Shqiptarët-Rrugë e gjatë për një shtet ligjor

Analiza & Komente | Zef Prenka | 16.02.15 | 12:58

Bota shqiptare vlon nga dukuritë negative. Një prej dukurive më të përhapura në trojet shqiptare në Ballkan është korrupsioni. Kjo dukuri është e përhapur në qarqet politike, si të nivelit vendor, ashtu edhe të nivelit qendror. Korrupsion ka në organet e gjyqësisë, të policisë, të doganave, të urbanizmit, të shëndetësisë, të arsimit, etj. Vjedhjet në botën shqiptare janë dukuri e shpeshtë. Vidhen banesa, pika karburanti, dyqane ari etj. Shpesh ndodh që gjatë vjedhjeve të lëndohen, të plagosen apo edhe të vriten nga vjedhësit – pronarët e banesave, rojet e pikave të karburantit, pronarët e dyqaneve. Dukuri tjetër negative që është karakteristike për botën shqiptare është edhe krimi i organizuar. Veprimet kriminale në botën shqiptare kryhen nga individë dhe nga grupe kriminale të organizuara. Shpesh ndodh që në veprime kriminale të jenë të implikuar edhe nëpunës, zyrtarë, administratorë dhe persona të rendit. Pjesë e krimit të organizuar në botën shqiptare është trafikimi i armëve, i klandestinëve, i qenieve njerëzore dhe i mjeteve narkotike. Ky lloj trafikimi apo kontrabande kryhet kryesisht nga grupe kriminale të organizuara, të ndërlidhura tërthorazi apo në mënyrë të drejtpërdrejtë, me ndonjë pushtetar, me persona të organeve të rendit, të doganave etj. Pjesë e veprimtarisë kriminale janë edhe mallrat që kalojnë në mënyrë të paligjshme nëpër pikat doganore, pa i kryer procedurat dhe detyrimet doganore. Pjesë e veprimtarisë kriminale në hapësirat shqiptare është edhe kultivimi i bimëve narkotike, prodhimi, trafikimi, përpunimi, shitja, përhapja dhe përdorimi i  drogës. Në botën shqiptare ndodhin edhe vjedhje bankash apo vjedhje të mjeteve financiare të postave gjatë transportit të parave me automjetet postare. Veprimtari kriminale ka kudo në botë, por shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në Evropë te të cilët vidhet Banka e Shtetit, madje nga vetë punonjës të saj. Pjesë e veprimtarisë kriminale në hapësirat shqiptare është edhe shfrytëzimi i femrave për qëllime prostitucioni. Në shumë qytete dhe fshatra shqiptare, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni etj. funksionojnë lokale në të cilat femra nga Shqipëria, nga Kosova, nga Serbia, nga Maqedonia etj. shfrytëzohen për qëllime prostitucioni. Dikur, për qëllime prostitucioni, shfrytëzoheshin edhe femra nga Bullgaria, nga Moldavia, nga Rumania, nga Ukraina etj.

Individë të organeve të rendit, të zbulimit dhe të gjyqësisë, vite me radhë kanë bashkëpunuar me mbartësit e veprimtarive kriminale. Kriminaliteti është toleruar edhe për interesa partiakë: të fitohen zgjedhjet dhe të rrëmbehet pushteti. Si rrjedhojë, veprimtaritë kriminale në shoqërinë shqiptare janë shtuar dhe janë shtrirë me të madhe. Në çastin kur shteti merr masa kundër kriminalitetit, atëherë kokat e krimit të organizuar acarohen dhe me veprime po aq kriminale, tentojnë të kalojnë në kundërsulm ndaj shtetit. Kjo të përkujton Amerikën Latine të viteve ’60 dhe ’70 të shekullit XX.

Subjekti politik që e udhëheq shtetin, e që nuk e lufton veprimtarinë kriminale në shoqëri, nuk e meriton votën e popullit. Një subjekt politik i tillë nuk mund të ndërtojë shtet ligjor.

Burgjet në botën shqiptare janë të mbingarkuar me të burgosur. Karakteristike për burgjet e hapësirave shqiptare janë edhe rastet e shpeshta të arratisjes së të burgosurve nga burgjet. Arratisjet nga burgjet nuk mund të ndodhin pa implikimin e gardianëve apo të policëve – të paguar, të kërcënuar ose të shantazhuar. Pjesë e krimit të organizuar në botën shqiptare ka qenë edhe reketimi. Kjo dukuri mafioze ekziston në vendet ekonomikisht të pazhvilluara, të ngarkuara me probleme sociale dhe ku nuk funksionon aparati shtetëror apo shteti ligjor. S’ka dyshim se grupet kriminale të botës shqiptare kanë pasur lidhje edhe me grupe kriminale të jashtme, mbase edhe me rrjete ndërkombëtare. Bota shqiptare është ballafaquar edhe me akte terroriste. Kryerësit e këtyre akteve kanë përdorur edhe lëndë shpërthyese siç është tritoli. Shumë persona në hapësirat shqiptare mbajnë me vete dhe nëpër shtëpitë e tyre armë llojesh të ndryshme. Sa i përket armëmbajtjes pa leje, bota shqiptare bën pjesë në grupin e popujve që ndodhen në krye të listës evropiane. Numri i vrasjeve në botën shqiptare ka përmasa brengosëse. Me vrasje, shqiptarët radhiten në kryet e vendit në Evropë. Ka pasur raste të jenë vrarë persona të pafuqishëm, të pambrojtur dhe pleq të vetmuar, me qëllim grabitjeje të parave të tyre apo të banesave të tyre. Shumë vrasje kanë ndodhur dhe ndodhin edhe për punë banale dhe absurde, siç është parkimi i një automjeti.

Vëllavrasja, hakmarrja apo gjakmarrja, sot e kësaj dite vazhdon t’i tmerrojë shqiptarët. Si rrjedhojë e hakmarrjes, shumë familje mbyllen dhe ngujohen nëpër shtëpitë e veta. Shqiptarët janë i vetmi popull në Evropë që ende nuk e ka çrrënjosur hakmarrjen. Hakmarrja ndër shqiptarët sot është edhe pasojë e mosveprimit efektiv të organeve të shtetit – të policisë dhe të gjyqësisë. Bota shqiptare zë ndër vendet e para në Evropë me aksidente rrugore. S’ka ditë të mos lexojmë nëpër mediume për ndonjë vrasje, plagosje dhe aksident rrugor. Tragjeditë në qarkullimin rrugor ndodhin për shkak: të nivelit të ulët të kulturës në drejtimin e automjeteve, të rrugëve të këqija, të rrjetit rrugor të pazhvilluar, të kontrollit të dobët të policisë rrugore, të ligjeve jopërkatëse, të mosekzekutimit të dënimeve, të marrjes së patentës në mënyrë abuzive, të ngasjes së automjetit nën veprimin e alkoolit etj. Me tragjeditë që ndodhin nëpër minierat e pasiguruara të hapësirave shqiptare, shqiptarët radhiten në krye të listës në kontinentin e vjetër. Dhuna në familje është një karakteristikë tjetër e botës shqiptare. Burri ushtron dhunë fizike ndaj gruas së vet, ndaj fëmijëve apo edhe ndaj prindërve.

Shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në kontinent që nuk i shlyejnë sa duhet detyrimet tatimore ndaj shtetit. Presidenti amerikan Xhon Kenedi ka pas thënë: “Nuk duhet pyetur vetëm ç’bën shteti për ty, por ç’bën edhe ti për shtetin”? Shteti ligjor shumë vështirë ndërtohet pa i shlyer qytetarët detyrimet ndaj tij. Një përqindje e madhe e shqiptarëve nuk e paguajnë rrymën elektrike ose vjedhin rrymë elektrike. Në shumë raste rrymën nuk e paguajnë apo e vjedhin atë edhe persona me të ardhura solide. Ka raste kur partia shqiptare në pushtet, për t’i fituar zgjedhjet, një javë para mbajtjes së tyre, del me një komunikatë partiake dhe ua fal qytetarëve borxhet e energjisë elektrike. Në shtetet ku ka rend dhe rregull, një gjë e tillë kurrë nuk mund të ndodhë. Shteti nuk është pronë e partisë, që ajo, mu në prag të zgjedhjeve, t’ua falë borxhet debitorëve. Çështja e detyrimeve tatimore ndaj shtetit apo e borxheve të rrymës elektrike, për kategoritë sociale të veçanta, duhet të zgjidhet në mënyrë parimore në organet përkatëse të shtetit dhe me akt juridik. Shqiptarët radhiten në krye të vendeve evropiane me ndërtimet pa leje. Mafia urbane i uzurpon hapësirat e lira, përfshi edhe parqet, në çdo cep të qyteteve shqiptare. Për të qenë situata akoma më absurde, në qytetet bregdetare të botës shqiptare ka edhe shumë raste të uzurpimit të plazheve.

Në hapësirat shqiptare janë mjaft të përhapura lojërat e fatit, bastoret, kazinotë dhe klubet e natës. Shumë prej tyre funksionojnë në kundërshti me normat ligjore. Karakteristikë e hapësirave shqiptare është edhe muzika pornografike. Shqiptarët duhet ta dinë se interesi i një shteti apo i një kombi nuk është vetëm kënga dhe vallja, afirmimi dhe pasurimi i shpejtë. Jeta e njeriut nuk është vetëm këngë e valle. Shqiptarët janë ndër të rrallët në kontinent që nuk marrin pjesë apo nuk arrijnë të kualifikohen në skenën ndërkombëtare, pothuajse me asnjë sport, siç janë futbolli, basketbolli, hendbolli, volejbolli, vaterpoloja, tenisi, atletika, gjimnastika, noti, maratona etj. Majlinda Kelmendi në xhudo e bën krenar tërë kombin shqiptar. Shqiptarët shquheshin në peshëngritje, por fatkeqësisht testimi i dopingut i rrënoi ëndrrat arbërore në këtë disiplinë.

Karakteristike për botën shqiptare sot është pasurimi brenda natës. Një kategori e madhe njerëzish të hapësirave shqiptare, e kanë shfrytëzuar periudhën e tranzicionit, jo për ta përmirësuar mirëqenien e popullit, por për t’u pasuruar vetë. Shumë persona dhe grupe kanë krijuar pasuri në dëm të popullit apo të shtetit, duke shpërdorur pozitën dhe pushtetin apo duke shkelur ligjin. Ka të tillë që janë pasuruar edhe me veprime kriminale. Kjo kastë e pasuruar e shoqërisë shqiptare bën një jetë luksoze, ndërsa shumë familje shqiptare mezi e sigurojnë bukën e gojës. Borgjezia në Evropë filloi të krijohet në Itali në shekullin XII dhe kjo shtresë e lartë e shoqërisë perëndimore u ndërtua brenda shumë shekujve. Kapitalistët shqiptarë ndërkaq synojnë të shndërrohen në klasë borgjeze për një kohë tejet të shkurtër. Si pasojë e varfërisë, në botën shqiptare kanë ndodhur edhe vetëvrasje. Të ballafaquara me skamjen, shumë nëna kanë tentuar t’i japin fund jetës apo edhe kanë vrarë veten. Varfëria dhe skamja në botën shqiptare kanë qenë    shkak i shumë shkurorëzimeve. Varfëria dhe skamja të çojnë në tradhti, në imoralitet dhe në veprime të paligjshme. Gjatë periudhës së tranzicionit, një numër i madh i shqiptarëve janë larguar nga vatrat familjare, pa dijen e të afërmve të tyre. Për fatin e tyre, sot e kësaj dite s’dihet gjë. Sipas të dhënave të caktuara, rreth 250 shqiptarë kanë vajtur për të luftuar në Siri dhe në Irak. Lufta e këtyre individëve apo grupeve, në toka të huaja dhe për interesa joshqiptare, është në kundërshti të plotë me interesat strategjikë të kombit shqiptar. Shqiptarët, sot e kësaj dite kanë nevojë të jashtëzakonshme për forcim të vetëdijes kombëtare.

Shqiptarët e të gjitha trojeve etnike shfaqin një tendencë të theksuar për të emigruar nga vatrat e tyre dhe për të gjetur punë në Evropë, në SHBA, në Australi dhe në Kanada. Kjo dukuri e dëmshme arriti kulmin me eksodin kosovar të muajve të fundit.

Dukuri e botës shqiptare është edhe politizimi dhe partizimi i skajshëm i administratës publike, i institucioneve dhe i universiteteve. Partia në pushtet kontrollon doganat, sistemin gjyqësor, etj. Politizimi dhe partizimi i institucioneve publike shpie në krijimin e shtetit partiak. Punësimet në botën shqiptare, në të shumtën e rasteve, nuk bëhen me kritere profesionale dhe morale, por me kritere partiake.

Shumë mediume të hapësirave shqiptare janë në shërbim të partive politike. Numri i mediumeve të pavarura është tejet i vogël. Si pasojë e konkurrencës joluajale dhe e hapësirës së kufizuar demokratike, mediumet shqiptare e kanë vështirë të ruajnë pavarësinë. Demokracia në  botën shqiptare ndodhet në nivel të ulët. Në shtetet me institucione të politizuara dhe të partizuara, vështirë mund të flitet për lirinë e fjalës, për lirinë e mendimit kritik dhe për lirinë e shtypit. Shumë analistë politikë dhe ndërtues të mendimit kritik publik janë të përcaktuar mbi baza partiake. Shumë analistë, ndonëse hiqen të pavarur, në të vërtetë janë në shërbim të partive politike të caktuara.

Intelektualë shqiptarë të universiteteve, të akademive të shkencave dhe të instituteve të ndryshme shkencore, ose janë në shërbim të politikës, ose janë nën kontrollin e politikës. Për t’i  ruajtur interesat personalë dhe pozitat e zëna, shumë intelektualë shqiptarë mbajnë qëndrime oportuniste dhe konformiste, madje edhe në rastet kur bëhet fjalë për çështjet me interes të gjerë. Shqiptarët duhet t’i kushtojnë rëndësi shumë më të madhe ngritjes së cilësisë në arsim. Arsimimi i sotëm në botën shqiptare nuk është në nivel të duhur.

Dukuri shqiptare janë edhe mosnjohja e rezultateve të zgjedhjeve – vendore apo atyre parlamentare. Partia që i humb zgjedhjet, menjëherë del me komunikatë dhe i konteston rezultatet e zgjedhjeve, duke thënë se partia fituese, gjatë procesit zgjedhor, ka bërë abuzime: i ka mbushur kutitë me fletëvotimeve, i ka blerë votat, ka përdorur dhunë fizike ndaj veprimtarëve partiakë të palës tjetër; kanë votuar edhe persona që rezultojnë të vdekur. Kontestohen listat e votuesve, kontestohet numërimi i votave etj. Shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në rajon dhe në Evropë, te të cilët numërimi i votave zgjat me javë të tëra, përkundër faktit se numri i votuesve është i vogël. Me t’u formuar legjislacioni i ri i kuvendit, pason bojkoti i parlamentit nga opozita. Të pakta janë partitë në rajon dhe në Evropë që e bojkotojnë parlamentin shtetëror. Kjo ndodh kryesisht te shqiptarët. Në vendet ku ka rend dhe rregull, rezultatet e zgjedhjeve komunikohen 2-3 orë pas përfundimit të tyre. Partia humbëse i pranon rezultatet dhe menjëherë ia uron fitoren palës tjetër. Shqiptarët janë i vetmi popull në rajon dhe në kontinent, të cilëve, për ta formuar qeverinë pas zgjedhjeve, u nevojiten plot gjashtë muaj.

Opozita shqiptare e ndërpret bojkotimin e organit ligjvënës vetëm pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve. Me t’u kthyer në kuvend, midis mazhorancës dhe opozitës fillon lufta politike e ashpër. Lufta në parlamentin shqiptar ka të bëjë kryesisht, jo me proceset politike, ekonomike dhe sociale, por me animozitetet midis krerëve politikë. Një përplasje si e liderëve shqiptarë, ku nuk kursehen as fjalët fyese më banale, rrallë ndodh në parlamentet e vendeve evropiane. Opozita shqiptare duhet të ketë qëndrim kritik parimor, si ndaj mazhorancës, ashtu edhe ndaj veprimeve të paligjshme në shoqëri. Opozita politike që nuk merr pjesë në mënyrë konstruktive në luftën kundër veprimeve të paligjshme në shoqëri, me retorikën e saj parapolitike mund të shkaktojë efekte destruktive, duke nxitur tërthorazi edhe krimin e organizuar.

Problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në vitet e fundit janë pasojë e shkallës së ulët të zhvillimit ekonomik dhe e keqqeverisjes politike. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që tranzicioni i tyre të zgjatë deri në pafundësi. Probleme të ngjashme kanë edhe popujt e tjerë të rajonit dhe më gjerë, por jo në përmasa si në botën shqiptare. Preokupim parësor i politikanëve shqiptarë nuk duhet të jetë rrëmbimi i pushtetit, por konsolidimi  i shtetit si dhe ndërtimi i shtetit ligjor dhe demokratik. Vendosja e rendit dhe e rregullit si dhe zbatimi i ligjit nuk është tirani dhe diktaturë, por është parakusht për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Në këtë pikëpamje, nuk mund të ketë ndarje në pozitë dhe opozitë. Ky duhet të jetë synim i krejt spektrit politik shqiptar dhe i mbarë shoqërisë shqiptare. Aty ku mungon shteti ligjor, mbizotëron tirania e shkelësve të ligjit. Shteti nuk është interes koniunktural i një partie, por interes afatgjatë i tërë një kombi. Shteti kritik kërkon udhëheqës të aftë, të vendosur dhe me integritet. Shqiptarët duhet t’i tregojnë botës se janë popull historik, popull politik dhe popull me kapacitet shtetformues dhe shtetndërtues. Vice versa, duke u përplasur midis Sciles dhe Haribdës, shqiptarët rrezikojnë të mbeten edhe pa mbështetjen e njëmendët të miqve perëndimorë. Shteti ligjor dhe demokratik dhe ekonomikisht i zhvilluar nuk ndërtohet pa idealizëm.

Xhelal Zejneli

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen