Mbreti i Kosovës dhe Presidenti i thyrjes së Miteve!

Arkivi | Zef Prenka | 03.03.11 | 17:49

Nuk thuhet kot se Rasti është Mbret i botës,dhe dorën në zemër, kësaj radhe për perfeksionimin e këtij rasti, u kujdes me të madhe, vetë lartmadhëria e tij,mbreti Dell i cili me fuqitë e pakufizuara vepruese që ka mbi Kosovën dhe forcën e rrezatimeve ndikuese që demonstroi për mes SMS-ve të tij magjik, arriti të prodhoj edhe një herë mrekullinë e radhës, duke bindur deputetët për votim „demokratik“ në favor të Presidentit tonë të ri i cili na e zbardhi fytyrën duke u bërë shembulli i parë i arritjes së veriut të vendit tonë të pashkelur dhe thyerjes së MITIT mbi pamundësinë e kalueshmërisë së Urës mbi Ibër, për të arritur në tokën tonë të premtuar!

Si metaforë e përshtatshme për rastin e kësaj mrekullie e cila ndodhi në mënyrë disi të papritur dhe erdhi si dhuratë e pikur nga Qielli, mu kujtua një Anekdotë që tregohej dikur nëpër odat tona,për veprimet e njohura nga gojëdhënat mbi Nastradinin, i cili me mençurin e tij,linte njerëzit gojëhapur duke u gjendur edhe në situata të ndërlikuara,kur të tjerët para rasteve të tilla, në mungesë të opsioneve për zgjidhje të pa arritshme për njerëzit e rëndomtë, dorëzoheshin, kurse ky , për çfarëdo rasti dhe rrethane ,kishte opsionin e tij të rrugëdaljes edhe në kohërat e vjetra.
Atëbotë,sipas Anekdotës,mbahej një garë për vrapim kuajsh,ku secili pjesëmarrës kishte dalë me atllarët më të përzgjedhur ,kurse i vetmi Nastradini në garën për vrapim kuajsh, në mungesë të kalit,ishte paraqitur me Kaun e tij plak. Organizatorët të çuditur nga sjellja e Nastradinit e kishin pyetur me shumë habi; Nastradin ç`kuptim ka paraqitja e juaj në garë kuajsh, me një Ka-plak?!…dhe Nastradini duke buzëqeshur u ishte përgjigjur; Hehe, nëse Kau im plak i ka „hujet“ që kishte derisa ishte „Tarak“nuk do të ketë kali që do t’ia kalojë…..
Ndoshta edhe mikja jonë e madhe USA me përzgjedhjen përfaqësimit,kishte të drejt,sepse ndihma e mbretit ishte ajo që në minutat e fundit,shpëtoi dështimin e zgjedhjes së Presidentit tonë të ri,i cili thënë të drejtën me gjithë mënyrën e diskutueshme të zgjedhjes në këtë funksion të lart shtetërorë, aktivitetin e tij si udhëheqës i shtetit e nisi mbar dhe me një vizitë të shumëpritur në veri të vendit duke kaluar Urën mbi ibër-këmbë,me ç`rast përcolli edhe ministrin e brendshëm të cilin ai e quajti të „mbrojtjes“deri në shtëpinë e tij në Suhadoll,duke i dëshmuar, mbar opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar,se Ura mbi ibër si çdo qyteti tjetër të botës, i shërben bashkimit të Mitrovicës, dhe „mbrojtësit e vërtetë të ndarjes“ janë grupet mafioze shqiptaro-serbe të interesit, të cilat që nga paslufta e mbajnë të ndarë Kosovën.

Ndodhi çfarë ndodhi dhe nga gjithë kjo mrekulli e kombinuar eksperimentale, vendore-ndërkombëtare, Kosova më në fund „fitoi organet e saj „legjitime“ shtetërore ,për të hyrë edhe një herë në bisedime kompromisi me Serbinë, të cilat janë bërë jo vetëm të frikshme por edhe të rrezikshme për vendin,nga mundësia e përhapjes së viruseve të sëmundjes infektive të gripit të derrave serb, jo vetëm në Veri dhe Enklavat serbe si deri më tani por edhe në gjithë territorin e Kosovës! dhe tashmë me marrëveshje dypalëshe,për krijimin e bazave të reja vepruese të Serbisë,si strofuj LEGJITIM të veprimit serb, anë e mbanë Vendit,nga të cilat, jeta e banorëve autokton shqiptar,nuk do të ndihet dhe jetohet e lirë as e pavarur edhe në të ardhmen.

Shqiptarët nuk patën kurrë një strategji të mirëfilltë veprimi kundër invazionit të çoroditur serb,as atëherë kur serbët, brenda dy vjetësh të “pavarësisë” së Vendit tonë, organizuan dy palë zgjedhje të Serbisë,në shtetin e Kosovës, as kur Koshtunica dhe Nukoliq me bandat e tyre të armatosura nga Mitrovica, kërcënonte shqiptarët e heshtur, edhe pse atëbotë Ministri ynë i brendshme, pati zënë pritën si burrat,në pjesën jugore të Urës, i cili i çarmatosur edhe pse i vetëm „kundër të gjithëve“rrinte sypatrembur me qëndrim „stoik“ duke vrojtuar trimërisht gjendjen,me vëmendje dhe vigjilencë të shtuar,siç ishte edhe vet shkalla e seriozitetit të ngjarjes, me duar në xhepa, me siguri duke llogaritur edhe në më të keqen,ai ishte liruar edhe nga KOLLARJA, që në rast sulmi nga pala serbe, të mos djersitej gjatë zhvillimit të luftës për mbrojtjen e “Vatanit” qoftë edhe duke ikur “shqiptarisht”…..praktikë kjo e njohur ndër ne, si tërheqje“taktike“….për hir të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike dhe mosrrezikimit të paqes në vend dhe rajon….
As policia e shtetit,atëbotë nuk turpërohej, kur deklaronte se nuk ishte e informuar për vizitat e funksionarëve serbë, pas futjes së papenguar të bandave serbe në Kosovë,siç nuk turpërohet as sot të ik nga veriu,vetëm pas disa mini-demonstratave të dhjetëra apo qindra rrugëbllokuesish serbë,derisa,ajo bashkë me EULEX-in, kontrollon shqiptarët jo vetëm në vendkalimet kufitare dhe Aeroport,por edhe në vend punim, në shtëpi e banesa,edhe pse kriminelët serbët janë ata që sa here duan, marrin “YRYSHË” në mënyrë të organizuar, për të penguar lëvizjen e lirë dhe kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre në veri,duke diskriminuar kështu të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve edhe tani, njëjtë si dikur.

Le të shpresojmë se gjëra të tilla kanë mund të ndodhin,vetëm deri më tani,për çka nga qeveritë dhe ministrat ndoshta një dit jo të largët edhe do të kërkohet përgjegjësi për mospengimin e ndarjes së Kosovës, me gjithë premtimet e Presidentit të ri,se tani e tutje do të punohet për vendosjen e rendit dhe ligjit,rregullit dhe shtetit ligjor,në gjithë vendin.Madje ai u shpreh se nuk njeh termë jug-veri,por vetëm ekzistimin e një Kosove si tërësi gjeografike, për kompaktësinë dhe integritetin territorial të së cilës, nuk do të bëhet asnjë kompromis,gjë të cilën deri më tani,realisht nuk e kishte Kosova,tërësinë e së cilës e rrezikojnë edhe sot haptas dhe shumë seriozisht,bandat kriminale dhe policia e Serbisë e involvuar në vendin tonë, nga „frika“ e së cilës,as një funksionar ,nuk „guxonte“ të kalonte në veri, deri në momentin kur Presidenti i porsazgjedhur,haptas Ditën për Diell dhe pa asnjë therrë në këmbë, me gjithë vërejtjet „dashamirëse“ për „rrezikun e madh“ e kalojë këmbë Urën mbi ibër me ç`rast përcolli edhe ministrin e „mbrojtjes“ deri në shtëpinë e tij…në veri të Mitrovicës. Zot bëne mirë!

Me vizitën e tij në veri, Presidenti i ri, ua kaloi të gjithë Patriotëve të deritanishëm të luftës dhe paqes,duke e kaluar për herë të par Urën mbi lumin ibër me ecje këmbë nga një President dhe funksionar i rangut të lartë shtetërorë,që nga çlirimi i Kosovës,ndaj për dallim nga të tjerët,zotëri Pacolli na doli se është një „akademik“ i shkathët i shembujve historik,siç veproi Presidenti i atëhershëm Amerikan, Gjon Kenedi,gjatë luftës së ftohtë në mes dy blloqeve më të mëdha të botës. duke ateruar në Berlinin e rrethuar nga ushtarët rus,ku për t`iu dhënë zemër gjermanëve të rrethuar nga çdo anë dhe bindur ata se nuk janë vetëm ,pati deklaruar se USA është me ju ,dhe unë jam një BERLINER!.

Edhe zoti Pacolli nga inati i izolimit të pjesës veriore të vendit ku ligjin e bëjnë policia shtetërore e Serbisë bashkë me bandat vendore serbe,kundër të cilave nuk doli forcë që të rezistoj, ku organet tona shtetërore praktikisht atje as nuk ekzistojnë,e kush e di ndoshta në shenjë hakmarrje edhe ndaj ushtarëve rus të cilët pas ikjes së forcave të Millosheviqit, ishin të parët që pa prit e pa kujtua,hynë në Prishtinë dhe pushtuan edhe Aeroportin pa asnjë fishek të shkrepur, Behgjet Pacolli, vendosi që të jetë Presidenti i parë i vendit, i cili mes përmes Urës së ibrit,kaloj në Mitrovicën veriore,ku me të arritur në atë pjesë të pa shkelur të vendit tonë,deklaroi se edhe këtu është Kosovë! dhe ju jeni pjesë e këtij vendi, ndoshta edhe me çmimin e prishjes së rehatisë së mafias nëntokësore shqiptaro-serbe, e cila po shihet hapur se ishte dhe mbetet shkaku kryesor i mosvizitave në veri të vendit….nga bartësit e funksioneve dje dhe sot….të cilët lejuan që Presidenti i ri tu tregoj se deri ku është Kosovë dhe sa e thjeshtë është mënyra e kalimit edhe në atë pjesë të vendit,duke thyer MITIN e rrejshëm të „PAKALUESHMËRISË“ mbi Urën e Ibrit e cila nuk e ndan, siç pretendojnë të na bindin mbi dhjet vjet me radhë, vendor e ndërkombëtar, por ajo e bashkon Mitrovicën dhe Kosovën, e cila padurim, pret shfaqjen e Arkitektit të bashkimit të saj!

Menjëherë pas „çlirimit“ të veriut,Presidenti bëri edhe premtime të „mrekullueshme“, premtime që shqiptarët i duan dhe vërtetë dëshirojnë që ato më në fund edhe të realizohen,por jo nga organet e tulatura shtetërore,derisa me rastin e vizitës, pa asnjë pengesë të Presidentit në Veri,u pa hapur se shkaku i vërtet për mos funksionim të shtetit ligjor edhe në atë pjesë të vendit, janë përfitimet nga kontrabanda.

Presidenti i ri nuk është posedues i ndonjë oratorie të madhe,me të cilën do ti mjegullonte të metat për mosrealizimin e premtimeve, si ata të maparshmit që shfryheshin me fjalime të gjata demagogjike të fryra me patriotizëm shterp,ndaj këtij i duhet punë dhe angazhim që ti dëshmoi në vepër të arriturat me fakte,dhe jo si pararendësit e tij, të cilët çdo mossukses e mbulonin me tymnaja patriotike,për mes referateve mendjemarrëse oratorike, të cilët për mossukseset personale,shpallnin gjithë botën fajtorë, përveç atyre të cilët mbeteshin gjithmonë të „pagabueshëm“siq ndodhë edhe tani kur në vend të rritjes së rrogave të premtuara,rriten çmimet e shfrenuara, të cilat edhe nëse vërtetë rriten rrogat,ato tanimë nuk mund ti mbulojnë kostot e shpenzimeve.

Presidenti i ri,bëri edhe një gjest tjetër human duke vizituar dy familje të varfra buzë urisë ,të cilave bashkë me tetë familje tjera skamnore, vendosi tua ndaj në mënyrë proporcionale pagën e tij mujore,kurse ish presidentit Sejdiu si egoist dhe shkelës i kushtetutës që ishte,nuk kërkonte rritje të ardhurash për popull por kërkonte rritje page për vete në dëm të buxhetit të shtetit tonë të varfër.

Sipas anekdotave të vjetra thuhet se kur është martu „Fukaraja“ kanë ndodhur tri gjëra të këqija; E para është prishur Koha, e dyta është shkurtua Nata dhe e treta është shky edhe Tupani,të cilat e kanë prishur , komplet-ahengun e Dasmës…ndaj edhe shqiptarët me shumë halle kush do ti garantoj ata se nëse Presidenti i porsazgjedhur,do të jetë aq i suksesshëm sa ai premton,të mos marrë mësysh e ti ndodhë gjë e keqe nga armiqtë tanë,ngase siç duket ai nuk është njeri që izolohet nga populli dhe mbyllet ne makina te blinduara,siç kanë vepruar pararendësit e tij, ndaj armiku i shqiptarëve-Rusia, nga dëshpërimi mund ta gjuaj edhe Presidentin tonë me ndonjë raketë nga largësia si Dudajevin e Çeçenisë dikur,sepse ajo nuk lejon me dëshirë që dhëndurët e saj, të punojnë për ato shtete, ekzistencën e të cilave ajo e mohon, siç ishte rasti dikur me Çeçeninë e pushtuar dhe tani me Kosovën e Pavarur të cilën Rusia as tash nuk e pranon.

Madje po ndodhi rastësisht që pranë presidentit tonë të qëlloj edhe mbreti Dell,dhe Rusia të kryej ndonjë sulm të qëllimshëm „kolateral“ për vrasjen e dy zogjve me një gur, duke eliminuar edhe mbretit,siç pati vepruar NATO me bombardimin e Ambasadës Kineze,ku strehoheshin funksionarët e ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë,dhe qoftë larg, që ne si popull kaq i pa fat,të mbetemi pa Mbret dhe President,kush do të udhëheqë në mënyrë kaq të përkushtuar me ne pastaj, kur s’do të ketë më udhëheqës të tillë human e as mbret të tillë të perfekt, që të na orientoj,qoftë edhe përmes SMS-ve për marrjen e vendimeve shtetërore,në rast të hutive të mëdha vendore?!

 

Gani Qarri Cyrih 28 Shkurt 2011

 

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen