“Zef Pllumi” i Sabri Hamitit

Rrezore | Rrezore | 19.11.13 | 21:00

AGRON GJEKMARKAJ

Libri i parë për At Zef Pllumin (botim i “Albas”) vjen nga Kosova, nga Prishtina, nga akademik Sabri Hamiti, i cili nuk ngurron që njohjen me Pllumin ta konsiderojë “dhuratë nga Zoti”.
Pllumi dhe Hamiti e kanë intensifikuar bashkëpunimin dhe miqësinë ndër vite, duke u nisur nga një kontekst i përafërt mendimi dhe veprimi. Sabri Hamiti është përfaqësues autentik i elitës shqiptare, që gjithë jetën i është dashur të bëje rezistencë politike dhe kulturore në rrethanat e shtypjes kombëtare dhe të okupacionit serb për të dëshmuar kulturën si identitet dhe identitetin si qëndresë përballë dhunës dhe asimilimit.
At Zef Pllumi është përfaqësues i elitës së përmbysur me terror, i cili ka bërë rezistencë politike dhe kulturore në kushtet e një totalitarizmi unik në Europë për lirinë, besimin, “giuhën e nanës”, traditën kulturore së cilës i përkiste dhe amanetin “rrno vetëm për me tregue”.
Kështu ai ka dëshmuar moralin dhe modelin e qëndresës për të mbetur njeri, mendimtar, klerik, kur individi shqiptar si tendencë ishte shndërruar në kafshë pune, shërbëtor, hafije a dhunues. Kjo rezistencë, jetët e të dyve i çoi në skajet e epërme të rrezikut, me burgun e gjatë apo atentatin e drejtpërdrejtë, ndaj i shoh natyrshëm të bashkuar në këtë libër: njëri studiues e tjetri objekt studimi. Së bashku aty “jo nga çasti e nga rasti”, por si përputhje fatlume e idesë me njeriun, ku secili i jep tjetrit deri në identifikim.
sabri hamiti
Sabri Hamiti
Emërtimi i librit ka dy kompozita, një emër dhe mbiemër, “Zef Pllumi”, të vetëmjaftueshëm për të kumtuar veçanësi, rëndësi, autenticitet si autor dhe autoritet. Vetëdijen personale që në kontaktin e parë Hamiti synon ta shndërrojë në vetëdije të lexuesit. Sabri Hamiti bën një shpallje tejet të rëndësishme në këtë tekst të tijin, i cili vjen pas njohjes së afërt dhe kontakteve njerëzore që ka pasur ndër vite me Pllumin, pas një rileximi përimtues me integritet shkencor dhe etik të rrallë të veprës-jetë e jetës-vepër, nga ku ndërton simbiozën e fenomenit kulturor të bashkëkohësisë shqiptare.
Pse Hamitit Pllumi i rezulton “fenomeni kulturor” shqiptar i bashkëkohësisë?
Po rendis disa teza ose arsye që kam nxjerrë dhe perifrazuar nga libri “Zef Pllumi”, të cilat të çojnë kah përcaktimi:
“Pllumi ishte gjithmonë disident e asnjëherë defatist”, libri, liria dhe robnia rrinë në mes këtyre dy koncepteve si gjendje shpirtërore dhe provë e kapacitetit krijues, prandaj “Pllumi ishte një dhe duhet lexuar si i tillë”, sepse “vepra e tij është edhe një dëshmi (dokument), edhe vlerësim (monument), dhe, në fillim e në fund,një vepër autobiografike, si të gjitha veprat e tij, duke dëshmuar përfundimisht që nuk është vetëm një shkrues (skriptor), por edhe krijues (autor) i letërsisë shqipe”;
“Letërsia e Pllumit është letërsi e ideve dhe vizioneve në udhën e veprimit”;
“Në vështrimin e modelit krijues, Zef Pllumi është shkrimtar dokumentar, kurorëzues i prozës dokumentare në shqip, në vështrimin e vlerës së veprës, sidomos me veprën e parë, është themelues i letërsisë së burgut e të llogorit dhe dëshmitari e kundërshtari i dhunës komuniste gjysmëshekullore mbi jetën e mbi kulturën shqiptare”;
“At Zef Pllumi është një staturë morale e kohës, një pikë e mbështetjes për të matur vlerën e gjestit konkret apo qëndresën kah qëllimi”;
“Secila kohë, secila kulturë, ka nevojë ta ketë një autoritet shpirtëror e moral tek i cili gjen mbështetje në kohë të mira e të vështira. Thoshin latinet: historia është mësuese e jetës. Dëshmon At Zef Pllumi: jeta është mësuese e historisë. Në këtë këndvështrim, At Zef Pllumi është fenomen kulturor i kohës së tij”;
Një rrëfim i paautorizuar i një bisede të Sabri Hamitit mes miqsh më bashkon racionalitetin e analizës së librit me mistiken e miqësisë edhe përtej vdekjes. Tek fliste një herë për At Zef Pllumin, më mbeti në mendje kjo frazë: Zefi, edhe kur të mbushte një gotë raki, mënyra sesi e bënte e qysh ta jepte në dorë, të dukej nji gjest sublim, sikur të shpëtonte jetën e shpeshherë më kujtonte baben tim”.
E risolla këtu këtë gjykim intim në mbështetje të asaj çka kam menduar gjatë leximit të librit “Zef Pllumi” nga faqja e parë deri tek e mbramja, sepse libri është shkruar me dashuri, një dashuri që bëhet udhërrëfyese për intelektin dhe jo sugjestionuese e tij për të ndërtuar fizionominë intelektuale e morale të “Zef Pllumit” të “tij”, të Zef Pllumit tonë si fenomen kulturor i bashkëkohësisë. Sabri Hamiti e ka bërë këtë si askush tjetër, për një personalitet të pangjashëm me askënd tjetër.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen