pater Domenico kishte pasë lidhë që me kohë një miqësí të ngushtë vëllazënore.
Jo vetëm në bazë të kësaj miqësie, por edhe përsè i gjakut tonë, Franzè simpatizonte fretënt e shqiptarët në përgjithësí.
Në të vertetë, në atë pak kohë që ndei në vendin tonë, pat rasë t’i takojë e t’i peshojë gati tanë fretënt. Që atëherë xû të çmojë veçanërisht talentin e Atë Bernardinit, për të cilin tashti kujdesohej me ande dhe e paraqitëte e e porositëte te kolegët e vet kardiologë.
Palaj përfitoi, në këto rrethana, të kalojë Javën e Madhe posi mik i Kolegjës ndërkombëtare të Shën Andout në Via Merulana, jo larg nga bazilika e Shën Gjonit në Lateran.
Ishte e para herë që Palaj shijonte për së afërmit sjelljet fetare të atyne ditëve të mëdhá në Romën e papëve e qendrën e krishtenimit, sjellje këto të cilat zhvilloheshin aso here e kryhen përherë me madhní të veçantë.
Poeti s’e njihte mirë Romën, jashta se përsá dinte nga historia e nga kultura fetare. Gjithçkafja, prandej, i bânte përshtypje dhe, dashtë pa dashtë, çdo kuadër i Romës së vjetër thadronte në mende e zemër të tij virgjin, tejèt të ndieshme, altorelieve të bindshme arti.
Rapsodi i kulturuem iliras kundronte si në vegim qytetin e Konstantinit, fisi sinë, shihte Romën e papëve të njëzet shekujve dhe kënaqej në kundrime.
Para rrenojeve madhështore, teprica të njaj bote pagane në kulmin e zhvillimit, para tempujve të dërmuem nga motet, para truporeve mermeri e bronxi, të gjymtuem nga vershimet e kavaljeteve, Poeti sheh botën kristiane dhe, në panteonin e së kaluemes së vorrueme, kundron emblemën e kulturës së ré, që ka për shenj kryqin e për autor të Kryqzuemin.
Jeton çka kujton e merr pjesë në çka andërron. Kazani i fantazisë së tij të gjallë vlon. Në valë të kësaj fantazie, pajisë me pastërtinë e qiellit të Dukagjinit, që fratit poetë i dha djepin e lindjes, në ngrohtësinë e diellit italik, Palajt i rrjedh fjala, i grumbullohen mendimet posi rrëshina e brejve shekullorë para rrezeve flakë të diellit.
Në Qytetin e Amshuem, muzé i hapun nën kupolën e qiellit, viziton sidomos bazilikat e mëdha e kishat e famshme, ndalet para kryeveprave të artit, kudo i gjen, tue shenue, mandej, edhe mbresat e thella, në sa shpirti i Kangatarit të maleve komunikon mistikisht me shpirtënt e artistëve, që frymojnë prej afreskeve e pëlhurave të plasarituna motmotesh. Këto mbresa do të shihshin dritën e shtypit në të përkohshmet e fretënve, ku botoi herë mbas heret edhe studime e vrojtime për kishat e lashta të Shqipnisë. Asht një material i gjanë, që pret të mblidhet e të botohet.
Këtu shkruen poemthin „E Dielja e Larit në Aventin“, që dallohet për gjuhë të pastër, begati fjalori, shprehje lapidare, përshkrime të gjalla, freskí ngjyrash e frazeologjí të zgjedhuna. Poezia asht përplot me fluturime lirike, që na çojnë në historinë e lashtë të Romës e në Romën e krishtenë, e cila feston me jonet e kumbonëve të treqind kishave të veta, të Dielën e Larit. Së fundi, natyrshëm, Muza e çon meshtarin shqiptar të përshpirtshëm te Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtorja e Shqipnisë, së cilës ia nalton uratën në gjuhë të vet:
„Nder treqind kishët e Romës,
Treqind kumbonë po bijshin.
Per Ave Maria ato po bijshin.
Larg m‘ treti mendja e syni
Asajë kodre tue ju ulë;
Larg, te një mal i tretun,
Mbi Gjenacan, te Nana e Këshillit të Mirë,
Te Zoja ilire…
Shqyp un kësajë Nanë ju luta:
T‘ falem, o Mërí,
O Hirëplote – t‘ falem,
O Nana e Këshillit të Mirë, Maria….”.
Palaj si poet përfaqësohet me një mori krijimesh, ndërmjet të cilave poemi i pakryem „Valët e nji shpirti“ që përmban 1533 vargje, vende-vende me fuqi të rrallë poetike, shkrue me një farë vargu të lirë, pa rima, me formë krejt moderne. Në pjesën ma të bukur të poemit, me tingëllim të fuqishëm aktual, i kjahet halli një mërgimtari të ri, plot mall për atdheun, plot angushtí për fatet e tokës që e lindi, por që s’kje në gjendje ta ushqente e i dha udhët e trishtueshme të botës:
„… gjithkund dhén po ma kërkon.
Të tanë copash mendja m’ju ka bâ.
Kur ndërmendi i Shqipnisë po m’i bjen,
Gjumi i natës atë kurr nuk po ma merr.
E m’i lutet Zotit, qi rrin në qiell,
Për njatë gjak të këtyne trojeve qi âsht derdhë,
Njanën dysh i Lumi me e bâ:
Ndo edhe ‚i herë Shqipninë Ai me na e falë,
Ndo të tanë faret mâ mirë me na qitë…”.
Një prej kryeveprave të Palajt asht elegjia „Kah nata e vetme“. Gjama për dekën e Fishtës vêhet sa në gojë të poetit, aq të popullit shqiptar, të orëve e zanave e deri të të dekunve, që thirren prej jetës së përtejme për me ia lehtësue Poetit vetminë e vorrit, peshën e dheut, mallin per jetën.
Poemthi „Ndërmjet Shën Gjergjave“ asht plot me muzikalitet, plot dritë-hije e ngjyra, plot ajër e larushí pejzazhi shqiptar në të ardhun të pranverës.
Vlejnë me u përmendë edhe poezitë „Vorreve të flamurit“; „Kuq e zi“; „Prej burgut të jetës“ etj, etj. Në vargjet e Palajt figura bâhet ritëm; ritmi bâhet jetë, jeta – kangë; kanga-muzikë. Mjaftojnë pjesët e citueme, për t’i sigurue veprave të Palajt një vend dinjitoz në letërsinë shqiptare.
Me prejardhje prej maleve, mori si trashigim prej familjes një shqipe të kullueme e të pasun. Njohjen e gjuhës amtare e thelloi dhe e përsosi shkencërisht me studime të vëmendshme të autorëve tonë të vjetër e të rij. Veçanërisht ia vû veshin me kujdes të madh, ligjërimit popullor. E ngriti kështu, të folmen e Dukagjinit, trashigim prej të parëve, në naltësinë e një gjuhe arti, plot begati e përpikmëni. Krijoi atë të folme, që i përshtatej plotësisht frymëzimit të tij liriko-epik.
Palaj xên vend nderi ndër mbledhës të kangëve të popullit tonë. Vepra e tij si mbledhës i folklorit ishte hapi i parë që bâhej për ruejtjen e vûmjen në pah të Rapsodive të Veriut. Njëkohësisht kjo veprimtari folklorike ushtroi ndikim të fuqishëm në prodhimin letrar të tij e të një vargu poetësh, tue fillue nga Fishta.
Rapsoditë e Mujit e të Halilit u botuen për herë të parë më 1924 në revistën „Hylli i Dritës“. Lexuesët me kulturë letrare e kuptuen menjëherë se gjindeshin para një zbulimi me shumë randësí. Hijeshia e përfëtyrimeve e fuqia shprehëse e rapsodive popullore, i lanë pa mend. Atë Gjergj Fishta u trondit nga hovi i tyne epik dhe në pjesën e dytë të Lahutës së vet, sidomos në episodin e Tringës, tue lanë mbanesh frymëzimin që i vinte nga kangët tërthorçe e maje krahut në vargje tetërrokësh, ndoq shembullin e këtyne rapsodive.
Simbas dishmisë së Atë Viktor Volajt, Atë Bernardini shumicën e rapsodive e mblodh prej kangatarit Mirash Ndou, i dukagjinas. Ai ma parë ia kallëxonte ngjarjen në prozë, tregim që shpesh herë ishte edhe ma poetik se vetë kanga; mandej e recitonte epin në vargje të bardha e, mbasi e kryente ketë rit, merrte në dorë lahutën e niste homofoninë e lashtë.
Atë Viktor Volaj, mik i ngushtë me Mitrush Kutelin, në sa ishte rektor i kishës së Shën Andout në Tiranë, dëshmon edhe se, kur prozatori i madh pogradecar i lexoi për herë të parë epet e mbledhuna prej Pater Bernardinit, i mahnitun prej bukurisë së tyne, e pat pvetë Fratin: „Thua t’i ketë prekur Fishta, që kanë fituar gjithë atë shkëlqim? E pamundur të kenë qenë aq të bukura. E kanë fituar formën e tyre të përkryer, sepse i kanë prekur françeskanët e, prej françeskanëve, më e mundshmja është që t’i ketë prekur Pater Gjergji”.
Mitrushi më tregoi – vijon dëshmia e Atë Volaj – se kur ishte në Rumani, në praninë e njenit prej studiuesve ma të mëdhaj të Emineskut, kishte ndjekë diskutimin për një poezi popullore. Qe aq e bukur, sa shumëkush shprehu mendimin se nuk mund të ishte pastertisht popullore e se dikush kishte vû dorë në tê. Sigurisht e kishte prekë një dorë gjeniale. Studiuesi i Emineskut tha: “Edhe në mos qoftë popullore, bekuar ajo dorë, qi vuri dorë në tê e e bëri kaq të bukur”. “Qoftë bekuar, prandaj, dora e Fishtës, në i pastë bërë aq të bukura këngët e Mirash Ndout, regjistruar me pendën e Pater Bernardinit!”, tha Mitrushi.
Palaj – dëshmon Pater Viktori – ishte po aq i madh, sa Pater Gjergji! Por nuk ishte Pater Gjergji, ai qi i preku kangët. Ishte vetë Bernardini qi, me dorë të lëmuet e pa ia cenue njomësinë virgjin, ia dhetëfishoi shkelqimin. Prandej rapsoditë janë kryeveprat e vërteta të Palajt. Shumica e fretënve mendojnë kështu. Pater Gjergji nuk e njohu Dukagjinin drejtpërdrejt, por tërthortas. E njohu prej sivëllazënve, sidomos prej Atë Bernardinit. Sidokjoftë, “nuk mërrijti me pí ujin e cegëmt të gjuhës së panjollë, si bora e virgjin e majeve të thepisuna, ku s’shkeli kambë tjetër, veç ajo e mbathun me caruqe e opangë e malcorit shqiptar, ku s’u fol tjetër, veç fjalës shqipe, ku veç kangët e lashta të lahutës bridashe ushtuen nepër shkrepa, pyje, tëbana….”.
Gjithsesi botës letrare shqiptare iu deshtën disa vjet për me mërrijtë te shijimi i kangatarëve rapsodë të Veriut, fuqinë shprehëse të të cilëve e kishte hetue aq shpejt mbledhësi i tyne i parë.
Rapsoditë e zbulueme e të vlerësueme prej Palajt dolën të mbledhuna në një vëllim më 1937, në vargun e botimeve të „Visarit Kombëtár“.
Kujton Atë Zef Pllumi një bisedë me Atë Palajn, një mësim të çmueshëm për vlerësimin e eposit: „Ndigjoje, djalë e mbaje mend mirë se në fondin tonë kemi 400 kangë, por në botim kemi zgjedhë vetëm 40, tue përjashtue 56 që ia kam dhanë zotní Ernest Koliqit e që nuk m’i ka kthye, për ketë punë jam prishë me tê, sepse nuk u tregue korrekt me mue“… Besoj – vijon Atë Pllumi, se ato do të gjinden në bibliotekën e pasun personale të shkrimtarit shkodran, që sot gjindet në duert e trashigimtarëve të tij në Itali. Mendoj se Ministria e Kulturës e ka për detyrë që ajo pasuní të kthehet në Shqipni dhe të vendoset në fondin e Bibliotekës Kombëtare nën emnin e shkrimtarit të shquem“.Ndoshta ndoshta për bibliotekën, e cila përbân një pasuní të vertetë, edhe materiale, ka me u kujtue ndokush, kur t’i dalë deliri i soçëm që vlerë e zot ka veç arin, por a do të kujtohet kush se përveç bibliotekës, edhe i Zoti ka mbetë në Itali, tue pritë kthimin?
Kujtojmë se sot disa prej epeve janë përkthye në disá gjuhë të ndryshme të botës, ndonësè nuk asht aspak e lehtë as të përkthehen e as të kuptohen.
Atë Bernardini nuk u mjaftue vetëm me rapsoditë: studioi edhe të drejtën zakonore, Kanunin e Maleve. Na la kështu, trashëgim, një ndihmesë të shqueme për studimin e njohjen e shpirtit e të mendësië së popullit shqiptar. Shkruen frati: „E verteta âsht kjo, se besa, kanuni, miku e ndera e armëve – personifikim i njij autonomije së plotë – përveç besimit të ruejtun gjithmonë me pushkë për faqe, nepër këto fise të Dukagjinit të hershëm, ku gjejmë vetít ma karakteristike, qi e dallojnë shqiptarin veç tjerësh në familjen indoevropjane, kanë nder këto krahina nji kuptim ligjuer e nji atillsí në të ruejtun të dokeve ma të pikatun, se nder fise të tjera“.
E, për me e bâ ma të njohun ketë botë, Palaj s’pushoi së gërmuemi ndër katunde të Dukagjinit, derisá mblodh zakone e mitologji, tregime për orë e zana, për orën e gjarpnin e shtëpisë, për synin e keq e shpirtin e keq, për kultin e dekës e të vorreve. Iu vû mandej punës për mbledhjen e legjendave mbi fiset. Vijoi me mbledhë mite, rite, mëgji, gjithçka kishte të bânte me jetën e popullit, qysh prej djepit deri te nata e vetme.
Një fushë tjetër në të cilën Palaj dha një ndihmesë jo të paktë, asht edhe ajo e Kanunit të Maleve.
S’kemi endè një studim të plotë për zhvillimin e prozës shqiptare prej Buzukut e në ditët tona, për t’i caktue vendin që i takon Palajt si prozator. Proza e tij, e zhvillueme në qarkun e veprimtarisë së dy shkollave letrare të Shkodrës, ruen origjinalitetin e vet. Ka stil të gdhenun, pa zbukurime të tepërta e pa shkëndija humoristike. Në të ideja themelore theksohet me vija të trasha. Gjithsesi kjo prozë shpesh mërrin kumbime vagneriane e me hijeshí burrnore, na kujton së largu, tingëllimin e motiveve të lahutarëve. Mjerisht proza gjindet e shpërndáme në të përkoshme të ndryshme. Disá nga copat ma dinjitoze të saj janë: „Mikëpritja e maleve“; „Kremtime që mund të kenë rrjedhë ilire“; „Buka e lamit“ etj.
Atë Palaj ishte edhe muzikant e kangëtár. Shkruen për ketë Atë Zef Pllumi: „Atë Bernardini i binte pianos me një shkathtësi të çuditshme, ndërsá me zânin e vet prej bilbili të rrallë interpretonte pjesë nga operat klasike…“. Veprimtarinë muzikore Atë Bernardini e zhvilloi në bashkëpunim të ngushtë me Atë Martin Gjokën. Shpesh të dy muzikantat krijuen muzikë origjinale, ose ia përshtatën teksteve të veta muzikën, që e kishin prû me veti prej viseve të Austrisë ku kishin studiue. Mjafton të kujtojmë vargjet përqethëse të „Hymnit të Kosovës“, të cilat Pater Bernardini i shkroi e i muzikoi simbas melodisë së një kange austriake, regjistrue në shirit magnetofoni. Ruhet në arkivin tem në Romë. Qe edhe fjalët e kangës:
“Hymni i Kosovës”
“Urrà, djelmní p’r atdhé e per lirí!
Ç’janë ato fusha andej kufinit,
Tanë veshë n’blerim per bukurí?
Atje â’ Kosova e bregu i Ulqinit
Me Pejë e Shkup, Diber, Prizrend, Plavë e Gusí.
Atje s’bjen dielli as s’erret nata,
Ke bukë e gjak do t’hajë Shqiptari i ngratë,
Ke në voter t’tij Shkjau ruen me spata,
E shqip as Zotit nuk e lên me i thanë nji uratë.
Atje fshajnë po Hot e Grudë,
Mâ t’parat fise n’tanë Shqipní
Qi ball per ball me Shkjá tue u gri,
Murojë atdheut gjithmonë kjenë n’luftë.
Atje n’Hot per t’paren herë
Nji Dedë Gjo’Lul mkambi Malsinë
E i xuer Shqipnisë autonominë,
Tue i lanë atdheut mâ të madhen nderë.
Po edhe ato troje i shklet Serbjani
E qyqet këndojnë vorr m’vorr nji kangë per mnderë:
Shqiptarë, ju të gjallët s’keni shka e bâni,
Ja t’gjith të lirë, ja t’gjith të mbluem n’nji vorr p’r i herë.
Zoti i lum, qi vranë e kthiellë,
E shef çdo kob që per nen qiellë
Bân dhuna e forca kur Ty s’të dron,
Vetëm në Ty Shqiptari sot shpëreson.
E aj gjak fatozash qi nder né
Pa dhunë po derdhet per fis të vet,
Le t’vlojë sot n’zemër t’djelmnisë s’ré
Lum ai qi shkrihet per atme t’vet!
Vetëm çka asht botue prej Atë Palajt dëshmon se ai, ashtu si Atë Gjergj Fishta, e meritonte kunorën e larit sa ishte gjallë. Por frati i malit ishte tepër i përvûjtë, aq sa gati-gati me i ardhë marre para Atë Gjergjit për vargjet e veta. Ndërsa Poeti Kombëtar e shikjonte me dashtëni, shpresë e besim se nuk do të shkonte me këndue me harpë e lirë ndër Valle të Parrizit, pa lânë ma parë një dishepull të dêjë me lahutë në dorë në „Mrizin e Zânave“ .
Si shpërblim i dashtënisë së pakufí që kishte për Atdheun, në elter të cilit vûni dije, talent, djersë, gjak e deri jetën, u mbyt mizorisht dhe u harrue. Vargjet tij zdrypën bashkë me të në vorr. Për me u ngjallë në të tretën ditë, sepse një Poet si Atë Bernardini nuk mund të hupë aq kollaj. Në mos tjetër Krishti ia ka vlerësue flijimin, në sa pritet të ngjitet në nderimet e elterit.
Sipas veprës së Atë Daniel Gjeçajt “Galeria e artit të martrizimit”, Vepra II, Botime Françeskane,Shkodër 2012.
Radio Vatikani

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen