Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, shekullarët

Histori & Fakte | Rrezore | 06.04.14 | 23:24

Me Pater Gjonin, Pater Dajanin e Pater Faustin, për të cilët folëm në emisionet e kaluara, u dënua me vdekje edhe seminaristi Gjergj Bici; pastaj civilat Gjelosh Lulashi, Qerim Sadiku e Fran Mirakaj e disa të tjerë. Sentenca merrte fund më 22 shkurt 1946.

image
Genocid mesjetar në shekullin XX

Titullohet kështu, libri i botuar nga shtypshkronja “Camaj – Pipa”, në Shkodër, më 2001. Autori, Gjovalin Zezaj, e provoi mbi lëkurën e vet gjyqin e parë kundër klerit katolik, me të cilin niste “genocidi i madh”. Asokohe gati fëmijë, sot me kujtesë ende të fortë, përjeton me të gjitha hollësitë tragjedinë e jetës së tij e të të dënuarve me vdekje, ndërmjet të cilëve, figura ndër më të spikaturat e klerit katolik, meshtarë, seminaristë e laikë.
Ishin laikë, të rinjtë malësorë Qerim Sadik Myftari, nga Gucia; Gjelosh Lulash Bajraktari, nga Shoshi i Dukagjint e Fran Mirakaj, nga Puka, kujton, duke sqaruar se dënimi me vdekje për seminaristin Gjergj Bici do të kthehej në burgim të përjetshëm, për Frano Mirakajn, në dënim të mëvonshëm, që do të ishte pushkatimi e zhdukja pa asnjë gjurmë varri. Dënimin e firmoste “Ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha”.
Pas kësaj firme, breshëria e mitrolozit pas murit të Rrëmajit, që do të rrëzonte përdhe në lule të rinisë, edhe tre djemoshat.
Gjelosh Lulashi, (02. 09. 1925- 04. 03. 1946) i lindur në Dukagjin, më 2 shtator 1925, ishte besimtar i thjeshtë, shekullar. Shërbente në spitalin ushtarak të Shkodrës, kur u njoh me të rinjtë e revoltuar nga shenjat e para të genocidit mbi popullsinë e, sidomos, mbi të krishterët. I njohu pikërisht kur rrekeshin të krijonin organizatën “Bashkimi shqiptar”, për t’iu kundërvënë, me rrugë paqësore, parlamentare, regjimit, që nuk premtonte asgjë të mirë. Ishte një organizim i pavarur seminaristësh e të rinjsh laikë që, pa dijeninë e eprorëve, shestonin për ditë plane në bankat e seminarit papnor e të gjimnazit të shtetit.
Gjelosh Lulashi, djali i bajraktarit të Shoshit ishte 20 vjeç, kur doli para gjyqit. Bir i një familjeje të përmendur për bujari, trimëri e atdhedashuri, e donte fort edhe jetën, Po pati forcë ta flijonte, duke mbrojtur me një burrëri, të denjë për të parët e tij, idealet para një gjykate të padrejtë. I hodhi poshtë, me neveri, të gjitha akuzat e rreme kundër tij e, sidomos, kundër rregulltarëve, duke i mbrojtur vendosmërisht bindjet e veta politike, sa t’i mahniste të pranishmit në sallë.
Pyetje –përgjigjet ishin aq të gjata, aq të përsëritura, aq të rreme, aq të pabesueshme, sa është e kotë të kujtohen. E gjithë loja luhej me një skenar të përgatitur, me të gjitha dialoget e monologet, e edhe me pikën kulmore tragjike, pushkatimin, në një skenë ndërmjet varreve e zajeve të shkreta, buzë një lumi, që çohej vazhdimisht breg më breg nga reshjet e shpesha. Duke marrë me vete ç’të gjente.
Qerim Sadiku (12. 02. 1919 – 04. 03. 1946) i lindur në Vuthaj (Shkodër) më 12 shkurt 1919, ishte ndërlidhës ndërmjet qytetit e malësive. U arrestua më 03. 12. 1945. I përballoi me durim të jashtëzakonshëm torturat e gjyqin, dënimin me vdekje e pushkatimin. Një breshëri plumbash ia këputi jetën, pasi kishte shqiptuar fjalët e fundit, të protokolluara nga vrasësit. Provë krimi, në procesverbalin e komunistëve; provë shenjtërie, në analet e martirëve të Kishës Katolike: “I fali ata, që mujtën me më ba keq. Ata, që më dënuen me vdekje. E ata, që po më pushkatojnë”.
Fran Mirakaj (13. 08. 1916- ?. 09. 1946) ishte ndërlidhës i grupit të të rinjve rebelë me krerët nacionalistë, që vijonin rezistencën në arrati.
Që të tre, shpërndarës të trakteve të para antikomuniste, që i bënin thirrje popullit të mendohej mirë, para se ta hidhte votën në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. Pa e kuptuar aspak se liria e mendimit dhe e votës, po pushkatohej në Zajet e Kirit, për t’u zhdukur, në shkurt të vitit 1947, me “Grupin e Deputetëve” antikomunistë, që patën fituar në zgjedhjet. Kujtojmë se ndërmjet të rinjve ishte edhe Gjon Shllaku, përkthyesi i mëvonshëm i kryeveprave të letërsisë klasike greke. Ishin, pra dy vetë me të njëjtin emër: njëri frat, tjetri i ri. Pikërisht ky i fundit e shkroi traktin e parë.
Autori i “Genocidit…” Gjovalin Zezaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, pati fatin të dilte i gjallë nga skëterra, ku la rininë. Ja si e përshkruan lirimin, në librin e vet me kujtime:
“.. polici më njoftoi të përgatitesha për lirim. Te baraka, ku rrija, u grumbulluan shokët. Ishin shumë, nga e gjithë Shqipëria. Ata qeshnin nga gëzimi, për lirimin tim, unë qaja, për ndarjen…
Udhëtova kah Shkodra, kah nana, që vuajti aq shumë, mbi një kamion transporti, ngarkuar me mullarë sane. Arrita e trokita në atë derë, prej nga kisha dalë i ri, e kthehesha i burrëruar. Më priste nëna. Ishin çaste të paharrueshme. Po shumë shpejt e kuptova se kisha dalë nga një burg i vogël, për të hyrë në burgun e madh, të rrethuar nga telat me gjemba”.
Që atë ditë e sot Gjovalin Zezaj jeton me kujtimin e atyre, që nuk janë më, dëshmitar me vlerë për të njohur më thellë këtë histori tragjike:
“… Ishim të rinj, dëshmon, por na vlonte shpirti, plot me ndjenja patriotike e demokrate. Nuk mund ta duronim sundimin e diktaturës. Arrestimet, raprezaljet, keqtrajtimet, pushkatimet. Nuk mund të rrinim duarkryq, sepse në dej na vlonte gjak shqiptari. E nuk mund të lejonim që propaganda komuniste të premtonte parajsa të paarritshme, sofra me lugë ari, duke e hequr pas hunde popullin shqiptar, drejt skëterrës.
Ishim ëndrrimtarë të pashërueshëm. Tani në vend tonë, pikërisht mbi atë truall ku ndodhën këto ngjarje jo shumë të largëta, rritet një brez i ri. Uroj të ketë në zemër ndjenjat tona e të mos rrehet nga premtimet e sofrave me lugë ari, prej ngado që të vijnë!

imageMark Çuni (Rranxat e Bushatit, Shkodër, 30.09. 1919 – Shkodër, 04. 03. 1946) pas shkollës fillore, kryer në fshatin e vet, vijoi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës. Nxënës shumë premtues, i pajisur me një mori talentesh, u akuzua si themelues i organizatës “Bashkimi Shqiptar”, u arrestua, u dënua dhe u pushkatua më 4 mars 1946, njëherësh me eprorët e jezuitëve.

Hero i qytetërimit të dashurisë
(Sipas dëshmisë së Gjovalin Zezajt)

Në prag të Kreshmëve të vitit 1946, dega e sigurimit, që quhej mbrojtja e popullit, ishte në kulmin e veprimtarisë. Proces pas procesi. E në të gjitha këto procese, akuzat më të rënda binin mbi Mark Çunin. Njëherësh me akuzat, mbi trupin e tij rëndonin gjithnjë më shumë torturat. Kur, për të shfryrë inatin se ‘nuk i rrëfeva mëkatet’, hetuesit më zbritën në katin përdhes e më mbyllën në një banjo të madhe, të ndyrë, primitive, kthyer në vend torture, aty gjeta Mark Çunin. Dergjej pa shtroje pa mbuloje, i katandisur mo’Zo’ më keq, me njërin krah të thyer e pa kurrfarë ndihme mjekësore. U mundova ta ndihmoj, si e sa munda. Duke ia lidhur krahun e thyer me një copë të ndyrë peshqiri, pashë se trupi i tij ishte i mbuluar me plagë. Buzët i qenë tharë e plasaritur. Po unë nuk kisha as një pikë ujë, që t’ia freskoja… Kur nisi të bëlbëzonte pak, më tregoi se, në pritje të arrestimit, kishte shkuar tri ditë rresht tek Atë Dajani. I kish kërkuar leje për arratisje. Po jezuiti nuk e kishte lejuar. Madje nuk kishte marrë asnjë masë disiplinore kundër tij, siç ishte zakon ndër jezuitë, kur ndokush thyente disiplinën e hekurt. Meshtari kishte menduar se gjithçka do të sqarohej. Ndërkaq i kishte nisur seminaristët për pushime verore, sepse kuvendi ishte keq ekonomikisht. Duke i porositur ta mbanin lart petkun, që kishin veshur. E duke menduar se pas pak në seminar do të kthehej jeta normale. Ndonëse e dinte fare mirë kë kishte përballë… Tha kështu e heshti. E u zhytëm të dy në mendime.
Nuk e di sa kohë kaluam ashtu, të tulatur pranë e pranë, kur erdhi ‘miku i të burgosurve’, Fadil Rakiqi, i cili na lajmëroi se kishin arrestuar një prift italian. Të nesërmen, kur Fadili po më shoqëronte në nevojtore, iu luta të më linte një çast vetëm me klerikun. E ai më çoi nën shkallë, ku pashë një burrë të mbledhur gërmuq. Në fillim nuk e njoha. Thashë emrin tim, e dëgjova një zë, që më gjegji: “Jam atë Giovanni Fausti”. Po e takoja për herë të parë, sepse unë ndiqja gjimnazin e shtetit. E kishin rrasur aty, për ta shpersonalizuar, njeriun me personalitet të pathyeshëm! Po ata nuk e njihnin ende. I putha dorën. Ai më bekoi e më përcolli me fjalët: “Fali, o Zot, se nuk dijnë çka bajnë”, thënë butë-butë, me një shqipe të kulluar. Pas disa ditësh, po aty, nën shkallë, do të takoja atë Daniel Dajanin, 42 vjeç, nga Blinishti i Zadrimës…
Kur e mori vesh arrestimin e dy eprorëve, Mark Çuni i harroi dhimbjet e trupit dhe krahun e thyer nga torturat. E brente ndërgjegjja. I dukej se kishte një farë përgjegjësie për këtë katastrofë, pa menduar fare se edhe ai vetë do të zhdukej fizikisht. E kishte parashikuar se kleri do të shkatërrohej, e me të, edhe seminari papnor, Kolegja Saveriane e të gjitha vlerat, që qenë krijuar në atë oazë feje e kulture. Martirizmi kishte nisur që kur nuk i rëndonin ende prangat, me pushkatimin e Dom Ndre Zadejës, të Dielën e Larit, para Pashkëve të përgjakura të vitit 1945. Kur Krishti kryqëzohej në Kalvarin shqiptar. Po e sotmja tregonte se punët po rrokulliseshin keq e mos më keq. Ne, të mbyllurit në atë burg, ishim “Organizata fashiste-terroriste ‘Bashkimi Shqiptar’, e udhëhequr nga kleri katolik, shkaktar i pushtimit fashist të 7 prillit 1939, komplotist me imperializmin anglo-amerikan, për ndërhyrje, pas shpërthimit të kryengritjes së përgjithshme”. Sinqerisht, në kushte më pak serioze, do të kishim qeshur fort për këtë akuzë. Nuk do ta kishim besuar kurrë se ishim aq të zotët, ne, adoleshentët, rritur me Ungjill e uratë në dorë, sa të përmbysnim regjimin më gjakatar, që kishin parë ndonjë herë trojet tona, gjithnjë nën thundër. Sigurisht nuk do të kishim ngurruar ta përmbysnim, po të mundnim. Me revolucionin e Krishtit, natyrisht. Që na e kishte mësuar Atë Mark Harapi:
“Një natë, kur komunistët e armatosur deri në dhëmbë, hynë për të satën herë në Kuvendin e Jezuitëve, majori, që i kryesonte, i drejtohet Atë Mark Harapit, vëlla i Patër Antonit, përkthyes i madh i “Të fejuemve” të Manxonit, me studime të plota kryer në Insbruk, profesor në Kolegjën famëmadhe Saveriane, e me ironi i thotë: ‘Hë, ç’keni kundër nesh ju, jezuitët! Ti duhet ta dish më mirë nga unë se komunisti i parë është vetë Krishti’.
‘Ashtu asht, u përgjigj Atë Marku. Veçse Krishti lufton me një armë, që ndryshon paksa prej armëve tueja: me armën e dashtënisë!”.
Më 20 shkurt 1946 u hap seanca e 16-të e gjyqit ushtarak. E fjalës së fundit për 39 të pandehur. Atë Giovanni Fausti, atë Daniel Dajani, atë Gjon Shllaku e tre të rinjtë tjerë, prisnin vetëm dënimin me vdekje. E pas këtij dënimi, të dënuarit do të izoloheshin, lidhur me zinxhirë. Ishim thellësisht të pikëlluar, kur Atë Dajani na tha:
– Pse nuk po këndoni kangë atdhetare, si përherë?
– Si mundemi, Patër- iu gjegj njëri nga ne – kur ju nesër…
– Ne – ia preu fjalën Jezuiti, po shkojmë deri në fund të rrugës, që e zgjodhëm vetë. Prandej, e meritojmë të na përcillni me kangë!
Nisëm të këndojmë: fjalë e tinguj ngarkuar me lot të valë!
Më 4 mars, ditë e hënë, ora 5 e mëngjesit, trupi i Mark Çunit dergjej pa jetë në mes të një mali kufomash, mbi Zajet e Kirit. Zhdukej nën dhe, për të dalë përsëri, nga palci i urrejtjes, si bima prej fare në pranverë, ndërmjet 40 martirëve, kandidatë për nderimet e elterit.

Sipas dëshmisë së Gjovalin Zezajt në librin “Genocid Mesjetar në shekullin XX”; Shtypshkronja “Camaj – Pipa”, Shkodër, 2001, fq. 45, 46, 56

Radio Vatikani

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen