Metaforë e pritjes pa fund

Analiza & Komente | Rrezore | 19.01.15 | 17:04

Për ekonominë franceze, më tepër kam mësuar duke lexuar Balzakun, sesa nga të gjithë ekonomistët francezë – Sent-Iler (Étienne Geoffroy Saint-Hilaire, 1772-1844) .

Për diskriminimin ekonomik të shqiptarëve në Maqedoni, më tepër mësojmë nga prononcimet e kreut të VMRO-së gjatë fushatave parazgjedhore, sesa nga informatat selektive dhe të censuruara të institucioneve të shtetit.

Gjatë fushatave parazgjedhore, kreu i VMRO-së i drejtohet elektoratit të vet dhe mbarë popullit sllavo-maqedonas, me ç’rast i numëron një nga një të gjitha investimet e bëra në të gjithë lëmenjtë. Nga paraqitjet e tij, sidomos nëpër studiot televizive, mësojmë për qindra milionë euro që i ka investuar qeveria e Gruevskit:

– për ndërtimin e autostradave në pjesën lindore të Maqedonisë;

– për modernizimin si dhe për ndërtimin e vijave hekurudhore në pjesën lindore të Maqedonisë;

– për investimet në lëmin e bujqësisë dhe të blegtorisë;

– për investimet në kulturë, në ato segmente që s’kanë të bëjnë fare me interesin shqiptar;

– për investimet në infrastrukturë;

– për ndarjen e bursave studentëve, kryesisht sllavo-maqedonas, për të studiuar dhe për të specializuar jashtë vendit;

– për investimet në ndërtimin e objekteve fetare – të kishave dhe të kryqeve bizantinë;

– për investimet në zonat e lira ekonomike në pjesën lindore të Maqedonisë dhe në afërsi të Shkupit, siç është zona zhvillimore industriale teknologjike e Bunarxhikut.

– për investimet e huaja nëpër qytetet e banuara me shumicë sllavo-maqedonase, si në Ohër etj.

Gjatë paraqitjeve të tij, Gruevski e tregon shumën e mjeteve financiare të investuara, vendin apo zonën ku janë bërë investimet, sektorin në të cilin janë kryer investimet dhe numrin e njerëzve që janë punësuar nëpër ato zona. Nga të dhënat e tij mund të konstatohet se në viset shqiptare, d.m.th. në pjesën veriperëndimore, nuk është bërë as edhe një investim i vetëm dhe në asnjë sektor. Nga sa më sipër mund të konstatohet se, kur është fjala për investimet ekonomike, qeveria e VMRO-së e ndan Maqedoninë në dy pjesë:

– në pjesën shqiptare, të privuar nga çdo investim, dhe

– në pjesën sllavo-maqedonase, ku janë përqendruar të gjitha investimet.

Por, kur është fjala për kërkesat politike të shqiptarëve, atëherë VMRO-ja thotë: “Kërkesa e caktuar e shqiptarëve është e papranueshme, për arsye se Maqedonia është një, pra unitare dhe e pandashme”. Me fjalë të tjera, sipas VMRO-së, Maqedonia është monoetnike, d.m.th. sllavo-maqedonase dhe centraliste. Maqedonia ndërkaq bëhet dyetnike vetëm për aq, për sa shqiptarët duhet t’i kryejnë detyrimet tatimore ndaj shtetit, që funksionon si shtet unitar, monoetnik dhe centralist.

Si pasojë e kësaj politike diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe si rrjedhojë e mosinvestimit në pjesën veriperëndimore, viset shqiptare, në aspektin ekonomik, kanë ngecur dhe kanë mbetur në margjinat e proceseve ekonomike, saqë u kanoset edhe rreziku i getoizimit. Politika diskriminuese dhe restriktive e VMRO-së ndaj shqiptarëve synon të shndërrohet në politikë kolonialiste. Viset shqiptare ne pjesën veriperëndimore janë shndërruar në tregje të produkteve ushqimore dhe të produkteve të konsumit të gjerë të ndërmarrjeve të Shkupit dhe atyre të Maqedonisë lindore. Politika e VMRO-së ndaj shqiptarëve duhet të përkufizohet si politikë diskriminuese dhe restriktive. Shqiptarët janë të diskriminuar, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Diskriminimi i shqiptarëve nga VMRO-ja është politikë strategjike e saj. T’i dobësojmë shqiptarët sa më tepër ekonomikisht në mënyrë që:

– të mos shtrojnë kërkesa politike, d,m,th. të heqin dorë prej tyre;

– të luftojnë për ekzistencë;

– të disiplinohen dhe të nënshtrohen më lehtë;

– të detyrohen të emigrojnë për në Perëndim.

 

Që nga viti 1991 deri më sot, faktori politik shqiptar nuk është në gjendje të ndërtojë as edhe një zonë të lirë ekonomike. Para shumë vitesh është folur për një zonë të lirë ekonomike në Tetovë. Është vënë edhe gurthemeli i saj. Janë hedhur në të – para kamerave – edhe ca lopata beton. Ajo ndërkaq, qe sa vjet, s’lëviz dot nga vendi. Përse vallë?!

Kujt i shërben faktori politik shqiptar?! Kujt i shërbejnë përfaqësuesit shqiptarë në qeverinë e këtij vendi, ç’punë bëjnë ata dhe në funksion të kujt janë?! Kënd kanë përfaqësuar përfaqësuesit shqiptarë në organet ekzekutive të këtij vendi, që nga viti 1991 deri më sot?! S’ka se si të mos shtrohet pyetja: Cili është dallimi thelbësor ndërmjet funksionarëve shqiptarë të periudhës moniste 1944-1991 dhe këtyre të periudhës pluraliste 1991-2015?

In ultima linea, funksionarët shqiptarë të periudhës moniste s’kanë pasur kurrfarë hapësire demokratike për ta shtruar qoftë edhe një kërkesë të vetme në dobi të popullit të vet, ndërsa sot, në pluralizëm, përfaqësuesit shqiptarë kanë një hapësirë demokratike më të gjerë për të mbrojtur interesin shqiptar. Atëherë shtrohet pyetja: Përse zvarritet ndërtimi i zonave të lira ekonomike në viset shqiptare?! Përse shqiptarët, që nga viti 1991 deri më sot janë të përjashtuar nga të gjitha proceset ekonomike, financiare dhe bankare të këtij vendi?! Përse hapësirat shqiptare në veriperëndim janë shndërruar në tregje koloniale për produktet ushqimore dhe për ato të përdorimit të gjerë – të ndërmarrjeve sllavo-maqedonase?! Shqiptarët ngecin në pikëpamje ekonomike, përkundër faktit se dikasteri i ekonomisë, d.m.th. ministria e ekonomisë, në vitet e fundit është udhëhequr kryesisht nga ministra shqiptarë. Çfarë paradoksi!

Si pasojë e ngecjes ekonomike të shqiptarëve, çështja shqiptare, nga një kauzë politike kombëtare po shndërrohet në problem social. Diskriminimi ekonomik i shqiptarëve sjell varfërimin e tyre. Ajo manifestohet:

– me rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve;

– me përqindjen e lartë të papunësisë;

– me dobësimin e bizneseve të vogla;

– me tendencën shqetësuese të të rinjve për të emigruar jashtë vendit.

Mënyra më e lehtë për ta nënshtruar një popull është varfërimi ekonomik i tij. Mirëpo, kur problemet sociale arrijnë masën kritike, ato mund të shndërrohen në revoltë masash të gjera. Për t’i amortizuar tronditjet sociale, sundimtarët politikë dhe oligarkët ndjekin politikën e Romës së vjetër panem et cicusens. Jepu masave popullore bukë dhe argëtim dhe sundo mbi ta sa të duash dhe si të duash. Ngecja ekonomike dramatike parandalon zhvillimin e qyteteve shqiptare. Ato janë shndërruar në qyteza, në kasaba, në varosh apo në pallanka. Aty ku s’ka veprimtari ekonomike shtohen bastoret, shtëpitë publike, klubet e natës, kazinotë dhe lojërat mashtruese të fatit. Çajtoret plot tym mbushen përplot.

Ndjenja e të rinjve se u mungon perspektiva, do të përshkohet nga një apati e thellë dhe zhgënjim rrëqethës që do të manifestohet edhe si depresion. Në një terren të tillë lehtë mund të përhapen edhe dukuritë negative në shoqëri, si vrasjet, vjedhjet, imoraliteti dhe narkomania.

A pyet ndokush se ku do të punësohen studentët shqiptarë të universiteteve tona?! Në shtetet ku ka rend dhe rregull, numri i studentëve të universiteteve harmonizohet me kërkesat dhe me nevojat e shoqërisë. Këtu në Makondon markeziane ndërkaq, analiza të tilla kurrë s’janë bërë. S’është e rastit që shumë të rinj me diploma universitare punojnë si kamerierë, apo – të demoralizuar – enden rrugëve. Sikur rrugët për të emigruar për në Perëndim të ishin të hapura, shumë të rinj shqiptarë do t’i lënin vatrat e tyre dhe do të kërkonin shpëtim apo ekzistencë në një botë pa kthim, që i shpie drejt asimilimit. Ç’politikë kombëtare është kjo?! Ç’fitore është kjo, kur:

– shumë kërkesa primordiale të shqiptarëve nuk u realizuan fare;

– disa të drejta u realizuan në shtratin e Prokrustit, d.m.th. në mënyrë paliative apo gjysmake;

– ndonjë kërkesë u realizua në saje të faktorit kohë dhe me sugjerimet e BE-së.

 

Nga prononcimet e kreut të VMRO-së rezulton se në pjesën lindore të këtij vendi ishin ndërtuar apo ishin në përfundim e sipër tri autostrada. Dhe derisa në lindje janë ndërtuar tri autostrada, në veriperëndim mezi arrijnë t’i mbushin me asfalt gropat e rrugëve. Për t’u realizuar një objekt apo një projekt në hapësirat shqiptare, duhet pritur vite të tëra. Realizimi i tij duhet të kalojë nëpër faza si:

– faza e premtimit gjatë fushatës parazgjedhore;

– faza e hartimit të elaboratit dhe ajo e hartimit të projektit;

– faza e propozimit të projektit në qeveri;

– faza e shqyrtimit dhe e refuzimit;

– faza e evitimit të gabimeve procedurale;

– faza e miratimit dhe ajo e fillimit të punimeve;

– faza e prolongimit të punimeve për shkaqe që nuk dihen; dhe

– faza e zvarritjes së punimeve, si pasojë e kushteve atmosferike.

 

Pas dhjetë vjet pritjeje plot ankth, një objekt i rëndomtë, më në fund arrin të ngrihet në këmbë, për t’u përuruar nga politikanët, me kamera dhe në mënyrë pompoze. Nuk është e rastit që Tetova me dy universitete, 24 vjet është në pritje të bibliotekës. Kësaj sindrome të pritjes pa fund, si në teatrin beketian, do t’i kishte zili madje edhe Estragoni.

Ndërkohë, faktori politik shqiptar merret me pasojat, duke akuzuar njëra parti tjetrën: “Shkupi 2014 vërtet u realizua gjatë mandatit tonë, por projekti i ndërtimit u miratuar në kohën kur ju ishit në pushtet”.

E keqja nuk vjen përnjëherë. Ajo shtrihet dalëngadalë. Krahas rënies ekonomike të shoqërisë shqiptare, zhvillohet edhe procesi i përshtatjes gjendjes së degraduar, në mënyrë që varfëria dhe skamja për shoqërinë shqiptare të shndërrohen në gjendje normale. Në zbutjen e krizës dhe në ruajtjen e njëfarë stabiliteti social të shqiptarëve në Maqedoni ndikojnë ndihmat financiare të mërgimtarëve të cilët dita-ditës i reduktojnë dërgesat e tyre.

Në periudhën e viteve 1944-1991, shqiptarët në Maqedoni ishin populli më i shtypur dhe më i shfrytëzuar në Evropë. E njëjta tendencë e shtypjes dhe e shfrytëzimit vazhdon edhe gjatë periudhës së pluralizmit politik. Si kompensim për dështimin në plan të brendshëm, faktori politik shqiptar kërkon rrugëzgjidhje në integrimin e këtij vendi në organizmat euro-atlantikë. Nuk hyhet në BE pa ujë të pijshëm, me qenë endacakë dhe lypës në çdo hap.

 

Xhelal Zejneli

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen