Diktatura komuniste…falsifikoi historinë shqiptare

Histori & Fakte | admin | 30.11.11 | 20:09

 

Ndue Oroshi dhe Tom Mrijaj

Intervistë me historianin Nue Oroshi

Nue Oroshi: Gjatë sundimit të diktaturave komuniste si në Shqipëri, si në viset Etnike Shqiptare në ish Jugosllavi kemi krijimin e dy blloqeve politike, kulturore tek shqiptarët në përgjithësi. Kemi bllokun perëndimor politik dhe kulturor që udhëhiqej prej organizatave dhe partive politike në mërgim si dhe prej personaliteteve të mëdha politike, shkencore dhe kombëtare, si dhe bllokun politik lindor i cili politikën, kulturën dhe letërsinë shqiptare e orientoj drejt ideologjisë ruso-jugosllave. Dhe, gjatë gjithë këtyre viteve përveç konfrontimit politik dhe ushtarak, kemi edhe konfrontimin historik dhe kulturor, në mes të këtyre dy rrymave politike.

Vetvetiu gjatë kësaj kohe të sundimit të diktaturave komuniste në viset Etnike Shqiptare u krijuan dy Histori u krijuan dy letërsi, njëra ishte historia e vërtetë kombëtare që shkruhej nga studiuesit më taban kombëtar, por me akribi shkencore siç ishin, profesor dr. Ernest Koliqi, prof. dr Zef Valentini, prof.dr.Athanas Gegaj, prof dr Isuf Luzaj, Kapidan Ndue Gjomarku, dr.Halim Begeja,Imzot Zef Oroshi, Mithat Frashëri, Tahir Kolgjini, Martin Camaj, Arshi Pipa dhe shumë të tjerë. Ndërsa në anën tjetër blloku i historianëve lindorë, e që falsifikonte historinë shqiptare me metodologji ruso-jugosllave. Çdo kundërshtar politik e quanin tradhtar, kolaboracionist, revezionist dhe shumë terma të ndryshme që dinë t’i pjellë vetëm mendja e orientimit të ideologjisë komuniste. Derisa të parët kishin orientim politik konceptin e ndërtimit të shtetit me pluralizëm, demokraci perëndimore, bashkëpunimin politik dhe ekonomik me perëndimin, të dytët komunistët orientimin e tyre e kishin drejtuar rreth ndërtimit të shtetit diktatorial, sistemin njëpartiak, vrasjen e atdhetarëve shqiptarë, burgosjen e familjeve të tyre dhe internimet, dhe si mjet i fundit ishin edhe historianët me pikëpamje komuniste e që ishin shkolluar ekspres në Moskë dhe Beograd, për falsifikimin e historisë për të gjithë ata atdhetarë që vepronin në orientimin perëndimor të politikës dhe shtetit shqiptar. Koha e vërtetoi se politikanët që vepruan në të djathtë dhe për bashkim kombëtar patën të drejtë. Sepse, ata qysh herët kishin krijuar ura lidhëse në mes të shqiptarëve dhe shteteve perëndimore në Evropë si dhe në veçanti në Amerikë. Dhe, ne tani si historianë të rinj para vetës kemi dy lloj historish, njëra është ajo e falsifikuar a sidomos gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore e pjesërisht edhe gjatë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe periudha tjera historike, dhe tjetra ajo e shkruar me metodologji shkencore të nivelit perëndimor. Gjatë krahasimit të këtyre dy varianteve të shkrimit të historisë shihet qartë se historianët komunistë e falsifikuan historinë për nevojat e politikës së tyre ditore.

Falsifikimi me historinë e Kapedanit të Mirditës

Një ndër ato falsifikime ishte edhe fakti që historianët komunistë bënë ndaj derës së madhe kombëtare të Kapidanit të Mirditës, derë e cila për 500 vjet ishte në shërbim të kombit shqiptar. Një ndër ato falsifikime është edhe ai i vrasjes së atdhetarit Ded Gjon Lulit. Këto të pavërteta rreth vrasjes së Ded Gjon Lulit historiografia e kuqe komuniste i ka bërë me qëllim për t’ia humbur vlerën kombëtare familjes princore të Kapidan Gjon Marka Gjonit për tri arsye:

1. Që të gjuhet sa më tepër gurë e dru mbi familjen atdhetare të Kapidan Gjon Marka Gjonit që për 500 vjet e udhëhoqi Mirditën në luftë kundër Perandorisë Osmane.

2. Që me të gjitha metodat të shkatërrohet kjo familje atdhetare, pasi që dy djemtë e Kapidan Gjon Marka Gjonit, Kapidan dr Mark Gjon Marku dhe Kapidan Llesh Gjon Marku e kishin udhëhequr me plot sukses luftën antikomuniste jo vetëm në Mirditë por në mbarë Shqipërinë Etnike derisa ranë heroikisht.

3. Për të mbjellë urrejtje në mes të dy krahinave heroike Shqiptare Mirditës dhe Malësisë, krahina të cilat gjithmonë bashkëpunuan me njëra tjetrën për të mirën e kombit shqiptar, për këtë flet edhe fakti që trimi i Malësisë Ded Gjon Luli nuk i kishte rënë në dorë Knjaz Nikollës së Malit të Zi pas përfundimit të kryengritjes së Malësisë por kishte gjet strehim dhe mikpritje pikërisht në Mirditën kreshnike. Në Mirditën e cila në mbrojtje të Ded Gjon Lulit dha shtatë djem më të mirë të saj.

E vërteta historike e vrasjes se Ded Gjon Luli

E vërteta historike e vrasjes se Ded Gjon Luli qëndron në atë se Ded Gjon Luli është vrarë nga dora e kriminelit serb Kapetan Gjura. E vërteta historike e vrasjes së këtij vigani të Malsësisë dhe mbarë Shqiptarisë është kështu: Serbët pas hyrjes në Mirditë filluan akte violence dhe terrori. Plaçkitën dhe dogjën Abacinë e Oroshit dhe vilën e Monsinjor Doqit, në maje të Malit të Shëlbuemit në Malin e Shejtë. Populli i Mirdites filloi me jetue nën Terror. Tue pa këto akte terrorizmi Ded Gjo Luli kujtonte se, mund t’i bindte serbët që mos të terrorizojnë popullin dhe pa e pyet askënd, vendosë me shkue në komandën e ushtrisë serbe, me i thanë komandantit ta ndalonte dorën. Me gjithë këshillat e këshillit të te parëve që mos të shkonte atje, se shkau është i pabesë, ai vendosi me shkue. Tu mos mundë me bindë me hjekë dorë prej atij qëndrimi, mirditasit ia dhanë shtatë burra për ta shoqërue, dhe emrat e të cilëve janë këta: 1. Mark Llesh Doda, 2. Ndue Kol Pjetri, 3.Zef Ndue Gjoka, 4.Preng Qup Deda, 5.Preng Gjok Skana, 6.Bib Marlula, dhe 7.Llesh Deda. Porsa mbërritën në komandën serbe, që ishte vendosun në Abacinë, e pa i lënë shteg të paraqiste ankesën, i çarmatosin dhe i lidhin, e Ded Gjo Lulin e qojnë në rrafshnaltën që quhet Sheshas, e aty e pushkatojnë, kurse të shtatë burrat i qojnë në Breshten (Pyllin) e Oroshit, në Mal të Shejt, e atje në grykë të shpellës së Akullit, që është 15 metra e thellë në tokë, jua nxjerrin shpirtin duke i therë me bajoneta, e ashtu të gjallë i hedhin brenda ku kanë vdek të ngrimë.

E dhashë vetëm një fakt të këtij falsifikimi sepse kjo familje në regjimin komunist kishte këtë bilanc tragjik- Dy djemtë e familjes Mark e Sandër (Llesh) Gjon Markagjoni të vrarë në vitin 1946-1947, në moshën 33 dhe 27 vjeçare, 40 vjet burg, 254 (dyqind e pesëdhjetë e katër vjet internime), dhe tri nëna të shtrenjta vdiqën në internim. Iu shtetëzuan pronat, konfiskim i çdo gjëje, rrafshim i kullave të familjes në Orosh -Mirditë, atje mbetën vetëm gurët. Për afro 50 vjet vazhdoi tortura, burgjet internimi dhe denigrimi i familjes me anë të radios, librit, artit skenik, filmit, televizorit, deri në pafundësi shpifje arti i gënjeshtrës në stadin më të lart, thuhet në librin, Dhembje, të studiueses shkodrane Fatbardha Mulleti Saraqi. Falsifikimet tjera bëhen ndaj shumë figurave historike siç janë atdhetarët Mithat Frashëri, Mustafa Merlika-Kruja, Xhevat Korqa dhe shumë e shumë atdhetarëve të tjerë me koncepte dhe veprime politike perëndimore.

Intervistoi Gilmana Bushati – Shkodër

 

 

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen