Përgjigje e vërtetë letrës imagjinare të At Gjergj Fishtë

OP-ED | admin | 30.06.11 | 20:31

A nuk ishe Ti që na pate thanë gati një shekull ma parë: “Me u disprue asht mëkat”? 

Të kanë thanë ata që kanë ardhë tek të shumtit se janë tha lisat e po harbojnë shkurret. I shembem vërtetë shumë lisa hijerandë At, se dikujt i banin hije. Po ti e di, këto troje kanë pasë lisa gjithmonë, lisa që nuk u janë dhanë stuhive, as atyne që erdhën nga shkretina arabe, as atyne që erdhën nga stepat ruse. E lisa do të ketë përherë këtu, At. Askush nuk i shemb dot ata lisa që na lanë Shqipninë, prej Gjergj Kastriotit, tek Ibrahim Rugova, edhe pse të shumtë janë zvarranikët që u sillen përreth, edhe pse duen t’na i lanë lisat në dritën e hanës e t’na u heqin diellin. Po ky asht vendi i diellit, kot e kanë. Ja, nuk do të jetë e largët dita që do t’i presim shkurret, do t’i çlirojmë lisat e moçëm prej tyne e lisa të ri do të lëshojnë përsëri shtat.

Nuk thahet, jo, ai lis ku asht shkrue emni Yt, At Gjergj, pse, si na thoje Ti këtu e 102 vjet ma parë:

“Kanë me u rritë lisat, përse sopata as reja

S’e prekin landën, ku asht gëdhendë ai emën”.

Të paskën thanë edhe se ka shqiptarë, për faqen e zezë tonën, që po venë gojë deri edhe mbi Gjergj Kastriotin. Ashtu asht vërtetë, po vetëm gjuhën kanë shqip, janë muhaxhirë. E kujton si pat thanë ai miku Yt, Faik bej Konica: 

“E thashë edhe tjatër herë: për mua, fara më e ndyrë e Shqiperisë janë muhaxhirët”. ….. Ata “Edhe bukën tonë hanë, edhe na lëshojnë….baltën e tyre përmbi mësallë! Të kishin pakë ment Shqipëtarët, nukë këmbejnë as një fjalë me këta zgjebët. Të mos ish kombi shqipëtarë një komb i poshtër e i ndyrë, i dërgojin muhaxhirët n’Anadoll, me një shkelm prapa!” Kështu thonte gjithë zemratë miku Yt Faik bej, po nuk do të jetë e largët dita, Ati im, që këta “muhaxhirë”, ose do t’i bajmë “suz”, ose atje do të thyejnë qafen, tej në shkretinat e Arabisë, se këtij i thonë Vendi i Shqiponjave, jo i zvarranikëve. Po kemi atje nalt, si të kanë thanë të ardhunit tek të shumtit, “ata të patenzonët e djeshëm që po e bajnë Shqipninë prap sallahane”; pse kanë ngelë përsëri “të patenzonë”, sot e kësaj dite. E nuk asht çudi që shumë prej tyne të jenë “muhaxhirë”, se ndrysh nuk do të silleshin kështu me “Mëmëdhenë”  e Naimit tonë. 

Të vështirë do ta kemi t’u presim thojtë shtetarëve, At. Shumë të vështirë. Ata, po, ata po e ligun trupin e Shqipnisë, sa brijtë po i dalin. Janë disa shtetarë ngjyrash gjithfarë, që i ndrrojnë sa herë ua do punë, si kamaleonët, po vesin e të zhvatunit nuk e harrojnë. Se të vërtetën të kanë thanë, janë vetë ligji e vetë Maliqi. Në na mësofsh si t’ua bajmë hallin këtyne malukatëve, një vepër tjetër të madhe do t’i lije Atdheut, se nuk po u gjendet derman.  

Këto dit këtu ka edhe një marak të madh: si do të deklarohen shqiptarët në regjistrime: grekë, turq, apo çinimaçinë. Unë nuk ua kam marakun, At i ndritun. Në u deklarofshin çka nuk janë për pak dollarë, mbrapa diellit shkofshin, e ç’na duhen shqiptarët pa shqiptarizëm!?

Shumë e kanë këndue letrën tande këtu, At Gjergj. Një mik imi, që nga Piluri i Himarës, më shkruen gjithë marak, si do të të përgjigjem, a do të më bajë zemra të të prish qetësinë edhe atje ku je, në Parajsën e amshueme.  Se, më shkruen miku im, nuk asht e lehtë të merren vesht një i pavdekshëm siç je Ti, At i ndritun, me një të gjallë siç jam unë. I thashë, të mos shqetësohej: At Gjergji, i gjallë në mes të gjallëve, apo i pavdekshëm në mes të të vdekunëve, një marak ka pasë e një marak ka edhe atje: Marakun e Atdheut. Do të qajmë hall me Të e t’i dëgjojmë fjalën e urtë.  Sepse jam i sigurtë që, edhe pse në jetë të amshueme:

“Nuk t’janë sosë fjalët e amla e plot urtì,

Edhe pse zani këputë, që dje na binte në zemër

Si tingull lire e tingllueshme, që prej s’largu

Ndihet tue ra, kur dora e prekë e mësueme!”

Fjala Jote asht këtu, At i ndritun, në mes nesh, e sillet herë e zemrueme, herë gjithë dhimbshuni:

“Porsi i ambli fllad i erës,

Që lëmon gjinjët e drandofillit” –

po, sillet ajo, prej Sarande në Mitrovicë, prej Ulqini në Përmet e na jep shpresë se prap na Shqipninë do ta bajmë. Por kemi kaq shumë nevojë ende për fjalën Tande, zemrimin Tand e dashuninë Tande, se shpesh po bjerrim udhën e drejtë. 

Na pate thanë me kohë: “Tash që u ba Shqipnia duhen ba shqiptarët”.

Paska qenë ma e vështirë me ba shqiptarët, se Shqipninë, po na shpresat nuk do t’i humbim.

Nuk di a të kthjellova, apo vetëm të trishtova, At i ndritun. 

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen