E treta e vërteta

OP-ED | admin | 16.12.11 | 23:00

E treta e vërteta,shqiptarët në mbështetje të Kadaresë
 
Ismail Kadare 
 Shkrimtari i mirënjohur shqiptar me famë botërore, “Princi i Asturias” për letërsi në vitin 2009. z. Ismail Kadare, në shenjë mirënjohje për vlerën e madhe të veprave të tij,të përkthyera në shumë gjuhë të botës si dhe si përfaqësues i denjë i vlerave të artit dhe kulturës sonë kombëtare, këto ditë ,pranë Komitetit për çmimin Nobel të Akademisë Suedeze, u propozua nga Akademia e shkencave të Shqipërisë si kandidat për këtë çmimin prestigjioz në letërsi, për vitin 2012.
 Ai ishte edhe dy herë më parë konkurrent, por nuk arriti të ishte i pari,ndaj siç thotë populli e treta e vërteta,dhe përkrahja jonë kësaj radhe nuk guxon të mungoj,kështu që duhet mobilizuar të gjithë shqiptarët kudo, dhe domosdoshmërishtë me të gjitha mundësit tona ta mbështesim sa më fuqishëm Kadarenë në mënyrë që kësaj radhe ta arrij këtë çmim të merituar,nga ai.
 Emri i tij,nuk është thjeshtë vetëm një emër i njohur i një shkrimtari të madh shqiptar të pranuar me dashamirësi në gjithë botën, por është edhe simbol bashkimi për të gjithë ne , pa dallim krahine, feje a dialekti,në gjithë hapësirën tonë kombëtare si dhe në diasporë,kudo jetojnë shqiptarët.
 Ky emër i madh i letrave tona shqipe është një ndër shkrimtarët e rrallë të kombit i cili jo vetëm se ka njohuri të veçanta dhe shtjellon ngjarjet në mënyrë brilante por ai njeh edhe kanunin deri në imtësi ,pjesë të zbatueshme të të cilit i përshkruan mrekullueshëm dhe i shpjegon nga afër përmes shtjellimit të ngjarjeve me shumë mjeshtri edhe në librin Prilli i thyer.
 Kadare sikur njeh edhe mendimet e lexuesit i cili në shkrimet e tij prek ndjesitë e secilit që ka pasur rastin ti lexoj veprat e mirënjohura të Kadaresë. Ato edhe pas përkthimeve në shumë gjuhë të botës, arritën që tu përshtaten miliona mentaliteteve të ndryshme të shumë popujve gjithandej rruzullit tokësorë.
 Falë artit të veçantë dhe vlerave të mëdha,veprat e Kadaresë janë pranuar dhe përkthyer gjithandej,ndaj sot para artit të tij përkulet bota me respekt. Ngjarjet e shtjelluara nga ai shtrihen në terrene të vështira nga të cilat lexuesi i cilës do gjuhe qoftë,nuk mund të largohet lehtë dhe i “ pa-plagosur “ në shpirt dhe ndjenja nga përshkrimet impresionuese të rrjedhave deri në mahnitje.
 Ndaj,kush do ta meritonte më shumë se ky shkrimtar, çmimin Nobel në letërsi,për fitimin e të cilit atij sot më shumë se kurrë më parë i nevojitet ndihma jonë,mbështetja dhe përkrahja e Shqipërisë, Kosovës, Iliridës, trojeve tona gjithandej dhe shqiptarëve të diasporës kudo jetojnë dhe punojnë ata.
Për ne si komb dhe për qindra e mijëra lexues,kritik e krijues anë e mbanë botës,shkrimet e Kadaresë janë pasurim i jetës njerëzore. Për këtë flasin dhe shkruajnë emrat më të njohur të letërsisë, dhe miliona lexues nga e mbarë bota,ku veprat e tij të përkthyera në shumë gjuhë janë ndër më të kërkuarat dhe ndër më të pëlqyerat.
 Ai do të mbetet gjatë në kujtesën e popullit shqiptar, ngase edhe në kushtet më të rënda të një izolimi total të kohës, ishte ndër të parët që arriti ti hapte një dritare kombit të tij për komunikim qoftë edhe përmes letërsisë me kombet tjera edhe atëherë kur të gjitha dyert e hekurta të atdheut të izoluar, ishin hermetikisht të bllokuara për shqiptarët që të komunikonin lirshëm me botën.
 Megjithatë sikur krijohet përshtypja sa ai edhe sot vlerësohet më shumë nga të huajt se nga vet shqiptarët,përkundër shkrimeve pozitive për te, nga shumë autorë të njohur amerikanë dhe evropianë, si: Alain Bosquet, Eric Faye, James Wood , John Updike, Richard Eder, etj,përfshi edhe shkrimet e shumta në kohë të ndryshme nga autorë të njohur shqiptarë, si: Arshi Pipa, Ibrahim Rugova, Martin Camaj, Rexhep Qosja, Sabri Hamiti,Ramiz Kelmendi,dhe shumë autorë të tjerë.
 Kandidimi për herë të tretë i Kadaresë për çmimin Nobel nuk është i rastësishëm por as lehtë i arritshëm,ndaj kjo është një mundësi që duhet shfrytëzuar,e cila me ndihmën e pakursyer dhe përkrahjen tonë të gjithanshme,mund të realizohet,me ç`rast do të rritej edhe njohja e kulturës sonë krijuese dhe vlerat e letërsisë sonë kombëtare në gjithë botën,nga vendi i shqiponjave.
 Duke shpresuar se vlerësuesit e letërsisë së njëmendët ende nuk e kanë humbur interesimin për vepra të mirëfillta letrare,urojmë që Ismail Kadare si shkrimtar me renome botërore,në përzgjedhjen e kandidatit për çmimin Nobel në letërsi të vlerësohet drejtë ,dhe votimet të bëhen sipas meritës,pasi që talentin e Kadaresë askush nuk mund ta vejë në dyshim,kur tanimë është e njohur për të gjithë se edhe veprat e tij gjejnë vlerësim të lart kudo, si në vend ashtu edhe në botë.
 Shkrimtarit tonë si përfaqësues i një populli të vogël,në këto ngjarje të shquara me konkurrencë të fortë, i duhet përkrahja jonë e madhe ,ngase edhe pse dihet se ai ka shumë dashamirë rreth gjithçkaje të magjishme që rrezaton arti i letërsisë së tij, animet jo gjithherë të drejta dhe të ardhura jo gjithmonë nga parimi i meritës për artin e vërtetë letrar, mund ta dëmtojnë në garën për marrjen e çmimit Nobel për letërsi,ndoshta edhe nga shkaku i prejardhjes si shkrimtar i një kombi të vogël,pa përkrahje të madhe siç është kombi ynë.
 Ndaj sot është koha për ta ndihmuar kandidaturën e tij me të gjitha mundësitë nga të gjithë pjesëtarët e kombit, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Do të ishte mirë për të gjithë ne, që Ismail Kadare,si krenaria e letërsisë sonë kombëtare ta fitonte këtë çmim prestigjioz botëror në mënyrë që dera e fitores së çmimit Nobel të hapej edhe për letërsinë shqiptare. Sepse, nëse nuk arrihet as kësaj here, të zbërthehet kjo derë nga shkrimtar i ynë i mirënjohur,në vend dhe botë, z. Ismail Kadare, ndoshta për shumë kohë edhe në të ardhmen,ajo derë do të mbetet e mbyllur për shqiptarët.
 
Gani Qarri Cyrih, 16 Dhjetor 2011
 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen