Dr. Samire Gashi – Braina, psikiatër

Rrezore | admin | 18.10.10 | 19:33

dr. Samire Gashi - Braina, psikiatër

tel. 044 115533

Jam 51 vjeqare, dhe ndjehem shumë e stresuar. Në familjen time kam shumë probleme, gjer më tani i kam përballuar shumë mirë me shpresë që ato një ditë do të tejkalohen. Me njerëzit të cilët jetoj, kam marrëdhënie jo të mira ngase, dy, nga ata kanë vese në pastërti dhe janë shumë nervoz, me ta nuk mundesh asnjëherë të kuptohesh, të bisedosh problemin, sepse biseda merr një kahje tjetër, pasojnë sharjet, fyerjet dhe çdo gjë tjetër. Ndonjëherë ndalem dhe mendoj, mos vallë jam e tillë si më quajnë. Në shtëpi e ke të ndaluar të pastrohesh kur ke nevojë, e ke të ndaluar të marrësh rrobat tuaja kur të nevojiten, të hysh në dhoma të lexosh apo të pushosh, e ke të ndaluar edhe shtratin tënd ta shtrosh sepse për ata je e ndytë, e ke të ndaluar jorganin tënd ta prekesh diku se prapë për ata je e ndytë (ka shumë e shumë gjëra të tjera). Kjo gjendje më ka lodhë shumë, ndjehem gjithmonë në frikë se po gaboj diçka, ndjehem shumë në stres, kam aq shumë kokëdhembje dhe nganjëherë edhe unë po dal nga kontrolli se nuk po mund ta duroj këtë gjendje më.
Ju lutem, çka më rekomandoni në këtë rast, çka të përdor çë të ndjehem më e qetë?
Ju lutem më ndihmoni.
Me respekt!

PËRGJIGJE:
E nderuar, shumë mirë e keni shpjeguar gjendjen tuaj aktuale në shtëpi, por nuk jepni të dhëna të sakta se çka i keni në fakt ata persona, i takojnë rrethit të ngushtë familjar (fëmijët tuaj,bashkëshorti) apo mund te jetoni në bashkësi me familjarët tjerë. Kërkoni pikërisht tani ndihmë edhepse me te njejt persona keni jetuar kjo dmth se përpara nuk e keni shprehur pakënaqësinë. Kjo vjen si rezultat i asaj se përpara keni pasur mekanizma mbrojtes te fortë me të cilët i keni tejkaluar situatat e tilla .Tani në këtë moshë dhe fakti se jeni në fazën e menopauzës është e pamundur që të tejkalohen lehtë situatat e krijuara tani në familje. Ndjeheni e tepërt në shtëpi, e frikësuar se ‘po gabon’, në stres dhe me prezentime të shumta somatike. Ju preferoj që t’i ikni konflikteve, nuk keni mundësi tani t’i ndryshoni gjërat. Bisedoni me bashkëshortin dhe përmes tij ta parashtrosh gjendjen tuaj shpirtërore. Mos u mundo t’i ndryshosh njerëzit, sepse në atë rast ti vet do të lëndohesh, sepse asgjë nuk ke për të mundur të arrish. Prandaj nëse ndjehesh shumë keq edhe pas përpjekjeve të shokut për ndihmë, drejtoju psikiatrit dhe besoj se me nje terapi të lehte anksiolitike ke për t’u qetësuar. Tung.

Tung, unë jam një vajzë 27 vjeçe, por kam një problem që moti nuk mundem të gjej zgjidhje. Më duket që jam në depresion çdo herë, çdo mendim i imi më kthehet në frikë të madhe, nuk di pse kam simptoma të çuditshme. Më kap një frikë mbrapa, qafë më bëhet shumë e nxehtë. Në lukth kam shtrëngime dhe nervozohem shumë, më duket sikur po më humb vetëdija. Ka 3 muaj që përdori Zoloft, më kanë ndihmuar pak, ama më është kthyer prapë. Nuk mund të përmbahem, djersitem, ndjehem e pasigurt.
Doktoreshë, të lutem më ndihmo, sepse qe 3 vjet jam me këtë gjendje.

PËRGJIGJE:
E nderuar, te ju bëhet fjalë për një çrregullim të ankthit të përcjellë me ataqe paniku – flas në bazë të prezantimit tuaj. Keni përdorur terapi antidepresive tre muaj rradhazi, por nuk keni precizuar se a është ordinuar terapia nga ana e psikiatrit. Po sido që të jetë, unë mendoj se terapinë e keni nderprer para kohe. Duhet fillimisht të konsultoheni me mjekun ordinues të terapisë dhe me pastaj ne mënyrë profesionale duhet që të vazhdohet kjo terapi edhepse mendoj se nuk është e mjaftueshme. Poashtu, ju sugjeroj që të aplikoni seanca psikoterapeutike krahas terapisë medikamentoze. Mos i humbni shpresat se jeni e re dhe besoj se keni me tejkalu këtë gjendje, është momentale. Ju keni humbur aktualisht besimin dhe sigurinë në vetvete, por mbes me shpresë që shpejt do të shëroheni.

Përshëndetje doktoreshë. Ju falënderoj për punën që po e bëni. Jam 22 vjeçe, para një viti kam pas një problem me të dashurin, problem i cili më qoi deri në depresion. Vizitova psikiatrin, qe 6 muaj kam përdorur Deprozel 20 mg. Tash e kam ndërpre terapinë dhe po e vërej një ndryshim prej asaj dite që e kam ndërpre. Kam marramendje, trupi po më dridhet, nuk po mundem të përqendrohem.
Doktoreshë, a duhet të vazhdoj ende me terapi, apo kjo fazë është normale? Ju faleminderit!

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Është shumë normale që pas një dështimi në dashuri të bini në gjendje dëshpërimi, hidhërimi, zhgënjimi,etj, etj. Por, athua ka qenë gjendja e juaj depresive me të vërtet, bëhet pyetja dhe, pse të fillohet me tarapi antidepresive kur mendoj se vet kishit mundur ta tejkaloni situatën e tillë. Edhepse barnat antidepresive nuk shkaktojnë varshmëri, dmth. edhe pas ndërprerjes së tyre nuk varet pacienti prej tyre, prapseprapë është dashur me maturi të përshkruhen. Aktualisht marramendja, dridhja, përqendrimi i dobët etj., nuk janë pasojë e ndërprerjes së terapisë, por shprehin një pasiguri tuajën dhe një jostabilitet emocional. Ende nuk jeni në gjendje dhe nuk jeni forcuar që vet ta tejkaloni ketë situatë, prandaj kërko ndihmën e psikiatrit dhe bisedo më tepër me të dhe merr këshilla adekuate.

Përshëndetje doktoreshë. Jam një vajzë 22 vjeçe, ka rreth 2 muaj që nuk po ndjehem mirë, jam shumë nervoze, nuk kam vullnet edhe nuk po më dilet prej shtëpisë. Krejt kjo po më vie nga një ndryshim shumë i shpejtë në trupin tim, dmth diku brenda 1 muaji unë i kam shtuar rreth 12 kg dhe pa e vërejt fare këtë ndryshim kaq drastik. Një muaj të tërë kam ngrënë vetëm pemë dhe ujë dhe asnjë kg nuk e kam humbur, shkova me i bërë analizat më dolën të gjitha në rregull. Doktoresha më tha se mund të jetë një ç’rregullim hormonesh, mora një terapi bimore, porse nuk më kujtohet tash emri. Edhe pas asaj terapie, te unë s’ka ndryshime. Nuk kam vullnet për punë, as të dal, as të takohem me askënd edhe krejt kjo si pasojë e asaj që nuk më bien rrobat tamam. Të lutem, më këshillo.
Faleminderit

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Për një muaj keni fituar 12 kg dhe keni tentuar të dobësoheni, por kot. Një ndër simptomat e para depresive te shumë pacient është ngrënia e tepërt, te ca pacient pagjumësi e theksuar e te disa gjumë i tepërt. Por, si ngrënia e tepërt, ashtu është anoreksia, janë shenja tipike të depresionit. Nëse nuk keni pasur përpara problem me ngrënie, mund të mendohet edhe në Buliminë e cila manifestohet me ngrënie të tepruara hiperkalorike dhe pa kontroll, të cilat kanë bazë neurotike. Por prapë mendoj se te ju është në pyetje një gjendje depresive e cila duhet të trajtohet domosdoshmërisht në mënyrë profesionale. Pra, mos nguro, por kërko ndihmë sa më parë.

Përshëndetje, jam i martuar qe 11 vite, kemi dy fëmijë, unë jam 33 vjeç, bashkëshortja 32 vjeçe. Tek bashkëshortja ime vërej një problem – shqetësim, s’po di si ta quaj. Ajo më do natyrisht, edhe unë e dua, mirëpo problemi qëndron në kohën e shtratit: kur duam të kemi marrëdhënie seksuale, sa filloj ta prek ose i them se po bëjmë marrëdhënie seksuale, ajo reagon disi çuditshëm, bëhet shumë nervoze, ndjen siklet në vete, nuk duron ta prek fare, sidomos në organin e saj gjenital. Shumë rrallë e ka ndjenjën për marrëdhënie seksuale. Edhe kur ajo më thotë, unë mundem keq, sikur po e dhunoj. Para disa muajve ka bërë kontroll gjinekologjike dhe nuk ka diçka serioze, përveç një infeksioni të vogël, por edhe pas terapisë, vazhdon e njëjta situatë.
Shpesh e diskutojmë këtë gjë dhe më bind se nuk e ka që nuk më do apo ka ndonjë person tjetër, por nuk mundet as vet ta kuptojë se si reagon ashtu, shpesh qan. Ditën, thotë se mendon për mua, e kur të vie unë nga puna, shihet çdo gjë është normale, por kur të shkojmë në shtrat, ndodh e kundërta. Unë kam filluar të bëhem shumë nervoz, kjo situatë disi më është bërë monotone dhe e padurueshme. Kam frik se mos po e shkatërrojmë familjen, fëmijët, gjë që më së paku e duam.
Kërkoj nga ju ndonjë këshillë, nëse ka të bëj me profesionin tuaj ose të paktën të na udhëzoni ku të shkojmë e si të veprojmë.
Respekt.

PËRGJIGJE
Përshëndetje, me vëmendje të posaçme e lexova letrën tuaj. Problemi juaj daton që para disa vitesh, por nuk e keni precizuar saktësisht prej kur, sepse kjo e dhënë ka shumë rëndësi. Por, megjithatë kuptova se problemi i gruas ka të bëjë me rënie të dëshirës për marrëdhënie seksuale. Shpeshherë kjo ka lidhje me gjendje të ndryshme emocionale. Arsyet mund të jenë të karakterit neurotik, gjendjet anksiozo-depresive, apo mund të jetë depresioni që është një gjendje e rëndë shpirtërore që shkon me ulje të dëshirës për seks. Nëse i përjashtoni rrethanat tjera që mund të kenë ndikuar në këtë gjendje, dmth. ndonjë arsye të mundshme që juve e prezantuat, qoftë ndonjë lidhje e mundshme me dikë tjetër apo ndonjë ngjarje në familje që do të ndikonte drejtpërdrejtë në destabilizimin e lidhjes suaj, thjesht arsyen duhet kërkuar në sëmundje.
Ju sugjeroj të kërkoni fillimisht mendimin e psikiatrit vlerësimin e detajuar të rastit. Me të drejtë keni kërkuar ndihmën tonë. Pra, mos u ngut dhe mos mendo te ndarja, por gjej zgjidhjen e duhur për shoqen tënde, ajo paska nevojë imediate për mjekun dhe ju kisha preferuar që të vini së bashku për konsultim se këto probleme trajtohen në prezencë të dy partnerëve.

Përshëndetje doktoreshë, jam 17 vjeç, jam nxënës shumë i mirë, shpesh marrë lëvdata si më i miri, përfaqësoj shkollën nëpër seminare, projekte, etj. Mjekësia më pëlqen shumë dhe e mësoj me ëndje, por kam një problem që po më shkatërron. Në vitin e dytë, kur mora shpërblimin si nxënësi më i mirë, më vonë filluan të më paraqiten disa shtrëngime në gjoks, unë mendova se më dhemb zemra, u tmerrova, çdo natë pa gjumë, qaja, shkoja te mjekë të ndryshëm, krejt analizat ishin super, por frika nuk mu largua aspak. Kur mësonim për zemrën, mezi mbaja lotët, shkoja nëpër vendet më të bukura ku më dërgonte shkolla që ta përfaqësoj, ndërsa unë rrija në dhomën e hotelit duke qarë, duke e matur pulsin. Kaloi një kohë kështu dhe fillova të qetësohem, ndërsa tash pasi studioj shumë, filloi të më lajmërohet frika nga kanceri që ende e kam, më shqetëson shumë, çdoherë më sillet në kokë kur mësoj për atë. Shqetësohem, jam i vetëdijshëm se s’kam asgjë, por më duket se më vonë mund të më paraqitet. Vuaj shumë, dua të arrij të bëhem dikush, por se di pse i kam këto shqetësime.
Mendoj pozitivisht, lexoj shumë libra, por frika s’më ndahet. Kur shkoj në praktikë, shohë të sëmurë, tmerrohem. Kam marrë terapi disa muaj, tab. deprozell dhe persen, por nuk më kanë ndihmuar…
Doktoreshë, më tregoni a është diçka kalimtare apo jo, sepse kështu s’më jetohet.
Ju uroj fat dhe shëndet, doktoreshë.

PËRGJIGJE
Përshëndetje, mendimi im është shumë i qartë, kjo është një gjendje e përkohshme emocionale që ty të ka kapluar. Është në pyetje një gjendje anksiozo-depresive që shkon me shqetësim, ulje të disponimit, vullnetit dhe jostabilitet emocional. Ndoshta në këtë gjendje ka ndikuar ndonjë stres që ty të ka thye shpirtërisht (që ju fare nuk e përmendet). Ju plotësisht e keni humbur vetëbesimin që është një parakusht për funksionim normal, si në shkolle apo në shtëpi. Jeni nxënës mjaft i suksesshëm dhe për këtë jeni shpërblyer, por a keni shokë apo të afërm me të cilët kontaktoni dhe ndoshta i rrëfeni problemet që i keni, apo jetoni i izoluar?
Ju duhet të dilni nga kjo situatë. Më vjen keq që edhepse keni përdorë antidepresivë dhe barna tjera, gjendja e juaj nuk është përmirësuar (apo ndoshta keni përdorë për një kohë të shkurtë barnat e tilla dhe nuk ka ardhur te përmirësimi). Fiksimi juaj në “frikë nga kanceri”, është plotësisht i pajustifikueshëm, por duhet me një maturi,durim dhe motivim të largohet nga koka juaj, nënkuptohet me ndihmën e psikiatrit të preferuar. Mendoj që barnat pa një trajtim të mirëfilltë psikoterapeutik nuk janë të mjaftueshme. Ju preferoj te dilni me tepër në natyrë, të ecni apo të meditoni së paku një herë në ditë. Pra, mos i humb shpresat, por vepro. Tung.

Përshëndetje, jam një vajzë 18 vjeçe. Xhaxhai im, gjatë kohës së luftës, ka përjetuar trauma të shumta që si duket kanë ndikuar në ndryshimin e karakterit të tij. Ai që nga ajo kohë ka filluar të grumbullojë gjëra të ndryshme, ruan mbeturinat që duhet hedhur, gjithashtu në disa raste ndodh edhe që sjell mbeturina nga rruga. Kështu, hapësira në shtëpinë tonë ka filluar të jetë gjithnjë e më e vogël edhepse shtëpia është mjaft e madhe. Të gjithë përpiqemi që ta marrim me të mirë dhe ta bindim që kjo që ai po bën, nuk është në rregull dhe do ta dëmtojë shëndetin tonë, por ai vetëm bërtet dhe është gati gjithmonë i nervozuar. Kam dëgjuar se raste të tilla kanë ndodhur edhe në familje të tjera dhe besoj se, të gjithë e vuajnë turpin po aq sa ne.
Doktoreshë, nëse do të më përgjigjeshit në këtë pyetje, do t’u ndihmonit, kështu, shumë familjeve të tjera, sepse ne nuk dimë ç’të bëjmë, xhaxhai nuk pranon të shkojë për kontroll te një psikiatër, sepse mendon se me të është çdo gjë në rregull.

PËRGJIGJE
E nderuar, axha juaj paska nevojë për ndihmë të psikiatrit. Edhepse më mungojnë shumë informata lidhur me rastin se a ka problem me gjumë, se çfarë janë reagimet e tij në raport me familjarët, a ka mendime të dyshimit, si është disponimi, vullneti dhe a ka sjellje agresive, etj, etj.
Në rastin konkret, kemi të bëjmë me çrregullim të sjelljes, të përcjellë me nervozë të tepruar dhe se shqetësimi juaj është plotësisht me vend. Ju duhet t’i ndihmoni, ta dërgoni tek psikiatri dhe mendoj se, me një terapi adekuate do të përmirësohet gjendja e tij shëndetësore. Por, duhet ditur fillimisht se koshienca e tij është e dëmtuar për gjendjen e tij mendore, prandaj nuk kërkon ndihmën e mjekut psikiatër. Pra, mos e humbni shpresën për shërim .

Përshëndetje, jam 19 vjeç dhe për shkaqe familjare më është paraqitur dëshira për vetëvrasje. Prindërit këto ditë nuk po kalojnë çaste të mira, në shtëpi tërë kohën ka zhurmë, nuk e di edhe sa do te mundem të duroj… Të them të drejtën, para pak ditësh edhe isha duke e provuar që të hiqja dorë nga jeta ..por pata frikë, jo nga dhimbjet, por ku do të mbes nëna ime…Çfarë do ndodh pastaj me prindërit?!
Nuk e di më çfarë të bëj, nuk e di nëse do të zgjidhja diçka me vetëvrasje?
Babi vuan edhe nga problemet nervore, kjo gjë s’do të përfundojë kurrë. Dua të largohem nga këtu, nuk di çfarë të bëj më..
Ju lutem, kërkoj ndihmë para se të bëj një vepër të nxituar, jam ftohur nga jeta.
Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE
Përshëndetje. Më bëri përshtypje “dëshira për vetëvrasje”. Po ngadalë, për probleme familjare ju duhet të mendoni më të keqen? Jo, jo. Çdo problem ka zgjidhje, por duhet kërkuar zgjidhjen. Prindërit aktualisht nuk kalojnë mirë, por ata janë bashkë dhe shpejtë pajtohen. Ju duhet të bisedoni me prindërit dhe duhet patjetër ta diskutoni problemi që ty të mundon. Nuk është zgjidhje të izoloheni, por duhet edhe ti të kontribuosh në zgjidhjen e problemeve.
Jeta është luftë dhe nuk duhet dorëzuar në asnjë mënyrë. Jeni i ri dhe keni mjaft energji që duhet ta shfrytëzoni. Aktualisht te ju është në pyetje një disponim dhe vullnet i ulur i përcjellë me një labilitet emocional, shoqëruar me mendime suicidale. Duhet të dilni nga kjo situatë me ndihmën e prindërve, shokëve apo psikiatrit. Suicidi nuk është zgjidhje, por shprehë një pamundësi për ballafaqim me realitetin. Mos u dorëzoni, por kërko zgjidhje të problemit.

Përshëndetje, ju lutem nga zemra që të gjeni pak kohë dhe të më këshilloni! Jam 64 vjeçar dhe në tre ditët e fundit më është paraqitur një problem që më shqetëson. Zakonisht pasdite nuk munden që të më kujtohen fjalët dhe jam në huti (kam filluar disa fjalë t’i harrojë). Kjo ndodhë për disa minuta, pastaj çdo gjë kthehet në normalitet. Në ditën e tretë ka filluar të më dhembë edhe koka, jo dhimbje e zakonshme. Jam konsultuar me disa mjek, mirëpo mendoj që nuk më kanë kuptuar, më kanë thënë vetëm paracetamol dhe aspirinë. Kam frikë që sëmundja ime është e natyrës tjetër po nuk kam ide se ku të drejtohem dhe çka te përdori që memoria (kujtesa) ime të kthehet normale dhe të më pushon dhimbja e kokës. Me shpresë që do të keni kohë për brengën time, ju falënderoj

PËRGJIGJE:
Përshëndetje zotëri. Mendimi im është se ju duhet patjetër të konsultoheni me mjekun neurolog, i cili me disa ekzaminime neurologjike do të konstatoj problemin tuaj. Poashtu, mendoj se duhet të bëhen disa ekzaminime laboratorike dhe imazherike në mënyrë që të eliminohet aspekti organik i problemit që e manifestoni. Nëse gjithçka rezulton në rregull, ju kisha sugjeruar që ta vizitoni psikiatrin, ndoshta problemi qëndron në ndonjë ngarkesë tuajën psikike. Mos u merakos, por drejtë e te neurologu. Tung.

Jam 18 vjeçare dhe kohët e fundit më është shfaqur një dëshpërim me veten. Filloj të qaj, sa herë që shoh njerëz të lumtur, për çdo të metë timen i akuzoj prindërit. Në shkollë jam e suksesshme, kam shoqëri shumë, e kaloj shumë mirë me ta, kur jam me të tjerët, gjithmonë jam e buzëqeshur dhe të gjithë mendojnë që jam shumë e lumtur, por kur mbes vetëm, thellohem në mendime dhe e gjej një detal të vogël që më bën të qaj. Kjo tani po më ndodh çdo mbrëmje dhe kam filluar të frikësohem. Çka nuk është në rregull me mua. Një këshillë e juaja e nderuar, do më qetësonte sadopak.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, ajo çka ju e prezantoni në letrën tuaj, është kalimtare. Prezantoni një shqetësim i cili tejkalohet nëse keni vullnet për ta tejkaluar. Mundohu që shqetësimin tuaj ta prezantosh tek familjarët e posaçërisht tregoi nënës apo shoqes tënde më të afërt. Nuk ke nevoje t’i akuzosh prindërit për të ‘metat tua’ eventuale. Asnjë njeri nuk është perfekt, ti duhet me qenë e kënaqur me pamjen tënde. Mos u komplekso dhe je e re dhe sigurisht se ende nuk e ke gjetë veten. Je në kërkim të vetes tuaj. Pra, durim, shëtit më tepër në natyrë apo merru me ndonjë aktivitet që juve ju pëlqen.
Shpresoj se këtë situatë do ta tejkalosh. Tung.

Jam 15 vjeçe, nxënësja më e mirë në klasë, dëgjoj arsimtarët, mundohem që të arrij çdo gjë në mësime dhe ia dal. Jam e urtë në shkollë dhe mundohem që të jem e mirë me të gjithë, por në shtëpi jam krejt e kundërta, shumë nervoze edhe për një fjalë të vogël çmendem krejt, u bërtas të gjithëve. Kur kam qenë më e vogël edhe punoja në shtëpi, i ndihmoja mamit, por tani ‘s’ma do’ asgjë. Jam shkatërruar plotësisht, madje edhe me njerëz tjerë, reagoj sikur të prek diçka që ekspodon. Kur i bërtas dikujt, nervozohem po edhe pendohem disi, ndonjëherë edhe qaj, duke menduar në vete pse s’jam si më parë. Shpeshherë më ka shkuar mendja edhe të bëj vetëvrasje ose të ikë nga shtëpia. Ç’duhet të bëj?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje e nderuar, jeni ne fazën e pubertetit dhe kjo është arsyeja pse e ndieni vetën kështu. A e dini se në pubertet bëhen ndryshime të mëdha, si në aspektin fizik ashtu edhe në sferën psikike. Ju ende jeni në kërkim të identitetit tuaj, bëni veprime që nganjëherë çuditeni edhe vetë se ‘pse’. Por kjo fazë është kalimtare dhe se çdo fëmijë e kalon këtë fazë.Nuk keni arsye të brengoseni por ju kisha sugjeruar që më tepër të bisedoni me të afërmit tuaj, të keni durim, të dëgjoni, sepse është e nevojshme në këtë fazë të merrni konfirmimet dhe sugjerimet e prindërve, sepse ata janë të parët që duhet të udhëzojnë në rrugë të drejtë. Në asnjë mënyrë nuk duhet humbur shpresat, por vetëm përpara. Thashë, është periudhë kalimtare, pra kërkohet nga ju që të jeni pak më e durueshme.

Përshëndetje e nderur! I fejuari im me të cilin jemi që prej 9 vitesh, i ka të gjitha kushtet si, materiale, sociale, familjare, ka shoqëri të gjerë, e respektojnë të gjithë, nuk ka pasur asnjë vështirësi në jetë, është shumë i pashëm dhe ka pasur lidhje me shumë femra të llojeve të ndryshme. Ai është 30 vjeçar, kohët e fundit se zë vendi vend, ka shtrëngime në zemër, turbullime në lukth, ka filluar me mendime që i ka kaluar të gjitha kënaqësitë e jetës. Kurrgjë s’është më interesant për të, është jashtëzakonisht nervoz, në disa raste përdor edhe dhunën fizike, e humb totalisht kontrollin, është bërë i dhunshëm edhe me familjarët e vet, thyen gjëra, nganjëherë e lëndon edhe vetveten, shfaq xhelozi te pakuptimtë. Ndonjëherë shpif dhe imagjinon gjëra në lidhje me mua dhe i duhet kohë për me u bind që i ka shpifur vet dhe që s’janë të vërteta… Të nesërmen bëhet pishman, e urren vetveten me raste, më thotë se nuk është për mua, unë meritoj më shumë, etj. Mbyllet në vete, konsumon alkool vazhdimisht. Më thotë se s’është mirë psikikisht, bile edhe nuk më qëndron besnik. Ju lutem, tregomëni, a është lloj depresioni apo është fazë kalimtare që i ndodh gjithsecilit dhe a duhet të kemi mirëkuptim qoftë edhe për dhunën fizike! Ju lutem të më përgjigjeni, sepse më parë s’kam marrë përgjigje.

PËRGJIGJE:
Të përshëndes këtë radhë, do ta marrësh përgjigjen gjithsesi. Së pari të sqarohemi, kjo çka po i ndodhë të fejuarit tuaj nuk i ndodhë ‘gjithsecilit’. I fejuari juaj aktualisht qenka në një stad të depresionit, por të shprehur siç e quajmë neve ne psikiatri agjitim të theksuar psikomotor, dmth.shqetësim i përcjellur me veprime edhe të dhunshme. Nuk kam informacion të mjaftueshëm se a ka problem me gjumë, me disponim, vullnet et. Por, me sa e kuptova paska nevojë imediate për psikiatrin dhe duhet menjëherë të fillohet me terapi. Ndoshta ka nevojë për hospitalizim, por detyra jote e parë është ta sjellësh te psikiatri dhe me kujdes të vlerësohet rasti. Ndihma juaj në këtë rast është e domosdoshme. Mos u hidhëro, por gjeje mënyrën se si ta bindësh të shkojë te mjeku. Pra, mos humb kohë, por drejtohu te mjeku se atje e ka shërimin.

Përshëndetje doktoreshë. Kam një vajzë 1 vit e 8 muaj (është fëmija im i parë dhe i vetmi deri më tani), e cila po bëhet nervoze dhe kur nevrikoset më godet me duar në fytyrë. Shpesh, çdo gjë që ka përballë, e kafshon (edhe dorën e vet) dhe menjëherë qetësohet. Po më shqetëson fakti se pse aq e vogël me këtë nervozizëm, mos ndoshta i ka mbetur nga viti i kaluar për shkak se ka hemangioma në bark (dy) dhe vitin e kaluar është dashur të mjekohet sepse ka pasur gjakderdhje.
Ju lutem me tregoni si të sillemi përkundër asaj se ne mundohemi të sillemi shumë mirë me të.

PËRGJIGJE:
Zonjë e nderuar, qenke mjaft e shqetësuar për sjelljet e fëmijës suaj. Por, mos u brengosni, sepse me kohë do të ndryshojnë sjelljet e saj. Ajo është diçka e pakënaqur dhe zakonisht fëmijët e shprehin pakënaqësinë në mënyra paksa të çuditshme. Në rastin e juaj ajo reagon me kafshim dhe sjellje agresive, dmth që flasin për mllefin dhe agresivitetin e mbledhur si rezultat i pakënaqësisë. Mundohu dhe mos e nxitni ju apo anëtarët tjerë të familjes të përsëris këto veprime dhe sa ma shumë fol me të duke i thënë se kjo nuk është mirë, sepse fëmija në këtë moshë i kupton sadopak këshillat e nënës. Përndryshe ju e lidhni një sjellje të tillë me qëndrimin në spital, por mendoj sjelljet e tilla të fëmijës kanë mundur të ndikojnë për atë periudhë kohore sa ka qene i shtrirë fëmija në spital e nuk besoj se tani ka mundur të reflektohet mënyra e tillë e sjelljes. Pra, durim dhe me kohë do ndërroj sjellja e saj. Pra, me rritjen e fëmijës do të ndryshoj sjellja, prandaj mos u brengos, por vazhdimisht vërejë sjelljet e saj.

Përshëndetje e nderuara doktoreshë. Unë jam 21 vjeçar nga Prishtina, qysh në moshën 13 vjeçe kanë filluar të më zbardhen flokët. Që prej atëherë kemi pasur një problem në shtëpi dhe më ka kaluar në një lloj vesvese. Jam shumë nervoz, mërzitem shumë, i akuzoj shumë prindërit për çdo problem që e kam. Asgjë nuk më argëton, e kam të humbur vullnetin. Jam shumë vesveseli edhe në pastërti, shpesh kam menduar edhe të bëj vetëvrasje. Doktoreshë, dua të di, nga çfarë vuaj, çfarë më rekomandon? Duke të uruar gjithë të mirat në jetë, e pres me padurim përgjigjen tënde.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, me vëmendje e lexova letrën tuaj, ju shprehni një pakënaqësi totale me gjithë atë çka të rrethon: me anëtarët e familjes, shokët, etj. Jeni kthyer mbrapa dhe e akuzoni veten se çka ka ndodhur dhe si do të ishte të veprohej më mirë. Flisni për ca vesvese të cilat nuk i qartësoni të cilat shumë kishin me na ndihmuar për sqarimin e hallit tënd. Por, nervoza, indisponimi, humbja e vullnetit dhe dëshirës për jetë po ju preokupon aktualisht. Por, mos harro se vetëm 21 vjet i keni dhe duhet të mendoni me kokën e një të riu optimist në mënyrë që ta tejkaloni këtë gjendje. E kuptoj se zbardhja e parakohshme e flokëve ka mund të ndikoj negativisht në pamjen tënde të jashtme dhe të ndikoj në thyerjen e besimit tuaj në vetvete,.por mos i humbni shpresat. Ndoshta ju kishte ndihmuar këshilla e psikiatrit për ta tejkaluar këtë gjendje, apo kërko ndihmën e shokut, mikut tuaj me të cilin do të shpreheshe dhe do ta ndije veten mirë. Shëtit sa më shumë, dil me shokët që i do dhe besoj se do ta kaloni këtë gjendje. Mos i humb shpresat, ka rrugëdalje…

Ju përshëndes doktoreshë e nderuar dhe ju përgëzoj për punën që bëni. Ajo që do t’ju pyes është vajza ime 5 vjeçe. Ajo është mjaft e zgjuar (mban mend shumë), inteligjente, por është mjaft nervoze, çan për çdo gjë, na ofendon me fjalë, nuk përshëndet askënd nga të njohurit (nuk ua zgjat dorën) dhe është tepër kokëfortë. Sa herë që kam provuar me të mirë, nuk kam arritur ta bind të sillet si duhet, madje as dajaku nuk ka bërë punë. Më duhet edhe të ceku se nuk ha shumë, nuk mund ta përcaktoj nëse nuk ka oreks apo nuk di të ulet e të hajë si të tjerët (ulet e ngritët disa herë gjatë ngrënies. Më duhet të them se ajo edhe kur ka qenë si bebe, ka qene (pas lindjes kam rënë edhe unë në depresion) një fëmijë i parehatshëm, nuk ka fjetur kurrë gjatë dhe gjithmonë është ankuar disi në mënyrën e saj. Kërkoj ndjesë sepse e zgjata paksa, por me të vërtetë kam nevojë për ndihmën tuaj, jam në hall. Ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, zemërimi juaj zonjë është i arsyeshëm. Jeni e brengosur me sjelljet e fëmijës tuaj edhepse thoni se është “inteligjente dhe e zgjuar”. Por më mungon një informacion se a është fëmijë i vetëm apo keni edhe të tjerë fëmijë. Nëse është fëmijë i vetëm reagimet e saj janë plotësisht normale, sepse përqendrimi i vëmendjes është vetëm te ajo dhe mënyra e reagimit të saj. Ju kisha këshilluar që mos e kontrolloni dhe mos reagoni ndaj çdo veprimi të saj, bëhuni se nuk po e vëreni (edhe përkundër këshillave tuaja që ti mos i bëj veprimet e tilla, ajo i përsërit). Do ju sugjeroja që vajzën ta qoni në shkollë (parashkollor), apo në ndonjë institucion për fëmijë për qëndrim ditor, sepse mendoj se fëmija juaj ka nevojë për socializim dhe për moshatarët e saj. Sido që të jetë, nëse sjelljet e saj persistojnë pas masave të marra,duhet drejtuar te psikiatri i fëmijëve për këshillim të mëtejmë.

Përshëndetje. Jam një djalë 20 vjeç. Unë kam frikë nga errësira dhe nga mendimet, këto më ndodhin vetëm natën, ndërsa ditën nuk kam fare problem. Çdo herë kur fle, flejë me dritë dhe nuk më zë gjumi, kam shumë mendime, mendoj gjëra të çuditshme që i kam dëgjuar. Më shumë jam i fiksuar pas fantazmave dhe çdo herë mendoj se nuk jam vet në atë dhomë kur flejë, çdo herë ndjehem në ankth se do të më ndodh diçka, do të vi dikush e shumë gjëra të tjera. Dua ta ndaloj këtë problem dhe këto mendime.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, djalosh nga letra juaj kuptova se keni frikë nga errësira dhe fantazmat që fare nuk ekzistojnë dhe se të lajmërohen vetëm natën. Kjo ka lidhje me fëmijërinë tënde, sigurisht të ka frikësuar dikush nga gjërat e tilla. Nuk ke nevojë aspak të brengosesh se gjëra të tilla nuk ekzistojnë(flas për fantazmat, ato i ka krijuar imagjinata e njeriut). Mos shiko filma me tematikë të tmerrshme, mos rri me njerëz që tregojnë dokrra të tilla, por bëhu më i fortë dhe largoju temave të tilla. Thuhet se çka mendon ditën edhe natën, reperkutohen, prandaj mos mendo në gjërat e tilla dhe mendo më pozitivisht për veten dhe të ardhmen tuaj. Me kohë do të risigurohesh se çdo gjë është në rregull dhe nuk ke me pas probleme të tilla. Ju kisha këshilluar të bisedoni për këtë problemin tuaj me prindin apo shokun më të ngushtë. Tung.

Përshëndetje e nderuar. Në radhë të parë ju përgëzoj për punën dhe përkushtimin tuaj. Unë jam një lexuese nga një qytet i Shqipërisë dhe kisha një problem për të cilin do të doja një këshillë profesionale nga ana juaj. Problemi im qëndron tek bashkëshorti i cili ka një prej veseve më të këqija, atë të bixhozit. E gjithë kënaqësia dhe qëllimi i jetës së tij sillet rreth këtij vesi. Më përpara askush se ka kuptuar sjelljen e tij të çuditshme si p.sh gënjeshtrat, borxhet e mëdha që kishte e mbi të gjitha mossjelljen e parave në shtëpi. Ai gjithmonë ka pasur një punë shumë të mirë dhe një pagë shumë të mirë, por fatkeqësisht ajo pagë nuk ka arritur kurrë në shtëpi e veç kësaj ai kërkonte lekë nga familja e tij. Si njeri ai është shumë i dashur dhe i sjellshëm, nuk përdor alkool apo diçka tjetër, është shumë i përkushtuar në punë dhe shumë i talentuar mbi të gjitha. Sjelljen e tij e ka justifikuar me lloj-lloj argumentesh vetëm sa për të dalë nga situata deri sa më në fund e ka pranuar vesin e tij. Unë kam pak kohë që jetoj me të dhe sinqerisht dua të bëj diçka që ta ndihmoj që të dalë nga kjo situatë dhe për këtë më duhet mendimi i një specialisti. Nuk e di se sa është e mundur që të hiqet dorë, prandaj do ju lutesha të më sugjeronit diçka pasi kjo gjendje është bërë e padurueshme dhe nr.i borxhlinjve po rritet dita-ditës. Ju përshëndes dhe jam në pritje të një përgjigje nga ana juaj.
Faleminderit!

PËRGJIGJE:
Zonjë e nderuar,ju qenkeni ne hallë të madh. Shoku me të cilin bashkëjetoni e paska një shprehi të keqe që vetes, juve dhe tërë familjes po u sjellka probleme, në rend të parë vetvetes. Fillimisht po me vie shumë mirë se ju në esencë po e kuptoni problemin e tij dhe shprehni një iniciativë të konsiderueshme për ndihme. Shumë mirë nga ana juaj por, me sa kuptova kjo nuk është punë aspak e lehtë. Personat e tillë në mënyrë impulsive nga një shtytje e brendshme e bëjnë një veprim të tillë, prandaj është e pamundur të tërhiqen. Duhet përkushtim dhe vendosshmëri fillimisht për një gjë të tillë. Me gjithë mendjen e keni kuptuar se kjo çka burri juaj po vepron po ju qon në “një humnerë“ dhe në një situatë që nganjëherë mendon se nuk ka rrugëdalje. Mbase shpresat nuk duhet humbur, por ju domosdoshmërisht duhet të flisni me të dhe të diskutoni se si më tutje. Normalisht kjo situatë nuk zgjidhet brenda natës, por duhet insistuar. Kjo në psikiatri hynë në kuadër të çrregullimeve të impulseve dhe shprehive të cilat kërkojmë përkushtim dhe kohë për trajtim. Ju kisha sugjeruar që të konsultoheni me psikiatrin atje në Tiranë dhe të fillohet trajtimi, përndryshe nuk e keni lehtë që të dilni nga situata por mos heq dorë. Ju përshëndes përzemërsisht.

Përshëndetje. Jam një grua rreth të 40-ve, kam një problem të madh. Thuajse qe 4 vite, kam një ngufatje para se të flas ose dikush më kërkon një sqarim prej meje, qoftë në rrethin e ngushtë familjar, ashtu edhe në shoqëri. Më zihet fryma, të rrahurat e zemrës bëhen shumë të shpejta, djersitem edhe zbehem ose skuqem, jo se kam frikë nga ata persona, por për disa sekonda nuk mundem të jap asnjë përgjigje. Jam munduar me gjithë forcën e brendshme ta largoj këtë problem që kam që po ma shkatërron trupin. Kam përdorur diazepam, lexelium, bensedin (5mg), por kam pak përmirësime.
Ju lutem doktoreshë, më jepni një terapi përmes kësaj adrese. Jam shumë falënderuese për këshillat tuaja. Punë të mbarë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje zonjë. Problemi që juve e paraqitni përmes kësaj letre ka të bëjë me shprehje të një ankthi gjithëpërfshirës që manifestohet te ju me simptomat e lartpërmendura si frymëzënie, rrahje të shpejta të zemrës, djersitje, etj .Këto simptome ju kanë lajmëruar para katër vitesh dhe se përpara nuk keni pasur probleme të kësaj natyre. Mendoj se është fjala për hyrje në klimaks dhe se mos u shqetësoni, por fillimisht ju preferoj ta bëni një kontroll te gjinekologu, disa analiza rutinore laboratorike dhe më pastaj nëse gjinekologu preferon një konsultë psikiatrike, mos hezitoni ejani.

Përshëndetje dr. Samire. Nipi im i cili ka 5 vjet, ka frikë të fle me motrën 8 vjeçe në dhomë. Ai ka nevojë me fle me dikë që është më i madh se ajo. Bile ndodh që ka nevojë me pas dikë për dore. Nëse fle gjyshja në dhomë me të, ai zgjohet nga shtrati i vet dhe shkon te shtrati i gjyshes ose të prindërit në dhomë. Nuk thotë asgjë, vetëm se do edhe dikë me e pas në dhomë.
Më intereson a është normale kjo lloj frike, a largohet me kohë?
Ju falënderohem.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje zonjë, shqetësimi juaj plotësisht është i arsyeshëm. Fëmijët në këtë moshë paraqesin frika të ndryshme si: frikë ndaj personave të panjohur, ndaj kafshëve, frikë nga terri, etj., por me kalimin e kohës, largohet frika. Ndoshta për këtë pyetje e merituar do të ishte të përgjigjej psikiatri i fëmijëve. Duhet kërkuar domosdoshmërisht arsyen e frikës, duhet nëna të jetë më e përkushtuar me fëmijën e jo të këmbëngul që të flejë “ku ajo insiston të fle”. Gabim.
Duhet dalëngadalë ta bind që të fle vetëm apo me motrën, e jo kushtimisht. Duhet ta risiguroni fëmijën që gjithçka është në rregull. Ndoshta fëmija ka pa ndonjë film të trishtueshëm, apo ju vet e keni frikësuar në momente të caktuara kur ai nuk ka qenë i dëgjueshëm nga terri apo nga ndonjë kafshë, etj. Pra, në esencë duhet kuptuar arsyen e frikës e pastaj duhet fëmijës t’i ndihmoni. Mendoj se kjo frikë është kalimtare dhe me kalimin e kohës çdo gjë do të jetë në rregull. Sido që të jetë, nëse ankesat e fëmijës janë të shprehura, nëse nuk hanë mirë apo qan pa lidhje, ju sugjeroj ta kërkoni ndihmën e psikiatrit të fëmijëve.

Përshëndetje zonjë, më vjen mirë që jeni inkuadruar për ndihmë gjithë atyre që kanë probleme të ndryshme psikike. Unë kam një pyetje për burrin, jemi martuar gati 1 muaj dhe ai në gjumë, shpesh zgjohet, ndoshta tre apo katër herë (i frikësuar, flet dhe shikon në dhomë, sikur sheh diçka) trembet keq, nuk e din se çka po i ndodh. Para 7 muajve pas një vdekje të një familjari, burri im merr barna për depresion-Cipralex.
Ju lutem, pres mendimin tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, fillimisht ju përshëndes. Shumë pak kemi të dhëna për sëmundjen e shokut tuaj, por me sa e kuptova ka problem me gjumë dhe se është nën ndikimin e barnave antidepresive. Sipas jush sëmundjen e ka precipituar vdekja e një anëtari të familjes, por mendoj se duhet doemos të vizitohet burri juaj sërish te psikiatri dhe ta merrni konfirmimin e plotë të tij për atë se a duhet të vazhdoj, të shtojë terapi apo terapia duhet të ndërpritet. Nëse problemet ju kanë lajmëruar pas vdekjes së anëtarit të familjes, duhet të kalojë një periudhe kohore derisa ai të pajtohet me humbjen dhe të stabilizohet në aspektin psikik. Prandaj, shpresoj se burri juaj nuk ka pasur përpara probleme të kësaj natyre. Mbesim me shpresë që gjithçka do të bëhet mirë.

Përshëndetje. Së pari ju përgëzoj për punën që po e bëni dhe po ju ndihmoni shumë njerëzve. Jam 23 vjeçe, e martuar. Kam problem me frymëmarrje, kam qenë te mjeku, kam menduar që jam e ftohur, por mjeku më ka thënë se e kam prej frikës, sepse shpesh herë kur gaboj diçka, frikohem shumë, më vjen një ligështi prej lukthi, mandej më zihet fryma edhe bllokohem në gjoks dhe në hundë. Bëhem shumë nervoz dhe e tërë trupi më dridhet, koka më ushton, kam përdorë Bronles 375mg 3×1, Lexarium1.5mg 2×1, Amoxilin 500m çdo 8 orë. Kam përdorë dhe bedoxin. Jam shumë e brengosur, nuk e di se çfarë të bëj, të lutem doktoreshë, më trego çfarë të bëj. Pres përgjigjen tuaj dhe ju urojë punë të mbarë.
Faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, te ju behet fjalë për çrregullim ankthi dhe ju kisha preferuar që sa më parë ta kontaktoni psikiatrin dhe të fillohet me terapi adekuate. Prandaj, mos humb kohë.

Jam një nënë 30 vjeçe dhe kam 2 fëmijë, njëri 8 vjeç dhe tjetri 2. Kam një problem me djalin e madh i cili është shumë nevrik dhe nuk dëgjon fare, vetëm bërtet dhe ngrit zërin kur kërkon diçka. Ai ka filluar të bëhet kaq nevrik pas lindjes së djalit të dytë. Nuk di se si të sillem me të. Nuk merr vesh as me të mirë, as me të keq.
Ju lutem, më jepni një këshillë.
A.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, problemi i juaj nuk është aspak i lehtë. Në bazë të asaj që shkruani djali i juaj është i “shqetësuar dhe nevrik” për një arsye të plotë. Është në pyetje xhelozia ndaj fëmijës tjetër më të vogël se ai. Fëmijët në këtë moshë shprehin xhelozinë dhe njëkohësisht pakënaqësinë në mënyra të ndryshme, përderisa disa “lagen natën”, disa shprehin agresivitet ndaj fëmijës më të vogël, e disa bëjnë gjeste që përpara nuk i kanë bërë si futja e gishtit të gojë e sjellje tjera infantile. Prandaj, kujdes qasja ndaj tij duhet të jetë shumë e drejtë dhe njëkohësisht e përshtatshme me rrethanat. Pra, duhet ta kuptoni aktualisht gjendjen e tij emocionale, ai e ndien veten më të lënë pas dore dhe se me gjestet dhe veprimet që tani i bënë dëshiron gjithsesi të vjen në shprehje, donë të jetë në qendër të vëmendjes, prandaj kuptojeni atë. Luani me të, shëtit me të, blej gjërat që atë e gëzojnë dhe assesi mos i shpreh dashuri dhe fjalë të mira fëmijës më të vogël në prani të 8 vjeçarit. Pra. mos u dëshpëro, por vepro. Kjo nuk është punë e lehtë, por dalëngadalë fëmija do ta kuptoj dhe do ta pranoj fëmijën më të vogël. Pra kurajë…

Jam një vajzë 22 vjeçe. Kam një problem shumë të madh psikik që e kam shumë të vështirë ta heq qafe. Vuaj nga një fobi që, dashje pa dashje, më duhet të përballohem me të çdo ditë, quhet ankth, fobi sociale (shoqërore). Më dridhen duart kur jam përballë njerëzve që i shoh rrallë ose kurrë, por jo para personave të familjes sime. Kjo më ndodh psh kur ha ose pi para tyre ose ju shërbej me pije ose me çdo gjë. Si të di se ka për të ardhur dikush që nuk vjen shpesh ose që më intereson mendimi i tij/saj. Bëhem nervoz, më kap stresi. Më është bërë jeta e mërzitshme, edhe të tjerë po e vërejnë këtë.
Çka më sugjeroni? Pres me padurim përgjigjen tënde.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Ju ndjeni pasiguri, nervozë, ankth e simptoma tjera në vende ku duhet të paraqiteni e sidomos para njerëzve të panjohur. Kjo gjendje dhe kjo frikë që juve ju përcjell ju pamundëson që të funksiononi dhe i ikni takimeve të tilla dhe me çdo kusht nuk doni të ballafaqoheni me situata të tilla. Një pyetje do ta bëja: pse po i respektoni aq shumë njerëzit me të cilët keni kontakt, kujdes më tepër duhet ta doni veten, e pastaj të tjerët. Sido që të jetë, preferenca ime do të ishte që ju ta vizitoni patjetër psikiatrin. Mos i humbni shpresat.

Përshëndetje. Unë nuk kam qenë asnjëherë te psikologu apo te psikiatri, së pari desha të ju pyes juve për ndonjë këshill. Jam 20 vjeçe, çdoherë kam mendime negative, mendoj se jam e paaftë totalisht, mendoj se nuk e kam inteligjencën normale, çdoherë bëj budallaqe, nuk më rrihet askund. Kur kthehem nga shkolla, jam shumë e stresuar për shkak se më injorojnë shumë shokët e klasës ,kam pengesa me gjumë, nuk fle deri në ora 3 apo 4 të mëngjesit, ndonjëherë ndodh që të mos fle deri në ora 6 të mëngjesit, nuk kam vullnet për jetë, nuk kam shpresa se do bëhet ndonjëherë mirë për mua, jam e dëshpëruar, çdo herë jam në trishtim, më duket vetja e pavlerë, nuk kam interes për asgjë. Po të mos kish besuar në Zot, do të kisha kryer vetëvrasje, nuk kam interes për seks, frikësohem shumë nga e ardhmja, sepse e di që nuk jam e aftë për asgjë në jetë, nuk mund të koncentrohem. Ndodh që dikush kalon para meje, më përshëndet, unë e shikoj dhe prapë nuk e vërej, frikësohem të marr vendime, çdo herë më ndodhin gjëra të turpshme, nëse më ofendon dikush mendoj tërë kohën, nuk më respektojnë njerëzit aspak, shoqe nuk kam pasur kurrë, bëj një jetë të zbrazët dhe vet po ndihem shumë e zbrazët. Më vjen të qaj shpesh, kam shumë komplekse, kur më thotë dikush të kryej ndonjë punë humbi krejt nuk i shoh gjërat para meje. I kam njoftuar prindërit me gjendjen time, por nuk më lejojnë të marr antidepresivë, sepse jam e re dhe më thonë se do bëhem e varu.  Çfarë më këshilloni, doktoreshë. Ju lutëm, më ndihmoni. Ju falënderoj shumë.

PËRGJIGJE:
Ju jeni shumë nervoze dhe e ngarkuar, nuk keni tolerancë dhe me një fjalë vetëm “zi po sheh”. Ngadalë e dashur, pse gjithë ky pesimizëm? A ka rrugëdalje nga kjo gjendje? Pse nuk po lejon që të tjerët të të ndihmojnë. Je e re dhe jeta është para jush. Shpresoj që kjo gjendje të jetë e përkohshme dhe mendoj se më tepër duhet zënë vend mendimet pozitive që dalëngadalë të dalësh nga situata. Keni një imazh të gabuar për veten tënde dhe njëkohësisht e nënvlerësoni veten tuaj (“nuk më respektojnë njerëzit, bëjë një jetë të zbrazët, etj.”). Poashtu, keni mendime suicidale që na bëjnë me menduar se vet nuk mund ta kalosh këtë gjendje. Ti je e zhgënjyer nga njerëzit, nga të afërmit dhe nga jeta në përgjithësi, mendoni se jeni e pavlefshme dhe e padobishme dhe zgjidhjen po e kërkoni në vetëvrasje (nuk po tingëllon hiç mirë).Gabim shumë gabim, nuk duhet të dorëzoheni, por kjo është një sfidë për juve. Gjendja e jote me ndihmën tonë do të përmirësohet, por duhet kohë dhe durim. Nuk keni grip që të kalon për një javë, por kjo gjendje duhet të kaloj pas një kohe kur ti veç ke me filluar me marrë terapi adekuate dhe psikoterapi, njëkohësisht për një kohë të shkurtër keni me ndie veten më mirë. Atëherë, mos hezito të drejtohesh tek psikiatri, sepse shumë do të të ndihmojë.

Përshëndetje doktoreshë. Më vjen mirë për kurajën tënde për të ndihmuar të sëmurët. Unë kam një pyetje për burrin tim. Jemi martuar gati qe një muaj. Natën ai zgjohet 3 deri 4 herë i frikësuar, trembet, shikon nëpër dhomë sikur sheh diçka. Nuk e din se çka po i ndodh.Para 7 muajsh i ka vdekur një i afërm familjar dhe prej atëherë merr barna për depresion, Cipralex.
Doktoreshë, m padurim presim përgjigjen tënde.

PËRGJIGJE:
E nderuar, fillimisht ju përshëndes. Shumë pak kemi të dhëna për sëmundjen e shokut tuaj, por me sa e kuptova ka problem me gjumë dhe se është nën ndikimin e barnave antidepresive. Sipas jush sëmundjen e ka precipituar vdekja e një anëtari të familjes, por mendoj se duhet doemos të vizitohet burri juaj sërish te psikiatri dhe ta merrni konfirmimin e plotë të tij për atë se a duhet të vazhdoj, të shtojë terapi apo terapia duhet të ndërpritet. Nëse problemet i janë lajmëruar pas vdekjes se anëtarit të familjes, duhet të kalojë një periudhë kohore derisa ai të pajtohet me humbjen dhe të stabilizohet në aspektin psikik. Prandaj, shpresoj se burri juaj nuk ka pasur përpara probleme të kësaj natyre. Mbesim me shpresë që gjithçka do të bëhet mirë.

Përshëndetje. Së pari ju përgëzoj për punën që po e bëni. Jam 23 vjeçe, e martuar, kam një problem me frymëmarrje. Kam qenë te mjeku, kam menduar që jam e ftohur, por mjeku më ka thënë se e kam prej frikës, sepse shpeshherë kur frikohem, gaboj diçka, më vjen një ligështi prej lukthi, më zihet fryma edhe bllokohem krejt në gjoks dhe në hundë. Bëhem shumë nervoz dhe tërë trupi më dridhet, koka më ushton, kom përdorë Bronles 375mg 3×1 Lexarium1.5mg 2×1 Amoxilin 500m çdo 8 orë, bedoxin, por nuk më ka kaluar. Jam shumë e brengosur dhe po bëhem nevrike, nuk e di se çfarë të bëj. Të lutem doktoreshë, më ndihmo! Pres përgjigjen tuaj dhe ju uroj punë të mbarë. Faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, te ju bëhet fjalë për çrregullim ankthi dhe ju kisha preferuar që sa më parë ta kontaktoni psikiatrin dhe të fillohet me terapi adekuate, prandaj mos humb kohë.

 

Përshëndetje të përzemërta. Jam 21 vjeçe. Kam shumë probleme me njerëz, nuk e di pse, por të gjithë ikin nga unë. Nuk besoj se jam e padijshme, nuk jam e shëmtuar, kam gjatësi mesatare; nuk e kam të qartë pse asnjeri nuk do të ketë gjë me mua. Asnjë shoqe të ngushtë nuk e kam pasur në jetë, kurse për ndonjë të dashur as që mund të ëndërroj. Nuk po mund të përshtatem askund, të gjithë më shikojnë çuditshëm nëse dua të rri me ta, nëse e lus dikë që të dal me mua, thotë se s’ka kohë. Gati me askënd nuk flas në klasë, nuk më flet askush, askush nuk më dëgjon kur flas .Jam shumë e izoluar, nuk po shkon jeta në vetmi, kam ra edhe në depresion, nuk po më merr gjumi, kam shumë mendime negative. Doktoreshë, askënd nuk e pengoj, nuk sillem keq, jam shpirtthyer, kam mendime për vetëvrasje. Doktoreshë e nderuar, kam nevojë për ndihmë. Pres përgjigjen tënde.

PËRGJIGJE:
E nderuar, me sa e kuptova problemi juaj qëndron në aftësinë tënde të pamjaftueshme për të pasur shoqëri, paaftësi në kuptim të krijimit të lidhjeve miqësore me shoqet apo shokët tuaj. Nga letra juaj ju mendoni që keni një qëndrim të drejtë ndaj shoqërisë, por sipas jush “të gjithë ikin nga unë”, athua pse? A i ke bërë ndonjëherë vetes një pyetje të tillë dhe a ke mundur ta zbulosh ndonjë gabim që ti e bënë në prani të shoqërisë. Për të qenë e dashur në shoqëri duhet të “ investosh”, duhet me ju dhanë rast të tjerëve, duhet të flasësh, por jo pa lidhje dhe pavend, me qesh kur është ndonjë muhabet për të qeshur, dmth. dalëngadalë duhet filluar. Imponimet në shoqëri nuk funksionojnë, askush nuk të pranon në atë mënyrë dhe do të marrin si të pavlerë dhe të parëndësishme. Poashtu, keni një imazh të gabuar për pamjen tuaj. Ju keni humbur besimin, sigurinë në vete dhe absolut nuk keni iniciativë për të shkuar tutje. Bukuria nuk është në pamje të jashtme, por bukuria rrjedh nga brendësia.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen