DIMENSIONI POLITIK I NJË KAUZE KOMBËTARE.

OP-ED | Rrezore | 04.05.14 | 21:34

Nga Xhelal Zejneli

Skipass palës sllavo-maqedonase, faktori politik shqiptar mund të bëhet pjesë e bashkëqeverisjes, vetëm si përfaqësues i pakicës shqiptare dhe jo si përfaqësues i bashkësisë etnike shqiptare, që përbën një të tretën e popullsisë së Maqedonisë. Ky është pra thelbi i problemit ndëretnik në Maqedoni. Kjo çështje nuk u tejkalua si duhet as pas luftës së 2001-shit dhe miratimit të Marrëveshjes së Ohrit. Hyrja e partisë politike shqiptare në qeveri në rolin e përfaqësueses së “minoritetit” shqiptar, ka këtë domethënie: subjekti politik shqiptar që bëhet pjesë e bashkëqeverisjes, partnerit sllavo-maqedonas të koalicionit nuk mund t’i shtrojë kërkesa politike. Ajo mund të paraqesë vetëm kërkesa infrastrukturore dhe ca kërkesa që kanë të bëjnë me lëmin e kulturës. Sipas palës sllavo-maqedonase, çështja shqiptare në Maqedoni nuk është veçse një çështje kulturore. Sipas sllavo-maqedonasve, shqiptarët nuk mund të jenë ortakë të shtetit me sllavo-maqedonasit. Shteti është yni – thonë ata. Ai është një dhe i pandarë. Ju s’mund të jeni ortakë të tij. Pronarë të tij jemi ne.
* * *
Është e vetëkuptueshme se në qeveri duhet të hyje vetëm ajo parti shqiptare e cila i fiton zgjedhjet. Në vitin 2006, VMRO-ja nuk e përfilli një gjë të tillë. E mori në qeveri partinë shqiptare që i humbi zgjedhjet. Duke qenë se një gjë të tillë synon ta bëjë edhe tani, atëherë para faktorit politik shqiptar imponohet detyra historike:
– të veprojë i bashkuar, në mënyrë që të imponojë ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë; me ndryshimin e bërë do të përcaktohej me akt normativ që në qeveri të hyjë vetëm ajo parti shqiptare që i fiton zgjedhjet;
– derisa të mos e imponojnë ndryshimin e kushtetutës, partitë politike shqiptare duhet të arrijnë një marrëveshje të ndërsjellë, sipas së cilës, në qeveri duhet të hyjë vetëm ajo parti shqiptare që i fiton zgjedhjet.
Çështja e hyrjes në qeveri nuk është çështje partiake. Kjo është një çështje me rëndësi kombëtare. Çështja e hyrjes në qeveri i tejkalon interesat partiakë. Interesi partiak është i pjesshëm, ndërsa ai kombëtar, është i përgjithshëm. Partia politike shqiptare, e cila lidhur me hyrjen në qeveri, nuk pranon të arrijë një marrëveshje brendashqiptare, merr përsipër përgjegjësi historike. Formimi i qeverisë me partitë politike që i fitojnë zgjedhjet është dashur të parashikohet në mënyrë të prerë qysh në Marrëveshjen e Ohrit. Duke qenë se një gjë e tillë nuk u parapa me të, atëherë kjo duhej të bëhej në vitin 2002, si plotësim i kushtetutës së Maqedonisë.
Hyrja në qeveri e partisë shqiptare humbëse, në vitin 2006 përbën precedent. Po qe se kjo ndodh edhe në vitin 2014, atëherë ekziston rreziku që një gjë e tillë të bëhet praktikë dhe të përsëritet e të ripërsëritet kurdo që t’i kujtohet mandatarit sllavo-maqedonas. Shqiptarët pas kësaj, s’do të kishin asnjë arsye për të dalë në zgjedhje.

* * *
Ç’do të kishte bërë VMRO-ja sikur partitë politike shqiptare, rreth çështjeve me interes kombëtar, të bashkëpunonin ndër vete, të bashkëvepronin dhe t’i bashkërenditnin veprimet politike?! Mungesa e bashkëpunimit, e bashkëveprimit dhe e bashkërendimit të veprimeve politike midis partive shqiptare, ndikon në depozicionimin e faktorit politik shqiptar, përballë faktorit politik sllavo-maqedonas.
Veprimi politik i përbashkët do ta forconte pozitën e faktorit politik shqiptar përballë VMRO-së. Pas një pozicionimi të fuqishëm, faktori politik shqiptar do të dilte para saj me kërkesa politike dhe jo me kërkesa të dorës së dytë.
Për ta parandaluar veprimin politik të bashkërenduar të spektrit politik shqiptar, pala sllavo-maqedonase, me ndihmën e infrastrukturës përçarëse të shtetit, që nga viti 1991 e deri më sot, në hapësirën politike shqiptare vazhdimisht e ka hedhur mollën e Eridës, duke ndezur kësisoj grindje të ashpra ndërshqiptare.
Marrëveshjet ndërmjet partive politike shqiptare duhet të arrihen para zgjedhjeve parlamentare dhe jo pas tyre. Marrëveshja brendashqiptare nuk nënkupton homogjenizimin e faktorit shqiptar. Duke qenë se çështja shqiptare në Maqedoni ka mbetur e pa zgjidhur, duke qenë se shqiptarët nuk e kanë fituar statusin e popullit shtetformues, atëherë një marrëveshje midis partive politike shqiptare ka qenë dhe mbetet imperativ i kohës.
Për ta arritur një marrëveshje brendashqiptare në Maqedoni, nuk duhet pritur ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të qendrave politike shqiptare të vendosjes – Tiranës dhe Prishtinës. Një ndërhyrje të tyre në skenën politike shqiptare në Maqedoni, qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli, nuk do ta parapëlqenin dhe nuk do ta mirëpritnin. Ndihma eventuale e Tiranës dhe e Prishtinës për harmonizimin e pikëpamjeve dhe të veprimeve politike të faktorit shqiptar në Maqedoni, do të cilësohej nga ndërkombëtarët si paternalizëm, që bie ndesh me konventat ndërkombëtare.
* * *
Në çastin e pikërishëm, VMRO-ja dhe Gruevski ballafaqohen me qëndrimin e opozitës sllavo-maqedonase, d.m.th. të LSDM-së, e cila nuk i njeh zgjedhjet, as presidenciale, as ato parlamentare. Përfshirja eventuale në qeveri e partisë shqiptare humbëse, paraqet mosrespektim të vullnetit të shumicës së elektoratit shqiptar. Një hap i tillë i VMRO-së dhe i partisë shqiptare humbëse, do të shkaktonte probleme ndëretnike. Me këtë rast, VMRO-ja do të ballafaqohej me dy lloj problemesh:
– me krizën politike të shkaktuar nga LSDM-ja, dhe
– me problemet ndëretnike të shkaktuara nga shkelja dhe nëpërkëmbja e vullnetit të shumicës së votuesve shqiptarë.

E ballafaquar me dy lloj rezistencash, të opozitës sllavo-maqedonase dhe të opozitës shqiptare, Maqedonia do të hynte në krizë të thellë politike dhe ndëretnike. Si rrjedhojë, do të kishim delegjitimimin e dy pushteteve: të pushtetit ligjvënës dhe të pushtetit ekzekutiv. Me një fjalë, legjitimiteti i qeverisë së Gruevskit do të vihej në dyshim. Në rrethana të tilla, do të pasonte destabilizimi i vendit, me pasoja edhe për destabilizimin e rajonit. Maqedonia do të shënonte hapa regresivë, që shpijnë në drejtim të kundërt të integrimeve euro-atlantike.

* * *
Faktori politik shqiptar duhet të manifestojë kapacitet politik. Për të manifestuar kapacitet politik, ai duhet të posedojë potencial politik. Kërkesat e një partie mund të jenë: infrastrukturore, kulturore, sociale, ekonomike dhe politike. Faktori politik shqiptar duhet të dalë para VMRO-së me kërkesa politike. Kërkesat politike të tij nuk paraqesin kurrfarë radikalizmi politik. Kërkesat politike të faktorit shqiptar nuk kanë të bëjnë me ndryshim kufijsh, as të brendshëm dhe as të jashtëm. Derisa kërkesat politike nuk e prekin tërësinë tokësore të vendit, ato nuk mund të cilësohen si radikale. Dihet mirëfilli se kërkesat politike të faktorit shqiptar janë primordiale dhe reale.
Faktori politik shqiptar, e sidomos BDI-ja duhet të dalë para palës sllavo-maqedonase me kërkesat e poshtëshënuara:
– të njihet zyrtarisht lufta e 2001-shit;
– të njihet zyrtarisht roli i UÇK-së në luftën e 2001-shit;
– dita e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit të kremtohet si festë shtetërore;
– të zgjidhet me ligj statusi i dëshmorëve të luftës së 2001-shit;
– të zgjidhet me ligj statusi i invalidëve të luftës së 2001-shit;
– lufta e 2001-shit, UÇK-ja dhe Marrëveshja e Ohrit të jenë pjesë e historisë së shtetit;
– lufta e 2001-shit, UÇK-ja dhe Marrëveshja e Ohrit të përfshihen në tekstet e historisë të shkollave të mesme si dhe në tekstet universitare të historisë.

Kërkesat e lartpërmendura është dashur të zgjidheshin qysh në vitin 2002. Zgjidhja e tyre është conditio sine qua non për zgjidhjen e kërkesave politike vijuese. Ato duhet të zgjidhen nga brezi i tashëm i faktorit shqiptar, që ishte mbartës i luftës së 2001-shit dhe pjesë e pandarë e saj, e ngjarjeve historike dhe e proceseve politike. Po qe se kërkesat e sipërthëna nuk zgjidhen nga brezi i sotëm i klasës politike dhe intelektuale, atëherë ekziston rreziku që ato të mos zgjidhen kurrë.
Lufta e 2001-shit është pjesë e rëndësishme e popullit shqiptar në Maqedoni dhe e kombit shqiptar në gadishull. Po qe se ajo nuk përshihet në dokumentet zyrtare të shtetit, si luftë e drejtë, si dhe në plan-programet e historisë të shkollave të mesme dhe të universiteteve, atëherë të rinjtë e sotëm, për luftën do të mësojnë nga gojëdhënat e gjyshërve të tyre, si në epet homerike. Gojëdhënat, mitet dhe legjendat, në kohën e internetit do të duken anakronike.
Faktori politik shqiptar nuk duhet të harrojë se populli shqiptar: luftëtarëve të lirisë ia çeli vatrat e shtëpisë dhe me nderime spartakiane i përcolli në fushëbeteja; luftën e 2001-shit e mbështeti moralisht dhe materialisht, duke ia dhënë bijtë më të mirë, për ta falur gjakun në altarin e lirisë.
BDI-ja nuk duhet të harrojë se populli shqiptar, që nga viti 2002 e deri më sot, në të gjitha zgjedhjet – parlamentare dhe vendore – ia dha besimin kombëtar, politik dhe demokratik, për të qenë mbartëse e proceseve politike. Përgjegjësia e saj para popullit shqiptar është tepër e madhe. Si pjesë e bashkëqeverisjes në vitet 2008-2014, ajo nuk ia doli të demonstrojë kapacitet të duhur politik.
Të jetë shqiptar kryetari i kuvendit të shtetit, nuk është ndonjë arritje e madhe. Një shqiptar “i ndershëm” ka qenë kryetar kuvendi republikan qysh në vitet 1986-1991. Ai edhe sot mund të jetë shqiptar, por sipas kushtetutës, Maqedonia – në thelb – përkufizohet si shtet unitar, një-etnik dhe centralist.
Faktori politik shqiptar, palës sllavo-maqedonase duhet t’i parashtrojë kërkesa që kanë të bëjnë me dezunitarizimin e shtetit, d.m.th me federalizmin dhe me dyetnizimin e tij.
Liri ke aq sa meriton. Fitorja i përket atij, i cili çdo ditë shkon në luftë për të (Gëte).

Xhelal Zejneli

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen