Domethënia e Javës së Madhe të Pashkëve

Histori & Fakte | Zef Prenka | 27.03.13 | 12:57

Java, që i paraprin Pashkëve, qysh në kohët më të lashta quhet Java e Shenjtë. E vërtetojnë këtë shkrimet e shën Atanazit, që jetoi në shekullin IV. Në Lindje kjo javë quhej “e Madhe”. E kështu quhet prej shekujsh edhe ndër shqiptarë. Quhej e vijon të quhet ‘e Madhe’ – na shpjegon Shën Gjon Gojarti – jo pse ka më shumë ditë sesa javët e tjera, as pse i ka ditët më të gjata, por pse në këtë javë Zoti kreu gjestet më të larta”.

Duhet sqaruar se në zanafillë, e ndoshta që nga kohët apostolike, kremtoheshin vetëm e
Premtja dhe e Shtuna” ‘ditë në të cilat – siç vëren Tertuliani – Kishës ia morën dhëndrin”. Gjatë këtyre dy ditëve besimtarët agjëronin më shumë se ditëve të tjera e, në shenjë zije, nuk shkëmbehej puthja e paqes. Kremtimi përfundonte me të Dielën e Pashkëve. Kremtohej kështu Treditëshi i Pashkëve, nga e Premtja, tek e Diela.

Në shekullin IV nisën të kremtoheshin në formë historike ngjarjet e Ungjillit, posaçërisht themelimi i Eukaristisë, të Eenjten. Ky kremtim shënoi një risi në Treditëshin e Pashkëve, që nuk zgjatej më nga e Premtja tek e Diela, por nga e Enjtja, tek e Shtuna. Më pas u shtua edhe një ditë tjetër, e Mërkura, në kujtim të vendimit që morën judenjtë për ta mbytur Krishtin. Më vonë, herë pas here, u shtuan edhe e Hëna dhe e Marta, aq sa tek shën Atanazi gjejmë porosinë për të agjëruar në mënyrë të posaçme në këto gjashtë ditë shenjte e të mëdha. Kjo nuk do të thotë se që në shekullin IV të gjitha ditët e Javës së Madhe patën, në këndvështrimin liturgjik, rëndësinë që morën më pas e që e kanë edhe sot e kësaj dite.

Në Lindje ndiqeshin nga populli e nderoheshin shumë më tepër se gjetiu. Kemi dëshmi të lashta për kremtimet e veçanta të Kishës së Jerusalemit. Në Viset e Shenjta, përplot me kujtime tronditëse, nisin të kremtohen liturgji të posaçme, të cilat më pas, pak nga pak, përhapen në perëndim, duke arritur edhe në Romë.

Në Qytetin e Amshuar përveç kremtimit të Eukaristisë, të Enjten e Madhe u shtua edhe rrëfimi i pendestarëve si dhe bekimi i Vajrave shenjte. Gjithnjë në Romë, të Hënën e të Martën, nisi të kremtohej një liturgji e posaçme, e porositur nga Papa Hilari, në shekullin V. Të Premten e të Shtunën, në Romë e në vise tjera, nuk u lejua asnjëherë kremtimi eukaristik.

Ritet që kremtohen sot të Premten e Madhe të Pashkëve – adhurimi i Kryqit e Mesha e të parashenjtëruarve – hynë në liturgjinë romake rreth shekullit VII; e më vonë edhe ato të së Shtunës së Madhe.

Mund të themi se Liturgjia romake e Javës së Madhe të Pashkëve duke u kremtuar në shekuj, bëri të vetat shumë rite me zanafillë të ndryshme, por edhe ruajti me kujdesin më të madh ritet e lashtësisë së vet.

Nga dokumentet që vijnë deri në ditët tona prej lashtësisë së krishterë, përveç përshkrimit të mirëfilltë të kremtimit liturgjik, gjejmë edhe frymën e fesë së krishterë që gjallëronte bashkësinë, e cila i jetonte ngjarjet liturgjike si pjesë përbërëse të jetës shoqërore.

Perandorët e krishterë, që nga shekulli IV, për të lehtësuar mbajtjen e agjërimit e ndjekjen e funksioneve liturgjike të kësaj Jave, siguruan me ligj mundësinë e pushimit për shërbëtorët si dhe ndërprerjen e gjyqeve civile e penale. E një praktikë e tillë vijoi për disa shekuj, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim..

Zemra e thelbi i Pashkëve është pjesëmarrja jonë në kremtimet e mistereve të Krishtit, të pranishme në liturgjinë Kishtare. Prandaj, Kisha fton të përgatitemi për Pashkë me një rrëfim të mirë, detyrë e rëndësishme kjo, që na jep mundësinë ta rifillojmë përsëri jetën tonë në Zotin, të kemi realisht një fillesë të re në gëzimin e të Pashkëve e në bashkimin e faljes, dhuruar nga Krishti i Ngjallur.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen