Krimi i shëmtuar nuk është veti e popullit shqiptar…!

Rrezore | Zef Prenka | 27.08.14 | 19:13

(E përseritur, nga se lexuesit këkrkuan)

29 janar 2004 / TN

Shkruan: Rexhep ELEZAJ

Frika është një ndjenjë e tmerrshme e cila njeriun e kaplon nga brenda. Kur ajo vie nga dukuritë natyrore siç është zjarri, erërat e fuqishme, ujërat e tërbuara, bubullimat kur bie shi, etj, ajo është frikë e zakonshme, mirëpo kur njeriu frikësohet nga (jo)njeriu i cili mund ta godas për vdekje për shkakun e pasurisë, pse ka botëkuptime për shoqërinë dhe për politikën të cilat dallojnë nga mendimet e të tjerëve, pse secili njeri ëndrrat i sheh sipas përjetimeve vetanake, ose pse miqtë njeriu i zgjedh sipas dëshirës së vetë, etj, është frikë e panatyrshme. Dhe jo se njeriu frikësohet aq shumë nga vdekja, por për arsyen se vdekja e imponuar me dhunë, që ndryshe quhet krim, është vdekje e parakohëshme. Të jetuarit me frikën njeriun e bën të pasigurtë në jetë, e shtynë të bëjë jetën e robërit, dhe kur njeriu jeton i frikësuar, atëherë ajo më nuk quhet jetë, por vdekje për së gjalli.

Andaj, shtrohet pyetja: cilët janë ata njerëz të cilët vetës i japin të drejtën që njeriut t’ia marrin jetën, që njeriut t’ia shuajnë jetën, që njeriut t’ia nxijnë jetën nga frika e vdekjes, që njeriut t’ia ngarkojnë frikën e vdekjes mbi shpinë e cila do t’i shkojë pas si hijenat e zeza?! Njeriu i cili jeton me frikën se vdekja e dhunëshme mund ta godas për çdo çast dhe nga çdo skutë, ai zvarritet si gjarpëri i vrarë, prandaj përgjigja është; askush nuk ka të drejtë që njeriut t’ia marrë gjënë më të shtrejtë që ia ka dhuruar Zoti i Madhërishëm, siç është jeta, askush, pra, nuk ka të drejtë të vras dhe të marrë jetëra njerëzish me dhunë, që njerëzve t’ua shuajë rritën dhe dritën e jetës në mënyrë mizore?! Nësë ndokush vretë njeri, ai quhet kriminel ose shqip vrasës.

Krimineli është qenja më e shëmtuar në botë, për ate edhe dënimi për aktin që bën është ndër më të rëndët, dhe kjo njëjtë sipas normave ligjore ashtu edhe sipas atyre fetare. Ai që vret është njeriu më i urryer në shoqëri, është qenja më e ligë njerëzore, është tipi më surrogat i botës njerëzore, sepse krimineli s’ka shpirt, s’ka zëmër, s’ka ndjenja, s’ka gjak, s’ka mendje, s’ka asgjë që e bën njeri, mbase edhe tipari i tij prej krimineli është një surrat i veçantë i cili dallon nga ai i njeriut të rëndomtë, sepse në shpirt e ka të mbjellur gjenin e krimit, të vrasësit dhe të satanit, i cili duke shuar jetën të tjerëve ushqen shpirtin e tij prej krimineli. Ndonëse anatomia e qenjës së tyre (kriminelëve) është e padefinuar, ata duke ua shuar jetën të tjerëve arrijnë të dalin në qendër të vëmëndjes njerëzore.

Si zakonisht njerëzit që vrasin janë analfabetë, janë njerëz pa moral, të pa karakter, nuk kanë kurfarë ndjenjash njerëzore, janë amorf dhe infantil, mazohistë, njerëz psiqikisht të smurë si dhe shizofrenikë të egër që nuk kuptojnë asgjë nga vlerat e jetës, janë, pra, si zakonisht të pa edukuar, ndërsa për njeriun si qenje më e përsosur në këtë botë kanë vetëm mendime negative, prandaj kur vrasin njerëz këtë e bëjnë me gjakftohtësi. Kriminelët janë soji më i rrezikshëm për rrethin, janë kategoria më e urryer njerëzore. Ata nuk kanë jetë, sepse nuk e ndjejnë lumturinë e saj, ata nuk i shijojnë të mirat e kësaj bote, sepse nuk kanë shqisa dhe as ndjenja njerëzore, me një fjalë janë grupi më negativ i shoqërisë.

Kur është fjala për kriminelët nga rradhët e popullit shqiptar, duhet kujtuar faktin se ashtu si tek çdo popull, edhe tek shqiptarët ka patur dhe ka njerëz të kriminalizuar në shpirt që kanë bërë krime, që kanë vrarë, d.m.th. që njerëzve ua kanë marrë jetën me dhunë, etj, por është një e vertetë tjetër e pamohueshme historike dhe sociologjike se dukuria e krimit tek shqiptarët ka qenë prezente pothuajse krejtësishtë në suaza normale. Kur themi normale mendojmë në faktin se aktet e krimit të cilat kanë ndodhur brenda shoqërisë shqiptare janë vlerësuar si dukuri negative “normale”, që nënkupton krime të vogla të cilat nuk e kanë patur dimensionin e një dukurie masive, ngase numri i tyre në të kaluarën nuk ka qenë aq drastik sa ishte në këto katër vitet e pas luftës në Kosovë.

Pra, dukuria e krimit tek populli shqiptar mund të thuhet se ka qenë e kufizuar dhe asnjëherë nuk i ka kaluar suazat e zakonshme, e që gati në të gjitha rastet vrasjet janë kryer në harmoni me traditat dhe normat kanunore shqiptare, çka don të thotë se nuk ka qenë më parë i pranishëm ky tip kaq agresiv i vrasjeve, ose ky lloj kaq i paskrupullt i akteve të krimit siç është tani, që në mënyrë të pashmangshme shtron dilema dhe pyetje në të cilat shkenctarët e kësaj lëmie do duhej të japin përgjigje adekuate, në veçanti rreth faktorëve psikosociologjikë të cilët kanë ndikuar që aktet e krimit në Kosovën e pas luftës ta ndërrojnë formën dhe mënyrën e kryerjes, qoftë kur është fjala për llojin dhe përdorimin e armëve, qoftë kur është fjala për brutalitetin e këtyre akteve duke i shkaktuar viktimës dhimbje të mëdha, gjegjësisht duke zbrazur mbi të vrarin një mori plumbash, gjë që ky vandalizëm nuk ka qenë i pranishëm tek dorasit shqiptarë më përpara, ngase dihet historikisht se kur shqiptari ka vendosur të vras ndonjë njeri, ai pothuajse asnjëherë nuk ka dalur jashtë normave kanunore, që nënkupton se vrasësit (kriminelët) shqiptarë edhe kur kanë bërë akte të krimit i kanë respektuar rregullat dhe traditat shqiptare që viktimës të mos i sjellin shumë vuajtje, pra aktet e krimit i kanë kryer në harmoni me rregullatë kanunore, ndaj edhe dënimet ndaj aktorëve në raste të këtilla kanë qenë më të buta.

Është i njohur ligji tek shqiptarët se për çdo vrasje të kryer jashtë sulleve kanunore siç ishin vrasjet nga pusia, ose pa paralejmërim, ose zbrazja e plumbave mbi viktimën pasiqë është goditur me plumbin e parë, vrasja në prani të familjes, etj, ua kanë shtuar dënimin vrasësve, bile në raste të veçanta familja e dorasit është ngarkuar edhe me dy gjaqe, vetëm se gjatë aktit të kryerjes së vrasjes nuk është sjellur me viktimën sipas rregullave të përcaktuara më ligjet dhe kodet zakonore shqiptare.

Prandaj, duket qartë se dorasit (vrasësit) ose kriminelët aktualë shqiptarë, e po ashtu dhe metodat e kryerjes së krimeve tani kanë ndryshuar shumë nga mënyra e vrasjeve të mëhershme, gjë që këtë “risi” e shtron për analizë më të gjërë, sidomos kur është fjala për vrasjet me motive politike të cilat kanë, siç dihet, kanë qenë mjaftë të rralla tek populli shqiptar. Prandaj, kur flasim për dukurinë e krimit dhe vrasjeve tek shqiptarët nuk duhet harruar për asnjë çast faktin se edhe në këtë aspekt duket se ka ndodhur një “devijim” i qëllimshëm, që në esencë për synim mund ta ketë patur ashpërsimin e krimit që shqiptarët si kolektivitet t’i shëmtojë sa më shumë para opinionit, d.m.th. që duke e bërë aktin e krimit në mënyrë sa më të ashpër dhe sa më mizore ndaj viktimës të dilet jashtë rregullave dhe normave tradicionale shqiptare të njohura në botë si aktet e vëllavrasjeve dhe gjakamarrjeve midis tyre, por që dikur ishin mjaftë të “disciplinuara”.

Qëllimi, pra, i ndërrimit të mënyrës së vrasjeve duket të ketë qenë i qartë; të dilet jashtë rregullave tradicionale shqiptare për t’i barazuar kriminelët shqiptarë me kriminelët e popujve tjerë në fqinjësi, me qëllim për t’i cilësuar kriminelët shqiptarë më të rrezikshmëm, bile edhe se “Grupi i Zemunit”. Pra, për t’i paraqitur ata si kriminelët më të rrezikshëm në rajon, nga të cilët, gjithnjë sipas këtij skenari, duhet të kihet kujdes i veçantë, sepse kriminelët shqiptarë edhe kur vrasin janë shumë të çartur, se ata edhe kur vrasin janë të egër si bishat, etj, etj!?

Nga kjo mund të kuptojmë qartë se loja sistematike antishqiptare ende nuk ka përfunduar, mbase qëllimi final i saj duket të jetë ehe mëtej shkatërrimi i çdo poreje të jetës zakonore dhe vlerave kulturore te shqiptarëve për t’iu degjeneruar në themel gjithë qenjën e tyre fizike dhe mendore. Andaj, themi se aktet e krimit që kanë ndodhur në katër vitet e fundit kanë qenë të kryera në mënyrë të qartë jashtë frymës dhe rregullave tradicionale të shqiptarëve, gjë që kjo dukuri e shëmtuar duhet të na shqetësojë pa masë, qoftë si shoqëri, qoftë si shtet në themelim e sipër.

Pra, duhet bërë çmos në të gjitha nivelet që dukurisë së krimit në Kosovë, e cila gjithnjë e më shumë po merrë dimensione alarmuese, t’i ndërpritet hovi duke ndërmarrë masat e nevojshme edukative dhe administrative në nivel të shtetit. Përndryshe, ekziston rreziku që të shndërrohemi në shoqëri të kriminalizuar e cila duke bashkëjetuar me krimin bëhët përgjegjëse kryesore për mosluftimin e tij.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen